Vlera e Ditës së Arafatit



Nuk ka dilemë se Dita e Arefatit, apo siç ështëe njohur te populli i jonë "Dita e Arifës" është dita e nëntë e muajit dhul-hixhe, respektivisht dita që ndërlidhet me kryerjen e farzit të pestë të Islamit që është haxhi. Kët ditë të gjithë ata që ia kanë mësyrë vendeve të shenjta për kryerjen e haxhit tubohen në rrafshnaltë e quajtur Arefat. Qëndrimi i haxhinjve këtë ditë në këtë vend të shenjtë është Rukn (pjesë përbërëse e haxhit), që nënkupton se nëse haxhiu këtë ditë nuk qëndron në këtë vend të shenjtë, nuk ka haxhillëk.

Dita e Arefatit, edhe për haxhinjtë që gjenden në Arefat ndërlidhet me kryerjen e haxhit të tyre, kjo ditë ka vlera të mëdha edhe për mbarë muslimanët kudo që gjenden në rruzullin e tokës. Allahu xh.sh. në suren el-Fexhr, suke u betuar në këto vlera thotë: "Pasha dhjetë netët! Pasha çiftin dhe pasha tekin!", (El-Fexhr: 2-3). Ibni Abasi r.a. si komentuesi më i spikatur i Kur'anit, duke shpjeguar ajetet e lartëpërmendura thotë: "Kur Allahu betohet duke thënë 'pasha çiftin' ka për qëllim betimin në ditën e kurbanm bajramit, kurse ku betohet 'pasha tekin' ka për qëllim ditën e Arefatit".

Në anën tjetër kur lexojmë suren el-Buruxh, në Kur'anin Fisnik gjemë se Allahu betohet duke thënë: "Pasha ditën e premtuar!, Pasha atë që dëshmon dhe atë që dëshmohet!", (El-Buruxh: 2-3). Në shpjegimin e këtyre ajeteve, në një transmetim nga Ebu Hurejreja r.a. gjejmë se ka thënë: I Dërguari i Allahut s.a.v.s., ka thënë: "Dita e premtuar, është dita e ringjalljes, dita e dëshmuar është dita e Arefatit, kurse dita që dëshmon është dita e xhuma, andaj nuk ndonjë ditë tjetër në të cilën lindë dhe perëndon dielli më të mirë se kjo ditë", (Termidhiu).

Dita e Arefatit konsiderohet edhe dita e përfundimit të shpalljes dhe kompletimit të zbritjes së Kur'anit. Për këtë çështje tregon Omer Ibnul Hatabi r.a. kur thotë: Na kujtohet kjo ditë dhe vendi në të cilën gjendej pejgamberi a.s.. Ditën e Arefatit që njëkohësisht ishte edhe ditë e xhumma, kur i zbriti Xhibri a.s. me ajetin: "Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjogja për ju islamin fe", (El-Maide: 03).

Dita e Arefatit është një ditë kur Allahu xh.sh. me banorët e ditës së Arefatit, u krenohet banorëve të qiellit - melekëve. Këtë e vërteton edhe hadithin e transmetuar nga Ebu Hurejreja ku Pejgamberi a.s. thotë: "Vërtetë Allahu u krenohet me ata që gjenden në Arefat, melekëve, duke u thënë: Shihni robërit e Mi si janë tubuar dhe bëjnë lutje". Dijetarët islam në shpjegimin e këtij hadithi thonë se krenaria e Allahut xh.sh. me njerëzit që janë mëkatar ndaj krijesave që nuk kanë mëkate siç janë engjëjt, vjen në shprehje vetëm pasi ata të pastrohen nga mëkatet, e kjo nënkuptonë se ata qlë gjenden në Arefat dhe i luten Allahut xh.sh. janë të pastruar nga mëkatet.

Dita e Arefatit është dita që Allahu xh.sh. më së shumti amneston besimtarët islam nga zjarri i xhehenemit. Në një transmetim nga Aisheja r.a. thuhet: Pejgamberi a.s., ka thënë: "Nuk ka ndonjë ditë në të cilën Allahu xh.sh. amneston njerëz më shumë se sa ditëne Arefatit".

Ditën e Arefatit lutjet e njerëzve janë të pranuara te Allahu Fuqiplotë, e kjo vërtetohet me transmetimin nga Talha Ibni Ubejdullahi i cili thotë: Vërtetë pejgamberi a.s. ka thënë: "Lutjet më të mira janë lutjet ditë[n e Arefatit, dhe lutja më e mirë që kam thënë unë dhe pejgamberët para meje është: Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut, Ai është i Vetëm dhe nuk ka shok".

Dita e Arefatit ka begati edhe për ata që nuk gjenden në haxh, për ata që e agjërojnë këtë ditë. Ebu Katadete transmeton rastin kur është pyetur pejgamberi për vlerën e agjërimit të kësaj dite, e ai ka thënë: "agjërimi i kësaj dite i mbulon - i falë mëkatet e dy viteve, atioj që ka shkuar dhe atij që vjen".

Prandaj duke u nisur nga këto argumente burimore që u përmendën dhe shumë argumente tjera të pa theksuara, konstatohet se dita e Arefatit është një ditë me vlera të shumta. Një ditë që e nxitë besimtarin islam që sa më shumë të kryejë veprime të mira duke filluar nga adhurimet, lutjet e ederi te humanizmi dhe shpërndarja e sadekave, me vetëdije se këtë ditë të gjitha veprat shprehen me shpërblime më të mëdha se sa ditëve tjera.



Autor: Prof. Jusuf ZIMERI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...