Ndjekja e imamëve dhe ndjekja e haditheve



Ndjekësit e imamëve nuk i refuzojnë hadithet që i kundërshtojnë mendimet e imamëve të tyre

Një grup njerëzish tentojnë me çdo kusht bllokimin e tradicionales "Ndjekjen e medhhebit". Bile edhe hadithet e vërteta i refuzojnë, që me çdo kusht të kundërshtojnë vendimin e ndonjërit nga Imamët. Qëndrimet e këtilla më bëjnë të më rrënqethet lëkura. Disa mllefin e tyre e shprehin përmes vargjeve të tyre në gjuhën persiane, kinse ata shpesh dëgjojnë termin "ka thënë - ka thënë" në stilin e bartjes së transmetimeve nga Muhammedi a.s. përmes sahabiut i cili ka dëgjuar duke thënë Muhamedi a.s., por me këtë dëshiron të thotë thënien e Imamit, ndjekës i të cilit është ai vetë. Pastaj thonë: "qëndrimet e këtilla konsiderohen si ofendim dhe zhvlerësim i madh ndaj hadithit të Muhamedit a.s.".

Unë lus Allahun që neve të na mbrojë nga ky verbërim, pasi që sjellja e tyre të jep të kuptosh se për qëllim e kanë drejtëpërdrejtë Imamin e tyre. Nëse dikush e llogarit këtë imitim, rivalitet në Profetësi, nuk meriton të qortohet, sepse nuk ka gabuar në pikëpamjen e tij.

Mirëpo gabimi buron nga ajo që ata e shohin gabim, që me injorancën e tyre, kundërshtojnë imitimin e Imamëve (Medh-hebeve) dhe akuzojnë të gjithë imituesit për rivalitet në profetësi. Edhe pse kjo nuk ka të bëjë aspak me realitetin.

Sipas meje, imitim është ajo që unë veproj me fjalët dhe udhëzimet e Muhamedit a.s. duke ma bërë të qartë këtë thënia e Imam Ebu-Hanifes r.a. interpretimin dhe sqarimin e tyre, për arsye se ai në "udhëzim-hidaje" dhe në fikh ishte në një pozitë shumë të lartë, këtë nuk mund ta mohojë askush, dhe si i tillë ishte i pranuar tek i gjithë ummeti islam i atij vendi. Dituritë dhe njohuritë që ai i posedonte, janë argumenti më i fuqishëm për këtë. Nuk e di si mund të jetë karakteri i atij që thotë: "imitimi i një imami është sikurse të bërit rival në Profetësi. Ai i cili ka qëndrimin tim, sa i përket imitimit (teklidit), do t'i bëhet e qartë se hadithi profetik është (caku) qëllimi kryesor. Kurse Ebu-Hanifeja nuk është tjetër vetëm se ndërmjetësues për kuptimin e mirëfilltë të Hadithit".

Ai i cili supozon se vepron me hadithin drejtëpërdrejtë pa ndërmjetësimin e ndonjë Imami, në këtë rast ai vepron me hadithin sipas të kuptuarit individual. E nuk ka dyshim se Selefi Salihinët, na kanë kaluar neve edhe juve, si në mendjemprehtësi, të kuptuar, drejtësi, devotshmëri, besnikëri, fe e frikë ndaj Allahut xh.sh. dhe ishin nga më të ndrojturit në çdo pore të jetës së tyre.

Tani më thoni: "të vepruarit me hadith, te cila gjeneratë (grup) është më e sigurtë, te selefi salihinët apo te gjenerata jonë". Ose me fjalë tjera: "te ju, të vepruarit me hadith bëhet sipas asaj që ju e kuptoni. Kurse tek imituesit (ndjekësit) e medhhebeve të vepruarit me hadith bëhet sipas asaj që e kanë kuptuar Selefi Salihinët? Vendimin për këtë ua lëjmë atyre që dijnë të vlerësojnë". Komentin që e bëra në lidhje me "teklidin" - imitimin, ka vlerë shumë të madhe për ata që kanë shije për këtë çështje.


Kundërshtojnë më pas vet e zbatojnë

Grupacioni që konsideron veten se punojnë me hadith ngren një poblematikë dhe thonë: "Kush jeni ju o, imitues - Mukallidun"? U parashtrohet juve hadithi i Muhamedit a.s. e ju nuk veproni me të, vetëm e vetëm pse thënia e imamit tuaj e kundërshton atë. Gjë e cila konfirmon se ndjekja e hadithit nuk është qëllimi juaj kryesor, por më kryesorja për ju është ndjekja e fjalës së imamit tuaj.

Përgjigjeja për këtë vërejtje është se problemet janë të ndryshme në këtë kontekst edhe hadithet janë të ndryshëm. Për hadithin që ju na akuzoni se ne nuk veprojmë me të, ne veprojmë me një hadith tjetër që ka të bëjë me atë kapitull, në këtë rast ju nuk do të vepronit me të, kurse ne po. Ndërkaq, pretendimi juaj se hadithin të cilin e marrim ne është "Merxhuh" (i deklasifikuar) kurse hadithin që e merrni ju është "Raxhih" (i klasifikuar), lidhur me këtë ju them: zgjidhja e kategorisë së hadithit ëshë çështje shije (bazohet në shije). Ndodh që ju ta shihni një hadith Raxhih, kurse Ebu-Hanife nuk e sheh si të tillë. Me të vërtetë, te ne mendimi i Ebu-Hanifes është më i saktë dhe më i sigurtë se sa mendimi juaj. Thënia juaj se ju veproni me hadith, kurse imituesit e imamëve nuk veprojnë me të, është çështje mllefi asgjë tjetër.

Tani ju pyesim: "ç'është për qëllim të vepruarit me hadith? Është për qëllim përdorimi i të gjitha haditheve apo disa prej tyre"? Nëse thoni: "për qëllim është përdorimi i Haditheve në përgjithësi, atëherë pretendoni për diçka që ju vetë nuk e praktikoni". Bile këtë nuk mund ta bëjë askush, sepse është e pamundur përdorimi i të gjitha haditheve, e në veçanti i atyre të cilët kanë efekte të ndryshme. E nëse thoni: "të veprohet me disa prej tyre, edhe ne e bëjmë të njëjtën gjë, e si mund ju ta quani veten se ju veproni me hadith e të tjerët përveç jush nuk e bëjnë të njejtën".


Për ata që e refuzojnë ixhtihadin

Çështja e dytë që duhet të potencojmë në këtë kontekst është se problematikat për të cilat ka tekste drejtëpërdrejtë janë shumë pak, e shumica e tyre gjejnë zgjidhjen përmes Ixhtihadit. Nga kjo na bëhet e ditur se, ata që konsiderojnë vetveten se veprojnë vetëm me hadith e kanë patjetër, në shumë pyetje të japin përgjigje përmes Ixhtihadit, edhe atë duke u bazuar në librat e Ebu-Hanifes r.a. ose në librat e imamëve të tjerë. Kështu që, ju që quani vetveten "jo ndjekës" përsëri jeni ndjekës në të shumtën e rasteve, e pse atëherë po ndiqni? Ju dëshironi ta nxjerrni veten nga termi "imitim" - ndjekje dhe e shihni atë si haram dhe jo të lejuar.

Nëse dikush mendon se duhet të jepet fetva vetëm në bazë të tekstit e jo ndryshe, unë ju them jomedhhebistëve: Ju pyes për Muamelatin (Marëdheniet ndërnjerëzore), Akdu Nikah (Kontratën e kurorëzimit), El-Feskhu (Prishja e kontratës), Eshufatu (Partneriteti në tregëti), Errehnu (Hipoteka), etj.. Le të jep zgjidhjen e këtyre problematikave me Hadithe tekstualisht të drejtëpërdrejta. Ai nuk do të gjejë përgjigjen në hadith deri në ditë të gjykimit. Atëherë ose të shërbehet me vendimin e ndonjërit prej imamëve, e kjo do të ishte ndjekje, ose të thotë: në Sheriat nuk kemi zgjidhje për këto çështje. Në këtë rast do të vjen në kundërshtim me fjalën e Allahut xh.sh.: "Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time dhe zgjodha për ju Islamin fe", (Maide - 3). Ky ajet kuranor na bën të qartë dhe na vërteton lejimin e Ixhtihadit.

Allahu xh.sh. kur tha se Ai e ka plotësuar fenë, në këtë rast është e pamundur që të ketë një problematikë e vendimi i saj të mos jetë në Sheriat. Është e vërtetë se çështjet të cilat kanë zgjidhje direkte nga teksti janë pak, e kjo nuk nënkupton plotësimin e fesë, vetëm nëse Sheriati na e lejon nxjerrjen e dispozitave përmes Ishtihadit dhe Kijasit, nga çështjet për të cilat ka tekste, të mësohet vendimi i çështjeve për të cilat nuk ka tekste.

Tani u bë i qartë gabimi i atyre që mendojnë se nxjerrja e dispozitave dhe Kijasi janë të ndaluara plotësisht. Ka disa Hadithe që e kundërshtojnë Kijasin, por ata kanë të bëjnë me Kijasin që është në kundërshtim me parimet e Sheriatit, ose që nuk ka asnjë bazë në tekst dhe tërësisht mbështeten në mendimin individual të atij që bën Kijas. Ndërsa Kijasi që bazohet dhe buron nga Sheriati asnjëherë nuk kritikohet, sepse atëherë do të ishte e domosdoshme mangësia në fe, kurse kjo u bë e qartë përmes ajetit Kur'anor të cilin e cituam pak më parë, se i Gjithëdijshmi tani më ka plotësuar fenë tonë.


Tevvesuli (ndërmjetsimi) për mëshirën e Allahut xh.sh.

Mënyra e ndërmjetësimit me njerëz të mirë, p.sh. nëse dikush thotë: "O Zot, më mëshiro për hatër të filan robit Tënd të mirë"!

Në të vërtetë duhet thënë: O, Zoti im! Filan njeriu që është këtu është rob i mirë dhe i dashur te Ti, e për njerëzit e dashur te Ti, Ti ke premtuar mëshirw ndaj tyre "El Mer'u mea Men Ehabbe - Njeriu do të jetë me atë që e do", dhe unë të lutem për këtë mëshirë.

Ndërmjetësim (tevessul) do të thotë: ai që lutet për mëshirën e Allahut xh.sh. ta fillojë atë me dashurinë ndaj Eulijave të Allahut xh.sh. dhe të kërkojë prej Allahut xh.sh. që ta mëshirojë për këtë dashuri, sepse dashuria ndaj Eulijave është baza për të kërkuar mëshirë ose shpërblim nga Allahu xh.sh. Të shumtë janë hadithet që vërtetojnë vlerën e dashurisë për hirë të Allahut xh.sh..

Lidhur me këtë bëhet vërejtja: çfarë është ajo vepër e të mirëve, që të kërkohet mëshira e Allahut xh.sh. për hirë të një robi?

Ne tani e kemi të qartë se të duash sinqerisht një njeri të mirë, duke lënë anash interesat e kësaj bote, ti e do atë vetëm për hirë të Allahut xh.sh.. Prandaj, nëse vërtetë e duam njëri-tjetrin vetëm për hirë të Allahut, Allahu xh.sh. na garanton shpërblime në botën tjetër. Ky është një sqarim i shkurtër sa i takon të vërtetës së tevessulit.



Autor: Hakimul Umme Eshref Ali TEHANEVI
Përktheu: Emin ODAI

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...