Kujt i pengon mbulesa islame?



O Zot na ruaj nga mbulimi i mendjes: "Ata nuk kanë kurrfarë dije për të, pasojnë vetëm hamendjen, e hamendja s'është asgjë kundrejt së vërtetës", (Et-Tur, 28).

Populli ynë gjatë shekullit të kaluar ka përjetuar të gjitha llojet e dhunës, padrejtësisë dhe tradhtisë së të tjerëve. Në kohën kur rinia ballafaqohet me sfida të shumta, në vend që të orientojmë gjithë idetë dhe energjitë nga nevojat e popullit, ne ballafaqohemi me një shtrëngatë armiqësish dhe tradhtish që na detyrojnë që ta orientojmë vëmendjen tonë nga kurthet që na imponohen nga armiqtë e jashtëm dhe nga argatët dhe simpatizuesit e brendshëm të tyre.

Padyshim se këto do të jenë disa nga problemet me të cilat do të ballafaqohemi në vazhdimësi. Mënyra më e mirë për të zgjidhur këto probleme është që të thellohemi në esencën e tyre dhe të investojmë gjithë mundin tonë me qëllim që të ecim përpara me durim, vetëdije dhe urtësi.

Duan apo s'duan ta pranojnë shumë njerëz, shoqëria jonë në Kosovë ka identitet fetar. Gjatë gjithë kohës, që kur populli ynë ka pranuar Islamin ulemaja ka luajtur rolin esencial në formimin e identitetit, duke e paralajmëruar atë nga anomalitë shoqërore. Ulemaja vazhdimisht e ka thirrur popullin në vlerat islame duke e mbrojtur kështu dinjitetin e tij individual dhe shoqëror.

Shoqëria jonë pavarësisht përpjekjeve që po bëhen për laicizmin e saj vazhdon të jetë shoqëri fetare dhe kjo më së miri vërehet me rastin e muajit të bekuar të Ramazanit. Është evidente se ndikimi i intelektualëve shekullarë gjithnjë e më shumë po zbehet dhe në zemrat e popullit tonë gjithnjë e më pak ka vend për ta.

Për fat të keq, shpeshherë ata që quhen intelektualë shekullarë janë sipërfaqësorë dhe të ndarë nga populli. Zëri i tyre nuk shkon përtej kafeneve dhe restoranteve. Edhe kur dëgjohet zëri i tyre, ai jo gjithnjë është i kuptueshëm për popullin.

Ata që shpresojnë respektin e popullit duhet t'i jenë besnik identitetit tonë të vërtetë kulturor dhe fetar. Shumë intelektualë shekullarë që i kundërvihen kulturës sonë autentike, me veprimet e tyre, me vetëdije apo pa të, po çojnë ujë në mullirin e armikut. Ne duhet të punojmë për një sistem të themeluar mbi një përmbajtje dhe moral të lartë që mund të arrihet përmes forcimit të vazhdueshëm të vlerave morale.

Disa njerëz nuk mendojnë veçse për interesat e tyre personale, dhe nëse njerëzit largohen prej bindjeve të tyre ose refuzojnë t'u shërbejnë interesave të tyre ata me të gjitha mundësitë e tyre mundohen që t'i gjunjëzojnë ose t'i margjinalizojnë. Kjo ndodh kështu sepse beteja ideore është më fatale dhe me më shumë pasoja se sa vetë konflikti ushtarak.

Shoqëria jonë duhet ta ruajë identitetin e saj historik. Të punojmë që të promovojmë fenë dhe moralin dhe të ruajmë lirinë dhe dinjitetin e individit dhe shoqërisë sonë. Në mësimin islam e drejta dhe e mira për njerëzimin kanë primatin. Në këtë kuptim duhet përdorur arsyeja dhe intelekti. Kriter për etikën dhe sjelljen e muslimanit, si dhe për raportet e shoqërisë dhe praktikën e saj, duhet të jenë po ato vlera dhe virtyte që i na ka lënë trashëgim Pejgamberi i ndershëm i Allahut, Muhammedi a.s..

Shoqëria jonë sot ballafaqohet me kriza të ndryshme mes së cilave është edhe kriza e identitetit. Kjo krizë në një masë të madhe është shkaktuar edhe për shkak të kushteve globale, si rezultat i së cilave janë shtuar përpjekjet që të imitojmë në mënyrë të verbër çdo gjë të huaj.

Ne në këtë kohë në vend që të jemi koshientë dhe të luftojmë për mëvetësinë tonë, jo vetëm në aspektin politik por edhe atë kulturor, bëhemi viktimë e kurtheve të huaja. Ky është një mentalitet servil dhe pasiv. Përpjekjet e tilla janë të mjera, të dështuara dhe paraqesin impotencën dhe cektësinë e njerëzve që i ndërmarrin ato.

Krizën që po e përjetojmë sot në aspektin kulturor mund ta shërojmë vetëm nëse largojmë gjurmët e identitetit të huazuar dhe veshim rroba të reja që i përshtaten trupit tonë. Këto rroba ne duhet t'i presim dhe qepim sipas masës sonë dhe jo t'i huazojmë ato sepse nuk na kanë hije.

Një numri politikanësh dhe njerëzish që merren me kulturë dhe arsim të verbuar nga civilizimi materialist i kohës sonë iu duket se kultura islame i përket së kaluarës. Vazhdimisht flitet për Perëndimin, për Evropën, por harrohet fakti se, në Evropë, nuk kemi një homogjenitet dhe një harmoni veshjeje, por një veshje që ndryshon, duke filluar që nga veshja e murgeshave e deri tek nudistet.

Nga Perëndimi mund të marrim metodën e punës, të studimit, zhvillimin teknologjiko-shkencor, por gjithsesi duhet të ruajmë traditat dhe kulturën tonë. Nuk duhet të mendojmë se jemi bërë "intelektualë", ose anëtarë të "inteligjencës" së hapur, duke u munduar që në kontekstin shoqëroro-kulturor, të gjejmë një zgjidhje krejt tjetër, duke injoruar kulturën, traditën, fenë dhe specifikat e popullit tonë.

Në vend që të tregojmë mirëkuptim për mbulesën islame - e cila nuk bartet thjesht, ngase është traditë arabe sikurse shprehen kundershtarët e saj, apo nga që është vetëm simbol fetar, por para së gjithash, nga që është obligim fetar - disa individë duke kundërshtuar në mënyrë të pakuptimtë, kërkojnë që vajzat e mbuluara t'i heqin shamitë.

Imagjinoni, sikur t'i largojmë nga shkollat gjithë atë numër vajzash të mbuluara ngase kanë shami në kokë, atëherë do t'i privonim ato nga një e drejtë shumë elementare dhe me injorancën tonë do të bëheshim shkaktarë për mos shkollimin e tyre.

A nuk është e drejtë e çdo vajze, me apo pa shami, që të shkollohet? Me çfarë të drejte, dikush kërkon që t'u cenohet vajzave tona njëra nga të drejtat më elementare, e cila parashihet edhe në konventat ndërkombëtare? "Çdo njeri ka të drejtën e lirisë së mendimit, ndërgjegjes dhe fesë ... si dhe lirinë për të manifestuar fenë apo besimin e vet, individualisht ose bashkë me të tjerë, si në publik ashtu dhe privatisht, nëpërmjet kultit dhe kryerjes së riteve, praktikave dhe arsimit", (Neni 18, Pakti Ndërkombëtar lidhur me të Drejtat Civile dhe Politike.).

Gjendja intelektuale e femrës shqiptare, nuk mund të ngrihet dhe të avancohet duke i zhveshur ato deri në rroba banje sikurse veprohet gjatë përzgjedhjeve të miseve të shumta. Matrapazë të shumtë kërkojnë që femra shqiptare muslimane të bëhet pasive dhe konsumuese e bindur, duke pranuar verbërisht dhe në mënyrë të pavetëdijshme gjithë ajo që i ofrohet nga modelistë të degjeneruar, dhe jo që t'i nënshtrohet vlerave hyjnore.

A nuk konsiderohet padrejtësi, madje edhe shkelje flagrante e të drejtave të njeriut, që të privohet, qoftë edhe një vajzë, nga e drejta e saj për t'u shkolluar, për "fajin e vetëm", sepse në kokë mban shami! Vallë, kaq e rrezikshme dhe kaq dëmshme na qenka shamia për imazhin tonë kombëtar para botës?!

O njerëz, a nuk ju duket se ju me veprimet tuaja djallëzore ashtu sikurse faraonët e Egjiptit të vjetër po e privoni tjetrin nga po ajo liri që ia dëshironi vetes. Kush është kundër asaj që vashat e reja, me bindje dhe jo me ndonjë imponim të jashtëm, të mos zbatojnë një urdhër fetar?

Dikur në emër të socializmit janë sjellë ligje shumë të dëmshme për shoqërinë tonë, duke cunguar lirinë e besimit dhe ushtrimit të fesë në mënyrë publike. Kur kujtohen ato marrëzira dhe vendime të paskrupullta, shumë njerëz sot turpërohen për gjithë ato që kanë bërë në emër të një ideologjie të rreme. Si rrjedhim, njerëzit e sotëm nuk duhet të bëjnë veprime të tilla, për të cilat, do të turpëroheshin më vonë.

Dëshirojmë që emrat e përgjegjësve të shkollave tona të afirmohen për shkak të përkushtimit dhe rezultateve të punës së tyre dhe jo për shkak të ndalimit të bijave dhe motrave tona me shami. Veprimet e këtilla nuk i bëjnë nder askujt e aq më pak atyre që punojnë në fushën e arsimit. Postet dhe kjo jetë është e përkohshme kurse e Vërteta hyjnore mbetet. Prandaj, le të jemi ndihmës dhe jo kundërshtarë të së Vërtetës.

"A nuk e ke kuptuar, se si Allahu bëri shembull: fjalën e mirë si pema e mirë, që rrënjët e saj janë thellë (në tokë) e degët e saj janë lart, e që me vullnetin e Zotit, ajo e jep frutin e vet në çdo kohë. Allahu pra, iu parashtron njerëzve shembuj ashtu që ata të mendojnë. Dhe shembulli i fjalës së keqe është si një pemë e keqe, që është shkulur mbi tokë e që nuk ka të qëndruar", (Ibrahim, 24-26).

Kur e pyetën dijetarin e famshëm Muhamed El-Gazalin për mbulimin e kokës së femrave muslimane, ai duke pasur parasysh kundërshtarët e mbulesës islame tha: "O Zot na ruaj nga mbulimi i mendjes".

Urojmë që të kemi sa më shumë koka të mbuluara të femrave tona dhe sa më shumë zbulim dhe hapje të mendjeve të intelektualëve tanë drejt të Vërtetës së amshueshme - Islamit.



Autor: Dr. Ajni SINANI

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...