Pasimi i epsheve



Nëse vërejmë se na kan kapluar sëmundjet e kësaj jete si: mendjemadhësia, zilia, përgojimi, amoraliteti, dashuria e kësaj bote dhe të harruarit e kujtimit të botës tjetër, si dhe gjithçka që e shkatërron jetën tonë, duhet ditur se pas këtyre fshihet një gjë e cila quhet pasimi i epsheve (pasimi i egos-nefsit në diçka që është e keqe).

Nënshtrimi ndaj All-llahut xh.sh., dhe veçimi i Tij për adhurim është shtylla kryesore e fesë. Andaj, kush i bindet Allahut xh.sh., dhe e ndalon veten aty ku Ai e ka urdhëruar që të ndalet, veçse ka shpëtuar. Thotë All-llahu xh.sh., në Librin e Tij: "E kush iu frikësua paraqitjes para Zotit të vet dhe ndaloi veten prej epsheve, xhenneti është vendi i tij", (En-Naziat:40-41).

Ndërsa kush i pason kënaqësitë e epshit të tij, dënimi i tij do të jetë shkatërrimi i tij në këtë botë, por edhe në botën tjetër. Thotë All-llahu xh.sh., në Kur'an: "E për sa i përket atij që e ka tepruar. Dhe i dha përparësi jetës së kësaj bote, xhehennemi do të jetë vendi i tij", (En-Naziat:37-39).

Pra, njeriu do të jetë ose pasues (nënshtrues) i rrugës së All-llahut xh.sh., dhe të Dërguarit të Tij, ose pasues i epshit (nefsit) të tij. Nuk ka mundësi që të jetë në mes të dyjave. Thotë All-llahu xh.sh., në Librin e Tij: "E sikur të përputhej e vërteta me dëshirat e tyre, do të shkatërroheshin qiejt e toka dhe çdo gjë që gjendet në to ...", (El-Mu'minun:71).

A e vërejtëm se burimi i së drejtës është pasimi i së vërtetës dhe se burimi i humnerës është pasmi i epsheve?

Pejgamberi a.s., ka thënë: "All-llahu nuk shikon në fytyrat e juaja e as në trupat e juaj, por shikon në zemrat dhe veprat e juaja", (Transmeton Muslimi).

Patjetër duhet që ta pastrojmë të brendshmen tonë - nefsin tonë ... sepse tek All-llahu nuk ka rëndësi se çfarë trupi apo fytyre kemi. E rëndësishme është që në brendësinë tonë të jemi të mbushur me devotshmëri (Iman). Devocioni është ai që i dallon njerëzit tek All-llahu dhe vetëm ai e bënë njeriun të jetë më afër Tij, të jetë më i nderuar tek Ai në mesin e njerëzve tjerë ...

Ndërsa neve na kalojnë me orë të tëra duke u rregulluar për t'u dukur para krijesave, e nuk mirremi vetëm për një orë atë të cilën e shikon All-llahu, e ajo është zemra. Në mënyrë që kur ta shikon All-llahu të gjen: sinqeritet, dashuri, frikërespekt, përmallim ndaj Tij ... e jo ta gjen sikur zemrën e mëkatarit përplot me mendjemadhësi, shirk ...

Duhet ditur se nëse epshi hynë në një vepër e shkatërron atë. Nëse hynë në zuhd e shkatërron atë dhe e kthen në syfaqësi, nëse hynë në urtësi e kthen atë në errësirë, nëse hynë në ibadet (adhurim) e kthen atë në adet dhe jo adhurim.

Prandaj, ka mbetur prej jetës sonë edhe disa momente aq sa na ka caktuar All-llahu dhe çdo gjë mund të përmirësohet. Andaj, për neve është që të pendohemi me një pendim të sinqertë, të kërkojmë falje tek All-llahu për mëkatet që kemi bërë, të hapim një faqe të re me All-llahun xh.sh., sepse Ai është që falë. Ai është që na pranon pendimin ... Thotë All-llahu në Kur'anin famëlartë: "Thuaj: "O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së All-llahut, pse vërtetë All-llahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është mëshirues"!", (Ez-Zumer:53).

Pra, të llogaritim veten para se të llogaritemi, t'i peshojmë veprat para se të na peshohen sepse meleku i vdekjes sot të ka kaluar ty për ta marrur dikë tjetër ndërsa nesër e kalon dikë për të të marr ty.

Ne ose do të jemi pasues të së vërtetës ose pasues të epsheve. Nëse e pasojmë të vërtetën ajo është rruga që na drejton drejt xhenetit, e nëse i pasojmë epshet duhet ditur se ato e drejtojnë pronarin e saj drejt xhehenemit.



Autor: Zenel HAJDINI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...