Ndërrimi i Kiblesë - gëzim për besimtarët, dëshpërim për të tjerët



Prej ngjarjeve të rëndësishme që e shënon historia e Islamit gjatë muajit Shaban (muaji i tetë sipas kalendarit Islamik) është edhe ndërrimi i Kibles nga Mesxhidi Aksaja, [1] kah Mesxhidi Harami. [2]

Jo shumë larg nga kjo ngjarje muslimanët shënuan edhe ngjarjen madhështore të Israsë dhe Miraxhit që është në Muajin Rexhep, ngjarje kjo e cila përfundoi me obligueshmërinë e faljes së namazit për besimtarët islam. Pas obligueshmërisë së faljes së namazit Pejgamberi a.s. dhe besimtarët islam namazin e falnin në drejtim të Mesxhidi Aksasë. Në periudhën që Pejgamberi a.s. ishte në Meke, para emigrimit, e falte namazin në drejtim të Aksasë, porse Qabeja ishte para syve dhe duarve të tij, kurse pas emigrimit në Medine, Pejgamberit s.a.v.s. iu pamundësua bashkimi i të dyjave, sepse namazin e falte në drejtim të Aksasë, ndërsa Qabeja i ngelte pas shpine. Kjo periudhë e faljes së namazit në drejtim të Mesxhidi Aksasë zgjati 16 ose 17 muaj, pas emigrimit të Pejgamberit s.a.v.s. në Medine.

Urtësia e faljes së namazit në fillim në drejtim të Mesxhidi Aksasë, është në Dijen e Allahut xh.sh., kurse ne nga ajetet dhe hadithet e Pejgamberit s.a.v.s. që përshkruajnë këtë ngjarje të rëndësishme në historinë e Islamit nxjerrim mësime në jetën tonë të përditshme. Andaj sikur kjo ngjarje të kalojë thjeshtë duke e shënuar vetëm si datë historike, pa përfituar mësime nga ajo, atëherë nuk kemi arritur qëllimin e synuar nga kjo ngjarje. Allahu xh.sh. fillimisht përmes ngjarjes së Israsë dhe Miraxhit e më pas edhe përmes Kibles na e bënë të ditur se lidhshmëria mes këtyre dy vendeve të shenjta islame është shpirtërore dhe e pa ndashme, pa varësisht nga largësia fizike, andaj përkujdesja ndaj kësaj xhamie për muslimanët duhet të jetë në nivelin e përkujdesjes së Qabes.

Arsyeja e përkujdesjes së muslimanëve për këtë xhami bëhet për arsye se kjo xhami ishte xhamia ku të gjithë Pejgamberët falën namaz saqë thuhet se nuk ka një pëllëmbë të kësaj xhamie e të mos ketë bërë sexhde ndonjë i dërguar. Namazi i të dërguarve të Allahut në këtë xhami përfundon me rastin e Israsë dhe Miraxhit kur Muhamedi s.a.v.s. në këtë xhami falë dy rekate namaz në cilësinë e imamit të të gjithë pejgamberëve. Kjo nënkupton se Mesxhidi Aksaja është një arterie e rëndësishme e funksionimit të shoqërisë islame. Këtë përkujdesje thellë e kishte kuptuar edhe Salahudin Ejubi për të cilin thuhet se gjashtë muaj buzët e tij nuk kanë buzëqeshur fare. Kur është pyetur se pse nuk buzëqeshë, pse është kaq shumë i mërzitur është përgjigjur: Si të buzëqeshi kur Kudsi (Mesxhdi Aksaja) është në duar e pabesimtarëve!

Shoqëria medinase ndryshonte nga ajo mekase për shumë çështje sepse në Medine jetonin edhe çifutët, edhe të krishterët e edhe muslimanët. Pra kjo shoqëri në fillim dallohej për nga multikonfesionaliteti i saj. Çifutët si çdo herë edhe më parë, edhe kësaj radhe, me dinakërinë e tyre vazhdimisht tentuan që të shpalosin ndjenjën e dyshimit dhe të përçarjes mes muslimanëve. Në këtë rast, shfrytëzuan momentin edhe me Kiblenë e muslimanëve që ishte në drejtim të Mesxhidi Aksasë duke propaganduar dhe thënë: Muhamedi po ndryshon nga feja jonë (ebreizmi), ai nuk po pajtohet me fenë tonë, porse gjatë lutjes së tij (namazit) po drejtohet në drejtim të Kiblesë sonë, e po të mos ishte Kibleja e jonë ai nuk do të dinte nga të drejtohet dhe orientohet në namazin e tij. [3]

Kjo makineri çifute e drejtuar kundër Muhamedit a.s. dhe muslimanëve ishte një nga arsyet e shumta që e nxiti Muhamedin a.s. në dashurinë e tij për ndryshimin e Kiblesë prej Mesxhidi Aksasë në drejtim të Mesxhidi Haramit. Arsye tjetër që po ashtu e nxiti Muhamedin a.s. në shtresimin e ndryshimit të Kiblesë ishte edhe fakti se Qabeja ishte shtëpia e parë e ndërtuar në rruzullin tokësor për adhurim, pastaj ishte Kibleja e babait të tij Ibrahimit a.s. Për këtë arsye i Dërguari i Allahut s.a.v.s. shpesh herë e drejtonte shikimin e tij kah qielli por pa e shprehur me gjuhën e tij sikur lutej te Allahu xh.sh. për ndërrimin e Kiblesë nga Mesxhidi Aksaja në drejtim të Qabesë. Andaj Siç rrëfen Muhamed b. Sa'd el Vakidiu, ndërrimi Kiblesë është bërë ditën e martë në mes të muajit Sha'ban. Ibni Ebi Hatimi thotë: Na ka treguar Ebu Zer'a, na ka treguar Hasan b. Atije, na ka treguar Israili nga Ebu Is'haku e ky na el Berra b. Azibi, [4] i cili ka thënë: Pejgamberi s.a.v.s. ishte falur në drejtim të Aksasë 16 ose 17 muaj, edhe pse i pëlqente Pejgamberit a.s. që të falej në drejtim të Qabesë, andaj Allahu xh.sh. e zbriti ajetin kur'anor ku thotë: "Ne shumë herë po shohim kthimin e fytyrës tënde kah qielli, e Ne gjithqysh do të drejtojmë ty në drejtim të një kibleje (Qabeja) që ti e do atë. Pra kthehu anës së xhamisë së shenjtë (Qabesë), dhe kudo që të jeni (o besimtarë) kthehuni kah ajo anë. E atyre që u është dhuruar libri, ata e dinë sigurisht se kjo (kthesë) është e vërtetë nga Zoti i tyre. E Allahut nuk mund t'i fshihet ajo që veprojnë ata". [5]

Me këtë ajet u bë edhe ndërrimi i Kiblesë nga Aksaja kah Qabeja e Shenjtë, kurse namazi i parë që është falur në drejtim të Qabesë është namazi i Iqindisë. Pas zbritjes së urdhrit për ndërrimin e Kiblesë, Pejgamberi a.s. i tuboi muslimanët dhe i informoi për ndërrimin e saj. Ebu Seid b. El Ma'la, [6] transmeton se ndërrimi i Kiblesë është bërë në namazin e drekës, kurse disa janë të mendimit se ndërrimi i saj është bërë mes namazit të drekës dhe iqindisë. Këtë e vërteton transmetimi i Berra b. Azibit, [7] i cili thotë se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. namazin e parë që e fali në drejtim të Qabesë ishte namazi i Iqindisë.

Pasi që Muhamedi a.s. i kishte informuar shokët e tij për ndërrimin e Kiblesë dikush nga Sahabët kishte arritur te xhamia e quajtur Beni Seleme dhe atje kishte gjetur xhamatin duke e falur namazin në ruku dhe u tha: Dëshmojë për Allahun se unë jam falur me Pejgamberin a.s. në drejtim të Qabesë. Ky xhemat pa e prishur namazin i ndërruan pozicionet meshkujt me femrat dhe dy reqatet e mbetura i falën në drejtim të Qabesë pasi që dy reqatet e para i kishin falur në drejtim të Mesxhidi Aksasë, andaj prej atëherë e sot kjo xhami mbanë emrin Xhamia e dy Kibleve.

Ajo që qartë vërehet nga ky ajet është kultura dhe edukata e lartë e Pejgamberit s.a.v.s. për plotësimin e dëshirës së tij të cilën nuk e shprehi gojarisht asnjëherë. Ai këtë e vërtetoi vetëm me kthimin e fytyrës së tij drejt qiellit, si burim i shpalljes, duke shpresuar se Kibleja e muslimanëve do të jetë ajo që dëshiron Allahu xh.sh.. Allahu xh.sh. e nderoi të Dërguarin e tij për këtë edukatë dhe i tha: "Ne gjithqysh do të drejtojmë ty në drejtim të një kibleje (Qabja) që ti e do atë".


Reagimet e pabesimtarëve me ndërrimin e Kiblesë

Me ndërrimin e Kiblesë prej Mesxhidi Aksasë në drejtim të Qabesë, te vetë Pejgamberi a.s. dhe te muslimanët u dukën shenjat e gëzimit, kurse ky veprim i shqetësoi pabesimtarët, idhujtarët, hipokritët (mynafikët) e me theks të veçantë çifutët. Këta të cilët para ndërrimit të Kiblesë propagandonin se po të mos ishte kibleja jonë, Muhamedi nuk do të dinte nga të kthehet gjatë lutjes së tij, tani duken të shqetësuar dhe propagandojnë duke thënë: Çfarë është kjo fe, herë lutet në atë drejtim e herë në këtë drejtim?! Kjo fe që e ndërron Kiblenë nuk është stabile!

Mirëpo, për këtë dhe për makinerinë propaganduese të çifutëve Allahu xh.sh. e kishte paralajmëruar Pejgamberin a.s. dhe besimtarët islam me ajetin kur'anor ku thotë: "Disa mendjelehtë (të marrë) nga njerëzit do të thonë: "Çka i ktheu ata (muslimanët) prej Kiblesë (drejtimit) në të cilin ishin ata (Kudsi)? Thuaj: (atyre o Muhamed) "Të All-llahut janë lindja dhe perëndimi, Ai e vë në rrugën e drejtë atë që do"". [8]

Me këtë ajet kur'anor Allahu xh.sh. u jep përgjigje atyre që ishin kinse të shqetësuar për fenë e Muhamedit a.s. duke u thënë: edhe lindja edhe perëndimi si dhe çdo anë tjetër janë të Allahut, andaj asnjëra prej anëve nuk janë më të mira apo më vlefshme se tjetra, dhe asnjëra anë nuk meriton për shkak të esencës së saj që të jetë kible e muslimanëve, porse vlera e saj rritet atëherë kur Allahu të përcaktojë që ajo anë të jetë Kibleja e muslimanëve.

Me qenë se ky ajet i kishte zbritur Pejgamberit s.a.v.s. para se të bëhet ndërrimi i Kiblesë, dhe se Allahu Fuqiplotë e kishte paralajmëruar Muhamedin a.s. për reagimet e idhujtarëve, munafikëve dhe mendjelehtëve, konsiderohet edhe një mrekulli për Pejgamberin a.s., sepse ajeti paralajmëron për sendet që do të ndodhin në të ardhmen. Andaj Allahu xh.sh. i quan mendjelehtë ata, sepse po të kishin qenë të mençur, dhe të dinin të logjikonin, do të kishin reaguar dhe vepruar në të kundërtën e asaj që ka paralajmëruar Allahu se do të reagojnë. Andaj, me këtë veprim vërtetohet saktësia e shpalljes dhe në anën tjetër vërtetojnë se emrin që Allahu xh.sh. i quajti të marrë-mendjelehtë është emër adekuat dhe meritor për ta.

Tani me ajetin tjetër Allahu xh.sh. tregon qartë disa nga arsyet e ndërrimit të Kiblesë ku thotë: "Dhe ashtu (siç ju udhëzuam në fenë islame) Ne u bëmë juve një pupull të drejtë (një mes të zgjedhur) për të qenë ju dëshmitarë (në ditën e gjykimit) ndaj njerëzve, dhe për të qenë i dërguari dëshmitar ndaj jush. E Kiblenë nga e cila ti u drejtove nuk e bëmë për tjetër, vetëm se për të provuar atë që shkon pas të dërguarit, nga ai që kthehet prapa, ndonëse kjo ka qenë vështirë (për disa), por jo edhe për ata që All-llahu i drejtoi. All-llahu nuk është që t'ua humbë besimin (namazin) tuaj. S'ka dyshim se All-llahu është shumë i butë dhe mëshirues ndaj njerëzve". [9]

Nga ky ajet kur'anor Allahu xh.sh. sqaron disa urtësi për ndryshimin e Kiblesë prej mesxhidi Aksasë në drejtim të Qabesë së Shenjtë. Arsyet që mund ti kuptojmë nga ajeti janë:

- Populli (ummeti) mesatar. Allahu xh.sh. tregon se: "Ummeti i Muhamedit a.s. dhe ndjekësit e Islamit janë Ummet i mesëm". Ibni Xherir Et-Taberiu shpjegon se si muslimanët janë Ummeti i mesëm dhe i drejtë sepse muslimanët nuk vepruan sikur çifutët kur reduktuan fenë e tyre dhe bënë krime duke vrarë të dërguarit e Allahut dhe e ndërruan librin e tyre hyjnor, e as nuk shkuan në ekstremin tjetër si shkuan të krishterët duke thënë se Isa është djali i Allahut. Pra muslimanët konsiderohet Ummet i drejtë dhe mesatar sepse nuk i takojnë asnjërit ekstrem, sepse më e dashura te Allahu është mesi. Këtë më së miri e shpjegon hadithi i transmetuar nga Ebu Seid el-Huderiu, [10] se vërtetë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: "Ditën e Kiametit thirret Nuhi a.s. (nga Allahu xh.sh.), e Nuhi a.s. thotë: Urdhëro i madhi Allah. Allahu xh.sh. i thotë: A e ke kryer misionin tënd para njerëzve ? Nuhi a.s. thotë: Po o i madhi Allah. Atëherë i thuhet popullit të Nuhit a.s.. A ju ka informuar për të vërtetën? Populli thotë: Nuk na ka ardhur neve përkujtues. Allahu xh.sh. i thotë Nuhit a.s.: Kush është dëshmitar për ty? Nuhi a.s. thotë: Muhamedi dhe Ummeti i tij. Atëherë dëshmojnë (Muhamedi a.s. dhe Ummeti i tij) se Nuhi e ka kryer misionin e pejgamberllëkut të tij. Për këtë arsye Allahu thotë: Ne u bëmë juve një popull të drejtë (një mes të zgjedhur) për të qenë ju dëshmitarë (në ditën e gjykimit) ndaj njerëzve, dhe për të qenë i dërguari dëshmitar ndaj jush". [11]

- Ndërrimi i Kiblesë sprovë për muslimanët. Për derisa në shoqërinë Mekase shoqëria ishte e ndarë në muslimanë dhe idhujtarë, në shoqërinë Medinase paraqitet edhe kategoria e re e shoqërisë njerëzore të cilët paraqiteshin se kishin pranuar islamin e në realitet në zemrat e tyre mbanin akoma kufrin, e që në terminologjinë e Kur'anit dhe sunetit njihen me emrin munafikët-hipokritët. Andaj nëse marrim parasysh faktorin kohë kur u bë ndryshimi i Kiblesë, rrethanat shoqërore, sociale, ekonomike dhe politike të shoqërisë Medinase vërejmë se ndryshimi i Kiblesë është bërë vetëm pak kohë para se të zhvillohet beteja e Bedrit në vitin e dytë Hixhri. Kjo betejë paraqet takimin e parë fizik të armatosur mes besimtarëve dhe idhujtarëve, imanit dhe kufrit, sepse deri në këtë kohë lufta nuk kishte qenë e ligjësuar për muslimanët, andaj suksesi, fitorja dhe ngadhënjimi i muslimanëve mbi idhujtarët, i imanit mbi kufrin nuk mund të realizohet nëse radhët e muslimanëve nuk janë të pastra nga njerëzit e dyshimtë në besimin e tyre. Me këtë rast besimtarët islam arrijnë të kuptojnë edhe një urtësi tjetër islame që është fakti se besimtari islam në veprimtarinë e tij duhet të përcjellë dhe bazohet mbi parimin e shkaqeve dhe të kapet për to, e më pas me bindje dhe besim të fortë të pres edhe ndihmën e Allahut xh.sh..

Andaj ngjarja e ndërrimit të Kiblesë do të bëjë edhe pastrimin e radhëve të muslimanëve, sepse ata të cilët ishin të dyshimtë në çështjet e fesë, do të revoltohen me ndërrimin e Kiblesë dhe do të radhitën me të tjerët, kurse besimtarët islam që kishin pranuar shpalljen nga Pejgamberi a.s. dhe ishin të bindur në të, atyre veç sa u shtohej imani i tyre, sepse ata e kishin pranuar islamin pa ndonjëfarë interesi material apo kushtëzimi dhe gjithnjë përgjigja e tyre ndaj Allahut xh.sh. dhe të Dërguarit të Tij ishte "semi'na ve eta'na - dëgjuam dhe u nënshtruam"! Këtë e vërteton vetë fakti se kur muslimanët që ishin duke u falur në xhamin Beni Seleme dhe u informuan për ndërrimin e Kiblesë, nuk patën durim që ndërrimin e Kiblesë ta prolongojnë deri te namazi tjetër as që kërkuan ndonjë sqarim apo të kenë bërë ndonjë shpjegim për këtë ndryshim, porse në shenjë respekti dhe nënshtrimi të menjëhershëm të urdhrit të Allahut xh.sh. menjëherë u kthyen në drejtim të Qabesë duke e falur të njëjtin namaz me dy kible. Andaj Ibni Abasi r.a. duke e komentuar këtë pjesë të ajetit thotë: kuptimi i ajetit është që të bëjmë dallimin mes atyre që kanë besim të pa luhatshëm dhe atyre që janë të dyshimtë. Pra Ibni Abasi nocionin "li na'leme - që të dimë" e shpjegon në kuptimin që të dallojmë, sepse dallimi bëhet vetëm përmes diturisë. [12]

- Dyshimi. Me ndryshimin e Kiblesë, çifutët sërish u morën me propagandën e tyre të njohur duke thënë, çfarë është kjo fe e Muhamedit që e ndërron kiblen herë andej e herë këndej! Këtyre iu bashkëngjitën edhe hipokritët me makinerinë propaganduese, duke u munduar që të shkaktojnë përçarje në mesin e muslimanëve duke u thënë: Ata që janë falur deri më tani, namazi i tyre ka shkuar huq. Mundi i tyre është zhdukur. Këto fjalë dëgjoheshin nga besimtarët çdo ditë, andaj ibn Abbasi r.a. shpjegon duke thënë: Kur Pejgamberi a.s. mori urdhrin për ndërrimin e Kiblesë, disa i thanë: O i Dërguari i Allahut, Çfarë është puna me vëllezërit tanë që kanë vdekur, e që namazin e kishin falur në drejtim të Mesxhidi Aksasë ?. Në këtë rast Allahu xh.sh. i përgjigjet këtyre spekulimeve duke thënë: "Allahu nuk është që t'ua humbë besimin (namazin) tuaj". Ajo që vërehet në këtë ajet është se Allahu xh.sh. namazin e shprehë me nocionin Iman-besim, ku Ibni Abasi thotë se shprehet me këtë fjalë sepse namazi përfshinë: Nijetin, fjalën dhe veprimin. Kurse Imam Maliku thoshte, se ky ajet është argument kundër atyre që thonë se namazi nuk është pjesë e besimit.

- Ithtarët e librave të shpallura e veçanërisht çifutët në realitet ata nuk brengoseshin për namazin e muslimanëve si tentonin ata të paraqitnin gjendjen, sepse ata e dinin se ndërrimi i Kiblesë është vendim i drejtë, porse atë që dëshironin ta arrinin ata ishte përçarja dhe dobësimi mes muslimanëve duke krijuar një huti mes tyre. Allahu xh.sh. përmes ajeteve që flasin për ndërrimin e kibles qartë na e bënë me dije se reagimet e çifutëve dhe të tjerëve nuk mbështeten në fakte të shëndosha racionale, porse mbi parimin e xhelozisë, inatit, dhe mllefit që kanë ndaj islamit, Pejgamberit a.s. dhe muslimanëve. Ata e dinin mirë se Muhamedi a.s. është i Dërguari i Allahut xh,sh, dhe e dini mirë se Kur'ani është fjala e Allahut sepse për këtë kishte paralajmërime në shpalljet e mëparshme, porse ata kishin shpresuar se i Dërguari i fundit do të jetë nga radhët e tyre, e pasi nuk ndodhi ashtu siç shpresonin ata, vendosën të ndjekin rrugën e kokëfortësisë dhe inatit të tyre. Këtë e vërteton ajeti Kur'anor ku Allah xh.sh. thotë: "Atyre që ua kemi dhënë librin, ata e njohin ate (Muhammedin a.s.) siç i njohin bijtë e vet, e një grup pre tyre edhe pse e dinë këtë, janë duke e fshehur të vërtetën".

Çështja tjetër që na e tërheq vërejtjen në këtë rast është porosia e Allahut xh.sh. që ia jep të Dërguarit të Tij dhe mbarë muslimanëve, se pabesimtarëve sado që tu paraqesësh argumente të shëndosha pavarësisht se a janë argumente tekstuale apo racionale ata nuk i pranojnë ato, ata nuk kanë gatishmëri të pranojnë dhe të pasojnë të vërtetën e argumentit. Kështu kishte ndodhur edhe me Ibrahimin a.s. kur ia paraqiti të vërtetën mbretit të tij Nemrudit, por ai nuk pranoi realitetin. Andaj, kjo çështje nuk guxon që pronarët e argumentit të bien në skepticizëm apo pesimizëm, përkundrazi ata duhet të jenë të bindur në faktet e tyre dhe të veprojnë sipas porosisë hyjnore, sepse e vërteta është nga Zoti dhe nuk ka vend dyshimi. Tërë këtë e vërteton ajeti kur'anor ku Allahu xh.sh. thotë: "Po edhe sikur t'u silleshe ti çdo lloj argumenti atyre që u është dhënë libri, ata nuk pasojnë kiblen tënde, e as ti nuk do të pasosh kiblen e tyre, po asnjëra palë nuk do ta pasojë kiblen e tjetrës. E pas dijes, e cila të ka ardhur, po e zëmë se ishe vënë pas dëshirave të tyre, atëherë ti do të ishe mizor".


Vlera e namazit në Mesxhdi Aksa

Pejgamberi a.s. në një hadith të regjistruar nga Imam Buhariu dhe Muslimi thotë: "Mos i shtoni udhëtimet me përjashtim në tri xhami që janë: Kjo Xhami (xhamia e Pejgamberit a.s. në Medine) Mesxhidi Haramin (Qabeja) dhe xhaminë e Aksasë". Me këtë hadith nënkuptohet se besimtari islam në cilën do xhami të rruzullit tokësorë të falë namazin, namazi i tij është i njëjtë, me përjashtim në këto tri xhami. Për vlerën e namazit të falur në Mesxhdidi Aksa ekzistojnë transmetime të ndryshme por, ajo që është e rëndësishme se të gjithë transmetimet flasin për rritjen e vlerës së namazit në këtë xhami. Transmetohet nga Ebu Dardai, nga Pejgamberi a.s. i cili ka thënë: "Namazi në xhaminë e Aksasë është i barabartë me 500 namaze (jashtë saj). Në një hadith tjetër të transmetuar nga Enes b. Maliku i cili ka thënë: I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: "Namazi i njeriut në shtëpinë e tij është vetëm një namaz, namazi i tij në xhaminë e lagjes është i barabartë me 25 namaze, namazi i tij në xhami me xhematë është i barabartë me 500 namaze, namazi i tij në xhaminë e Aksasë është i barabartë me 50 mijë namaze, namazi i tij në xhaminë time (në xhaminë e Pejgamberit a.s. në Medine) është i barabartë me 50 mijë namaze, e namazi i tij në Qabe është i barabartë me 100 mijë namaze". [13]

Këto hadithe si dhe shumë hadithe tjera tregojnë për vlerën e ibadetit dhe rëndësinë e kësaj xhamie për hirrë të shenjtërisë që ia dhuroi Allahu xh.sh. kësaj xhamie.



Autor: Jusuf ZIMERI



_________________________

[1] - Ndërtimin e Mesxhidi Aksasë e ka filluar i Dërguari i Allahut Davudi a.s. kurse e përfundoi biri i tij po ashtu i Dërguar i Allahut Sulejmani a.s.. Nocioni Aksa do të thotë më i largët. Xhamia e Aksasë (xhamia më e largët) thuhet se këtë emër e mori për shkak se kjo xhami ishte xhamia më e largët nga Qabeja që vizitohej dhe që vizituesi shpreson sevape për vizitën e saj. Muhamed b. Abdulla Ez-Zerkeshij, I'lamu Es-Saxhidi bi Ahkamil Mesaxhidi.
[2] - Mesxhidi Haram quhet Qabeja. Qabeja është shtëpia- e parë e ndërtuar mbi rruzullin tokësorë për adhurim Allahut xh.sh.. Kjo vërtetohet me ajetin 96 të sures Ali Imran.
[3] - Sujuti, Ed-Durul Menthur 1/147 - Muhamed Alij Sabuni, Tefsiru Ajatil Ahkam 1/ 115.
[4] - Buhariu dhe Muslimi.
[5] - El-Bekare: 114.
[6] - Nisaiu.
[7] - Buhariu dhe Muslimi.
[8] - El-Bekare:142..
[9] - El-Bekare: 143.
[10] - Imam Buhariu.
[11] - Kurtubiu 2/141, Taberiu 2/9, Keshafii 1/149.
[12] - Muhamed Alij sabuni, Tefsiru Ajatil Ahkam 1/121.
[13] - Ibni Maxhe.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...