Uniteti në Islam



All-llahu xh.sh. thotë në Kur'anin famëlartë: "O ju njerëz! Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë që të jetoni në bashkësi, kombe e fise ashtu që më lehtë të njiheni mes veti. Në të vërtetë më i ndershmi prej jush tek Zoti është ai më i ruajturi (më i kujdesshmi). Vërtetë Zoti është më i dijshmi dhe më i njohuri", (Huxhurat 13). Të gjithë myslimanët janë të obliguar për predikimin e mesazhit të Islamit, ndërsa dallimi mes tyre varet vetëm nga të kuptuarit e Librit të Zotit dhe Sunnetit të pejgamberit.

Askush prej tyre s'ka të drejtë të lejojë apo të ndalojë atë që ka ndaluar apo lejuar Zoti: "Dhe me gjuhët tuaja mos flisni të pavërteta. Kjo është hallall e kjo haram e të shpifni ndaj All-llahut rrenën. Vërtet, ata që shpifin rrenën ndaj All-llahut nuk kanë shpëtim", (En-Nahl, 116).

Devijimi nga rruga e vërtetë korrë sukses vetëm në atë rreth ku nuk njihen rregullat fetare dhe vetëm aty i përgjigjen zërit të çdo thirrësi. Sa më shumë të përhapet dituria dhe sa më shumë të precizohet analiza racionale, aq më shumë pakësohen mundësitë e suksesit të thirrjeve të nacionalizmit të verbër dhe devijimit të fortë.

Dhuratat që islami ia solli njerëzimit janë të shumta, e një nga ato është uniteti dhe barazia e proklamuar në përmes shumë teksteve të Kur'anit, edhe të këtij ajeti që e cekem me lartë. Dëshmia më e madhe për unitetin e mbarë njerëzisë, të cilin e porositë Kur'ani, duket në shprehjen e parë te këtij teksti ku thuhet "O ju njerëz". Kjo është thirrje e përgjithshme, e përbashkët dhe unike për të gjithë njerëzit, te bardhe e të zi, të varfër e të pasur, punëtore të thjeshtë e sundues dhe ka për qëllim të çrrënjose në mënyrë të vendosur të gjitha ato bindje të krenarisë së bazuar në ndonjë përkatësi tjetër, siç është: raca, kombi, pasuria, pozita etj., për veç krenarisë së bazuar ne sjellje dhe moral të lartë.

Islami urren nënshtrimin, nënçmimin dhe dobësinë, ai thërret në mëshirën e madhe për derisa kjo mëshirë nuk e shpie muslimanin në nënçmim e dobësi. Ai kërkon prej muslimanit të jetojë si zotëri i pavarur dhe i pa nënçmuarë: "E ju përgatituni sa të keni mundësi force (mjete luftarake) e kuaj të caktuar për betejë kundër atyre (që tradhtojnë) e me të, (me përgatitje) ta frikësoni armikun e All-llahut, armikun tuaj e të tjerëve", (El-Enfal, 60).

Muhammedi alejhisselam thotë: "Muslimani i fuqishëm është më i mirë te Zoti se muslimani i dobët". Kështu! Islami në mënyrë moderative thërret në mëshirë, pa e harruar fuqinë. Kur thërret në fuqi, atëherë thërret më fjalë të drejtuara zemrës e që depërtojnë në shpirt ashtu që ndjenjat tronditen me të madhe. Për këtë kolonialist i njohur Glladston u tha anglezëve: "Nuk do të mund t'i kolonizoni muslimanët përderisa qëndron ky libër (Kur'ani) para tyre".

Kështu, lufta e anglezëve kundër Kur'anit dhe fshirjes së tij nga zemrat e muslimanëve është ndër luftërat më të poshtëruara e më të ndyta, mirëpo, ato s'mund të korrin sukses në këtë aspekt ngase Zoti ka garantuar mbrojtjen e tij: "Ne e kemi zbritur Kur'anin dhe Ne do ta mbrojmë", (El-Hixhër, 9). Nga e gjithë kjo, kemi të drejtë ta cilësojmë Islamin si fe të fuqisë së mëshirshme. Respektin më të lartë të Zotit e gëzon ai, i cili është më i ndershmi dhe më i moralshmi.

Njeriu ka të drejtë të krenohet dhe do të krenohet edhe para Zotit në Ditën e gjykimit në bazë të përkatësisë së races, kombit, familjes ose të paraardhësve të tij. Këtë e trejtonë shumë qartë edhe Kur'ani Famëlartë ku thuhet: "E kur do t'i fryhet surit (kur do të jeni para Zotit në Ditën e gjykimit) nuk do të vij në konsideratë përkatësia fisnore as që do të pyetët kush për të". I udhëzuar dhe i frymëzuar prej mësimeve të larta të Kur'anit, Muhammedi a. s u përpoq me shembuj konkret t'i afrojë njerëzit mes veti, t'i vëllazërojë dhe bashkojë ashtu sikurse edhe janë të krijuar. U përpoq të zhdukë atë ves, të cilin e gjeti të mishëruar në atë popull të ndarë në fise e raca. Ai i mësoi shokët e vet për njeriun, se ështe krijuar i lrë, i ndershëm dhe me të drejta të barabarta.

Në një rast Ebu Xhehli vjen i thotë Muhammedit a.s.: "Nëse e pranojmë Islamin, ne paria Mekase, çfarë vendi dhe çfarë të drejte do të kemi te ju?", "Sikur të gjithë të tjerët", iu pëergjegj Muhammedi a.s. Ebu Xheli: "Sikur robët dhe zezakët? Të gjithë të barabartë, e ndoshta në bazë të meritave, prej robërve dhe prej zezakëve do të kemi udhëheqës, prijës dhe komandantë ushtarak të ushtrisë sone", i përgjigjet pejngamberi a.s..

Një barazi të tillë, shpirti i ngushtë i Ebu Xhehlit kursesi nuk mundë ta pranonte, prandaj edhe mbeti në po atë sëmundje, mbeti në errësirën e injorancës përgjithmonë. Në një rast tjetër, Muhammedi a.s. me qëllim që ti'u japë të kuptojnë se veprat, sjelljet dhe qëndrimet janë ato, të cilat lartësojnë jeriun në të dy jetët e jo përkatësia, i thotë bijës së tij Fatimes: "Vepro. Mbështetu në veprat tua oj Fatime sepse nuk do të mjaftojë te Zoti vetëm ajo që je bija ime". Madje, edhe farefisit të tij i thotë: "O ju pasardhës të Hashimit, të mos më vijnë njerëzit me vepra e ju me krenari familjare, sepse ajo nuk u ndihmon".

Muhammedi a.s. gjithnjë kishte për qëllim ti largojë njerëzit prej atyre mburrjeve të kota, prej atyre bindjeve të gabuara, të cilat nuk i sillnin njerëzisë tjetër vetëm se përçrje e kundërshtim. Ndarja e muslimanëve, Muslimanët e gjeneratës së parë e kuptuan shpirtin e kësaj feje të pastër dhe e kuptonin Librin e Zotit dhe Sunnetin e të dërguarit të Zotit në mënyra të ndryshme, mirëpo, edhe pse kishin kuptime të ndryshme, ata përsëri ishin të bashkuar në parime e qëllime, nuk e akuzonin njëri tjetrin për herezi por ishin kundër atij që i sulmonte.

Pas një kohe, feja filloi të komentohet sipas dëshirave dhe kështu populli (i bashkuar) u nda në parti, sekte, doktrina, medhhebe e nacionalistë, u lejua të derdhet gjaku i njëri tjetrit, urrejtja mes tyre ishte e madhe dhe bëhej ithtar i tyre ai që s'mund ta mbronte veten. Kështu, u shua fama e tyre dhe armiqtë e tyre morën guxim dhe copëtuan territorin e tyre (muslimanëve) kurse prijësit e sekteve vazhduan të qëndrojnë indiferentë e gjakftohtë.

Qëndrrmi i tyre i tillë shpjegohet në bazë të njërës prej dy gjërave: mosnjohja e parimeve të Islamit të vërtetë ose komplot kundër kësaj feje të pastër dhe kështu Islami përjetoi katastrofa e probleme të shumta. Reformistët muslimanë potencuan dëmet që e kapluan fenë dhe vatanin e tyre nga ngjarjet e copëtimit sektar dhe thirrën për bashkimin obligativ të radhëve muslimane dhe flakjen e shkaqeve që i ndajnë bijtë e një populli, një drejtimi (kibleje) dhe një feje.

Kurdoherë që u hidhja një shikim muslimanëve bashkëkohorë, vëreja maltretim dhe kolonializëm, begatitë e tyre të konfiskuara, frytet e ndaluara për ta e të lejuara për tjerët, territori i tyre i lejuar për çdo kënd. Fanatizmi ekstrem perëndimor u sjell me vete shkatërrim që nuk i gjen popujt e tjerë pos muslimanëve. Kështu, muslimanët jetojnë si të huaj në vatanin e vet, malltretohen në shtëpitë e tyre dhe privohen nga mirësitë e shumta e të lejuara që i ofron toka e tyre.

Të nderuar vëllezër, jemi dëshmitarë të një periudhe kohore ku në emër të Islamit bëhet gjithçka kundër Islamit. Kohë kjo në të cilën secili i jep të drejt vetvetes që të gjykojë se vallë në këto troje mos na i paska mbyllur sytë një lloj ekstremizmi fetar. Është për t'u çuditur që disa nga këta njerëz i japin vetes të drejtën e ushtrimit të ixhtihadit në çështjet dhe problemet më të ndërlikuara, si dhe i japin gjykime spekulative duke mos nguruar të japin mendime qesharake të cilat bien në kundërshtim me atë që na e kanë lënë të parët tanë apo ato që janë të nxjerura nga dijetarët e kohës sonë.

Kjo moskokëçarje i dedikohet pandehmës së tyre se gjoja ata po ecin gjurmëve të Ebu-Bekrit, Omerit, Othmanit, Aliut r.a. etj. Prova më e qartë e ekstremizmit është fanatizmi që gjendet mu tek ata të cilët në ditët e sotme po thirren kinse po veprojnë sipas sunnetit të Pejgamberit a.s., si dhe sipas gjurmëve të selefit, por ta kenë të qartë se idetë e tyre tek ne nuk do të pinë ujë, ngase me këtë fanatizëm ata e tregojnë veten se mu ata janë të cilët shumë pak e përfillin sunetin e Pejgamberit a.s., dhe gati tërësisht e kanë lëshuar rrugën e sahabëve.

Problemi bëhet edhe më kritik kur një person i tillë paraqet prirje për t'i kërcënuar të tjerët, jo domosdoshmërishtë nga ana fizike, por duke i akuzuar të tjerët për bidat, shthurje, kufër dhe devijim.

Në kohën kur bota jo islame ka arritur suksese të mëdha në lëmi të ndryshme, ndër ne Muslimanët ekziston një polemikë e tepërt dhe e pa nevojshme rreth mbajtjes së mjekrës, veshjen e rrobave mbi nyjet e këmbëve, lëvizjen e gishtit gjatë shqiptimit të shahadetit në namaz etj..

Fatkeqësisht diskutimet e tilla neve si Musliman na çojnë në humbje të kohës. Muslimanët po vriten, masakrohen pa asnjë farë mëshire në pjesë të ndryshme të botës, kurse në anën tjetër thirrësit Islam po u nënshtrohen formave më të ulëta të kërcënimit dhe sulmit. Në vend që t'u përballojmë këtyre sfidave të kohës jemi të detyruar të polemizojmë për atë se mishi i therur nga ithtarët është hallall apo haram.

Sahabët e të Dërguarit a.s.,ashtu edhe pasardhësit tanë të drejtë nuk e ndalonin ndonjë gjë nëse nuk ishin të sinqertë se ajo me të vërtetë ishte reptësishtë e ndaluar. Çështjet për të cilat janë pajtuar Muxhtehidët e një kohe bëhen të obligueshme për ithtarët e Islamit. Nuk lejohet të veprohet në kundërshti me to. Në mesin e çështjeve që ka Ixhma është edhe çështja e ndjekjes së njërit nga Katër Medh'hebet e pranuara dhe të njohura nga Ummeti, edhe ate: Medh'hebi Hanefij, Medh'hebi Shafij, Medhhebi Malikij dhe Medh'hebi Hanbelij.

Në vazhdim po i sjellim ca mendime të tyre të cilat bien ndesh me mendimet e shumicës dërmuese të autoriteteve islame:

- Ndalojnë mbajtjen e arit për gratë, edhe pse ka pajtueshmëri (Ixhma) të dijetarëve për atë se ari u lejohet grave të Um-metit të Muham-medit alejhis-selam. Këtë gjë e përmend Imam Neveviu dhe Ibni-Haxher el-Askalani dhe thonë se ka Ixhma (pajtueshmëri midis dijetarëve islam mbi këtë çështje).
- Ata nuk e pranojnë Ixhmanë si burim të Sheriatit Islam. Ai këtë mendim e bazon në deklaratën e Ahmed ibni Hanbelit, Rahimull-llah: "men idde'a el-ixhma fe huve kadhib", edhe pse ai aspak nuk e di se në çfarë konteksti Ibni Hanbeli e ka shqiptuar këtë fjalë.
- Ekspozojnë mendimin se në mallin tregtar nuk duhet të jepet Zekat, edhe pse sot pjesa më e madhe e kapitalit përbëhet nga malli tregtar. Ndërkaq, me mospagesën e Zekatit anulohet e drejta e të varfërve.
- Ndalojnë dhënien e Zekatit për Muxhahedinët e Afganistanit (gjatë luftës Ruso-Afgane), për shkak se ata s'kanë Akide (Besim) korrektë (të drejtë), sepse i takojnë Akides Maturidite që sipas tyre s'është korrekte.
- Ndalojnë agjërimin të shtunën, bile edhe nëse është Dita e Arafatit.
- Ndaljonë (është Haram) Itikafin në të gjitha Xhamitë përveç se në tri: në Haremi Sherifin në Mekke, në Xhaminë e Pejgamberit alejhis-selam në Medine dhe në Mesxhidul-Aksa në Kudus. Diç të tillë nuk e thotë asnjë dijetar.
- Gjatë Ramazanit lejon iftarin para vaktit të akshamit si dhe syfyrin para agut. Sipas të gjithë dijetarëve tjerë një agjërim i tillë është i prishur.
- Përfaqësojnë mendimin se është Haram (e ndaluar) të ndiqet cilido qoftë prej Imamëve-Muxhtehidë të Fik'hut, si Imam Shafiu, Imam Ebu-Hanifja, All-llahu i mëshiroftë, e të tjerë, sepse vetëm ata thërrasin në: "rrugën e drejtë, në Hadithin e Pejgamberit alejhis-selam". A thua vallë kjo gjë do të thotë se Imamët: Ebu-Hanifja, Shafiu, Maliku dhe Ahmed ibni Hanbeli, All-llahu i mëshiroftë, kanë thirrur në ndonjë rrugë a mësim tjetër?! Sipas tyre, po.

All-llahu i Madhëruar kërkon prej këtij ummeti ta bashkojë fjalën dhe të mos ndahet në sekte e parti që sulmojnë njëri tjetrin: "Me të vërtetë populli juaj është një (ummet i bashkuar)".

Çdo orëvatës që i tubon dhe i bashkon zemrat e tyre është besimtar i vërtetë dhe lufton për qëllimin më fisnik në Islam që është bashkimi i zemrave, dhe tubimi i qëllimeve, kurse ata të cilët nxisin armiqësi, ringjallin nacionalizëm, ndajnë vëllezërit njërin prej tjetrit dhe krijojnë armiqësi e urrejtje janë shkaktarë të shkatërrimit në tokë e muslimanët e sinqertë obligohen t'u përballojnë dhe ta njoftojnë popullin e t'ua zbulojnë qëllimet e tyre të këqija e negative.

Andaj do të kisha apeluar rininë myslimane e veçanërisht juve, vëllezër të nderuar që të mos bini në grackat e këtyre ideve të gabuara por ta keni për bazë ajetin Kur'anor ku All-llahu xh.sh. thotë: "Dhe kapuni për litarin e All-llahut dhe mos u përçani". Për në fund e lusë All-llahun xh.sh., që ne të jemi ata që të thërrasim në unitet dhe bashkim po qe se duam të jemi të shpëtuar në këtë botë dhe në botën tjetër.

Po ashtu, dijetari i njohur përcjell: "Prej tani është e detyrueshme ndjekja e njërit prej Katër Imamëve, për shkak se ato janë të përhapura dhe të zgjëruara të shtrira si vepra të veçanta që nuk është rasti me të tjerët". Kjo gjë bazohet në Ixhmanë (pajtueshmërinë) e Muxhtehidëve dhe muslimanët tjerë janë të obliguar që këtë ta ndjekin dhe ta respektojnë!



Autor: Mr. Musli BAJRAMI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...