Në pritje të muajit të shenjtë të Ramazanit



Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë vetëm Allahut xh.sh., salevatet dhe selamet mbi shpirtin e Muhamed Mustafasë s.a.v.s., mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë besimtarët islamë të cilët me kujdes dhe respekt i përcjellin normat e Kur'ani Kerimit dhe të sunnetit të pastër të Muhamed Mustafas s.a.v.s..

Të nderuar besimtarë Islam, është dëshira e Allahut xh.sh. dhe fatmirësia e jonë që sot të gjithë ne bashkërisht po falim edhe xhumanë e fundit që i paraprinë muajit të bekuar, muajit të shenjtë, muajit të Kur'anit, muajit të agjërimit, muajit të pendimit, muajit të pastrimit të besimtarëve islam nga mëkatet, pra muajit të Ramazanit të shenjtë. Këtë muaj që po na afrohet Allahu xh.sh. e ngriti dhe dalloi nga muajt tjerë me zbritjen e Kur'anit Fisnik udhërrëfyes për njerëzinë, udhëzues për besimtarët islamë, sistemues i jetës individuale, familjare dhe mbarë shoqërore. Sistem ky i cili është i mbushur me plotë bindje, etikë të lartë dhe veprime konkrete, prej ku buron edhe optimizmi i pa shterur i besimtarit islam për të arritur qëllimin final të krijimit të tij. Muaji i Ramazani që po na afrohet të nderuar besimtarë islamë, është muaji i agjërimit, muaji i mëshirës, begatisë, ibadetit dhe krejt në fund muaji i pastrimit tonë nga mëkatet tona. Këto vlera që nuk mund të arrihet jashtë muajit të Ramazanit, thjeshtë janë dhuratë prej Allahut xh.sh. janë mëshirë që simbolizon dashurinë e Allahut xh.sh. ndaj robit të tij, andaj ne duhet të jemi krenarë që i takojmë këtij Ummeti, këtij udhëzimi dhe njëkohësisht duhet të jemi edhe falënderues ndaj Allahut xh.sh..

Këtë dashuri dhe mëshirë të Allahut xh.sh. ndaj robit të Tij, më së miri na e përshkruan i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kur thotë: عَنْ أَبِي هُرَيْرَةَ أَنَّ رَسُولَ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ كَانَ يَقُولُ الصَّلَوَاتُ الْخَمْسُ وَالْجُمْعَةُ إِلَى الْجُمْعَةِ وَرَمَضَانُ إِلَى رَمَضَانَ مُكَفِّرَاتٌ مَا بَيْنَهُنَّ إِذَا اجْتَنَبَ الْكَبَائِرَ - رواه مســلم . - "Pesë namazet, (ditore) namazi i xhumasë deri në namazin e xhumasë, dhe Ramazani deri në Ramazanin tjetër mbulojnë mëkatet mes tyre nëse (besimtari) largohet nga mëkatet e mëdha". [1]

Nga ky hadith kuptojmë se besimtari islamë i cili rregullisht falë namazet ditore, pastaj namazin e xhumasë dhe agjëron muajin e Ramazanit, krahas shpërblimeve të shumta që besimtari islam i përfiton nga këto veprime, Allahu xh.sh. për hir të këtyre ibadeteve ia mbulon dhe shlyen mëkatet dhe gabimet e vogla me të cilat besimtari islam ballafaqohet çdo ditë dhe në çdo kohë. Ndoshta dikush nga ju mendon se mëkatet e vogla janë relevante për ne sepse ne kemi nevojë të falemi nga gabimet dhe mëkatet e mëdha. Të nderuar besimtar për tu falur mëkatet e mëdha patjetër duhet të shoqërohen me pendim (teube) kurse mëkatet e vogla mund të falen përmes shumë mënyrave dhe ibadeteve që i ka ligjësuar Allahu xh.sh..

Pastaj ajo që është shumë me rëndësi për ne, që ne doemos duhet të dimë është se, nuk ka mëkat të madh nëse atij i shoqërohet pendimi, sepse Allahu xh.sh. i falë të gjitha mëkatet për të cilat pendohet besimtari islam, përveç idhujtarisë - Shirkut, zaten pas shirkut nuk ka më mëkate tjera. Nga kjo nënkuptohet se për besimtarin islamë ekziston mundësia e shlyerjes së të gjitha mëkateve të tija, vetëm e vetëm nëse ai është i sinqertë në pendimin e tij. Në anën tjetër, nuk ka mëkat të vogël nëse ai përsëritet çdo ditë, sepse ai rritet, trashet dhe ushqehet pastaj shndërrohet në mëkat i cili mund ta hedhë pronarin e saj në zjarr të xhehenemit. Po pra të nderuar, pikërisht për këtë Allahu xh.sh. nga rahmeti i tij ka ligjësuar që këtyre mëkateve të vogla të cilëve ne shpeshherë nuk i kushtojmë vëmendje t'ua ndërpresë rrugën, të mos rriten dhe të zhvillohen, por të shlyhen dhe humbin përmes këtyre adhurimeve siç potencon hadithi i Pejgamberit a.s..

Të nderuar besimtarë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. shëmbëlltyra e njerëzisë kur afrohej muaji i Ramazanit këshillonte shokët e tij, u komunikonte atyre vlerat e këtij muaji, krejt me qëllim që ata të jenë sa më të përgatitur për të shfrytëzuar në maksimum vlerat e këtij muaji. Na tregon Ebu Hurejreja r.a. i cili thoshte, kur vinte muaji i Ramazanit, Pejgamberi a.s. na thoshte: عَنْ أَبِي هُرَيْرَةَ قَالَ لَمَّا حَضَرَ رَمَضَانُ قَالَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ قَدْ جَاءَكُمْ رَمَضَانُ شَهْرٌ مُبَارَكٌ افْتَرَضَ اللَّهُ عَلَيْكُمْ صِيَامَهُ تُفْتَحُ فِيهِ أَبْوَابُ الْجَنَّةِ وَيُغْلَقُ فِيهِ أَبْوَابُ الْجَحِيمِ وَتُغَلُّ فِيهِ الشَّيَاطِينُ فِيهِ لَيْلَةٌ خَيْرٌ مِنْ أَلْفِ شَهْرٍ. - "Ju erdhi muaji i Ramazanit, muaji i begatshëm, Allahu xh.sh. ua ka bërë obligim (farz) agjërimin në të. Në të hapen dyert e xhenetit dhe mbyllen dyert e xhehemit, në të lidhen shejtanët (djajtë), kurse në të është një natë (nata e kadrit) që ka vlerën më të madhe se sa një mijë muaj tjerë". [2]

Në një hadith tjetër po ashtu me transmetim nga Ebu Hurejreja r.a. i regjistruar te Ibi Maxheh, Pejgamberi a.s. ka thënë: عَنْ أَبِي هُرَيْرَةَ عَنْ رَسُولِ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ قَالَ إِذَا كَانَتْ أَوَّلُ لَيْلَةٍ مِنْ رَمَضَانَ نَادَى مُنَادٍ يَا بَاغِيَ الْخَيْرِ أَقْبِلْ وَيَا بَاغِيَ الشَّرِّ أَقْصِرْ وَلِلَّهِ عُتَقَاءُ مِنَ النَّارِ وَذَلِكَ فِي كُلِّ لَيْلَةٍ . [3]

Imam Bejhekiu regjistron një hadith me transmetim nga Xhabiri r.a. i cili tregon se Pejgamberi s.a.v.s. për vlerat e muajit të ramazanit ka thënë: "Në muajin Ramazan, Umetit (popullit) tim u janë dhënë pesë gjëra që nuk iu kanë dhënë asnjë të dërguari tjetër para meje:
1. Natën e parë të Ramazanit Allahu xh.sh. e lëshon shikimin (mëshirën) në to, e kë ta shikojë (mëshirojë) Allahu xh.sh. atë kurrë nuk e dënon.
2. Aroma e gojave të agjëruesve është më e këndshme te (Allahu), se sa aroma e miskut,
3. Vërtet Melekeët kërkojnë falje për besimtarët, për çdo ditë dhe natë,
4. Allahu xh.sh urdhëron xhenetin e Tij dhe i thotë: Përgatitu dhe zbukurohu për robërit e mi, sepse në të do të pushojnë nga lodhjet e kësaj bote në shtëpinë Time dhe nderimet e mia,
5. Natën e fundit Allahu xh.sh., i falë ata të gjithë, e një njeri nga të pranishmit i tha: A ajo është nata e kadrit ? Tha: Jo, a nuk ke parë se punëtorët punojnë e pastaj marrin shpërblimet"
. [4]

Të nderuar besimtarë islamë, mendoj se më këto argumente që i paraqitëm për vlerën e muajit të Ramazanit, për shpërblimet e shumëfishta nga ky muaj, të gjithë ju keni kuptuar se pse besimtarët islamë i gëzohen muajit të shenjtë të Ramazanit. Mendoj se e keni të qartë pse ia vlen të bëjmë parapërgatitje maksimale për pritjen madhore të këtij muaji. Mendojmë se tani e kemi të qartë se ku qëndron sekreti i krenarisë sonë me muajin e agjërimit, e këtë ne bëri të ditur Xhabiri r.a. i cili me kujdes dhe dashuri i respekt na i përcjelli fajlët e pejgamberit ku përshkroi edhe karakteristika e krenarisë së Ummetit të Muhamedit a.s..

Të nderuar vëllezër po dëgjojë aty këtu zëra se çka do bëjmë me muajin e ramazanit i cili po vjen në këto ditë vere të nxehta, si do të agjërojmë, në këto ditë të gjata vape etj etj.. Këto klithma janë nga njerëzit me besim të dobët, me bindje të luhatshme që dëshirojnë të mbjellin panik dhe pesimizëm te besimtarët islam. Dëshirojnë të prishin harmoninë dhe atmosferën e pritjes së muajit të Ramazanit. Ata dëshirojnë të gjejnë arsye për mos veprime, apo për veprime të pa ligjshme islame, por ne si besimtarë të denjë islamë jemi shumë të bindur në dy çështje nga të cilat nuk lëvizim për asnjë milimetër, që janë.

- Jemi të bindur se Allahu xh.sh. nuk ngarkoi besimtarët e Tij me atë që është e pa mundur, andaj ne veprojmë në bazë të kësaj bindjeje, dhe kryejmë obligimet tona ndaj Allahut xh.sh.. Kur kemi një bindje të tillë pa kurrfarë dileme ndihma e Allahut xh.sh. do të jetë ndaj robit të tij.

- Gjithashtu jemi të bindur se klithmat e tyre se janë klithma djallëzore e satanike, të cilët tentojnë të dobësojnë dhe rrënojnë bindjen e besimtarëve islam. Ata shprehen aq të mëshirshëm saqë u dhimbsemi se ne po agjërojmë në këtë vapë, në këtë ditë të gjatë vere, por realiteti është se ata vetëm tentojnë të arsyetojnë veprimet e tyre ashtu si tentoni të arsyetoj djalli veprimin, respektivisht mos veprimin e tij.

Të nderuar besimtarë, për në fund hapni zemrat tuaja, shpalosni gëzimin dhe harenë tuaj për ardhjen e muajit të Ramazanit, se me lejen dhe ndihmën e Allahut xh.sh. do të jemi fitimtarë mbi të gjitha vështirësitë dhe lodhjet. Allahu na udhëzoftë dhe ndihmoftë në punë të mira, në punë që Allahu xh.sh. dhe i dërguari i tij janë të kënaqur me to.

All-llahume Amin.



(Ligjërata është mbajtur në namazin e xhumasë më 13 Korrik 2012 në xhaminë e fsh. Llojan nga hoxha dhe profesori i nderuar Jusuf Zimeri.)



_________________________

[1] - Muslimi.
[2] - Përmbledh Nisaiu, Bejhekiu dhe Ahmedi nga Ebu Hurejra.
[3] - Përmbledh Ibni Maxheh Nr. 1632.
[4] - Bejhekiu.

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...