Gjykata: Ramadani të largohet nga Xhamia e Isa Beut



Gjykata themelore e Shkupit ka gjykuar në favor të BFIM lidhur me rastin e Xhamisë së Isa Beut, ku urdhërohet që imami i kësaj xhamie Ramadan Ramadani të largohet nga detyra.

Sipas vendimit të gjykatës, Ramadani brenda një afati të shkurtër kohor duhet të ndërpres të gjitha lutjet dhe ligjëratat fetare në këtë xhami ku vitin e kaluar ndodhi një incident i dhunshëm midis kreut të BFIM-së dhe përkrahësve të Ramadanit.

Në vendimin e gjykatës theksohet se Ramadani në mënyrë të paligjshme ka uzurpuar pronësinë e BFIM, për shkak se ai më vendim të kryetarit të këtij institucioni fetar më 1 korrik të vitit 2010 ishte shkarkuar nga funksioni i kryerjes së detyrës si imam në xhami, mirëpo ai edhe më tutje kishte vazhduar.

Nga Muftinia e Shkupit theksojnë se presin që vendimi të jetë i plotëfuqishëm, ndërsa më pas nëse Ramadani nuk e lëshon xhaminë, ata theksojnë se do të kërkojnë asistencë policore.

Mirëpo nga ana tjetër, edhe Ramadan Ramadani thekson se pret që Gjykata e Apelit të heq vendimin e Gjykatës Themelore dhe se ai nuk e ka ndërmend të largohet nga detyra në këtë xhami, për shkak të përkrahjes nga ana e besimtarëve.



Përgatiti: ina, janar 2011.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...