Imitimi i 'Imamit' në çështjet Akaidore



Rasti i Imam Ebu Hanifes dhe ndjekësve të tij

Akidja e Ebu Hanifes dhe e bashkëpunëtorëve të tij Ebu Jusufit dhe Muhamed sh-Shejbaniut është e sintetizuar dhe manifestuar në një manifest të vetëm dhe kuptimplotë që quhet Akideh et-Tahauije nga Imam Tahauiju, bashkëkohës i Imam Esh'ariut.

Akiden e Tahauijut, dikush mund ta pranojë si Ehli Sunneh, ta refuzojë me mendimin që s'është Ehli Sunneh ose ta manipulojë, siç janë mutacionet e Ibn Ebil-Izz ed-Dimashki.

Në lidhje me el-Fik'h el-Ekber ka dy perceptime:

1. - Ose të pranohet për libër të vlefshëm të Ebu Hanifes,

2. - Ose të mos pranohet për libër të vlefshëm të Ebu Hanifes.

Në rast të pranimit ka dy perceptime:

1. - Ose do ta pranosh tërësisht tekstin, nga kapaku në kapak, bazuar në zinxhirin e transmetimit, konkretisht transmetimi i Hamad b. Ebu Hanifes (ose Ebsat-in sipas Belkhit).

2. - Ose do ta pranosh pjesërisht, ku për çdo deklarim akaidor do të duhet të sjellësh zinxhirin e transmetimit përkatës, që s'ka lidhje me transmetimin e tubimit të Fik'hut.

Përderisa perceptimi i dytë është i parealizueshëm, atëherë i pari është i vlefshëm për t'u marre në konsideratë.

Ndërsa në rastin e mospranimit të vlefshmërisë, atëherë çdo individ është i detyruar t'i referohet Akides Tahauije, si Akide e Ebu Hanifes.

Megjithëse dihet botërisht se të quajturit "Mez'heb Hanefi", nuk përmban ekskluzivitetin e Ebu Hanifes, por të mendimit tërësor të ixhtihadit në mez'heb, për vetë specifikat e themelimit të tij, prandaj edhe Shkolla Maturidite është rrjedhojë e sintetizimit të tërësisë së Mez'hebit Hanefi në Akide në terminologjinë e kohës.

Prandaj, për t'i rënë shkurt, do të duhet që ata që i përmbahen el-Fik'h el-Ekberit, t'i përmbahen edhe vlerësimeve si "Shprehja jonë me Kur'an është e krijuar", "largësia dhe afrimi ndaj Allahut nuk matet me distancë", "Besimi i shikimit tek Allahu ditën e Kiametit pa pasur distancë mes shikuesit dhe Allahut" ose mohimin e të ashtuquajturës "Lartësia ndjesore" ose "të folurit e Allahut pa mjete shprehëse dhe pa zë", etj..

Përndryshe, t'i përmbahen Akides së Tahauijut ndër parimet e të cilës gjejmë: "Atë (Allahun) nuk e përfshijnë gjashtë direksionet" ose "Kush e përngjason Allahun me një nga kuptimet njerëzore bën kufr", etj..

Ndërsa çështjet e gjendura në el-Fik'h el-Ekber, si: "mospranimi i interpretimit te Sifatit 'el-Jed' si 'kudret'".

Së pari: nuk janë mesele të epokës së Ebu Hanifes (për çka figurojnë dyshimet e hanefive rreth librit).

Së dyti: meseleja e mosinterpretimit te Sifetu "el-Jed", nuk është mesele ku kanë rënë dakord.

Përkundrazi Imam Taberiu prej Selefit, i cili ka qenë Muxhtehid Mutlak, që ka mez'heb të tijin tek Ehli Sunneti, në Tefisir, interpreton "Dora e Allahut është mbi duart e tyre""Fuqia e Allahut është mbi fuqitë e tyre". Mos vallë Imami është nga Xhehmije dhe Kaderije?

Por edhe hipotetikisht ta ketë thënë Imam Ebu Hanife, mund edhe mos të pajtohemi me të në ndonjë mesele dhe kjo nuk e zhbën Mez'hebin Hanefi, ashtu siç edhe muxhtehidët në mez'heb s'kanë rënë dakord me çdo mesele të Ebu Hanifes. Ashtu sikurse edhe Esh'aritë nuk kanë rënë dakord me çdo mesele në vetëvete të Imam Esh'ariut, për shkak se përvoja përfitohet prej parimeve, rregullave dhe standardit në mez'heb dhe jo nga meseleja në vete.

Siç ka thënë edhe Imam Ibn Asakir ed-Dimashki në lidhje me Shkollën Esh'arite, në të cilën nuk i bëjmë taklid Imam Esh'ariut, por pajtohemi me të për çka ai ka argumentuar në lidhje me Teuhidin.



Autor: Alban ÇULI

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...