Pozicioni i vendosjes së duarve gjatë namazit sipas medhhebit hanefi



Gjatë hyrjes në disa xhami një person haset me një shumësi njerëzish. Ai shikon teksa disa qëndrojnë në namaz (lutje) me duart e lidhura nën kërthizë, disa me duart e mbledhura në kraharor dhe disa të tjerë me duart e vendosura pak më poshtë se kraharori. Ai gjithashtu sheh edhe disa individë të paktë të cilët falen me duart e lëshuara në dy anët e trupit.

Pasi janë përballur me një skenë të tillë, pyetje që vjen menjëherë në mendjen e vëzhguesit është: "Cila është metoda e saktë e vendosjes së duarve gjatë namazit"? Ose "Ku i vendoste profeti (a.s.) duart e tij (gjatë lutjes)"?

Diskutimi në vijim do të përpiqet ti përgjigjet këtyre pyetjeve dhe të përcaktojë sunetin dhe metodën më të preferuar të vendosjes së duarve gjatë qëndrimit në këmbë në namaz.

Pika e parë e cila duhet sqaruar është se të gjitha pozicionet e përmendura në hadithet profetike janë të lejuara dhe dallimi i mendimeve konsiston në atë se cila, prej pozicioneve të lartpërmendura, është mënyra më e preferuar.

Pika e dytë konsiston në faktin se ekzistojnë shumë pak hadithe të sakta (sahih) në lidhje me këtë çështje dhe se shumica e transmetimeve të cilat shpjegojnë mënyrat e ndryshme të pozicionimit të duarve në namaz janë klasifikuar (nga specialistët e hadithit) ose si jashtëzakonisht të dobëta ose si lehtësisht të dobëta. Ky fakt e bën këtë çështje pakëz më të ndërlikuar se çështjet e tjera. Megjithatë, shpresohet se në fund të këtij kapitulli, suneti dhe metoda më e preferuar e vendosjes së duarve në namaz do të bëhet e qartë.

Opinionet e ndryshme

Dallimi i parë i mendimeve

Dallimi i parë i mendimeve ka të bëjë me çështjen nëse duhen mbajtur, apo jo, duart e lidhura gjatë namazit. Mendimi më i përhapur i Imam Malikut, siç tregohet nga Ibn el-Kasimi, është se duart duhet lënë të varen në dy anët e trupit. Sipas një mendimi të dytë të tij, të raportuar nga Ibn el-Mundhiri, duart duhen mbledhur së bashku dhe të vendosen në trup.

Imam Ebu Hanifja, Imam Shafiu dhe Imam Hanbeli, si edhe shumica e dijetarëve, janë të mendimit se duart duhen lidhur së bashku dhe jo të varen në dy anët e trupit. Dijetari i madh Maliki, Ibn Abdul Berr, pohon në lidhje me këtë çështje: "Nuk raportohet asgjë prej profetit (a.s.) që të kundërshtoj këtë mendim të shumicës së dijetarëve dhe ky është mendimi unanim i të gjithë sahabëve dhe tabiinëve", (Euxhaz el-Mesalik 2:116).

Dallimi i dytë i mendimeve

Midis dijetarëve që mendonin se duart duhen lidhur në namaz, ekziston një dallim në mendim rreth faktit se ku ekzaktësisht duhen vendosur duart pasi ato të jenë lidhur së bashku. Imam Ebu Hanifja dhe Ebu Ishak el-Maruazi (nga shkolla Shafiite) pohojnë se duart duhen pozicionuar poshtë kërthizës. Këndvështrim i Imam Shafiut, që gjendet në librat El-Vasit dhe Kitab el-Um, është se duart duhen pozicionuar poshtë kraharorit. Ky është mendimi i tij më i përhapur. Mendimi i dytë i tij, siç përmendet tek el-Havi, është se duart duhen vendosur drejtpërsëdrejti në kraharor.

Nga Imam Ahmedi janë raportuar tre mendime, i pari prej të cilëve është i ngjashëm me atë të Ebu Hanifes. Ibn Hubejra pohon se ky është mendimi i tij më i përhapur. Mendimi i dytë i Imam Ahmedit është i ngjashëm me atë të Shafiut, ndërsa mendimi i tij i tretë është se individi është i lirë të vendosë duart e tij poshtë kërthizës ose në kraharor, meqenëse të dyja këto metoda janë përftuar nga suneti profetik.

Hadithet në lidhje me këtë çështje

Dijetarët pohojnë se nuk ka asnjë hadith të saktë që të vërtetoj mendimin e Imam Malikut për lëshimin e duarve, gjatë namazit, në dy anët e duarve. Disa kanë përmendur se arsyeja për një veprim të tillë është frika e thellë, droja dhe nderimi për Allahun e Lartësuar, se pasi një person qëndron përpara Tij, ai harron ti lidh duart e tij së bashku dhe ato lihen të varen në dy anët e trupit. Cilado qoftë arsyeja, ekzistojnë transmetime nga disa sahabë të cilët janë falur me duart e varura në dy anët e trupit, (Shih Musannaf Ibn Ebi Shejba 2:391).

Nga ana tjetër, ekzistojnë raportime të shumta që vërtetojnë se profeti (a.s.) i vendoste duart në trupin e tij ndërsa qëndronte në këmbë gjatë lutjes dhe nuk i lëshonte ato në dy anët e trupit. Këto raportime, gjithsesi, ndryshojnë shumë rreth faktit se ku ekzaktësisht i vendoste ai duart në trupin e tij. Një transmetim shumë i njohur në lidhje më këtë çështje është ai i Vail ibn Huxhr-it (r.a.) i cili gjendet në shumë koleksione hadithesh. Sidoqoftë, dijetarët e kanë etiketuar këtë transmetim si problematik (mudtarib) dhe kontradiktor. Në një version të këtij raportimi, që gjendet në Sahihun e Ibn Khuzejmes, Vail Ibn Huxhr-i ka thënë: "Kam kryer namazin me të Dërguarin e Allahut (a.s.) dhe ai vendosi dorën e tij të djathtë mbi të majtën në kraharor".

Versioni që gjendet tek Musnedi el-Bazzar ka fjalët "afër kraharorit" në vend të "në kraharor", ndërsa version i Musanaff ibn Ebi Shejb-es ka fjalët "nën kërthizë". Dy versionet e para mbështesin mendimin e atyre të cilët pohojnë se është më e preferueshme që vendosësh duart në kraharor ose pranë tij, ndërsa version i tretë mbështet mendimin e medhhebit hanefi. Sidoqoftë, duhet vërejtur se të tre këto versione përmbajnë disa element dobësie. Secili prej tyre do të analizohen në paragrafët në vijim së bashku me raportimet e tjera për të përcaktuar statusin dhe arsyet e dobësisë së tyre.

Versioni i parë

1. - Versioni i Vail Ibn Huxhr-it (r.a.), i cili transmetohet nga Ibn Khuzejme në Sahihun e tij dhe që përmban fjalët "në kraharor", është me shumë mundësi më i dobëti nga të gjithë raportimet. Arsyet janë si më poshtë:

- a). Mu'amal ibn Ismail është një prej transmetuesve të këtij version. Ai është quajtur një transmetues i dobët, qëkurse ai gabonte në transmetimet e tij pasi iu dogjën librat dhe ai u detyrua të transmetonte nga memoria. Imam Buhariu pohon: "Ai bënte shumë gabime" (kethir el-khata). Ebu Zur'a pohon: "Transmetimet e tij përmbajnë shumë gabime", (Feth el-Mulhim 2:40).

- b). Ky raportim, ndonëse gjendet në shumë libra të tjerë përmes transmetimeve të ndryshme, në asnjë prej tyre nuk përmban fjalët "në kraharor". Versione të tij gjenden në Sunenin e Ebu Davudit, Nesaiut, Ibn Maxhes dhe në Musnedin e Ebu Davud et-Taxhalisit. Asnjë prej tyre nuk e përmban shtesën "në kraharor". Allama Nimavi pohon se kjo shtesë gjendet vetëm në versionin e Mu'amal ibn Ismail (dhe transmetohet nga Ibn Khuzejme). Rrjedhimisht, ai është një version i dobët dhe jo i saktë.

- c). Një tjetër pikë është fakti se Mu'amal ibn Ismail e rrëfen këtë hadith nga Sufjan el-Theuri. Hafiz Ibn Haxher Askalani pohon se lidhja midis Mu'amal ibn Ismailit dhe Sufjan el-Theuriut është e dobët (Feth el-Bari 206). Kjo është një tjetër dobësi e këtij versioni. - ç). Vetë Sufjan el-Theuriu ka qenë i mendimit se duart (në namaz) duheshin pozicionuar poshtë kërthizës. Kështu që kur transmetimi i tij bie në kundërshtim me mendimin e tij personal, atëherë ky transmetim, sipas parimeve të studimit të hadithit (usul el-hadith), është i papranueshëm.

- d). Disa kanë pohuar se të gjitha transmetimet që gjenden në sahihun e Ibn Khuzejmes janë të vërteta, por kjo nuk është e vërtetë. Imam Sujuti në librin e tij "Tedrib el-Rawi" pohon se Sahihu i Ibn Khuzejmes përmban disa transmetime të dobëta dhe të refuzuara (munker). Mbi të gjitha, Ibn Khuzejmja, njësoj si Imam Tirmidhiu, zakonisht bënte komente pas çdo transmetimi duke konstatuar nivelin e tij të saktësisë. Megjithëkëtë, pas versionit të Vail Ibn Huxhr-it, ai nuk ka bërë asnjë koment rreth saktësisë së tij. Kështu që, ky transmetim nuk mund të etiketohet si i saktë thjesht për faktin se gjendet tek Sahihu i Ibn Khuzejmes. Është e qartë, se nëse ky hadith do të kishte qenë i saktë atëherë Ibn Khuzejmja do ta kishte emërtuar atë si të tillë.

- dh). Disa kanë thënë se edhe nëse ky hadith pranohet si i saktë, vendosja e duarve në kraharor duhet konsideruar në mënyrë përfundimtare si një praktikë e izoluar (shadh) - diçka të cilën profeti (a.s.) e ka bërë disa herë thjesht për të informuar sahabët e tij për lejueshmërinë e saj (bejan lil xheuaz). Nisur nga ky transmetim nuk mundet në asnjë mënyrë të provohet se vendosja e duarve në kraharor gjatë namazit ka qenë një praktikë e vazhdueshme e profetit (a.s.).

Versioni i dytë

2. - Edhe versioni i dytë i rrëfimit të Vail Ibn Huxhr-it, që gjendet tek Musnedi i el-Bazzarit, i cili përmban fjalët "afër kraharorit" është i dobët. Një prej transmetuesve të tij është Muhamed Ibn Huxhr-i rreth të cilit Imam Buhariu ka pohuar: "çështja e tij është e paqartë", ndërsa Imam Dhehebiu është shprehur se: "Disa prej transmetimeve të tij janë të refuzuara", (Mexhma el-Zaëaid 2:135). Kështu që, edhe ky version është i dobët dhe për rrjedhojë duhet hedhur poshtë.

Transmetime të tjera

3. - Një tjetër raportim, i cili përmend vendosjen e duarve në kraharor, është edhe rrëfimi i Hulb-it që transmetohet nga Imam Ahmedi: "I dërguari i Allahut (a.s.) do të kthehej nga ana e majtë në të djathtë dhe do të vendoste këtë dorë në kraharorin e tij", (Musnad Ahmed).

Allama Nimavi ka provuar me fakte të qarta se në formulimin e këtij hadithi ka ndodhur një gabim. Në vend të fjalëve ala hadhihi (mbi dorën tjetër) kopjisti ka shkruar gabimisht ala sadrihi (në kraharor), (Athar al-sunan 87). Kështu që as ky transmetim nuk mund të merret si argument.

4. - Një tjetër transmetim i ngjashëm me atë të lartpërmendurin gjendet edhe në Sunenin e Bejhekiut: "Aliu (r.a.) për të shpjeguar kuptimin e ajetit kuranor: "... andaj falu (vetëm) për Zotin tënd dhe ther kurban!", e vendosi dorën e tij të djathtë mbi qendrën e dorës së tij të majtë dhe i vendosi ato në kraharor, si për të thënë se kuptimi (tefsir) i këtij verseti ishte që të vendosje duart në këtë mënyrë", (Sunen el-Bejheki 2:30).

Sidoqoftë Ibn Turkumani el-Mardini, në librin e tij El-Xheuher el-Naki, ka vërtetuar se si zinxhiri i transmetimit (isnad) ashtu edhe teksti (metn) i këtij transmetimi janë të papajtueshme. Imam Bejhekiu ka përmendur një transmetim të ngjashëm nga Ibn Abazi (r.a.) në të cilin gjendet edhe transmetuesi Rauh ibn Musejib. Rreth tij Ibn Hibani ka thënë: "Ai transmeton hadithe të trilluara. Nuk është e lejuar të transmetosh prej tij".

Allama Sa'ati shkruan: "Nuk është e saktë ti veshësh këtë interpretim (tefsir) Aliut apo Ibn Abazit. Kuptimi i saktë i versetit, ashtu siç pohon edhe Ibn Kethiri, është se ai lidhet me kurbanin", (Fath el-Rabani 3:174).

Siç e pamë edhe më lart, gjithsecila prej katër transmetimeve të përmendura derimëtani ka mangësi të ndryshme. Gjendet edhe transmetime të tjera të ngjashme ato që kemi përmendur në të cilat pohohet se profeti (a.s.) nuk i ka vendosur duart e tij (gjatë namazit) poshtë kërthizës. Shpjegimi i dhënë nga dijetarët hanefi, në lidhje me këto transmetime, është se profeti (a.s.) herë pas here i vendoste duart e tij në kraharor ose pak më poshtë se kraharori. Këtë ai e bënte vetëm për të dëshmuar lejueshmërinë e një veprimi të tillë (bejan lil xheuaz), ndërsa praktika e zakonshme e profetit (a.s.) ishte ajo e vendosjes së duarve poshtë kërthizës. Transmetimet në vijim do ta provojnë këtë pohim të fundit në mënyrë më të qartë.

Provat e ofruar nga dijetarët hanefinj

1. - Vail Ibn Huxhr (a.s.) rrëfen: "E kam parë të dërguarin e Allahut (a.s.) duke vendosur dorën e tij të djathtë mbi të majtën poshtë kërthizës", (Musannaf Ibn Ebi Shejbe, Athar es-Sunen 90).

Ky është versioni i tretë i transmetimit të Vail Ibn Huxhr-it, të cilin e përmendëm në fillim të esesë sonë, që përmban fjalët "poshtë kërthizës". Disa dijetarë hanefinj kanë pohuar se ky version nuk mund të përdoret si provë përfundimtare për opinionin e mbështetur nga medhhebi hanefi, për arsye se fjalët "poshtë kërthizës" gjenden vetëm në disa botime të Musanafit të Ibn Ebi Shejbes dhe jo në të gjitha botimet. Duhet marrë parasysh edhe fakti që, siç e kemi përmendur edhe më parë, ky transmetim ka një tekst të parregullt.

Gjithsesi, në Feth el-Mulhim citohet se Kasim Ibn Kutlubgah e ka gjykuar këtë version si të saktë. Muhamed Ebu Tajib el-Madani në komentarin e tij të Sunenit të Tirmidhiut shkroi se ky transmetim ka një zinxhir të fortë transmetimi, ndërsa Sheh Abid Sindhi pohon se: "transmetuesit e këtij transmetimi janë të besueshëm". Gjithashtu, një numër dijetarësh kanë vërtetuar se shtesa "poshtë kërthizës" gjendet në shumë dorëshkrime të Musanaf in Ebi Shejbe, ndonëse jo në të gjitha variantet e publikuara së fundi, (shih Athar el-Sunen 148).

Kështu që, paçka natyrës problematike të rrëfimit të Vail Ibn Huxhr-it, ky version nuk mund të konsiderohet plotësisht i papranueshëm, duke qenë se ekzistojnë edhe raportime të tjera të besueshme që e fuqizojnë këtë version.

2. - Aliu pohonte: "Të vendosësh njërën pëllëmbë të dorës mbi tjetrën poshtë kërthizës është një sunet praktik i lutjes", (Suneni i Bejhekiut 312, Musanaf ibn Ebi Shejbe 1:391).

Është një fakt i mirënjohur se sa herë që një sahab shqipton fjalët "është prej sunetit", në lidhje me ndonjë veprim, kjo do të thotë se veprimi në fjalë është marrë nga vetë profeti (a.s.). Kështu që, Aliu (r.a.) mund të jetë shprehur se ky veprim është sunet vetëm pasi të ketë profetin (a.s.) duke vepruar në këtë mënyrë.

Problemi me këtë transmetim është se ai përmban Abdurrahman ibn Ishak-un në zinxhirin e tij, i cili është klasifikuar si i dobët. Hanefinjtë nuk janë mbështetur plotësisht mbi këtë transmetim si mbështetje për mendimin e tyre, por duke qenë se ka shumë transmetime që e përforcojnë atë, atëherë ai mund të konsiderohet si një argument plotësues.

3. - Haxhaxh ibn El-Hasan rrëfen: Ose e kam dëgjuar nga Ebu Mixhlaz duke e thënë ose e kam pyetur vetë: "Si duhet dikush ti pozicionoj duart e tij (gjatë namazit)"? Ai u përgjigj: "Ai duhet të vendos nën kërthizë pjesën e brendshme të dorës së tij të djathtë mbi shpinën e dorës së majtë, (Musannaf Ibn Ebi Shejbe 1:390). Siç ka përmendur edhe Ibn El-Turkumani el-Mardini, në librin e tij El-Xheuher el-Naki, transmetimi i këtij hadithi është i mirë (hasen).

4. - Ibrahim en-Nakhai rrëfen: "Individi, ndërsa është në namaz, duhet të vendosë poshtë kërthizës dorën e tij të djathtë mbi atë të majtën", (Musanaf Ibn Ebi Shejbe 1:390). Edhe transmetimi i këtij hadithi është, gjithashtu, i mirë (hasen).

5. - Ebu Hurejra (r.a.) rrëfen: "Vendosja e njërës dorë mbi tjetrën në namaz duhet të jetë nën kërthizë, (el-Xheuher el-Naki 2:31).

6. - Enesi (a.s.) raporton se: "Ekzistojnë tre aspekte nga karakteristikat e profetësisë (nubuveh): të çelësh iftarin herët, të shtysh syfyrin dhe të pozicionosh dorën e djathtë mbi atë të majtën nën kërthizë ndërsa është në namaz", (el-Xheuher el-Naki 2:31U).

Evidenca të tjera që mbështesin mendimin e hanefive

Dijetarët kanë siguruar edhe arsye të ndryshme se përse është më e preferuar që duart të vendosen poshtë kërthizës [gjatë namazit] dhe se përse kjo metodë është klasifikuar si më e preferueshmja. 1. - Ndonëse shumica e haditheve rreth kësaj çështjeje janë të dobëta, në një mënyrë apo tjetrën, sidoqoftë transmetimet e paraqitura nga hanefitë janë gjykuar si më të mira se pjesa tjetër.

2. - Juristi i madh hanefi Ibn el-Humam pohon: "Në sajë të papajtueshmërive dhe kundërthënieve midis transmetimeve të ndryshme, më e mira është që ti drejtohemi analogjisë dhe arsyetimit. Të qëndruarit përballë Zotit kërkon një qëndrim i cili të shpreh respekt dhe nderim. Duke qenë se pozicionimi i duarve poshtë kërthizës është ndoshta mënyra më e respektuar e qëndrimit (në këmbë gjatë namazit), ajo duhet konsideruar si më superiore. Nga ana tjetër, arsyeja përse gratë udhëzohen ti pozicionojnë duart e tyre në kraharor, është për shkak se përmes kësaj metode mund të arrihet një fshehje dhe modesti më e madhe", (Fath el-Kadir).

3. - Badr ed-Din Ajni, autori i komentit të mrekullueshëm mbi Sahihun e Buhariut, të quajtur Umdet el-Kari, shkruan: "Pozicionimi i duarve poshtë kërthizës mbart virtyt të madh. Është një qëndrim i cili tregon respekt të madh. Ai shfaq një dallim të madh me qëndrimet e jobesimtarëve". Ai, gjithashtu, shkruan: "Ky është i njëjti qëndrim që individi mban përballë sundimtarëve (të kësaj bote)". Më pas ai shkruan: "Vendosja e duarve në kraharor krijon një ngjashmëri me gratë, kështu që, kjo nuk mund të klasifikohet si një sunet për burrat", (Umdat el-Kari 3:16).

Përmbyllje

Mund të arrijmë në përfundimin se ndonëse hadithet e paraqitura nga shkollat e ndryshme të mendimit përmbajnë disa forma dobësie. Hadithet e paraqitura nga hanefit kanë marrë më pak kriticizëm se të tjerët dhe ato zotërojnë transmetime më të fuqishme për të mbështetur raportimet e tyre më të dobëta. Kështu që, hadithet e paraqitura si provë për vendosjen e duarve në kraharor ose poshtë tij nuk mund të merren si tregues të praktikës normale të të dërguarit të Allahut (xh.sh.). Hanefitë, gjithsesi, pranojnë se në disa raste profeti ka vendosur duart e tij në kraharor ose poshtë tij për të shprehur lejueshmërinë e një pozicionimi të tillë (bejan lil xheuaz).

Vendosja e duarve poshtë kërthizës shfaq në sasi të madhe respekt dhe përunjësi. Ashtu siç shumë qëndrime të faljes për meshkujt ndryshojnë nga ato të femrave, ashtu edhe pozicionimi i duarve në namaz ndryshon nga mashkulli tek femra.



Përktheu: Rezart BEKA



_________________________

Fragment i shkëputur nga libri i autorit Abdurr-Rrahman Ibn Jusuf.

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...