Myftiu Tërnava: 'Dhuna ndaj kujtdo qoftë është e papranueshme, e aq më tepër ndaj një të moshuare, një nëne a një gjysheje'



"Dhe në shenjë mëshire, shtrije pranë tyre krahun përulës e respektues dhe thuaj: "Zoti im! mëshiroi ata të dy, sikurse më edukuan mua kur isha i vogël”, (El-Isra, 24).

Publikimi i pamjeve të dhunimit të një të moshuare në një institucion kujdesi për të moshuarit, na la të gjithëve të shtangur e me një shije të hidhur pezmi e indinjate.

Dhuna ndaj kujtdo qoftë është e papranueshme, e aq më tepër ndaj një të moshuare, një nëne a një gjysheje, e cila në rrethanat në të cilat e ka përplasur jeta ka përfunduar në atë institucion.

E kemi për detyrë e obligim, e kemi farz para Zotit, para shoqërisë, e për të mirën e pasardhësve, që ta arsimojmë e edukojmë shoqërinë, të kultivojmë ahlak, mirësi, mirëkuptim e ngrohtësi. Një shoqërie të arsimuar apo një brezi të arsimuar gjithsesi se i duhen edhe ndërgjegjja, ndjesia shpirtërore, ndjesia për familjen, komunitetin e shoqërinë.

Këto veti e këto premisa i arrijmë vetëm atëherë kur ta kemi kuptuar drejt rolin e familjes, rolin e shpirtërores, humanes, rolin e ahlakut e edebit në ndërtimin, rritën dhe formësimin e shoqërisë.

Krijuesi i gjithësisë na udhëzon që ta duam e ta respektojmë njëri-tjetrin, të kujdesemi për njëri-tjetrin, ta ruajmë e të kujdesemi për të varfrin dhe për të gjithë ata që kanë nevojë.

Këto mësime e premisa na i kanë lënë amanet pejgamberët e Zotit, na i kanë mësuar e transmetuar ulematë e dijetarët e ndershëm dhe ndër shekuj i ka kultivuar edhe populli ynë në mënyrën më të mirë të mundshme, ani pse është përballur me vështirësitë nga më të mëdhatë.

Pa dashur që të zgjatem, dua të them se nëse duam një shoqëri të edukuar e me ndjesi e përgjegjësi, siç na ka mësuar Krijuesi ynë, me profesionalizëm të përgjegjshëm e me ndërgjegje e korrektësi, nevojitet që t'i kthehemi familjeve, fëmijëve e komuniteteve tona, që t'i mësojmë në shtëpitë, shkollat e xhamitë tona, se si praktikisht duhen respektuar e dashur ata, se si duhet të jemi të mëshirshëm e zemërmirë ndaj tyre, gjithnjë duke kultivuar e forcuar besimin në Krijuesin e gjithësisë.

Të gjithë ne duhet të kontribuojmë e të angazhohemi për edukimin e shoqërisë.

Zoti na ndihmoftë e na mëshiroftë!



Autor: Myftiu i Kosovës - Naim ef. TËRNAVA

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...