Nata e mëshirës së përgjithshme, e shpërblimit të pashembullt



Ramazani është muaji më i dashur për Allahun nga gjithë të tjerët, ditët e të cilit janë më të rëndësishme se gjithë ditët e tjera, netët e të cilit janë më të vlefshme nga të gjitha netët e tjera, orët e të cilit janë më të mira nga gjithë orët e tjera. Ky është muaji në të cilin jemi të ftuar në mikpritjen e Allahut xh.sh., në të cilin konsiderohemi njerëz të Tij të mirë e fisnikë. Ky është një muaj i madh e i bekuar, muaj në të cilin gjendet një natë më e mirë se një mijë muaj të tjerë, muaj, agjërimin e të cilit Allahu e ka bërë të detyrueshëm, kurse namazet e natës në të, vullnetare. Kush kryen një vepër të mirë në këtë muaj, është i njëjtë me atë që ka kryer një detyrë (farz) jashtë këtij muaji, ndërsa kush kryen një detyrë në këtë muaj është i barabartë me atë që ka kryer shtatëdhjetë të tilla në një muaj tjetër.

Ata që e trajtojnë këtë muaj si muaj të urisë së ditës, ngopjes së natës dhe leximit formal të Kur'anit, nuk do të kenë kurrfarë dobie prej tij, ndërsa ata që e konsiderojnë si shkollë për përtëritjen e besimit dhe edukatës, për forcimin e shpirtit dhe vazhdimin e një jete më të mirë, ata do të kenë prej tij dobi të panumërta. Këtyre u hapen dyert e Xhenetit, u mbyllen dyert e Xhehenemit, marrin prej engjëjve në Natën e Kadrit uratë e paqe, u falen mëkatet e të këqijat, iu mbushen zemrat me dritën e Zotit dhe përtërihen me fuqinë e besimit ...


Po ç'është Nata e Kadrit, cila është mrekullia e saj?

Pa dyshim, kjo natë është më e bekuara dhe më e begata që na ka falur Allahu i Madhëruar. Këtë e shpjegon edhe Kur'ani në të cilin thuhet: "Ha, Mim. Pasha librin sqarues (të së drejtës nga e kota). Ne e zbritëm Kur'anin në një natë të bekuar (në Natën e Kadrit). Ne dëshiruam t'u tërheqim vërejtje që të jenë të gatshëm. Në atë natë zgjidhet çdo çështje në mënyrë të prerë. Urdhër i përcaktuar nga vetë Ne. S'ka dyshim se Ne dërguam të dërguar. (E zbritëm) Nga mëshira e Zotit tënd. Me të vërtetë Ai i dëgjon dhe i di të gjitha", (Duhan: 1-6).

Pra, Kur'ani fisnik filloi të shpallet në këtë natë, të cilën Allahun e quajti të bekuar dhe tha për të "në këtë natë zgjidhet çdo çështje në mënyrë të prerë", që do të thotë se përcaktohet kaderi - caktimi për të gjitha krijesat për vitin që vjen.

Ndërsa në suren Kadr, për këtë natë, Allahu i Madhëruar thotë: "Ne e zbritëm atë (Kur'anin) Natën e Kadrit. E ç'të bëri ty të dish se ç'është Nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj. Me lejen e Zotit të tyre (në atë natë) zbresin engjëjt dhe Shpirti (Xhibrili) për secilën çështje. Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit", (Kadr: 1-5).

U quajt Kadr, sepse kjo është një natë e lartë tek i Madhi Zot dhe se në të falen gjynahet dhe mbulohet të këqijat, pra, kjo është natë e faljes, mëshirës. Nga Ebu Hurejra transmetohet se i Dërguari a.s. ka thënë: "Atij që kryen adhurime në Natën e Kadrit, me besim e duke shpresuar në shpërblimin (që jep Allahu i madhëruar në këtë natë), do t'i falen mëkatet e bëra", (Transmeton Buhariu dhe Muslimi).

Pikërisht për këtë, dijetarët myslimanë e quajtën: "Natë e Paqes", "Natë e mëshirës së përgjithshme, e shpërblimit të pashembullt".

Prej madhështisë së kësaj nate është edhe hapja e dyerve të qiejve për të pranuar lutjet e atyre që i drejtohen Zotit, për t'iu zgjidhur hallet, larguar vështirësitë dhe për t'iu sjellë gëzimin.

Është një natë për të cilën Allahu xh.sh. thotë se është më e vlefshme se një mijë muaj. Dhe një mijë muaj barazohen me 83 vite e disa muaj. Duke ditur se jeta mesatare e njeriut nuk i kalon 75 vitet, do të thotë se kjo natë është më me vlerë se e gjithë jeta e njeriut ...

Në këtë kontekst, Katade r.a. ka thënë: "Allahu ka veçuar dhe lartësuar disa nga krijesat e Tij prej të tjerëve, ka veçuar nga engjëjt, lajmëtarë, dhe nga njerëzit, profetë, ka veçuar nga fjalët, lutjet dhe nga vendet, xhamitë, ka veçuar nga muajt Ramazanin, e nga ditët, të xhumanë (të premten), kurse nga netët, Natën e Kadrit. Prandaj o myslimanë, madhëroni atë që ka madhëruar Allahu".


Lind pyetja: Kur është Nata e Kadrit dhe a ka shenja që mund ta njohim atë?

Një numër jo i vogël dijetarësh myslimanë kanë konluduar se Nata e Kadrit bie në natën e njëzet e shtatë të muajit Ramazan. Madje, disa kanë shkuar deri aty sa kanë llogaritur se fjalët Lejletul Kadri - Nata e Kadrit në suren Kadr, përsëriten tri herë dhe shkronjat që i formojnë ato janë nëntë dhe nëse këto i shumëzojmë japin shumën njëzet e shtatë, numër ky që përkon me natën për të cilën thuhet se është Nata e Kadrit.

Përgjigja e saktë rreth kësaj pyetje është se kjo natë bie në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit.

Fshehja e Natës së Kadrit është bërë me qëllim që besimtarët myslimanë të fitojnë sa më shumë shpërblime, duke e kërkuar atë gjatë dhjetëditëshit të fundit.

Imam Raziu thotë për këtë çështje në tefsirin e tij: "Allahu xh.sh. e ka fshehur atë si shumë gjëra të tjera, kështu Ai e ka fshehur kënaqësinë e Tij në adhurimin që i bëjmë, ka fshehur zemërimin e Tij për mëkatet që bëjmë, ka fshehur përgjigjen për lutjet që i bëjmë, që t'i bëhen lutje sa më shumë, ka fshehur edhe këtë natë, që t'i madhërojmë të gjitha netët e fundit të Ramazanit".

Po besimtarët e vërtetë, a do të ndjeheshin të kënaqur, sikur kjo natë të binte në një natë të caktuar çdo vit e t'i drejtoheshin Allahut të madhëruar vetëm në atë ditë-natë e ditë-netëve të tjera jo? Ç'na pengon që dhjetë ditë-netët e fundit të Ramazanit t'i kalojmë me më tepër adhurim e punë të mira, me më tepër përkujtim ndaj Allahut dhe me më shumë mirëbërje ndaj krijesave të Tij? Ky është një rast që meriton vëmendje, prandaj të mos e anashkalojmë.

Kjo është një natë e vlefshme, në të cilën është shpallur Libri i vlefshëm. I është shpallur të Dërguarit të vlefshëm për një popull të vlefshëm. Në të zbresin engjëjt (melekët) dhe Xhibrili me lejen e Krijuesit të tyre. Siguria dhe paqja mbizotërojnë në të derisa vjen agimi.

Meqenëse Nata e Kadrit është në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, atëherë ç'duhet të bëhet në këto dhjetë ditë?

Shembullin më të mirë për këtë e jep Profeti ynë i dashur, Muhamedi a.s. Nuk ka dyshim që ai në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit shtonte adhurimet dhe lutjet. Kjo shpjegohet më së miri nga një transmetim i Aishes r.a., e cila përcjell: "I Dërguari e ka pasur si traditë të përpiqej në kryerjen e adhurimeve në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit si në asnjë kohë tjetër", (Transmeton Muslimi).

Prandaj, për ata që duan të fitojnë mirësitë e Krijuesit Fuqiplotë, del si nevojë e natyrshme që, dhjetë ditë-netët e fundit të muajit Ramazan, të:

- Gjallërojnë natën me adhurime, pra të falin namaz vullnetar.

- Pendohen për mëkatet dhe të kërkojnë mëshirë nga i madhi Zot.

- Shtojnë të përmendurit dhe të madhëruarit e Allahut, si dhe falënderimin ndaj Tij.

- Dërgojnë salavate dhe selame mbi të Dërguarin e Allahut.

- Japin sadaka sipas mundësisë.

- Ruajnë gjymtyrët dhe shqisat nga e keqja.

- Mos i kalojnë namazet pa xhemat, pra, të falen sa më tepër në xhami.

- Lexojnë sa më shumë Kur'an.

Gjithashtu, duke pasur parasysh që i Dërguari dhe shokët e tij pastroheshin çdo natë në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, si dhe lyheshin me erëra të këndshme, duke shpresuar e duke iu lutur Zotit që Nata e Kadrit t'i gjejë të përgatitur, si në aspektin shpirtëror, ashtu edhe në atë fizik, përfitoj nga rasti që të këshilloj çdo besimtar e besimtare, që në netët në të cilat shpresohet të jetë Nata e Kadrit, të pastrohen, pra, të bëjnë larje të përgjithshme të trupit, të lyhen me erëra të mira, të zbukurohen dhe të veshin rroba të hijshme, ashtu siç veprojnë në ditët e xhuma dhe në bajrame.

Atë që Ramazani e gjen të shëndoshë dhe mysliman, agjëron ditët e tij dhe kryen adhurime në një pjesë të natës së tij, ruan shikimin, nderin, gjuhën dhe dorën e tij, që kujdeset t'i falë namazet me xhemat, në xhami, mund të themi pa frikë se e ka agjëruar këtë muaj dhe e ka plotësuar shpërblimin, e ka gjetur Natën e Kadrit dhe ka triumfuar me shpërblimin e Zotit të Madhërueshëm.

Është bërë traditë, qysh prej kohësh të hershme, që flitet për Natën e Kadrit. Në shtëpitë tona, tashmë ajo nuk është e panjohur. Nderimi që ka çdo mysliman e myslimane për këtë natë, dëshmohet në mbushjen e xhamive në netët kur shpresohet të jetë ajo dhe me shtimin e lutjeve dhe adhurimeve në to.

Por, a është bërë mjaft për këtë natë, ose a e përcjellim siç i ka hije këtë natë e këtë muaj? A ndiejmë në agjërim lartësimin e shpirtrave tanë, ashtu që të mos veprojmë siç kemi vepruar përpara Ramazanit?

Profeti Muhamed a.s. përgatitej përpara çdo Ramazani, jo me ushqim e pije, por me adhurim e përkushtim, bujari e shpirtgjerësi, kështu që para Zotit shndërrohej në rob edhe më respektues, para njerëzve në mësues të urtë, kurse para vëllezërve dhe fqinjëve të tij në një mirëbërës aq shumë, sa disa shokë të tij thoshin se gjatë Ramazanit ai ishte më bujar se kurdoherë më parë. Ashtu vepronin edhe shokët dhe pasardhësit e tij.

Ramazani për ta ishte koha kur shijonin erërat e Parajsës, fluturonin në qiejt e së vërtetës ...

Pse nuk e përjetojmë Ramazanin siç e përjetuan Profeti dhe brezat e parë? Pse nuk e shndërrojmë në muaj të mirësisë, që jeta jonë të lulëzojë në begati e lartësim shpirtëror? Pse nuk e shndërrojmë Ramazanin në muaj të luftës kundër dobësisë, padijes, epsheve tona, kaosit tonë?

O ju agjërues, jeni në luftë me epshet tuaja dhe duhet të keni kujdes të mos dështoni. Kujdes, që të keni uri ditën, për t'i mbushur barqet natën, kujdes që të mos i ushqeni duart, sytë dhe gjuhën tuaj pas agjërimit me mëkate, gënjeshtra e sharje. Kini kujdes, që të mos jeni veprues në të këqija dhe përtacë në adhurime. Kini kujdes, prej atyre që janë vepra të shejtanit e jo të Rrahmanit.



Autor: Alban ISLAMI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...