Harixhitët - sekt i hershëm islam



Formimi i harixhitëve

Harixhitët janë sekti më i hershëm filozofik dhe fetaro-politik [1] dhe lidhet drejtpërdrejt me halifin e katërt musliman, Ali ibn Ebi Talibin dhe çështjen e pranimit të arbitrazhës nga ana e Aliut r.a., të ofruar nga guvernatori i Sirisë, Muavij ibn ebi Sufjan. [2]

Periudha e parë e harixhitëve karakterizohej me jotolerancë, fanatizëm dhe ekskluzivitet, të manifestuara në politikë përkatëse të ngritur thuajse deri në dogmë, të përcjellur me metoda dhune. Disa shkencëtarë sektin harixhit e kanë quajtur sekt të rrezikshëm politiko-religjioz. [3]

Rëndësia e studimit të sektit harixhit në aspektin akaidologjik dhe juridik qëndron, ndër të tjera, edhe për shkak se formuluan pyetjet që kishin të bëjnë me teorinë e hilafetit, kurse në aspektin e historisë politike, qëndron në atë se vazhdimisht shqetësonin masën dhe pushtetin me rebelime të shpeshta e fanatike. Po ashtu, me rolin e tyre destruktiv, ndikuan që edhe pa dashtë t'i ndihmojnë fitores së Muaviut kundrejt Aliut r.a. dhe fitores së abasitëve kundrejt emevitëve. [4]


Emërtimi

Emri i tyre vetvetiu nuk implikon konotacione doktrinare. Emri havarixh është shumësi i fjalës harixhij me kuptimin rebelim, largim, dalje apo aktivist revolucionar. [5] Krahas emrit harixhit, të cilin e morën për shkak se në kohën e pritjes së epilogut të arbitrazhës ushtria e Aliut r.a. ishte duke pritur në Kufe, e ky grup, i pakënaqur doli nga Kufa. Për këtë edhe u quajtën harixhij, që ka kuptimin: ata që dolën, ata që shkuan, që u shkëputën nga gjiri i Bashkësisë. [6]

Por ata quheshin edhe me emra tjerë, si: Harurijjeh, sipas fshatit Harura, ku u strehuan pas largimit nga ushtria e Aliut r.a., Muhakkime, ata që shqiptonin maksimën La hukme il-la li'l-Lah, dhe Shurat, që kishte kuptimin e shitësve, d.m.th. ata që kishin shitur shpirtin për çështjen e Zotit, e të cilin emër ia kishin dhënë vetes. [7]


Doktrina e harixhitëve dhe çështje tjera

Disa historianë mendojnë se, nëse nuk llogariten disa veprime ekstremiste e fanatike të pjesëtarëve të këtij sekti, harixhitët konsiderohen mjaft të devotshëm dhe njerëz religjiozë puritanë. [8]

Si shkas për daljen në skenë të harixhitëve ishte arbitrazha (tahkim), të cilën e propozoi Muaviu në Betejën e Siffinit më 37 h. / 26 korrik 657, kurse e pranoi Aliu r.a., ndonëse ishte në pozitë fituese. [9]

Sipas F. Rahmanit, harixhitët deri në këtë kohë ishin në përbërje të shiitëve, respektivisht në anën e Aliut r.a.. Këta njerëz te Osmani r.a. dallojnë periudhën e mirë prej 6 vjetësh dhe atë të keqen prej 6 vjetësh, [10] nuk u pajtuan me pranimin e arbitrazhës nga ana e Aliut r.a., sepse ai kishte të drejtë hyjnore, kundrejt mashtrimit diplomatik të Muaviut, dhe iu nënshtrua arbitrazhës njerëzore. Ata luftuan kundër Muaviut, të bindur se e drejta është në anën e Aliut dhe të tyre, kurse Muaviun e mendonin për uzurpues të pushtetit dhe rebelues, kundër të cilit duhet luftuar me të gjitha forcat. [11] Parulla e tyre ishte se "La hukme il-la li'l-lah" (Arbitrimi dhe gjykimi i takon vetëm Zotit) kurse pranimi i arbitrazhës ishte thyerja e legjitimitetit të luftës së tyre dhe se të gjitha sakrificat e deriatëhershme paskan qenë të kota. Duke u nisur nga parimi se besimi dhe dyshimi nuk ecin tok, këta përfundimisht i lëshojnë radhët e Aliut r.a., e shpallin atë për pabesimtar dhe kërkojnë që publikisht të pendohet dhe sërish të përqafojë islamin. [12]

Meqë kjo nuk ndodhi, prej atëherë këta idealistë dhe kryengritës fanatikë u tërhoqën në fshatin Harura afër Kufës dhe zgjodhën udhëheqësit e tyre. Me kalimin e kohës, e për shkak të gjendjes kaotike në Bashkësinë muslimane, grupi i tyre rritej. [13] Ata luftuan edhe kundër Aliut r.a., e pas vrasjes së Aliut r.a., edhe kundër Muaviut, edhe kundër emevitëve më pastaj. Aktivitetin e tyre, edhe pse me intenzitet më të vogël e kanë vazhduar edhe gjatë abasitëve. [14] Harixhitët, si duket, i ndali Jusuf El-Haxhaxhi, pas luftërave të vazhdueshme. [15]

Disa dijetarë mendojnë se harixhitët qenë të manipuluar nga një grup i tretë, që qëndronte i fshehur dhe në prapavijë, e kreu i të cilëve ishte Abdullah ibn Sebe', hebraik që pranoi islamin, por vazhdimisht veproi kundër muslimanëve. Ai dhe grupimi rreth tij mendohet edhe si nismëtar dhe nxitës i vazhdueshëm i përçarjes ndërmjet muslimanëve në kohën e Osmanit r.a. dhe Aliut r.a.. [16]


Faktorët e ndarjes nga sunizmi

- I. Një nga parimet thelbësore të doktrinës së harixhitëve është se ata refuzuan pikëpamjen ortodokse se pozita e halifit duhet të kufizohet në anëtarët e fisit Kurejsh. Ata mendonin se çdo musliman i mirë mund të zgjidhet në këtë pozitë, madje qoftë ai edhe rob abesinas. [17] Me këtë qëndrim harixhitët erdhën në kundërshtim edhe me shiitët, të cilët pozitën e halifit e shohin vetëm brenda pasardhësve të Aliut r.a.. [18] Mirëpo, Aliu r.a., tolerant nga natyra, e duke mos dëshiruar të derdhet gjaku i muslimanëve, shpalli se nuk do të luftojë kundër tyre deri sa mësimi i tyre të mbetet brenda kufijve të trajtimit teoretik të rolit të halifit dhe hilafetit. Iu mundësoi vizitimin e xhamive, luftën e përbashkët, ndarjen e presë së luftës dhe premtoi se i pari nuk do ta përdorë dhunën. [19] Mirëpo, harixhitët nuk u ndalën. Filluan përgatitjet dhe së shpejti zhvilluan Betejën e Nehervanit, në të cilën pësuan humbje të rëndë. Në pamundësi që të luftojnë frontalisht, vendosën të bëjnë atentat kundër Aliut r.a., Muaviut dhe Amr ibn Asit. Pati sukses vetëm sulmi ndaj Aliut r.a.. [20]

- II. Parimi tjetër thelbësor që ndikoi në largimin e harixhitëve nga Bashkësia muslimane ishte se a mund të jetë muslimani besimtar pas mëkatit të rëndë, për të konstatuar se besimtari pas bërjes së mëkatit të rëndë nuk është musliman. [21] Ata mendojnë se njeriu mund të jetë ose besimtar ose jobeimstar. Për shembull, ai që le namazin është jobesimtar, ai që vjedh, pi pije dehëse e të ngjashme, ai nuk është besimtar. Ai që beson, besimin e tij duhet ta provojë me praktikë. [22] Sekti i tyre ekstrem i ezrekitëve mendon se ata që janë larguar nga islami njëherë, me fjalë apo veprim, nuk mund të kthehen prapa, kështu që ata duhet të mbyten, bashkë me gratë dhe fëmijët e tyre. [23] Këta përdorin parimin e isti'radit, vrasjes fetare. Këtë parim këta kanë filluar ta përdorin edhe para formulimit teorik. Çdo musliman joharixhit është murted, i rebeluar, heretik dhe si i tillë duhet të mbytet. Por, për çudi, harixhitët kanë qëndrim më të butë kundër jomuslimanëve të feve tjera, duke ua pranuar shehadetin e ndryshuar: "Muhammedi është i dërguar i Zotit për arabët, por jo për ne". [24]


Degëzimi i harixhitëve

Kanë shumë nëngrupe, [25] por grupet kryesore të tyre janë:

- 1). Ezrekitët

Sipas të dhënave, ezrekitët qenë sekti më rigoroz dhe më ekstrem nga harixhitët. Themelues ishte Nafi' ibn El-Ezreka, i cili vdiq në luftëra me pushtetin qendror në Huzistan në vitin 60 h.. Ky sekt është ndjekur rigorozisht nga emevitët. Sekti ezrekit ishte ekstreme dhe të gjithë mëkatarët janë, sipas tyre, jomusliman dhe janë të mallkuar amshueshëm. [26] Të gjithë ata që e kundërshtojnë këtë grupë, duhet të ekzekutohen. [27]

- 2). Sufritët

Paraqiten në fillim të hilafetit të Jezidit, me Ebu Bilal Mirsadin. Ky me një grup simpatizuesish e lëshoi Basrën dhe u vendos në Huzistan, duke u ndarë nga Bashkësia, të cilën filloi ta quajë të pafe, kurse pushtetit ta quajë eksploatues. Ishin më tolerant se ezrekitët dhe dallonin shumë nga ata. [28]

- 3). Nexhdeitët

Nezhdeitët janë pasues të Nexhde ibn Uvejm El-Haruri, dhe rezultat i përçarjes së ezrekitëve dhe reaksion ndaj ekstremizmit të tyre. Mendonin se një i vetmi gabim nuk e bën njeriun jomusliman, por vetëm përsëritja e mëkatit. Ky sekt nuk pajtohej me legjitimitetin e vrasjeve politike. [29]

- 4). Ibaditët

Themelues të ibaditëve janë Abdullah ibn Jahja (sipas disave Abdullah ibn Abad Et-Temimi [30]), organizator dhe lider ushtarak, dhe Ebu Hamza, teoricien dhe mendimtar. Ibaditët ishin më tolerant dhe bashkëvepronin edhe me sekte tjera. [31]

Ibn Ibadi do të pohojë se muslimanët jashta grupit të tyre janë jobesimtarë, por jo edhe politeistë. Me këta mund të martohet ibaditi dhe mund të trashëgojnë pasurinë. [32] Vendi i muslimanëve joharixhitë konsiderohet si vend i tewhidit, kurse mëkatarët e mëkateve të mëdha i quajnë muwehhidunë, d.m.th. ata që besojnë në Njëjësinë e Zotit, por nuk i quajnë edhe besimtarë. [33]


Qëndrimi i sunizmit ndaj harixhitëve

Sunitët kanë mendime të ndryshme për harixhitët. Ebu Hanife dhe Shafiu i konsiderojnë muslimanë rebelues kundër pushtetit ekzistues, kundër të cilëve duhet luftuar. Maliku është diç më i ashpër, dhe pohon se nëse nuk pendohen duhet mbytur ata, jo për shkak të mosbesimit (kufr) të tyre, por për shkak të rrëmujës (fesadit) që shkaktojnë në këtë botë. Ibn Hanbeli është rigoroz dhe i konsideron si mohues të islamit. [34]

F. Rhmani, pas një analize të thellë mendon se termi sektë, kuptimin rigoroz, nuk bën t'i atribuohet harixhizmit, për shkak se në doktrinën e tyre nuk ka asgjë që do t'i ekskomunikonte nga islami, pos faktit që ata duke përdorur armët kundër Bashkësisë Islame vetveten e kanë përjashtuar nga bashkësia e gjerë. [35]


Rënia e harixhitëve dhe gjendja e tyre sot

Në mospërhapjen e tyre para së gjithash ndikoi forca e ushtrisë së Haxhaxhit. Pastaj radhiten edhe faktorët tjerë, si: rigoroziteti i tyre ndërmjet veti dhe me të tjerët, fanatizmi ekstrem dhe rebelimet e brendshme, duke akuzuar njëri-tjetrin se nuk ka zbatuar deri në fund parimin e tyre etj.. Por, shkatërrimit të tyre i ka ndihmuar edhe refuzimi i pranimit të hadithit nga të gjitha palët e përziera në luftëra. [36]

Forcat harixhite u thyen herët. Sot harixhitët i hasim diç më tepër në Oman, dhe vetëm në bashkësi të vogla në në Afrikën veriore, Libi, Tunizi (në Xherba rreth 40 mijë berberë) Algjeri (në Mzab mendohet se ka mbi 100 mijë) prej nga kaluan në Afrikën lindore, Zanzibar, Madagaskar, të njohur brenda sektit të matur të ibaditëve. [37] Ibaditët e sodit nuk janë ekstremistë, nuk përjashtojnë botën muslimane dhe nuk përdorin mjete të dhunës në sendërtimin e synimeve të tyre. Ata janë më afër shumicës sunnite në shumë aspekte.

Sipas F. Rahmanit, një lloj fryme, një lloj ngjashmërie e harixhitëve / ibaditëve mund të haset në lëvizjet e reja të Vehabistëve, të Vëllezërve muslimanë dhe të Xhemaati islami në Pakistan. [38] Studime të tilla janë shkruar dhe paraqesin motiv interesant për analiza bashkëkohore. [39]

Pa dyshim, harixhizmi ka luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e teologjisë islame, qoftë drejtpërdrejt, qoftë me nxitjen për meditime për çështjet e ndryshme fetare.



Autor: Nexhat IBRAHIMI



_________________________

[1] - Filip Hiti, op. cit., fq. 234.
Edhe H. Fahuri- H. Xherr pohon se "harixhitët janë sekti i parë politik dhe fetar që u paraqit në islam". Sipas: Hana Fahuri - Halil Xherr, Tarih'ul-felsefeti'l-arabijjeti, I, botimi III, Bejrut, 1993, fq. 137.
[2] - Kharijism - The earliest religious sect of Islam: www.princeton.edu/~batke/itl/denise/kharijis.htm.
[3] - H. Laoust, op. cit., fq. 43. Abdulbakiy Golpinarli, Tarih Boyunca islam mezhebleri ve siilik, botimi II, Kum, Iran, 1411 h./1991, fq. 184.
[4] - N. Smailagic, Leksikon, op. cit., fq. 240. Abdulhalim Mahmud, op. cit., fq., 133-138.
[5] - F. Rahman, op. cit., fq. 236.
[6] - Sabir Tuajmeh, Dirasatun fi'l-firek: Esh-Shi'atu, En-Nusajrijjetu, El-Batinijjetu, Es-Sufijjetu, El-Hawarixhu, botimi II, Rijad, 1404 h./1983, fq. 127-133.
[7] - N. Smailagic, Leksikon, op. cit., fq. 240. Naser Bin Abdul Kerim El-Akli, op. cit., fq. 22-24.
[8] - F. Rahman, op. cit., fq. 236.
[9] - Në Betejën e Sifinit vdiqën rreth 50.000 muslimanë, më shumë se në të gjitha luftërat e deriatëhershme me persianët, bizantinasit e të tjerët. Sipas: I. Dzananovic, op. cit., fq. 55. F. Hiti, op. cit., fq. 175-177. S. Tuajmeh, op. cit., fq. 134-138 dhe 138-140.
[10] - H. Laoust, op. cit., fq. 19.
[11] - I. Dzananovic, op. cit., fq. 56.
[12] - Ali Mustafa El-Gurabi, Tarih'ul-firek'il-islamijjeti ve nesh'et'ul-ilm'il-kelam inde'l-muslimin, Kairo, 1958, fq. 276, sipas: I. Dzananovic, op. cit., fq. 56. Ahmed Emin, Fexhr'ul-islam, botimi XIII, Kairo, 1982, fq. 256-258.
[13] - N. Smailagic, Leksikon, op. cit., fq. 240.
[14] - S. Tuajmeh, op. cit. 141 e tutje. F. Rahman, op. cit., fq. 237. "Abasitët, sikur edhe emevitët, qenë të padobishëm për halifatin". Sipas: Ahmed Emin, Duha'l-islam, pjesa III, botimi IX, Kairo, 1978, fq. 336-337.
[15] - N. Smailagic, Leksikon, op. cit., fq. 241. F. Hiti, op. cit., fq. 198.
[16] - N.b.A. El-Akli, Hauarixhët - grupi i parë i devijuar në historinë e islamit, Tiranë, 2003, fq.11.
[17] - Sipas: A. Emin, Fexhr, op. cit., fq. 258.
Harixhitët liderin / halifin e shihnin në kualitetin shpirtëror dhe personal e jo në afërsinë e gjakut dhe fisit (Kurejshitët) apo të familjes së ngushtë të Pejgamberit a.s.: Kharijite Islam: www.globalsecurity.org/military/intro/islam-kharijite.htm.
[18] - F. Rahman, op. cit., fq. 238. N.b.A. El-Akli, op. cit., fq. 31 e tutje.
[19] - Jusuf El-Karadavi, Sheri'at'ul-islam, Bejrut, 1977, fq. 62-63, sipas: I. Džananovic, op. cit., fq. 56.
[20] - H. Laoust, op. cit., fq. 23 dhe 24. N. Smailagiq përpjekjen për atentat të trefishtë e quan si të dyshimtë. Leksikon islama, op. cit., fq. 240. S. Tuajmeh, op. cit., fq. 144 e tutje.
[21] - F. Rahman, op. cit., fq. 130.
Ndër dijetarët dhe komentuesit më të njohur të rrethit harixhit-ibadit është Muhammed ibn Jusuf Itfejjishi (i lindur në Algjeri, kurse vdiq në Kairo më 1332 h.), i cili nuk dallon nga doktrina e sektit të tij. J. Ramic, op. cit., fq. 201-202.
[22] - A.M. El-Gurabi, op. cit., 278. A. Emin, Fexhr, op. cit., fq. 259.
[23] - F. Hiti, Istorija arapa, bot. II fot., Sarajevë, 1988, fq. 200, fusn. 8.
[24] - N. Smailagic, Leksikon, op. cit., fq. 241.
Ja një rast mjaft ilustrativ ndërmjet Ebu Hanifes dhe harixhitëve, që do të ndihmonte të kuptohej më qartë doktrina harixhite: Deri sa Ebu Hanife ishte në xhami me nxënësit e tij, hyri vrullshëm një grup harixhitësh. Të frikësuar, nxënësit e Ebu Hanifes, filluan të ikin, por Ebu Hanife u tha të mos ikin. Lideri i harixhitëve e pyeti Ebu Hanifen: Kush janë njerëzit tu"? "Njerëzit që kërkojnë strehim" u përgjigj Ebu Hanife, sepse Zoti ka thënë: "Nëse dikush nga politeistët të lut për mbrojtje, ti mbroje që t'i dëgjojë fjalët e All-llahut, e pastaj përcielle në një vend të sigurt. Kështu duhet për shkak se ata janë një popull që nuk dinë", (Et-Tewbeh, 6). Meqë harixhitët konsideronin se të gjithë joharixhitët janë kafirë dhe duhet mbytur, Ebu Hanife kërkoi që t'u mundësohet leximi i Kur'anit, sipas ajetit të sipërm. Lideri i tyre tha: "Lexoni Kur'an që edhe ata ta dëgjojnë e pastaj përcillni deri në shtëpi të tyre". Sh. Nu'mani, Abu Hanifa - zivot i djelo, Zagreb, 1996, fq. 93.
[25] - Gjerësisht për harixhitët dhe grupiet e tyre lexo: El-Esh'arij, Kitabu mekalat'il-islamijiin, op. cit., fq. 86-130.
[26] - H. Laoust, op. cit., fq. 44-45 dhe 50. Esh-Shehrestani, op. cit. 118. S. Tuajmeh, op. cit., fq. 148-149. H. Fahuri - H. Xherr, I, op. cit., fq. 138.
[27] - Fahrudin Razi, Traktat o sektama (I'tikadatu fireki'l-muslimin ve'l-mushrikin), komentoi: Taha Abdurreuf Sa'd dhe Mustafa Huverij, Islamska Misao, nr. 72/1984, Sarajevë, fq. 24. El-Esh'arij, Kitabu mekalat'il-islamijiin, op. cit., fq. 87.
[28] - H. Laoust, op. cit., fq.43-44 dhe 51. Esh-Shehrestani, op. cit., fq. 137. Ebu Zehreh, Tarih ..., op. cit., fq. 76 e tutje. A. Emin, Fexhr, op. cit., fq. 261. El-Esh'arij, Kitabu mekalat'il-islamijiin, op. cit., fq. 89 ...
[29] - H. Laoust, op. cit., fq. 46 dhe 51. Esh-Shehrestani, op. cit., fq. 122 ..., Ebu Zehreh, Tarih ..., op. cit., fq. 74 e tutje. A. Emin, Fexhr, op. cit., fq. 260.
[30] - Ebu Zehreh, Tarih ..., op. cit., fq. 78.
[31] - Gjerësisht: A.M. El-Gurabi, op. cit., fq. 268-271. H. Laoust, op. cit., fq. 43-53. Esh-Shehrestani, I, op. cit., fq. 134 e tutje. Ebu Zehreh, Tarih ..., op. cit., fq. 78-79.
[32] - A. Emin, Fexhr, op. cit., fq. 261.
[33] - Kenan Čemo, Haridžijske sekte i njihova misao prema Šehrestaniju - el-Mukrimiyye, el-Ma'lumiyye, el-Medžhuliyye, el-Ibadiyye, sipas: www.znaci.com.
Sipas tyre Allahu është ai që i krijon veprat njerëzore. Ky sekt lejon dënimin e fëmijëve politeistë nga hakmarrja, por mendojnë se edhe këta fëmijë do të futen në xhennet. Sipas: www.znaci.com.
Nënsekti ibadije ka disa nënsekte tjera:
1. El-Hafsijje- Lider i këtij grupimi është Hafs ibn Ebi'l-Mikdam, i cili fillimisht ishte me ibaditët. El-Esh'arij, Kitabu mekalat'il-islamijiin, op. cit., fq. 102.
2. El-Harithijje - janë pasues të El-Hart el-Ibadijje. Për shkak të çështjes së predestinimit, El-Haris do t'u bashkangjitet mësimit mu‘tezilit. El-Esh'arij, Kitabu mekalat'il-islamijiin, op. cit., fq. 104.
3. El-Jezidijje - janë pasuesit e Jezid ibn Unejsit. Kah fundi i jetës do të deklarojë se sheriati do të derogohet. Sipas: www.znaci.com. El-Esh'arij, Kitabu mekalat'il-islamijiin, op. cit., fq. 103.
[34] - H. Laoust, op. cit., fq. 397. O. Nakicevic, Uvod u hadiske znanosti - Hadis I, Sarajevë, 1986, fq. 16. N.b.A. El-Akli, op. cit., fq. 38 e tutje.
[35] - F. Rahman, op. cit., fq. 238.
[36] - Për fikhun e harixhitëve shih: I. Dzananovic, op. cit., fq. 58-59.
[37] - J.R. Milot, op. cit., fq. 126. I. Dzananovic, op. cit., fq. 57. A. Golpinarli, op. cit., fq. 187. F. Hiti, op. cit., fq. 234.
Kharijite Islam: www.globalsecurity.org/military/intro/islam/kharijite.htm.
[38] - F. Rahman, op. cit., fq. 238-239. El-Akli, op. cit., fq. 74 e tutje.
[39] - Shih studimin rreth lëvizjeve moderne dhe ndikimit të mundshëm të sektit harixhit: Johannes J.G. Jansen, Rani islamski pokret haridzija i moderni muslimanski ekstremizam: Slicnosti i razlike në: Enes Karic, Kur'an u savremenom dobu, II, Sarajevë, 1997, fq. 293-305.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...