Martesa e përkohshme (thirrje djallëzore)



I nderuari lexues, kohëve të fundit në opinionin tonë është shpalosur një fenomen djallëzor, nga njerëzit e djallëzuar që synojnë të djallëzojnë dhe nëpërkëmbin fillimisht moralin dhe nderin e myslimanëve, familjen myslimane dhe në përgjithësi shoqërinë tonë. Rrënjët e këtij fenomeni gjenden në shoqërinë para islame, në periudhën që histori islame e quan "koha e xhahilijetit - koha e injorancës". Këtë fenomen djallëzor që po e shpalosë një gënjeshtare vetëdëfryese, kinse teologe kurse përçimin e këtij fenomeni me shumë sukses po e bëjnë disa media duke dalë nga roli i tyre. Megjithatë, unë konsideroj se është humbje kohe të merrem me emra konkret të satanizuar, prandaj do të merrem vetëm me fenomenin "Martesë e përkohshme".

Martesa e përkohshme "Nikahul mut'ati" ose "Nikahhul muakat" ishin lloje të martesave në kohën e injorancës (xhahilijetit), sikur edhe shumë lloje tjera të martesave, të cilën e ndaloi (e bëri haram) islami deri në ditën e gjykimit. Në realitet për kohën mënyrën dhe urtësitë e ndalimit ekzistojnë shumë shpjegime në literaturën islame, por unë nuk do t'ju lodhi juve me të gjitha ato çështje.

Argument për ndalimin e kësaj martese është thënia shumë e qartë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. ku thotë: يا أيُّها النَّاسُ، إنِّي قدْ كُنْتُ أذِنْتُ لَكُمْ في الاسْتِمْتاعِ مِنَ النِّساءِ، وإنَّ اللَّهَ قدْ حَرَّمَ ذلكَ إلى يَومِ القِيامَةِ، فمَن كانَ عِنْدَهُ منهنَّ شيءٌ فَلْيُخَلِّ سَبِيلَهُ، ولا تَأْخُذُوا ممَّا آتَيْتُمُوهُنَّ شيئًا. - "O ju njerëz, Vërtetë unë ua kisha lejuar martesën e përkohshme me femrat, por, vërtetë Allahu një veprim të tillë e ka ndaluar (e ka bërë HARAM) deri Ditën e Kiametit, prandaj kush prej juve ka një grua të tillë, le t'i hapë rrugë dhe të mos marrë asgjë prej saj nga ajo që ia kanë dhënë", Imam Muslimi nr. 1406. Ky citim i Pejgamberit a.s. ishte në haxhin e lamtumirës, pak para përfundimit të jetës së tij në këtë botë.

Në hadithin tjetër transmetohet nga sahabiu i nderuar, Alij bin Ebu Talibi r.a., e ky nga Pejgamberi a.s. ku thuhet se, "Vërtetë pejgamberi a.s. kishte ndaluar martesën e përkohshme", Buhariu.

I nderuari lexues, nëse me vëmendje analizojmë këto dy hadithe që gjenden te Buhariu dhe Muslimi, qartë vërehet se martesa e përkohshme është Haram për besimtarët islam. Fakti se këtë ndalesë Muhamedi a.s. e ka ndalur nga fundi i misionit të tij poashtu është i qartë, sepse ka pritur urdhrin Allahut xh.sh. për këtë çështje, e kjo vërehet qartë në hadith kur thotë: "Allahu një veprim të tillë e ka ndaluar" e jo që unë nga dëshira ime apo nga vullneti im e kam ndaluar. Nga sahabët që ishte më rigoroz në zbatimin e këtij hadithi ishte vetë Alij ibn Ebi Talibi, i cili kërcënoi me sanksionim kapital një sahabij që kishte dhënë fetva për lejimin e kësaj martese, po të mos ishte vërtetuar fakti se këtij sahabiju nuk i kishte arritur akoma hadithi i ndalimit.

Nga hadithet dhe nga literatura e shëndoshë islame, qartë shihet se përveç se ka transmetim nga Aliu r.a. për ndalim ai sihte shumë i prerë dhe më rigoroz se të tjerët në ndalimin e kësaj martese, prandaj si është e mundur që dikush për lejimin e kësaj martese të thirret te Aliu r.a. ose te Ehli bejti i pejgamberit a.s., përveç se një injorant i pa ditur ose dikujt që ka të shpërlarë trurin e tij me ideologji të ndotur shiiste me tendenca të errëta, sepse në realitet edhe shiistët e vërtetë turpërohen nga kjo.

Argumentet e ndalimit në aspektin juridik islam janë me dhjetëra, sepse kjo kontratë e martesës drejtpërdrejtë ndeshet me parimet fundamentale juridike islame, por nuk dua t'ju lodhi me këtë, e njerëzit profesional të kësaj lëmie e dinë shumë mirë.

Në fund, po e përfundoj me fjalën e Allahut xh.sh. ku thotë: "Ata dëshirojnë (përpiqen) që me gojët e tyre ta fikin dritën e Allahut, por Allahu nuk do tjetër pos ta përsosë dritën e Tij, edhe sikur ta urrejnë mohuesit", Teuvbe: 32.



Autor: Jusuf ZIMERI,
Llojan, 20.10.2022.

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...