Mulla Osmani rrëfen kaosin islam në Kosovë



"Në vend të kreut të BIK-ut, me wahabistët ka filluar të merret mulla Osman Musliu. Ankesat e tij kanë vënë në lëvizje komunën e Drenasit kurse BIK-u pret ardhjen e myftiut Naim Tërnava. Mulla Osmani rrëfen kaosin që ka përfshirë institucionin më të lartë islam në Kosovë, të cilit duket se ka filluar t'i rrëshqasë kontrolli nga duart". Mulla Osman Musliu gjallë, të jetë kryetar i degës së Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) për Drenas, dhe në të njëjtën kohë xhamia e fshatit Zabel të shndërrohet sikurse ajo e fshatit Morinë, kurrë jo. Ky është betimi që i ka dhënë vetës mulla Osmani, i rrahur disa ditë më parë në xhaminë e fshatit Zabel, i cili imamin e xhamisë së fshatit Morinë të Skenderajt, e konsideron shumë të rrezikshëm.

Pavarësisht se imami i xhamisë së fshatit Morinë njihet për ndihma të mëdha që iu shpërndan popullatës së asaj ane, mulla Osmani ka një mendim tërësisht tjetër. "Ata që japin shumë para, ata edhe shkatërrojnë shumë. Kjo sepse pas parave dhe ndihmave, fshihet diçka tjetër. Unë mendoj se Serbia nuk i ka bërë Kosovës, çka i ka bërë xhamia e Morinës", thotë mulla Osmani për Express.

Naim Tërnavën, kryetarin e BIK-ut, mulla Osmani e quan të frikësuar nga wahabistët, ndërkohë që shpjegon se pa ndonjë leje dhe kontroll, gjithandej ligjërojnë hoxhë si Mazllumi nga Prizreni, Shefqet Krasniqi nga Prishtina, të tjerë nga Maqedonia apo Shqipëria.

Duke ilustruar pafuqinë e BIK-ut për kontroll mbi imamët, xhamitë dhe hoxhët, mulla Osmani, jep shembullin kur hoxha Shefqet Krasniqi, ligjëron në xhamitë e Drenasit, pa e pyetur askënd. "Nëse Shefqet Krasniqi është wahabist, diçka ka. Fakti se ai vjen në shtëpinë (xhaminë) time dhe vepron në Drenas pa e pyetur kryetarin e këshillit dhe pa e pyetur imamin, diçka duhet të ketë. Për të gjitha këto është njoftuar BIK-u e myftiu Tërnava dhe masat që ata kanë ndërmarrë, janë shumë të dobëta", shpjegon imam Osmani.



Autor: Jeton Musliu, janar 2009.
Përgatiti: express.

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...