A janë vehabitë kanceri i fesë Islame?



Arrestimi i disa Vehabistëve në Sanxhak, për shkak të dyshimit se kishin formuar kampin terrorist, me siguri se ka shkaktuar shqetësim në opinionin kosovar. Për këte arsye përfaqësuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe kuadrot tjera fetare nuk duhet të heshtin. Vehabistët veprojnë edhe në Kosovë, prandaj kosovarët, si fqinjë të Sanxhakut, duhet të interesohen se çka po ngjan atje. Në Kosovë jeton pakica boshnjake, e cila i ka lidhjet kulturore dhe shpirtërore me boshnjakët e Sanxhakut. Pa marrë parasysh faktin se ku veprojnë Vehabistët, ata janë të njejtë dhe kanë qëllime të përbashkëta. Megjithate, është fjala për besimtarë myslimanë, të cilët mes vete kanë lidhje shpirtërore me besimtarët tjerë, anipse Vehabitë e komentojnë ndryshe islamin.

Madje, nuk është fjala vetëm për Sanxhakun, sepse Vehabistët janë aktivë edhe në Maqedoni, Mal të Zi, Bosnje e Hercegovinë, Shqipëri... Natyrishte se ajo që po ngjanë për rreth nesh nuk mund ta shikojmë pa interesim dhe me indiferentizëm. E them këte për faktin që ata po veprojnë në emër të islamit. Këto fakte na obligojnë që të angazhohemi për të vërtetën në lidhje me Vehabistët, të cilët erdhën 6 shekuj me vonesë edhe në Kosovë. Por, nëse ofrojnë diçka të mirë dhe pozitive e në frymë islame, atëherë, si thotë populli, më mirë vonë se kurrë. Por, për këte duhet vullnet dhe qëllime të mira, gjë të cilën nuk e kanë ekstremistët.

Dr. Rexhep Boja, ish-myftiu i Kosovës, Vehabistët i kishte cilësuar si, "ekstremistë në praktikimin e fesë islame." Çka dmth ky vlerësim për Vehabistë, përkrahësit e tyre dhe për të gjithë besimtarët myslimanë? Për të kërkuar ndonjë zgjidhje në lidhje me këte çështje, duhet diskutuar krerët e Bashkësisë Islame të Kosovës, intelektualët (këta që i kemi), dhe kuadrot tjera fetare. Në këtë çështje mund të ndihmojnë edhe ato media të cilat në veprimtarinë e tyre të guximshme çmojnë Fjalën dhe Mendimin e Lirë.

Mendoj se e vetmja gazetë është "Gazeta Java" e M. Kelmendit, dhe si e tillë edhe u vlerësua nga një institucion ndërkombëtar ("Reporterët Pa Kufi") me "Çmimin për Shtyp Të Lirë." Tjetër është fakti që pothujase të gjitha mediat kosovare e heshtën këtë çmim të "Javës". Edhe ky fakt dëshmon varfërinë dhe shpirtngushtësinë e atyre të cilët i udhëheqin (dhe financojnë) këto media. Është kënaqësi shpirtërore që t'iu gëzohesh sukseseve të cilat i arrijnë tjerët me aftësi profesionale dhe me punë të paster.

Por nuk mund të hesht njeriu kur ndëgjon se, Ismail Prenic, me pamje të jashtme si taliban, i dyshuar per terrorizëm, po fshihet në Kosovë. Pa dashur njeriut i kujtohet ajo çka po ngjanë me sektin Sunit dhe ate Shiite në Irak, ku për çdo ditë po në atentate po vrahen me dhjeta njerëz, bile edhe nëpër Shtëpiat e Zotit, në xhamia. Krime të tilla nuk mund t'iu falen as njerëzve të pa-fe, dhe atyre që janë të çmendur.

Natyrisht, paraqitja e Vehabistëve me pamje të jashtme sikur të ishin njerëz nga Pakistani, Afganistani apo nga ndonjë shtet arab, nuk të len përshtypjen se kemi të bëjmë me shqiptarë (myslimanë) të trojeve shqiptare, në të cilat kurrë nuk janë parë veshje të tilla. Është e drejtë e secilit të veshet, apo të mbajë mjekërr të gjatë, mos të them trishtuese, por kjo nuk dmth që të tillët kanë të drejtë të njejtën gje tua imponojnë edhe myslimanëve të tjerë.

Që sektet fetare kanë prirje përçarëse midis myslimanëve, kjo është dëshmuar dhe po dëshmohet edhe sot. Profeti Muhamed ka thënë: "Mysliman i vërtetë është vetëm ai nga fjalët dhe duart e të cilit janë të sigurt dhe të qetë të gjithë njerëzit." Pra, jo vetëm besimtarët, por të gjithë njerëzit. Çfarë humanizmi i madh?
Shtrohet pyetja: sa po e përfillin këte thënie të Muhamedit Vehabitë gjatë aktiviteteve të tyre? Çfarë raporte kanë me Bashkësitë Islame, dhe sa janë përpjekur që të merren vesh në lidhje me çështjet kontestuese? Pse sekte dhe përçarje të reja midis myslimanëve? Interesave të kujt i shërbejnë këto?

Është e ditur se Vehabistët në Bosnjë e Hercegovinë, sikurse në Sanxhak, kanë shkaktuar konflikte midis xhematit nëpër disa xhamia, ku kanë ushtruar dhunë fizike ndaj disa imamëve dhe muezinëve. Për këto ngjarje heshtin Vehabistët kosovarë. Myftiu i Sanxhakut, Muamer Zukovic, në një intervistë ("Dani", 11. '06), thotë: "Disa muaj me radhë kemi incidente nëpër xhamia dhe më së shumti në xhaminë qëndrore të cilën (Vehabistët) e kishin zgjedhur si më të rëndësishmen në Novi Pazar."

E ceka këte sepse myftiu Zukovic në vazhdim thekson se, "Organizata e Vehabistëve e ka përfaqësinë e vet në Kosovë." Edhe pse në Kosovë nuk ka pas konflikte sikurse atje, për deklarata të tilla nuk duhet heshtur, pa marrë parasysh faktin se janë gjëra që dihen. Megjithate, sikurse në Bosnje e Hercegovinë, ku ishte paraqitur grupi i Vehabistëve, i udhëhequr nga Isuf Borcic, (i ndjerë, i cili për nga veshja dhe mjekrra dukej sikur ndonjë Afganistanez), kishin shkaktuar konflikte dhe dhunë fizike midis xhematit, duke u ndarë nga Bashkësia Islame e BHs. Edhe në Sanxhak, te myftiut Zukovic, u paraqitën Vehabistë të cilët në rrethin e Novi Pazarit kishin formuar qendrën për ushtrime.

Të gjitha këto ngjarje kanë një porosi edhe për Bashkësinë Islame të Kosovës, për të cilën si duket nuk kishte domethënie as fjala e ish-ministrit Rexhepi, i cili në Kuvendin e Kosovës tha: "Ekstremizmi fetar është në rritje. Në bazë të një raporti, del se lëvizja Vehabi, organizatë me ide islamike, ka filluar të përhapet me të madhe", ("Express", 27 janar '07).

Bashkësia Islame e Kosovës mban përgjegjësi për të gjithë besimtarët myslimanë dhe duhet të nxjerrë mësim nga ajo që po ngjan me Vehabistët e BH, Sanxhakut, etj.. Të gjitha ato që po ngjajnë me Vehabistët te fqinjët tanë, duhet kuptuar se po ngjajnë në Kosovë dhe nuk duhet harruar faktin se të gjithë myslimanët, pra edhe Vehabistët, të cilët jetojnë në shtetet fqinje, përbëjnë të njejtën qenie shpirtërore. Të fajsosh të tjerët pa asnjë qasje kritike, dhe në anën tjetër të injorosh realitetin pa bërë ndonjë analizë të sinqertë të ngjarjeve, kjo nuk është aspak e drejtë, nuk është qasje serioze, nuk është islamqe.

Edhe pse nuk është temë shqyrtimi shkrimi i Halil Ibrahimit - "'Rreziku Vehabit' i inteligjencisë së Fatmir Rexhepit dhe Momir Stojanovic'it" (Gazeta "Besa", 21 shkurt '07) - mendoj se është në interes te lexuesve të bëjmë disa fjalë në lidhje me artikullin e shkruar në dy faqe të gazetës në fjalë, ku autori i merrë në mbrojtje Vehabistët shqiptarë. Nuk kam pretendime për të mbrojtur ish-ministrin F. Rexhepi, por nuk më duket e arsyeshme që sot një shqiptar të krahasohet me stojanovica. Vehabitë janë një realitet, si në Kosovë, po ashtu edhe te fqinjet e Kosovës. Vehabistët janë ata të cilët në mënyrë problematike (pra, jo islamqe), po iu imponohen besimtarëve tradicional.

Nuk e kuptoje pse të ceken priftërinjtë katolikë, hippit amerikanë, Martin Luteri,kur ne kemi të bëjmë me Vehabitët myslimanë. Ky nuk mundet me qenë arsyetimi për prezencën dhe veprimet e Vehabistëve. Besimtarët myslimanë bashkarisht duhet të bisedojnë për këto probleme që po e kompromitojnë fenë islame, duke shkaktuar çrregullime në shoqëri dhe duke shtuar frikë te qytetarët. Pse shqiptarët sot nuk e kanë një figurë islame e cila me autoritet në opinionin kosovar do të luante rol pozitiv, sikurse p.sh. M. Luteri te zezakët në Amerikë?

Nëse njeriu i sotëm mundet me u bë besimtar i mirë duke bajtë mjekërr të gjatë dhe veshje me stilin arab, kjo (edhe pse për trojet dhe traditat e nënqiellit të Ballkanit aspak nuk janë të përshtatshme as praktike) është shumë e lehtë. Dikush ka thënë, formalisti është si kokrra e arrës pa fryt. Veshjet e arabeve vërtet janë më autentike me ato te myslimanëve të parë, por realiteti dëshmon se arabët e sotëm janë larg rrugës së Zotit.

Vehabistët shqiptarë, dhe përkrahësi i tyre H. Ibrahimi, e dinë mirë që në Arabinë Saudite moderne ende sundon sistemi i udhëheqjes feudale, i maskuar me pretendime për "reforma". E dinë ata se vendi i Vehabit (të cilin nuk mund ta fajsojmë për ate që sot në emër të tij bëjnë disa individ dhe grupe njerëzish) ku nuk ka as demokraci, në shek. XXI femra myslimane nuk ka të drejtë të ketë patent shoferi! Për çfarë "filozofie madhështore të veçantë" mund të flitet këtu, kur të gjithë e dinë se Profeti Muhamed nuk ka qenë mbret e as që ka lënë porosi që Arabinë Saudite, vendin e shenjtë të gjithë botës islamike, ta sundojnë me forcë, pra në kundërshtim me normat islame, mbretërit dhe dhjeta princër të familjes Saud, të cilëve u ka ndihmuar për të ardhur në pushtet aleati i tyre, M.I.A.Vehabi.

Atëherë, me çfarë të drejte lavdërohen Vehabitë se janë duke e ndjekur rrugën e saktë të Profetit Muhamed? Athua si do të kishin reaguar myslimanët e parë ndaj Vehabistëve të sotëm?

Murad Wilfrid Hofman, doktor i së drejtës së filozofisë dhe ish-ambasador në shumë shtete, në një intervistë, mes tjerash thotë: "Abdyl-Wehabi do te kishte kritikuar ate për çka po angazhohen vehabistët e sotëm." Ata që flasin për vehabizëm, shiizëm, bektashizëm dhe në emër të 16 sekteve të tjera islame duhet të përgjigjen në pyetjen: pse deri me sot nuk mundesuan çlirimin dhe bashkimin e Ymetit Muhamed, së paku në shtetet e Lindje se Mesme?

Çfarë Platforme të përbashkët kanë këto sekte islame për të ardhmen e popujve myslimanë? Prej nga kanë ardhur tek popujt myslimanë varfëria, analfabetizmi, padrejtësitë, përçamjet, armiqësitë, vëllavrasjet, vuajtjet e tjera të keqia, kur dihet se Islami është shpallur për t'i luftuar ato? Vehabistët e dinë se gjarpëri nuk mund të mbytet duke e qëlluar në bisht, por në kokë. Për ta bërë këte duhet besimi në Zot, aftësia, trimëria, vullneti i mirë... Problemet ekzistuese nuk duhet minimizuar e as mshefur, sepse keto janë pengesa te zhvilimit, emancipimit dhe qytetërimit njerëzor.

Duke folur për sektet islame, mund t'i marrim si shembull bektashinjtë e Prizrenit, të cilët për ditën e Nevruzit bëjnë ritualin e shpimit, i cili ka lidhje me ditëlindjen e imam Aliut. Këte po e cekë sepse rituale të tilla njeriut ia ndalin frymën. Nuk di se çka ka islame në rituale të tilla, të cilat e kompromitojnë fenë islame. Bektashinjtë, edhe pse deklarohen se e ndjekin rrugen e imam Alisë, lejojne përdorimin e alkoolit. Feja islame e ndalon alkoolin. Mos të flasim edhe për ritualet e shiiteve, sepse duhet shkruar libra të tëra.

Vehabitë shqiptarë e dinë që regjimi vehabit i Saudisë është duke i ndihmuar sunitët në luftën vëllavrasëse kunder shiiteve në Irak. Ata po i frikohen Iranit, i cili me ndihmën e shiiteve pretendon të shtojë ndikimin në Lindjen e Mesme. Po ashtu edhe Irani është duke i nxitur dhe përkrahur shiitët e Irakut në luftën vëllavrasëse kundër sunitëve.

Çfarë roli po luan feja islame në këte luftë të pakuptimtë vëllavrasëse? Feja këtu po shfrytëzohet për qëllimet dhe për interesat e të dy regjimeve në fuqi. Athua pse liderët aktual të sekteve islame, sikurse është kleriku radikal shiit, Moqtadal, nuk u quan në kryengritje kundër diktatorit bassist, Saddam, por pritën Amerikën për të okupuar Irakun, me qëllim për ta "demokratizuar"?

Athua edhe Vehabistët e Arabisë Saudite po presin një gjë të tillë që pastaj të fillojnë luftën vëllavrasese? Të tillët po shkaktojnë konflikte vëllavrasese edhe në Pakistan dhe Afganistan. Cilin sekt islam duhet ta përkrahin popujt e botës islamike, dhe cili autoritet mundet (duhet) të japë një fetva (vendim) fuqiplotë për këte?

Kush mund të na garantoje ne që ndërkohë nuk mund të konfrontohen Vehabistët shqiptarë me ndonjë sekt tjetër ose me vetë BashkësinëIslame, si po ngjanë në Bosnje Hercegovine dhe në Sanxhak me Vehabistët e atjeshëm? Çfare dallimi kanë këta Vehabistë, në krahasim me ata të Kosovës? Për këto nuk flet H. Ibrahimi, i cili Vehabistët na i paraqet si melaqe (engjuj).

Senad Agic, njëri nga imamët kryesor në Amerikë, thotë: "Kemi problemin e virusit vehabi. Vehabistët janë kanceri i qetë i islamit." ("Oslobodenje", 7.04.2007).

Duke e shkruar këte artikull, e kam në dorë librin në përkthim, "Onda sam krenu Pravim Putem", botuar me 1996, të autorit tunizian, Dr. Muhamed Tidxhani, një mysliman i lindur në një familje të sektit sufi (të përhapur në Marok, Algjeri, Libi, Sudan dhe Egjypt), por i cili gjatë studimeve kishte kaluar në sektin Shiite.

Me këte rast nuk kam ndonjë shembull tjetër ku ndonjë dijetar islam ka kaluar prej një sekti tjetër në ate të Vehabistëve, por edhe vetëm ky mjafton për të dëshmuar rolin negativ (përçarës) të sekteve fetare në islam. E mora këte shembull, sepse ky njeri i shkencës në librin në fjalë, te cilin ma kanë dërguar nga Londra, këtu në Suedi, akuzon rëndë bashkëpunëtorët më të ngushtë të Profetit Muhamed, dhe në anën tjetër lavdëron Shiizmin dhe imam Alinë.

Kush duhet t'i zgjidhë këto mosmarrëveshje sektare në boten islamike dhe ne bashkësitë e ndryshme islame? Mos mund ta bejnë këte Vehabitë, pa të cilët shqiptarët kanë jetuar më tepër se 6 shekuj?

Këte nuk e besoj. Aty ku nuk thuhet e vërteta, vjen në shprehje pasqyrimi falls.



Autor: Nafi BAXHAKU, Suedi: prill 2007.

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...