10 udhëzime se si ta kalojmë muajin e Ramazanit në shtëpi



Përhapja e pandemisë COVID-19 bëri që xhamitë të mbesin të mbyllura edhe gjatë muajit të bekuar të Ramazanit. Komisioni e Ez'heri Sherifit për fetva elektronike, na jep disa udhëzime se si ta kalojmë Ramazanin në shtëpitë tona.

1. Shfrytëzoje çdo minut me ndonjë ibadet (adhurim) dhe mos e humb asnjë çast në gjëra të pavlera e të padobishme, sepse kush e shfrytëzon kohën duke bërë vepra të mira sigurisht se do të jetë fitimtar dhe i shpërblyer.

2. Shoqërohu me Kur'anin Famëlartë dhe mos u mërzit nga leximi i tij. Mblidhi anëtarët e familjes, lexojeni dhe mësojeni Kur'anin së bashku, sepse Ramazani është muaji i Kur'anit.

3. Fali pesë namazet ditore në kohën e tyre. Mundohu të arrish sevapin e namazit me xhematë duke u falur si imam me pjestarët e familjes derisa Allahu ta largojë këtë fatkëqësi dhe të hapen xhamitë.

4. Pasi ta falësh namazin e sabahut me xhematë në shtëpi, qëndro ulur në vendin e faljes dhe përkujtoje Allahun (dhikrullah) derisa të lind dielli, e pastaj fali dy rekate namaz (salati duha) në mënyrë që të shkruhet shpërblim sikur ta kesh kryer haxhin dhe umren e plotë. Kështu na ka treguar Pejgamberi a.s..

5. Fale namazin e teravive në shtëpi në mënyrë kolektive me anëtarët e familjes dhe pas teravive mos harroni të falni edhe 3 rekate namaz të vitrit që janë vaxhib.

6. Iftarin dhe syfyrin hani bashkërisht, sepse ngrënia me anëtarët e familjes dhe fëmijët është synnet. Pejgamberi a.s. ka thënë: "Hani bashkërisht dhe përmendni emrin e Zotit, se kështu ushqimi do të jetë i bereqetshëm", (Ebu Davudi).

7. Mos i harro të varfërit dhe nevojtarët, por sipas mundësisë dërgoju të holla ose pako ushqimore. Ramazani është muaji i sadakasë, bujarisë, solidaritetit dhe ndihmës së ndërsjellë, prandaj jep sadaka (lëmoshë), ngase sadakaja më e mirë është në Ramazan.

8. Gjatë agjërimit, kujtoje Zotin shpesh dhe bën dua (lutje) sa më tepër, sepse Pejgamberi a.s. na ka treguar se lutja e agjëruesit nuk refuzohet derisa të çel iftar, (Tirmidhiu).

9. Vëlla musliman, mos u pikëllo, ngase kryerja e ibadeteve nuk ndërpritet me mbylljen e xhamive, ato mund t'i bësh edhe në shtëpinë tënde dhe për këtë inshallah do ta marrësh shpërblimin e plotë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. thotë: "Kur robi sëmuret apo është në udhëtim (pra ka justifikim) i shkruhen veprat sikur me qenë i shëndosh dhe në vendin e tij", (Buhariu).

10. Respekto të gjitha rekomandimet dhe masat mbrojtëse ndaj COVID-19 dhe dije se respektimi i vendimit për mbylljen e xhamive dhe pezullimit të namazeve në kohën e pandemisë, është obligim fetar dhe për namazin e kryer në shtëpi ke sevap të njejtë sikur të falesh në xhami në kushte normale.



Nga arabishtja: E. KOSHI, prill 2020.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...