Namazi i natës me xhemat pas namazit të teravive është bidat i ri



Historiku i namazit të teravive

Namazi i natës me xhemat pas namazit të teravive është bidat i ri dhe jo praktikë e gjeneratave të para myslimane.

Gjatë ramazanit, myslimanët shtojnë përkushtimet e tyre ndaj Zotit përmes agjërimit dhe lutjeve të tyre. Krahas pesë kohëve të zakonshme të faljes brenda 24 orëve, myslimanët përgjatë zhvillimit historik të tyre e kanë shtuar edhe namazin opcional dhe vullnetar të teravive në xhemat-kongregacion. Në mesin e dijetarëve të Islamit, fatkeqësisht nuk ekziston një pajtim i plotë me argumentim të prerë për formën, dhe mënyrën e ekzekutimit të këtij ibadeti fetar brenda muajit të Ramazanit. Në literaturën islame synite të hershme, teravitë janë njohur me emrin "Qiyamul Layl min Ramadan" (Përkushtimi ndaj natës së Ramazanit), ose kiyam-er-Ramadan", "Sunnetu el-Mu'ekkedeh" (synet i përforcuar), etj., etj..

Në një transmetim të evidentuar në përmbledhjen e Muslimit thuhet se Muhammedi (a.s.) fillimisht dhe shkurtimisht u lut në namaz të teravive gjatë 2-3 ditëve të para të Ramazanit, por në ditën e katërt ndërpreu këtë praktikë nga frika se mos po shndërrohej në namaz mandator, por kurrë nuk e ndaloi atë, (Sahih Muslim: Vol. 4, Hadithi 1666). Të njëjtën gjë e bëri edhe Ebu Bekri, pasuesi i parë i myslimanëve pas Muhammedit a.s., i cili vet nuk i fali teravitë në xhemat-kongregacion, por as nuk i ndalojë, (Sahih el-Buhari: Vol. 3, Hadithi 227).

Ishte Halifi Omer ai i cili përcaktojë numrin e reqateve të teravive në 20, si dhe formën e faljes në xhemat-kongregacion, (Sahih el-Buhari: Vol. 3, Hadith 227), të cilin më pastaj e vazhduan edhe pasuesit e tij Othmani dhe Aliu.

Grupimet shiite të myslimanëve si alevitët, 12 imamët, ismailitët etj., namazin e teravive e konsiderojnë si bidat, i paraqitur pas vdekjes së Muhammedit a.s.. Në vend të teravive 12 imamët shiitë besojnë në namazin e Tehexhudit ose Salat el-Leyl ("lutja e natës"), e cila rekomandohet gjatë gjithë vitit,e sidomos gjatë netëve të Ramazanit.

Pas luftës, në Kosovë dhe trojet tjera shqiptare është bërë traditë nga ana e pasuesve të disa bindjeve sektare jo tradicionale, që të grupojnë besimtarë në namazin e natës dhe te organizohen në xhami pas teravive të tubuar në xhemat-kongregacion. Ky është vullnet i tyre i lirë dhe le ta bëjnë, por ata do të bënin shumë mirë sikur të mos të thonin se kjo është një traditë dhe praktikë e të parëve mysliman. Namazi opcional-nafile i natës bëhet në vetmi dhe në qetësi kur përkushtimi ndaj Zotit është maksimal.



Autor: Xh. HAMITI

Në rregull

Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...