Dita e Ashuras ç'është ajo?



- I -

Nocioni "Ashura" është fjalë e gjuhës arabe, që donë të thotë e dhjeta. Me nocionin "ashura" në terminologjinë e islamit nënkuptojmë ditën e dhjetë të muajit Muharrem sipas kalendarit islamik. Se çfarë është vlera e kësaj dite në historinë e islamit gjemë disa transmetime nga Pejgamberi Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme që tregojnë se cila është arsyeja që dallon këtë ditë, pra ditën e dhjetë të muajit Muharrem, nga ditët tjera të vitit.


- II -

Në një transmetim nga Ibni Abasi Allahu qoftë i kënaqur me të thotë: Pasi që Pejgamberi Alejhis-Selam emigroi prej Mekës në Medinë, atje kishte parë çifutët (judët) se ata e agjëronin ditën e ashures (ditën e dhjetë të muajit Muharrem), e pastaj i pyeti: 'Çka është kjo ditë që po e agjëroni'? Ata i thanë: 'Kjo është një ditë e mirë, ditë madhështore, këtë ditë Allahuxh e shpëtoi Musan dhe popullin e tij dhe e zhyti Faraonin dhe popullin e tij, andaj këtë ditë e agjëroi Musa Alejhis-Selam në shenjë falënderimi ndaj Allahut xh.sh. e edhe ne e agjëromë këtë ditë'. Në këtë rast Pejgamberi Alejhis-Selam tha: 'Ne kemi më shumë të drejtë, më shumë prioritet se sa ju ndaj Musas Alejhis-Selam dhe Pejgamberi Alejhis-Selam e agjëroi këtë ditë, dhe i urdhëroi shokët e tij ta agjërojnë', Mutefikun alejhi.


- III -

Këtë ditë të ashures, që ishte dita e dhjetë e muajit Muharrem në shenjë falënderimi ndaj Allahut xh.sh. për shpëtimin e Musas Alejhis-Selam dhe besimtarëve të tij, e agjëroi edhe Muhamedi Alejhis-Selam bashkë me shokët e tij. Ajo që vlen të theksohet në këtë rast është fakti se Pejgamberi Alejhis-Selam çifutëve u tha se ne muslimanët kemi më shumë prioritet ndaj Musas Alejhis-Selam se sa ju, sepse vërtetë ne jemi pasues të besimit të vërtetë të Musas Alejhis-Selam, kurse ju jeni ata që e keni devijuar pastërtinë e besimit të tij.


- IV -

Për vlerën e agjërimit të Ashuras më së mirë na e përshkruajnë hadithet e Pejgamberit Alejhis-Selam, e në mesin e tyre edhe hadithi i regjistruar te imam Muslimi në koleksionin e tij me transmetim nga Katadete se Pejgamberi Alejhis-Selam kur është pyetur për vlerën e agjërimit të ditës së Ashuras, ka thënë: 'Agjërimi i Ashuras i mbulon mëkatet e vitit të kaluar'.


- V -

Duke u bazuar në argumentet që i theksuam dhe shumë të tjera që nuk janë përmendur, dijetarët islamë kanë sjellë vendimin që dispozita e agjërimit të ditëve të Ashuras është sunet. Është Sunet të agjërohet dita e nëntë, dhjetë dhe njëmbëdhjetë e muajit Muharrem. Andaj disa nga dijetarët islamë kanë thënë se agjërimi i kësaj dite ndahet në tre kategori, që janë: 'kategoria e parë është agjërimi i tri ditëve, (ditës së nëntë, dhjetë dhe njëmbëdhjetë) e muajit Muharrem, kategoria e dytë është agjërimi i ditës së nëntë dhe dhjetë të muajit Muharrem, dhe kategoria e tretë është agjërimi i ditës së dhjetë të muajit Muharrem'.



Autor: Jusuf ZIMERI

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...