Namazi i Pejgamberit a.s. sipas Medh'hebit Hanefi



بسم الله الرحمن الرحيم - Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit

صَلُّوا كَمَا رَأَيْتُمُونِي أُصَلِّي - "Faluni ashtu siç më shihni mua duke u falur", (Hadith)!

I dërguari i Allahut Muhammedi a.s., kur hynte në namaz, së pari e bënte nijjet (vendoste), cilin namaz do ta falë. Pastaj së pari i ngriste duart, të kthyera me shuplaka kah kibla dhe e shqiptonte Allahu Ekber. E prekte me maje të gishtrinjëve të mëdhenj, me pjesën e brendshme, pjesën e butë të veshëve. Me rastin e ngritjes së duarve, gishtat e duarve pak i hapte por jo plotësisht. As nuk i ka hapur plotësisht e as nuk i ka shtrënguar njëri për tjetrin. I ka mbajtur në gjendjen normale. Shuplakat e duarve i kthente në drejtim të kiblës.

Pastaj e lidhte dorën e tij të djathtë mbi nyjen e dorës së majtë, duke i mbështetur në pjesën e përparme të trupit, nën kërthizë. Brendinë e shuplakës së djathtë e mbështette në pjesën e jashtme të dorës së majtë, ashtu që e mbështillte nyellin e dorës së majtë me shuplakën e djathtë, duke e lidhur me gishtin e vogël dhe të madh. Pastaj lexonte: "Subhanekell-llahumme ve bi hamdike ve tebareke smuke ve teala xhedduke ve la ilahe gajruke". Atëherë poashtu në vetvete do ta lexonte eudhubil-lahin dhe bismil-lahin. Pastaj Fatiha-në dhe pas saj një sure ose tri ajete nga sureja që ka dëshiruar. Pas leximit të Fatiha-së në vetvete (jo me zë) thonte amin. Pastaj shqiptonte tekbirin dhe bënte ruku' (përkuljen). Me shuplaka i kapte kapakët e gjunjve ashtu që gishtat pak i mbante të hapur. E rrafshonte shpinën duke mos lëshuar as ngritur kokën. Tri herë thoshte: "Subhane rabbijel-adhim" - ky është numri më i vogël të cilin e shqiptonte. Pastaj duke u drejtuar në pozitën në këmbë thoshte: "Semiall-llahu limen hamideh", vetëm këtë. Kur të drejtohej në pozitën në këmbë shqiptonte: "Rabbena lekel-hamdu" dhe tekbir dhe pastaj do të bënte sexhde. Nuk i ka ngritur duart. Së pari i ka lëshuar gjunjtë në tokë, pastaj duart, pastaj ballin, dhe atë në tokë ndërmjet shuplakave të tij. E çitte shpinën dhe e ndante stomakun prej kofshave. Në sexhde i shqiptonte së paku tri herë: "Subhane rabbijel-e'ala". Pastaj e ngrinte kokën nga sexhdeja e parë, ulej në pozitë të drejtë dhe nganjëherë në këtë qëndrim të shkurtër ndërmjet dy sexhdeve lexonte: "Rabbi gfir verhamni vexhburni verfe'ni verzukni vehdini". Ulej në këmbën e majtë, kurse të djathtën e drejtonte. Kur qetësohej në atë pozitë dhe kur të qetësohej secili organ i trupit të tij, e shqiptonte tekbirin dhe e bënte sexhden e dytë. Pasi ta kryente sexhden e dytë, ngritej me maje të këmbëve (shputave), nuk ulej e as nuk mbështetej me duar në tokë gjatë ngritjes, vetëm mbështetej në gjunjë.

Në atë mënyrë vepronte edhe për rekatin e dytë, me fjalë dhe vepra, por duke mos i ngritur duart me rastin e tekbirit, as nuk e ka lexuar eudhubil-lahin. Duart i ngritte vetëm gjatë tekbirit fillestar.

Kur e ngriste kokën nga sexhdeja e dytë në rekatin e dytë, e shtrinte këmbën e majtë dhe ulej në të. Shputën e këmbës së djathtë e drejtonte në majë të gishtrinjëve, të kthyer kah kibla. Duart i vinte në gjunjë (kofsha) dhe lexonte "Ettehijjatu lil-lahi vessalavatu ve ttajjibatu esselamu alejke ejjuhennebijju ve rahmetull-llahi ve berekatuhu, esselamu alejna ve ala ibadil-lahis-salihin. Eshhehu en la ilahe il-lallahu ve eshhedu enne muhammeden abduhu ve resuluhu". Në uljen e parë Muhammedi a.s. në këtë lexim nuk shtonte asgjë.

Muhammedi a.s. kur e lexonte Ettehijjatu dhe vinte deri te Eshhehu en la ilahe , e shtrëngonte grushtin e dorës së djathtë dhe e shtrinte gishtin tregues, kurse gishtin e mesëm e ngjitte me të madhin. Gishtin tregues e ngriste lartë te fjalët en la ilahe (dhe dëshmoj se nuk ka zot) - kurse e lëshonte te shqiptimi i fjalëve il-lallahu (përveç Allahut).

Muhammedi a.s. e ka mbajtur gishtin tregues në pozitën e drejtë dhe nuk e kthente në rreth. Shiqimi nuk i tejkalonte përtej gishtit tregues. Muhammedi a.s. asgjë nuk i shtonte kësaj që u theksua për uljen e parë, kur e përfundonte teshehhudin në mes të namazit, ngritej në rekatin e tretë. Me duar nuk është mbështetur për toke gjatë ngritjes. Në dy rekatet e fundit (në namazet katërrekatëshe) e lexonte vetëm Fatiha-në.

Kur ulej në fund të namazit Alejhisselami ulej sikur që ulet në uljen e parë, i lexonte salavatet , kërkonte falje (istigfar) për vete, për prindërit e tij, për besimtarët e besimtaret dhe pastaj do të lexonte lutjet që janë përfshirë në Kitab dhe Sunnet. Lexonte duatë që i përngjajnë përmbajtjes kur'anore, e nuk lutej me fjalë që i përngjajnë të folurit të njerëzve.

I Dërguari i Allahut kur të përfundonte me leximin e lutjeve pas teshehhudit, jepte selam në anën e djathtë me këto fjalë: Esselamu alejkum ve rahmetull-llahi, e po kështu ka vepruar edhe duke dhënë selam në anën e majtë.



Autor: Abdul-Wehhab el-Meshhedani



_________________________

(Përkthim i veprës: "Kejfijjetu salatin-nebijji ala dav ixhtihadi medhhebil-hanefijj", fq. 15-19).

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...