Manipuluesit e fesë



Të lind njeriu më i dashur i Zotit dhe të mos reagosh pozitivisht është mjerim, të vjen në dritë vula e profetësisë dhe mos të çosh përshëndetje (salavat) mbi të është degradim. Bota sot e katërmbëdhejtë shekuj më parë ndryshoi për së mbari, pasi në qytetin e Mekës, lindi më i miri i dheut, filiza e mëkëmbësve të tokës, Muhamedi a.s.. Allahu skajshmërisht e lavdëroi atë në Kur'an duke i thënë: "Vërtet, ti je në piedestalin më të lartë të moralit!", (Kaptina El-Kalem: 4).

Muhamedi a.s. është padiskutim njeriu me ndikim më të madh në botë. Ajo çka e bën këtë njeri të famshëm dhe njëkohësisht të pakrahasueshëm është prezantimi i tij publik në të gjitha sferat e jetës. Çdo "personalitet" ka diçka enigmatike në jetën e tij, diçka që ai dëshiron ta ruan sekret nga të tjerët, përveç atij, ai (a.s.) me urdhrin e Zotit ka treguar gjithçka, bile edhe intimitetet e tij janë urtësi për njerëzimin. Të gjithë "personalitetet" nuk ekspozohen shumë para opinionit të gjerë por qëndrojnë të rezervuar pasi frikësohen se mos vallë njerëzit do kuptojnë dobësitë e tyre me ç'rast do humbin simpatinë ndaj tyre, përçet atij, ai (a.s.) sa më shumë hapeshe me njerëzit ato aq më shumë e donin dhe e ndiqnin.

O njerëz! Unë duhesha ta dua, mundohesha ta dua dhe tashmë e dua Muhamedin a.s. më shumë se pasuria, më shumë se familja dhe më shumë se vetja ime pasi me anë të kësaj dëshirojë të arrijë përsosshmërinë në besimin tim. Këtë gjë shpirtërisht ua dëshiroj edhe juve. Inspirim për këtë dashuri të pa krahasuar e kemi vetë thënien e Muhamedin a.s. që thotë: "Pasha Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, nuk do të ketë askush besim te përsosur përderisa unë të mos jem tek ai më i dashur se fëmija, prindi dhe tërë njerëzit tjerë", por gjithashtu inspirim e kemi edhe ndodhinë e Omerit r.a. që derisa ishte me Pejgamberin a.s., ai ia kapi dorën Omerit. Omeri i tha: "O i Dërguari i Allahut! Për Zotin ti je më i dashur tek unë se çdo gjë me përjashtim të vetes sime". Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, i tha: "Jo, pasha Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, nuk do të jesh besimtarë i mirë përderisa unë të mos jem edhe më i dashur se sa vetja jote". Omeri tha: "Tani o i Dërguari i Allahut je edhe më i dashur se sa vetja ime". "Tani o Omer (u plotësua besimi yt)". Ia ktheu Pejgamberi a.s., (Transmeton Abdullah ibën Hishami).

Çdo herë më ka preokupuar një çështje shumë fundamentale: nëse dëshmia e pejgamberisë së Muhamedit a.s. si pjesë e Shehadetit është kusht për të qenë musliman dhe është çelsi i Xhenetit, çka d.m.th.: "dashuria ndaj Muhamedit a.s."?

Muslimanëve të nënqiellit tonë u është fiksuar që dashurinë ndaj Muhamedit a.s. ta shprehin me anë të manifestimit të Mevludit, saqë ditët dhe muajin në të cilën lindi Muhamedi a.s. e kanë emërtuar si "muaji i mevludit", ku në këtë rast thërrasin hoxhallarët në ceremonitë e leximit të mevludit dhe duke u gostitur me ushqime të llojllojshme më tej sundon biseda. Nëse arsyeja kryesore e kryerjes dhe shkuarjes në këto tubime (mevlude) është dashuria që ndjejmë ndaj Muhamedit a.s. atëherë është e patolerueshme që pjesë e agjendës të asaj nate të mos jetë njohja e biografisë së Muhamedit a.s. dhe promovimi i vlerave morale të tij dhe kjo detyrë i bie në kokë drejtpërsëdrejti hoxhës apo teologut.

Teologjia Islame është "profesioni" misionar më i çmuar në botë por nëse nuk përmbahet në parimet fundamentale të bazuara në Kur'an dhe Sunet ai mund të kthehet në "zanatin" më të rrezikshëm në botë. Ai që e bën të çmuar apo të rrezikshëm këtë profesion është ngase këto njerëz punojnë dhe veprojnë me ligjet e Allahut, me Librin e tij të Lartë, pra me Kur'anin Famëlartë, nëse i përmbahen Kur'anit me sinqeritet dhe devotshmëri Allahu do ti ngrejë në një piedestal të respektuar si në këtë botë ashtu edhe në ahiret, por nëse e shfrytëzojnë Kur'anin për interesa të veta, duke manipuluar me fjalët e Zotit, Allahu xh.sh. do ti dënojë për veprimet e tyre.

Termin profesion e futa në thojza për arsye se në gjitha rastet tjera terminologjia profesion nënkupton "trajnim të specializuar arsimor, qëllimi i së cilës është që të ofrojë këshilla objektive dhe shërbime ndaj tjerëve për një kompensim të caktuar", kurse profesioni i teologut është profesion me dokumenta por mision me punë, hoxha duhet të nis fillimisht duke përmirësuar veten, duke qenë shëmbëlltyrë për tjerët dhe duke pasur një bagazh të konsiderueshëm arsimor dhe pavarësisht se a paguhet apo jo, në asnjë rrethanë nuk duhet ta braktis misionin e tij pasi ai është më i shtrenjtë se paraja.

Nëse një teolog profesionist vazhdon studimet dhe pas studimeve të rregullta bëhet "nxënës dijesh" i ndonjë dijetari musliman ku ai vazhdimisht konsultohet me të për të gjitha çështjet fetare, ky person në të ardhmen ka prirje për tu bërë vet dijetar. Për vlerën shpirtërore të të qenurit hoxhë dijetar do të përmendim versetin ku Allahu xh.sh. dijetarin e pozicionon në respekt dhe bindje menjëherë pas Vetes dhe pas Muhamedit a.s., duke thotë: "O ju që besuat, binduni All-llahut, respektoni të dërguarin dhe përgjegjësit nga ju", (Kaptina Nisa: 59).

Kurse Muhamedit a.s. sqaron se hoxhallarët dijetar janë trashëgimtarë të rrënjës profetike duke thënë: "Kushdo që ecën në një rrugë për të kërkuar dije, Allahu ka për t'i lehtësuar atij një rrugë për në Xhenet. Me të vërtetë Melekët ulin krahët e tyre në shenjë kënaqësie për kërkuesin e dijes. Banorët e qiejve dhe banorët e tokës, madje edhe peshku në ujë kërkojnë falje për dijetarin. Vlera e dijetarit para adhuruesit të thjeshtë është si vlera e (ndriçimit të) Hënës para (vezullimit të) yjeve. Vërtet dijetarët janë trashëgimtarë të Profetëve. Profetët nuk lënë pas trashëgimi as dinarë e as dirhem por dije, dhe kushdo që merr prej saj ka marrë një thesar të mjaftueshëm", (transmeton Ebu Derdai).

Nëse Muhamedi a.s. ishte jetësues i Kur'anit në jetën e tij, ashtu siç u përgjigj edhe vet gruaja e Pejgamberit a.s. Aishja r.a. kur asaj iu kërkua që të përshkruajë Pejgamberin a.s. dhe tha se ai ishte "Kuran që ecte", që d.m.th. "se ai zbatonte në përpikshmëri të tërë mësimet e Kuranit në jetën e tij të përditshme", atëherë edhe prijësit fetar duhet të jenë të parët që jetësojnë urdhrat e Kur'anit duke pasur si shembulltyrë jetën e Muhamedit a.s. dhe veprimtarin e shokëve të tij (sahabëve). Sa u takon sahabëve ato ishin shumë të kujdesshëm në interpretimin e Islamit pasi e dinin se ajo është një barrë e rëndë që kishin frikë ta mbajnë, nëse i pyeste dikush ndonjë pyetje dhe prej tyre priteshe opinion (fetva) ata e ndjenin veten jokompetent për tu përgjigjur pasi e dinin se feja është gjëja më e rëndësishme në jetën dhe ahiretin e njerëzve dhe ato nuk donin që të jenë shkaktarë për të prishur jetën dhe ahiretin e tyre dhe të vetes.

Lexoni shembullin e mëposhtëm dhe merrni mësim: Umejr bin Sa'd ka thënë: "E pyeta Alkamen për një çështje, dhe ai më tha": "Shko tek Abideja (Ibn Amr Selemani El-Meradi) dhe pyet atë". Kështu që shkova tek Abideja dhe ai më tha: "Shko tek Alkameja". Unë i thashë: "Alkameja më dërgoi tek ty"! Atëherë më tha: "Shko tek Mesruku dhe pyet atë". Kështu që shkova tek Mesruku dhe ai më tha: "Shko tek Alkameja dhe pyete". Unë i thashë: "Alkameja më dërgoi tek Abideja kurse Abideja më dërgoi tek ty". Ai tha: "Shko atëherë tek Abdur-Rrahman Ibn Ebi Lejla". Kështu që shkova dhe e pyeta atë dhe atij nuk i erdhi mirë. Pastaj u ktheva tek Alkameja dhe e njoftova (për atë çfarë ndodhi) dhe ai tha: "Thuhej më përpara: Njerëzit që japin fetva janë më të vegjlit në dije", (Transmeton El-Axhurri). Kurse sot fatkeqësisht ndodh e kundërta, nëse ndonjë mik apo i afërt nuk na pyet neve por ka shkuar ke ndonjë tjetër, ne hidhërohemi pasi e ndjejmë se ai na ka nënvlerësuar. Muhamedi a.s. shpesh herë ua tërhiqte vërejtjen shokëve të tij që të kenë kujdes si flasin dhe prej kujt dëgjojnë fenë, në një rast i drejtohet Omerit r.a. dhe i thotë: "O Omer, kujdesu për fenë tuaj! Ajo është mishi jot dhe gjaku yt! Merr nga ato që janë të drejtë dhe braktis ato që shmangin".

Veprimi më i urrejtur në Islam është të flasësh pa dije për çështjet fetare. Sot ka shumë prej atyre që pavarësisht se mbi supat e tyre kanë përgjegjësi të mëdha fetare guxojnë që pa dije dhe pa argumente të japin opinione personale në lidhje me dispozitat fetare, me ç'rast ngatërrojnë hallallin me haram, këto njerëz pa dijen e tyre kthehen në manipulesit e fesë të Allahut.

Imam Ahmed bin Hambelit i erdhën disa studiues nga Andaluzia dhe e pyetën tridhjetë pyetje por ai ju përgjigj vetëm shtatëmbëdhjetë prej tyre. Atëherë pyeti njëri prej tyre: "O Imam i nderuar, po pjesa e mbetur"? "Nuk i dijë"! U përgjigj Imami! "Imam Ahmedi nuk din"? Ja ktheu ai! "Po, nuk i dijë"! U përgjigj Imami! "Po çfarë tu themi popullit kur të na pyesin"? Ja ktheu i dyti! "Thoni popullit të Andaluzisë se Imami nuk din"! U përgjigj Imami. Sikur të kishte thënë se i din të gjitha do kishte bërë mëkat të madh! Prandaj kini kujdes për fenë tuaj dhe nëse ju pyesin diçka që ju nuk e dini mos tju vijë turp të thoni "më vjen keq por nuk e dijë", kurse nëse keni pak informacion mos nxitoni të jepni opinion të shpejtuar por fillimisht konsultohuni me më të diturit. Mos u turpëroni të pyetni nëse nuk dini dhe mos u dekurajoni nëse dikush ju nënçmon për pyetjen.

Më pyeti një ditë një besimtar në lidhje me përdorimin e medikamenteve të bëra me kapsula prej xhelatine (substancë nga mbetjet e produkteve të kafshëve, kryesisht nga derri) dhe pasi nuk e dija përgjigjen i thash të më jep pak kohë derisa të konsultohem! Pasi i shkruajta një letër elektronike njërit nga dijetarët që konsultohem, brenda kohe e hapa si çështje para disa kolegëve, por u befasova kur njëri prej tyre më tha: "pse mirësh me kësi punësh të vogla", ai harroi se nëse për të ishte çështje e vogël për dikë ishte jetike.

Në Islam nuk lejohet të jepen opinione personale për çështjet e qarta Islame. Mund të preferoni qëndrime, opinione apo mendime të huaja por jo të jepni opinion apo ta zbërtheni urdhrin apo ndalesën sipas kushteve dhe rrethanave që juve ju konvenon, për atë që më parë është vendosur nga Allahu dhe profeti i tij. Thotë Allahu xh.sh. në Kur'an: "Kur All-llahu ka vendosur për një çështje, ose i dërguari i Tij, nuk i takon (nuk i lejohet) asnjë besimtari dhe asnjë besimtareje që në atë çështje të tyre personale të bëjnë ndonjë zgjidhje tjetërfare. E kush e kundërshton All-llahun dhe të dërguarin e Tij, ai është larguar shumë larg së vërtetës", (Kaptina Ahzab: 36).

Për të dëshmuar urtësinë e divergjencës së mendimeve po ju parashtrojë dy pyetje, që në shikim të parë duken shumë të lehta për tu përgjigjur por nëse më thellë koncentroheni do kuptoni se nuk është e lehtë të jepet opinion për çështjet fetare.

E para: Kush mendoni se ka bërë mëkat më të madh: një që ka hapur një klub nate dhe aty bëhen të gjitha mëkatet apo një shkrimtar që ka publikuar një libër që aty shan Islamin dhe Muhamedin a.s. siç ishte aktuale edhe tek ne botimi i librit "Vargjet Satanike" të Selman Ruzhdie.

E dyta: Cila mendoni se është më e keqe: varrosja e vajzave të gjalla në dhe siç praktikohej te arabët para Islamizimit të tyre apo moskokëçarja e prindit që lejon vajzën e tij të del në mbrëmje me dashnorin duke mos llogaritur pasojat fatale të atij veprimi?

Të nderuar teologë, zhvillimi i teknologjisë ka mundësuar që sot bota të duket shumë e vogël, nëse dikur njëra anë e globit nuk e ka ditur se çka ndodh në anën tjetër, sot mjafton të shtypesh telekomandën e televizionit dhe menjëherë të marrish një grumbull informacionesh për gjithçka në botë, dikur për të bërë një punim të mirëfilltë shkencor është dashur të udhëtosh me qindra kilometra për të huazuar një libër në bibliotekë kurse sot mjafton të kesh qasje në faqen elektronike të bibliotekës më të largët dhe mund ta huazosh librin në mënyrë elektronike vetëm me një klikim.

Dikur nëse duheshe të shkosh në një konferencë shkencore në një shtet tjetër nuk mund të merrje me veti më shumë se dy apo tre libra për shkak të ngarkesës dhe pengesës ligjore, kurse sot mund ti fusish në xhepin e xhaketës të gjitha koleksionet e haditheve të Buhariut dhe Muslimit, tefsiret e Ibn Kethirit, Raziut dhe Kurtubiut, enciklopeditë botërore, romanet, etj., duke i istaluar ato si programe në një CD apo USB. Nëse bota dikur ishte pesë kontinentesh, dje ajo u shëndrrua në një fshat global kurse sot ajo është minimizuar në një ekran televizori apo laptopi, prandaj shfrytëzojeni zhvillimin e jashtëzakonshëm shkencor që ju mundëson secilit prej jush të keni librarinë tuaj virtuale për të përhapur fenë e Allahut në tokë.

Ushtrojeni misionin tuaj me ndërgjegje e me dinjitet, qëndroni të paluhatur në rrugën tuaj edhe nëse ngelni të vetmuar, ashtu si mjekët që kanë betimin e Hipokratit ashtu edhe ju i keni dhënë besën Allahut që nuk do monopolizoni me fenë e Allahut, nuk do përkuleni dhe zmbrapseni para atyre që janë armiq të Allahut, atyre që dëshirojnë ta "modernizojnë apo reformojnë fenë Islame" duke polemizuar me ju dhe me besimtarët tjerë se dispozitat e Kur'anit duhet të reformohen si p.sh.: pozicionimi i agjërimit të Ramazanit vetëm gjatë stinës dimërore për shkak të intervalit të vogël kohor dhe temperaturave më të përshtatshme, falja e namazit me gjuhën e komunitetit, ezani sipas gjuhës së popullit, etj.. Këtyre hipokritëve përgjigjuni duke lexuar ajetin në vijim: "Dhe kur atyre u lexohen ajetet Tona të qarta, ata që nuk besojnë takimin Tonë (ringjalljen), thonë: "Sillna një Kur'an tjetër, ose ndryshoje këtë!". Thuaj: "Mua nuk më takon që ta ndryshoj vetë, unë e përcjell vetëm atë që më shpallet, unë nëse kundërshtoj Zotit tim i frikësohem dënimit të një Ditës së madhe"", (Kaptina Junuz: 15).

Ka dallim të madh mes njohurisë të ligjit të Allahut dhe njohurisë për Allahun. Një personi të ditur mund ta pyesësh njëqind pyetje për ligjet e Allahut dhe ai të përgjigjet saktësisht në shumicën prej tyre por nëse e sheh atë duke mos ju nënshtruar Allahut do të kuptosh se njohuria e tij për Allahun është shumë e vogël. Thotë Muhamedi a.s.: "Frika ndaj Allahut është dituria më e madhe që mund të ketë një njeri dhe të qenurit i kënaqur me atë që ka arritur në dije tregon injorancën e tij", (Transmeton Masruku). Zoti na ruajt prej tyre.



Autor: Mr. Xhemail Çupi

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...