Pse ka filluar të urrehet këndimi i Mevludit?



Një prej shkaqeve që ka ndikuar të urrehet këndimi i Mevludit është edhe aspekti i tij revulucionar. Karakteri social i misionit të Mevludit ka bërë që shumë qarqe ideologjike, politike e shoqërore të jenë të shqetësuar sa i përket stabilitetit dhe mirëqenies së tyre.

Andaj dhe aspak nuk duhet të na habisin rastet kur në disa vende të botës ndalohet këndimi dhe manifestimi i Mevludit, pasi që ai në shumë vende ftonë në drejtësinë sociale, në adhurimin e vetëm të Allahut dhe në ndjekjen e sinqertë të pejgamberit të Tij, Muhammedit alejhis-selam. Një mevlud që të ftonë më shumë të duash Pejgamberin se sa liderin, mbretin dhe shejhun, normalisht se nuk është i mirëseardhur për segmente me ideologji të turbulltë.

Liderëve të dhunshëm dhe dijetarëve të padrejtë, ky aspekt i Mevludit, normalisht se nuk iu pëlqen, prandaj dhe manifestimin e ndalojnë në tërësi.

Assesi nuk është problemi te dërgimi i salavateve ndaj Pejgamberit alejhis-selam, mbase këtë e pranojnë të gjithë, porse problemi qëndron te vlerat univerzale të bashkësisë, unitetit, dashurisë, drejtësisë, moralit të cilat, pikërisht artikulohen dhe promovohen gjatë këndimit të Mevludit.

Melvudi tek ne shqiptarët ka laujtur rolin e një organizimi humanitar, social, atdhetar e fetar. Atyre që iu pengon atdheu, iu pengon edhe Mevludi, sikur që iu pengon edhe atyre që janë kundër fesë.

Ja ky ishte, pra, edhe një aspekt tjetër se pse urrehet këndimi dhe shkrimi i Mevludeve në këto kohë. S'do mend se ka edhe shumë aspekte të tjera. Të gjithë këta që janë kundër e kanë një problem, e ai është se të gjithë mendojnë se Mevludi adhurohet. Jo, Mevludi nuk adhurohet, porse ndihmon në përkushtimin dhe adhurimin e një Zoti të vetëm, shton dashurinë dhe rrit respektin ndaj një Pejgamberi të fundit, Muhammedit a.s., si dhe unifikon ndjenjat vëllazërore të muslimanëve.

Fundja, unë asnjëherë nuk kam dëgjuar që gjatë këndimeve të Mevludeve të ketë pasur zënka, fesade dhe të rahura.



Autor: Mehas ALIJA

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...