Nasirudin Albani i vërtetë



Nasirudin Albani i vërtetë - Një ekspozim i gabimeve të tij të shumta në Shkencën e Hadithit


Në Emër të Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit.

Të gjitha falënderimet qofshin për Allahun e Madhërishëm. Përshëndetjet dhe selamet tona qofshin mbi të Dërguarin e Fundit të Tij, Muhamedin (s.a.v.s.). Përshëndetjet tona qofshin mbi familjen e tij, mbi shokët e tij, dhe mbi mbarë ata që pasojnë rrugën e tij deri në ditën e gjykimit. Lavdërimet qofshin mbi paraardhësit e devotshëm (Selef-us-Salihin) dhe pasuesit e tyre, të cilët janë Ehlus-sunet wel Xhemati (Pasuesit e Sunetit dhe Xhematit) të katër shkollave Juridike të Ligjit Hyjnor (Shkollat e Fikhut, Medh'hebet).

O ju që keni besuar! Atë që jeni duke e lexuar është e rëndësisë së madhe për besimtarin i cili pranon Hadithin si shtyllë të Islamit, pas Kur'anit të Shenjtë. Unë këtu do t'ia prezantoj lexuesit mendje-hapur gabimet, mospajtimet dhe vetëkundërshtimet e dijetarit - mbase më të njohuri i sektit "Selefije" - të Hadithit, Shejh Muhamed Nasirudin Albani.

Më kanë pyetur disa vëllezër mbi pozitën dhe gradën e Albanit, dhe duke i frikësuar Hadithit të Pejgamberit të Zotit, Muhamedit (s.a.v.s.): "Ai i cili pyetet për diçka që e di dhe e fsheh atë do të ketë një fre të zjarrtë të vendosur në të në Ditën e Ringjalljes", (Suneni Ebu Davudit, 3/3650, botimi anglisht).

Kjo pjesë e shkurtër është shkëputur nga kompleti prej katër vëllimeve të veprës së Dijetarit të mirënjohur të Hadithit nga Amani i Jordanisë, Shejh Hasan ibn Ali el-Sakkaf (Allahu e shpërbleftë për mundin e tij) të quajtur: "Kundërshtimet e qarta të Albanit", (Arabisht: "Tanaqadat el-Albani el-Wadihat", anglisht: "The Clear Contradictions of al-Albani"), në të cilën qartë dhe dukshëm Shejh Sakkaf vë në dukje gabimet, (vetë) kundërshtimet, shpifjet, madje edhe gënjeshtrave të Albanit në Shkencën e shenjtë të Hadithit (Ilmul-Hadith).


Rreth Autorit të Veprës

Shejh Sakkaf është një dijetar i shkollës Shafi'te të Fikhut dhe Hadithit. Shejhët (mësuesit) e tij janë Hashim Majdhub i Damaskut në Fikhun Shafi, Muti' Hammami në të Drejtën Sheriatit, Muhamed Hulejl nga Amani në Gramatikë Arabe, dhe atij i është dhënë autorizim me shkrim (Ixhaze) në fushën e Hadithit nga njëri ndër Dijetarët më të mëdhenj të Hadithit të kohës sonë - Shejh Abdullah Muhamed el-Ghimari (Mëshira e Allahut qoftë mbi të) nga Tingjiu, Maroku [i lindur 1910, ndërroi jetë Shkurt 1413(h.)/1993], ish-Profesor i Hadithit në Universitetin e Hadithit, autor i rreth 150 punimeve, vëllau i tij i ndjerë ishte Ahmed ibn Muhamed (Mëshira e Allahut qoftë mbi të) ishte një Hafiz i Hadithit.

Shejh Ghimari e ka shpallur Albanin shpikës (mubtedi, novator) në Islam në njërën prej Fetvave të publikuara (Albani i ka kritikuar klasifikimet Hadithit nga Shejh Ghimari në disa prej veprave të tij, por pastaj ai (Albani) e kundërshton vetveten në veprat tjera të tij - shih më poshtë citatet nga Shejh Sakkaf). Shejh Sakkaf tani është ligjërues në Aman dhe ka publikuar mbi katërdhjetë e pesë libra në fushën e Hadithit, Doktrinat e besimit (Akaid), Fikh dhe hereziologji.


Statusi i Albanit

Për t'i sqaruar lexuesit i cili është i pavetëdijshëm për Statusin e Albanit, citati në vijim është një shkëputje e shkurtë nga biografia e tij siç është dhënë nga pasuesit e tij në njërën nga përkthimet e librave të Albanit me titullin 'Adaab uz Zufaaf' (Adabet e Martesës dhe Dasmës): Muhamed Nasirudin Albani është lindur në qytetin e Shkodrës, kryeqyteti i Shqipërisë në 1914. Derisa ai ishte i ri, prindërit e tij shpërngulën me të në Damask, Siri. Qysh në moshë të re ai ishte magjepsur pas Shkencave të Hadithit dhe që atëherë asnjëherë nuk u ndal duke kërkuar njohuri. Më vonë atij iu dha Rangu i profesorit të Hadithit në Universitetin Islamik të Medinës. Me kohën ai bëri emër tek dijetarët dhe studentët për njohuritë dhe shkrimet e tij. Ai ka shumë nxënës të mirënjohur dhe ka vizituar vende kudo nëpër Lindjen e mesme dhe Evropë.

Ai ishte detyruar të emigroj prej Sirisë në Jordani. Haditheve profetike u bëri shërbim të madh, ka hequr shumë mund për t'i verifikuar dhe renditur transmetimet autentike prej atyre të pavërtetave dhe të fabrikuarave. Ka botuar shumë broshura dhe libra, disa prej tyre në disa vëllime - në çështjet të rëndësisë së lartë për Muslimanët - dhe ka kontrolluar plotësisht shumë nga librat e famshëm të Hadithit - Sunenin e Tirmidhiut, Ebu Davudit, En-Nesaiu dhe Ibn Maxhes, së bashku me "Xhamiu-Sagiir" dhe "Mishketul Mesabih" e Sujutiut. Ai është dijetari më i shquar i Hadithit dhe shkencave të ngjashme të kohës së tij.

Është kjo fjalia e fundit e cila është shumë e pambështetur, dhe kryesisht është bindja imagjinare e pasuesve të tij të udhëzuar gabim në pjesë të ndryshme të botës. Pasi që vetëm Allahu e din kush është "dijetari më i shquar i Hadithit dhe shkencave të ngjashme të kësaj kohe". Këtë e them ngase ka edhe të tjerë të cilët shumë mirë mund të jenë 'dijetari më i shquar'. Një gjë që mund të vërehet prej biografisë së tij më sipër, është se Albani mesa duket nuk ka pasur kurrfarë Autorizimi (Ixhaze) në Hadith nga asnjë dijetar i mirënjohur i Hadithit.

Unë kam lexuar edhe biografi të tjera të Albanit, dhe u kam kërkuar edhe përkrahësve të tij në Angli (shënim: autori i këtij teksti jeton dhe vepron në Angli - përkthyesi) që të më japin emrin e Mësuesit të Hadithit të Albanit, por asnjëri nuk e posedonte. Siç shihet Albani i "mësoj" vet vetes së tij shkencën e Hadithit duke kaluar shumë orë në librarinë e famshme të Damaskut - el-Mektebetuz-Zahirijeh. Në biografinë e shkruar në parathënien e punimit të tij - "Sifah salah en-Nabi", po ashtu shkruante që ai ishte: "I influencuar nga artikuj të revistës 'el-Manaar'". Revista e sipërpërmendur redaktohej nga Muhamed Reshid Ridah (vdiq 1935)!

Albani nuk ka bërë thjesht një sasi të vogël gabimesh të falshme, por në fakt goxha mbi 1200, të cilat janë të falshme vetëm nëse ai vetë i pranon gabimet e tij duke u penduar para Njerëzve të Dijes, poashtu edhe para besimtarëve të sinqertë të cilët janë mbështetur në "Klasifikimet e Hadithit" nga ai. Kundërshtimet e zgjedhura nga "Tanaqadat el-Albani el-Wadihat" janë nxjerrur vetëm nga Vëllimi i parë dhe i dytë, për hir të gjatësisë së tekstit, dhe kudo që haset simboli *, korrespondon me referencën origjinale në botimin në arabisht. Lexuesi duhet të dijë se sa herë që diçka paraqitet në kllapa (), atëherë këto zakonisht janë fjalët e mia dhe jo ato të Shejh Sakkafit.

Po ashtu duhet cekur se Vëllimi i I-rë i origjinalit përmban 250 Hadithe, në të cilat Albani ka thënë Sahih (një Hadith i vërtetë) në njërën prej librave të tij dhe pastaj e ka kundërshtuar veten duke thënë Daif (një Hadith i dobët) në një libër tjetër të tij, ose gabime dhe kundërshtime të ngjashme. Vëllimi i II-të përmban 652 Hadithe të të njëjtit përshkrim si më sipër, ose kundërshtime të ngjashme në rixhale (biografia e transmetuesit të Hadithit) të Senedit (zinxhiri i transmetuesve) të Haditheve në fjalë.

Në disa raste (p.sh. Vëllimi 2, fq. 63-64), Shejh Sakkaf tregon se si një transmetues i Hadithit bëhet 'i besueshëm' kur Albani dëshiron të përdorë një Hadith për të vërtetuar diçka në favor të bindjes së tij, por bëhet 'i pabesueshëm' kur Hadithi i përdorur nga një person që Albani është duke e kundërshtuar, një gabim jashtëzakonisht i turpshëm për cilindo dijetar të ndershëm. Këto libra nga Shejh Sakkaf tashmë kanë bërë shumë për të hequr qilimin nën 'Selefizëm' në Jordani dhe madje edhe në Arabinë 'Saudite', ku vetëm vëllimi i parë ka pasur hiq më pak se gjashtë ribotime në një vit të vetëm! Këto libra janë aq të kërkuara saqë çdo 'Selefi' (ose anti-Selefi) i cili di të lexojë arabisht dëshiron t'i blejë.

Unë ju pyes ju, sa herë duhet që një student i paaftë si Albani të kundërshtoj veten e tij para se ai të humb të drejtën (kompetencën) prej dijetari? A mund ju të gjeni madje dhjetë kundërshtime në veprat e memorizuesve të Hadithit (Hafidhëve), ata të cilët kishin memorizuar së paku 100 000 Hadithe me senedet e tyre? Dijetarët e mëdhenj si Ebu Hanife, Maliku, Shafiu, Ibn Hanbeli, Buhariu, Muslimi, Ebu Davudi, Tirmidhiu, Ibn Maxhe, Nesaiu, Darakutni, Hakimi, Askalani e kështu me radhë (Mëshira e Allahut qoftë mbi ta). Besimtari mendjehollë duhet të dijë që Albani nuk i ka pasur në memorien e tij as afër 100 000 Hadithe, në fakt me sa e dimë ne nuk ka askush që është Hafiz i Hadithit në ditët e sotme! Nëse është, atëherë ne ju themi të dalin në shesh dhe ta vërtetojnë, e Allahu e di më së miri!

Gjatë rrugës së ekzaminimit të Haditheve të ndryshëm, Shejh Sakkaf i krahasoj ato me vlerësimet e shkruara të Albanit. Si përfundim Shejh Sakkaf filloi përpilimin e gabimeve të Albanit. Ai hasi në kundërshtime, supozime të pabazuara, hulumtime të pamjaftueshme dhe shtrembërimin e thënieve të cituara nga imamët e dijetarët e mëdhenj Islam. Ai në veçanti ishte i brengosur me faktin që shumë studentë dhe të rinj të cilët nuk kanë njohuri të mjaftueshme ose nuk kanë fare, thjeshtë nuk janë duke u lodhur për të hulumtuar Hadithet e klasifikuara nga Albani, janë duke u mashtruar në injorancë të verbët, edhepse vetë këta njerëz janë ata që janë duke thirrur fortë dhe me potere për të braktisur Teklidin (e përkthyer si "pasim i verbër" nga armiqtë, por në realitet është pasimi i diturive të dijetarëve të kualifikuar dhe të verifikuar të Muxhtehidëve Mutlak [një dijetar plotësisht i pavarur i kalibrit më të lartë] siç janë Imamët Ebu Hanife, Maliku, Shafiu, Ibn Hanbel (Mëshira e Allahut qoftë mbi ta) dhe të ngjashëm, si dhe dijetarëve të cilët ndoqën dhe përhapën një shkollë të caktuar të Fikhut [Medhheb] për pjesën më të madhe të historisë Islame, Teklid në gjuhën e thjeshtë do të thotë të ndjekurit e njërës nga katër shkollat ekzistuese të Fikhut). Këta njerëz duket se kundërshtojnë vetveten, si dhe shfaqin hipokrizi kur sillen dhe e bëjnë prioritet të sulmojnë pasuesit e Medhhebeve Hanefi, Maliki, Shafi ose Hanbeli, edhepse ata vetë janë duke praktikuar Teklid (pasimin e verbër) ndaj një personi (Albanit)!

Duke pasur në mendje Hadithin e transmetuar nga Ebu Seid el-Hudri (Allahu qoftë i kënaqur me të) nga Pejgamberi (s.a.v.s.): "Kush sheh një vepër të keqe, le ta largojë atë me dorën e tij, e nëse jo me dorë, atëherë le të mundohet me gjuhën e tij, e nëse as këtë nuk mund ta bëjë, atëherë atë vepër le ta urrejë me zemër. Kjo është shkalla më e ulët e besimit", [shih Sahih Muslimi, Tirmidhiu, Ibn Maxhe, Nesaiu - siç është shënuar në Targheeb We'l-Tarhib nga el-Hafiz Mundhiri, v. 1258, Rahimehumullah]. Madje edhe më qartë nga Imam Derimi (Rahimehullah) i cili transmeton se Zijad Ibn Hudair (Rahimehullah) ka thënë: "Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të) më tha mua: A e di çka mund të shkatrroj Islamin?" Unë thashë: "Jo." Ai tha: "Shkatërrohet nga gabimet e dijetarëve, argumentet e hipokritëve rreth librit (të Allahut), dhe konkludimet e udhëheqësve të devijuar", (shih Mishketul Mesabih, 1/269, Trans. A.H. Sidiki).

Në mënyrë që të ruajmë rininë e sodit nga rënia në herezi, Shejh Sakkaf ka nisur një kërkim për të ekspozuar një person të tillë i cili konsideron veten e tij në mesin e dijetarëve të mëdhenjë të Hadithit si Imam Buhariu dhe Muslimi (Rahimehumullah), në atë masë saqë njëri nga ndjekës i tij i mashtruar e konsideron atë në gradën e Emir ul-Mu'minin fil Hadith, Shejhul Islam el-Hafiz Ahmed Ibn Haxher el-Askalani (Imami Shafi i cili është autori i komentimit më të famshëm të Sahihut të Buhariut dhe shumë librave të tjerë, v. 852[h.]/1449, Rahimehullah).

Lexuesi i nderuar, për Shejh Sakkafin mund të fitoj përshtypjen se ai ka një sjellje jo-tolerante dhe të vrazhdë në disa prej komenteve të tij të cilat i ka bërë pasi e ka zbuluar ndonjë gabim nga Albani. Unë nuk kundërshtoj stilin e tij të kundërshtimit, pasi që shumë dijetarë që i janë Frikësuar Allahut kanë qenë të pakompromis në të kaluarën kur ka qenë fjala për urdhërim në të mirë dhe ndalim nga e keqja siç është thënë në Kur'an dhe Sunet (p.sh. në kundërshtimin ndaj sekteve heretike si Havarixhët, Mu'tezilët, Shiat, ...), për aq sa paralajmërojnë masën e popullit nga pranimi i të pavërtetave të Heretikëve dhe "dijetarëve" të tjerë të ngjashëm. Mund të jetë që Shejh Sakkaf e konsideron Albanin novator, sikurse edhe mësuesi i tij i ndjerë - Shejh Ghimari (Rahimehullah) që e konsideroj të tillë.

Janë transmetuar shumë Hadithe që na urdhërojnë të mos i përkrahim dhe t'i luftojmë heretikët. Për shembull, Ibrahim ibn Mejsera transmeton se Pejgabmeri (s.a.v.s.) ka thënë: "Ai i cili tregon respekt për një shpikës (novator) ai në fakt ndihmoi në prishjen e Islamit", (Bejhekiu - shih Mishkatul Mesabih, 1/189, Botimi anglisht).

Shpresoj që lexuesi i respektuar do të lexoj këtë pjesë të shkurtë pune me syhaptësi dhe me mendje të hapur, sidomos ata të cilët kanë qenë lexues dhe përkrahës besnik të librave dhe vendimeve të Albanit. Unë sinqerisht shpresoj që nga ky punim do të përfitojnë të gjithë ata që e lexojnë atë dhe lutemi që Allahu ta pranojë si punë të mirë dhe vetëm për kënaqësinë e Tij. Unë dëshiroj gjithashtu të falënderoj të gjithë ata vëllezër që më kanë ndihmuar në përpilimin e kësaj pune, sidomos atij që më pajisi me librat e Shejh Sakkafit.

Allahu na faltë për të metat dhe gabimet tona. Amin.


Dobësimi i disa Haditheve të Imam Buhariut dhe Muslimit nga Nasirudin Albani

Albani ka thenë në librin "Sharh al-Aqeedah at-Tahaweeah", fq. 27-28? (Botimi i 8, Maktab al-Islami) nga Shejh Ibn Abi al-Izz al-Hanafi (Rahimehullah), që cilido Hadith që vjen nga koleksionet Sahih të Buhariut dhe Muslimit është Sahih (i vërtetë), jo sepse janë transmetuar nga Buhariu dhe Muslimi, por sepse Hadithet në fakt janë të vërteta (të sakta). Por ai qartë bjer në kundërshtim me veten, pasiqë ai vetë i ka konsideruar si të dobët Hadithet nga Buhariu dhe Muslimi!

Le të shqyrtojmë këtë qështje në dritën e elaborimit!


- PËRKTHIME TË ZGJEDHURA NGA VËLLIMI 1 -

Nr. 1: (* Fq. 10 nr. 1)
Hadithi: Pejgamberi (s.a.v.s.) ka thënë: "Allah thotë që Unë do të jem armik (kundërshtarë) për 3 (lloje të) njerëzve në ditën e ringjalljes: (a) Ai që bën marrëveshje (kontratë) në Emrin Tim por tregohet i pabesë, (b) Ai që e shet një njeri të lirë (për rob) dhe i ha paratë (shpenzon paratë që u fituan nga shitja) (c) Dhe ai që punëson një punëtor krahu, dhe pasi që (punëtori) ka kryer punën e tij, nuk i jep rrogën (pagesën)", [Buhariu nr. 2114 - Versioni arabisht, ose shih versioni anglisht 3/430 fq. 236].
Albani në "Dajif el-Xhami wa Zijadetuh", 4/111 nr. 4054? Thotë se Hadithi është Daif. "Shejhu" nuk e ditka që ky Hadith është transmetuar nga Ahmedi dhe Buhariu prej Ebu Hurejrës (Allahu qoftë i kënaqur me të)!!

Nr. 2: (* Fq. 10 nr. 2)
Hadithi: "Bëj kurban një lope te rritur, por ne qofte se e ke te vështirë atëherë beje kurban një dash", [Muslimi nr. 1963 - Versioni arabisht, ose shih versionin anglisht 3/4836 fq. 1086].
Albani në "Dajif el-Xhami wa Ziyadatuh", 6/64 nr. 6222. Thotë se Hadithi është Daif, ndonëse ky Hadith është transmetuar nga Imamët Ahmedi, Muslimi, Ebu Davudi, Nesaiu dhe Ibn Maxhe nga Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të)!!

Nr. 3: (* Fq. 10 nr. 3)
Hadithi: "Një ndër njerëzit më të këqij para Allahut (në shikimin e Allahut) në ditën e gjykimit do të jetë ai i cili bën dashuri me gruan e tij dhe ajo me të, dhe përhap sekretin e saj", [Muslimi nr. 1437 - Versioni arabisht].
Albani në "Dajif el-Xhami wa Zijadetuh", 2/197 nr. 2005. thotë se ky Hadith është Daif, ndonëse është transmetuar nga Muslimi prej Ebi Seidit (Allahu qoftë i kënaqur me të)!!

Nr. 4: (* Fq. 10 nr. 4)
Hadithi: "Nëse ndonjëri nga ju zgjohet natën (për lutje/namaz) le të filloj lutjet e tij me 2 rekat të shkurtë", [Muslimi nr. 768].
Albani në "Dajif el-Xhami wa Zijadetuh", 1/213 nr. 718. e ka shpallur këtë Hadith si Daif, ndonëse e transmetojnë Muslimi dhe Ahmedi nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të)!!

Nr. 5: (* Fq. 11 nr. 5)
Hadithi: "Ju do të ringjalleni me balle të ndritshme dhe duar dhe këmbë të ndritshme në ditën e gjykimit (për shkak) duke kryer Abdesin siç duhet ...", [Muslimi nr. 246].
Albani në "Dajif el-Xhami wa Zijadetuh", 2/14 nr. 1425. thotë është Daif, edhepse e transmeton Muslimi nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të)!!

Nr. 6: (* Fq. 11 nr. 6)
Hadithi: "Më i besueshmi (për) Allahun në Ditën e Gjykimit është ai i cili nuk i zbulon (të tjerëve) gjërat e fshehta në mes tij dhe gruas së tij", [Muslimi nr. 124 dhe 1437].
Albani në "Dajif el-Xhami wa Zijadetuh", 2/192 nr. 1986. thotë se Hadithi është i dobët, ndonëse e transmeton Muslimi, Ahmedi dhe Ebu Davudi nga Ebi Sejid (Allahu qoftë i kënaqur me të)!!

Nr. 7: (* Fq. 11 nr. 7)
Hadithi: "Nëse ndonjëri LEXON dhjetë rekatet e fundit të Sures el-Kehf ai do të jetë i shpëtuar nga dëmi i Dexhallit", [Muslimi nr. 809].
Albani thotë që ky Hadith është Daif në "Dajif el-Xhami wa Zijadetuh", 5/233 nr. 5772. Fjala që Muslimi e ka përdorur në transmetim është MEMORIZUAR (mësuar përmendësh) dhe jo LEXON, siç pretendon Albani, çfarë gabimi trashanik! Ky Hadith është transmetuar nga Muslimi, Ahmedi dhe Nesaiu prej Ebi Derda (Allahu qoftë i kënaqur me të)!! (Poashtu gjendet në "Riyadh us-Saliheen", 2/1021? Të Imam Neveviut (versioni anglisht).

Nr. 8: (* Fq. 11 nr. 8)
Hadithi: "Pejgamberi (s.a.v.s.) kishte një kalë që quhej al-Lehijf", [Buhariu, shih Feth el-Beri nga Hafiz Ibn Haxher 6/58 nr. 2855].
Por Albani thotë se Hadithi është Daif në "Dajif el-Xhami wa Zijadetuh", 4/208 nr. 4489. Ndonëse e transmeton Buhariu prej Sehl ibn Sa'ad (Allahu qoftë i kënaqur me të)!!!
Shejh Sakkaf thotë: "Kjo është vetëm se urrejtje prej të keqit, pak nga shumë dhe po të mos ishte nga frika e zgjatjes dhe bezdisjes së lexuesit, do të kisha përmendur shumë shembuj të tjerë nga librat Albanit që i kam lexuar. Imagjinoni çka do të kisha gjetur nëse do të kisha gjurmuar gjithçka që ai ka shkruar"?


Dobësia e Shejh Albanit në hulumtim (* Vol. 1 fq. 20)

Shejh Sakkaf thotë: "Gjëja e çuditshme dhe e habitshme është që "Shejh" Albani i ka cituar gabimisht shumë dijetarë të mëdhenj të Hadithit dhe i shpërfill ata nga mungesa e njohurive të tij, qoftë direkt ose indirekt! Ai e shpall vetën si burim të padiskutueshëm, madje edhe provon të imitoj dijetarët e mëdhenj duke përdorur terme si "Lam akif ala sanadih", që do të thotë "Nuk munda të gjejë zinxhirin e transmetuesve", ose duke përdorur fraza të përafërta! Ai poashtu akuzon disa nga memorizuesit (mbamendësit) më të mirë të Hadithit për mungesë kujdesi (vëmendjeje), edhepse ai (Albani) është ai që posedon këtë cilësi! (siç do të shihni në vazhdim)".

Tani me disa shembuj do ta vërtetojmë pohimin tonë:

Nr. 9: (* Fq. 20 nr. 1)
Albani thotë në "Irwa al-Ghalil", 6/251 nr. 1847? (Në lidhje me një transmetim nga Aliu): "Nuk munda të gjejë Senedin (zinxhirin e transmetuesve)".
Shejh Sakkaf thotë: "Qesharake! Nëse ky el-Albani do të ishte farepak dijetar i Islamit, atëherë ai do ta dinte se ky Hadith mund të gjendet në "Sunan al-Bayhaqi", 7/121?: Transmetohet nga Ebu Seid ibn Ebi Amarah, i cili thotë se Ebu el-Abbas Muhamed ibn Jakub na tha se Ahmed ibn Abdel Hamid na tha se Ebu Usama prej Sufjan prej Selma ibn Kahil prej Muavij ibn Soajd i cili tha, 'E kam gjetur këtë në librin e babit tim nga Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të)'".

Nr. 10: (* Fq. 21 nr. 2)
Albani në "Irwa al-Ghalil", 3/283 thotë: "Hadithi i Ibn Omerit 'Puthjet janë riba', Nuk mund të gjeja senedin".
Shejh Sakkaf thotë: "Kjo është shumë gabim, padyshim që përmendet në 'Fatawa al-Shaykh ibn Taymiyya al-Misriyah (3/295)': 'Harb thotë Ubejdullah ibn Muadhi na tha neve, baba im më ka thënë që Soajd prej Xhibala i cili kishte dëgjuar Ibn Omerin (Allahu qoftë i kënaqur me të) të thotë: Puthjet janë riba'. Dhe sipas Ibn Tejmijes të gjithë këta transmetues janë autentik"!

Nr. 11: (* Fq. 21 nr. 3)
Hadithi i Ibn Mes'udit (Allahu qoftë i kënaqur me të): "Kur'ani ka zbritur në 7 dialekte. Secili prej ajeteve të tij ka një kuptim eksplicit (të qartë) dhe implicit (të nënkuptuar) dhe çdo ndalesë është e definuar qartë".
Albani konstaton në vështrimin e tij të "Mishkat ul-Masabih", 1/80 nr. 238? Që autori i Mishkat ka nxjerrë shumë Hadithe me fjalët "Gjendet në Sharh us-Sunnah", por kur ai ekzaminoj kapitullin në Ilm dhe në Fadail al-Qur'an ai nuk mundi ta gjente!
Shejh Sakkaf thotë: "Dijetari i madh foli! Gabimisht si zakonisht. Do doja t'i thoja këtij mashtruesi që nëse ai vërtetësisht është i interesuar ta gjej këtë Hadith, ne i sugjerojmë të shikoj në kapitullin e titulluar 'Al-Khusama fi al-Kur'an' në Sharh-us-Sunneh (1/262), dhe është transmetuar nga Ibn Hibani në Sahih -un e tij, (nr. 74), Ebu Je'ala në Musned -in e tij (nr.5403), Tahaviu në Sharh al-Mushkil al-Athar (4/172), Bazari (3/90 Kashf al-Asrar) dhe Hajthemi e ka përmendur atë në Majmu'a el-Zewaid (7/152) dhe ai ia ka atribuuar atë Bazarit, Ebu Je'ala dhe Taberaniut në al-Awsat i cili thotë se transmetuesit janë të besueshëm".

Nr. 12: (* Fq. 22 nr. 4)
Albani në "Sahihah", 1/230? Kur ishte duke komentuar Hadithin nr. 149: "Besimtar është ai që nuk e mbush barkun e tij. Hadithin nga Aisha siç ceket nga El-Mundhiri (3/237) dhe nga El-Hakimi prej Ibn Abasit, Unë (Albani) nuk mund ta gjeja atë në Mustadrak al-Hakim pasi e kërkova atë në kapitullin 'Mendimet (Thoughts)'".
Shejh Sakkaf thotë: "Të lutem mos i nxit njerëzit të bien në zbrazëtirën e injorancës në të cilën ti vetë ke rënë! Nëse kontrollon Mustadrak al-Hakim (2/12) do ta gjesh atë! Kjo vërteton që je i paaftë në përdorimin e indekseve (përmbajtjeve) të librave dhe në mbajtjen në mend të Haditheve"!

Nr. 13: (* Fq. 23)
Një tjetër supozim qesharak nga Albani në "Sahihah", 2/476? E tij ku ai pretendon se Hadithi: "Ebu Bekri është prej meje, i cili zë vendin e dëgjimit (tim)". Nuk gjendet në librin 'Hilya'.
Ne ju sugjerojmë që të shikoni librin "Hilya, 4/73"!

Nr. 14: (* Fq. 23 nr. 5)
Albani thotë në "Sahihah", 1/638 nr. 365, botimi i 4-t: "Jahja ibn Malik është refuzuar nga 6 dijetarët e mëdhenj të Hadithit, sepse nuk është përmendur në librat Tehdhib, Tekrib ose Tedhhib".
Shejh Sakkaf: "Kjo është ajo që ti thua! Nuk është ashtu, sigurisht që ai është përmendur në Tehdhib el-Tehdhib të Hafiz ibn Haxher el-Askalanit (12/19 botimi Dar al-Fikr) me nofkën Ebu Ejub el-Maragi"!!
Kështuqë kujdes!


Shembuj të tjerë të (vetë) kundërshtimeve të El-Albanit

Nr. 15: (* Fq. 7)
Albani ka kritikuar Imamin Muhadith Abu'l Fadl Abdullah ibn el-Sidik el-Ghimari (Rahimehullah) për transmetimin në librin e tij "al-Kanz al-Thameen" të një Hadithi nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të) duke përdorur transmetuesin Ebu Mejmuna: "Përhapeni selamin, ushqene të varfërin ...".
El-Albani thotë në "Silsilah al-Dajifa", 3/492? Pasi që iu drejtua me këtë Hadith tek Imam Ahmed (2/295) dhe të tjerëve: "Unë them se ky është një sened i dobët, Daraqutni ka thënë 'Katada nga Ebu Mejmuna nga Ebu Hurejra: I panjohur, dhe duhet hequr dorë'". El-Albani pastaj thotë në të njëjtën faqe: "Kujdes, një pakujdesi ka ndodhur në mes të Sujutiut dhe Munaviut kur ata hasën me këtë Hadith, dhe unë poashtu e kam përmendur më parë, nr. 571, që al-Ghimari ishte poashtu gabim që e ka përmendur atë në al-Kanz".
Por në vërtetë është Albani i cili është treguar i pakujdesshëm, sepse ai ka bërë një kontradiksion të madh duke përdorur të njëjtin Sened në "Irwa al-Ghalil", 3/238? Ku ai thotë, "Klasifikuar nga Ahmedi (2/295), el-Hakimi nga Katada nga Ebu Mejmuna, dhe ai është i besueshëm siç edhe në librin 'al-Taqreeb', dhe Hakimi tha: 'Një sened Sahih', dhe Dhehebiu u dakordua me Hakimin"!
Kështuqë, për Allahun shikoni këtë gabim! Kush mendoni se është gabim, Muhadithi al-Ghimari (poashtu Sujutiu dhe Munaviu) apo el-Albani?

Nr. 16: (* Fq. 27 nr. 3)
El-Albani dëshiroi që të dobësoj një Hadith që i lejonte gruas të bart stoli ari, për shkak se në senedin e atij Hadithi është Muhamed ibn Imara. El-Albani thotë se Ebu Hatimi ka thënë që ky transmetues është: "Jo edhe aq i fortë", shih librin "Hayat al-Albani wa-Atharu", pjesa 1, fq. 207.
E vërteta është se Ebu Hatim el-Raziu në librin "al-Jarh wa-Taadeel", 8/45 thotë: "Një transmetues i mirë por jo edhe aq i fortë ...". Vëreni që el-Albani e ka larguar shprehjen "Një transmetues i mirë"!
NB - (el-Albani i ka bërë Sahih shumë Hadithe që ndalojnë femrën të bart stoli ari, por në të vërtetë dijetarët tjerë i kanë shpallur këto Hadithe Daif (të dobëta) dhe të Anuluara (shfuqizuara) nga Hadithe të tjera Sahih që lejojnë bartjen e arit për femra. Një nga Shejhët më të njohur të "Selefinjëve" - Jusuf el-Kardavi thotë në librin e tij: "Rizgjimi Islam ndërmjet mohimit dhe ekstremizmit", fq. 85: "Në kohën tonë, shejh Naser el-Din el-Albani ka ardhur me një mendim, ndryshe nga koncenzusi për lejimin e femrës që të zbukurojnë vetët e tyre me stoli ari, e cila është pranuar nga të gjitha medhhebet (shkollat juridike) për katërmbëdhjetë shekujt e fundit. Ai jo vetëm qe beson se Senedi i këtij Hadithi është autentik, por gjithashtu beson se nuk është shfuqizuar (abroguar). Kështuqë, ai beson se Hadithi ndalon unazat dhe vathët prej ari". Pra kush është ai që prish Ixhmanë (konsensusin) e Umetit me qëndrimet e tij ekstreme?)!

Nr. 17: (* Fq. 37 nr. 1)
Hadithi: Mahmud ibn Lubejd thotë, "Kur i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) ishte ndëgjoi për një njeri që e kishte divorcuar gruan e tij 3 herë (në të njëjtin vend), ai u ngrit në këmbë i inatosur dhe tha: 'A po luan ai me librin e Allahut ndërsa unë jam ende këtu në mesin tuaj'? Gjë që e shtyri një njeri të ngrihet dhe të thotë, 'O i Dërguari i Allahut, a ta vras unë atë?'", (Nesaiu).
El-Albani e shpalli këtë Hadith Daif në "Mishkat al-Masabih", 2/981, edicioni i 3-të, Beirut, 1405 h.. Maktab al-Islami, ku ai thotë: "Ky njeri (transmetuesi) është i besueshëm, por Senedi është i këputur ose i mangët sepse ai nuk e kishte dëgjuar atë direkt prej babait të tij".
El-Albani pastaj bjer në kundërshtim me veten në librin "Ghayatul Maram Takhreej Ahadith al-Halal wal Haram", nr. 261, fq. 164, edicioni i 3-të, Maktab al-Islami, 1405 h., duke thënë se është SAHIH!!!

Nr. 18: (* Fq. 37 nr. 2)
Hadithi: "Nëse ndonjëri nga ju është duke fjetur në diell, dhe hija që e mbulonte atë tërhiqet, dhe një pjesë e tij është në hije e pjesa tjetër në diell, ai duhet të ngrihet".
El-Albani e shpalli këtë Hadith si SAHIH në "Sahih al-Jami al-Sagheer wa Ziyadatuh", (1/266/761), por pastaj bjer në kundërshtim me veten duke thënë se është DAIF në "Mishkat ul-Masabih", 3/1337 nr. 4725, edicioni i 3-të, dhe ai e ka referuar atë "Sunenit të Ebu Davudit"!

Nr. 19: (* Fq. 38 nr. 3)
Hadithi: "Namazi (lutja) e së premtes është obligative për çdo musliman".
El-Albani e cilësoj këtë Hadith si DAIF në "Mishkat al-Masabih", 1/434? Dhe tha: "Transmetuesit janë të besueshëm por janë të ndërprerë siç është treguar edhe nga Ebu Davudi". Ai pastaj kundërshton veten e tij në "Irwa al-Ghalil", 3/54 nr. 592? Dhe thotë se është SAHIH!!!
Pra kujdes o njeri i urtë!

Nr. 20: (* Fq. 38 nr. 4)
El-Albani ka bërë edhe tjera kundërshtime. Ai i ka besuar El-Muharrar ibn Ebu Hurejra në një vend pastaj e ka cilësuar si të dobët në një vend tjetër. El-Albani garanton në "Irwa al-Ghalil", 4/301? Që Muharrar është i besueshëm me ndihmën e Allahut, dhe thënia e Hafizit (Ibn Haxherit) për të si i "pranuar", nuk është i pranuar, andaj Senedi është Sahih.
Ai pastaj bjer në kundërshtim me veten në "Sahihah" 4/156? Ku ai e bënë senedin DAIF duke thënë: "Transmetuesit në sened janë të gjithë Buharinjë (të përdorur në transmetime nga Imam Buhariu), përpos el-Muharrar i cili është një nga njerëzit vetëm të Nesaiut dhe Ibn Maxhes. Ai nuk është pranuar (cilësuar) si i besueshëm nga Ibn Hiban, dhe kjo është pse Hafizi Ibn Haxher nuk i besoi atij, në vend të saj tha vetëm 'i pranuar'"!
Kështuqë kujdes nga ky mashtrim!

Nr. 21: (* Fq. 39 nr. 5)
Hadithi: Abdullah ibn Amr (Allahu qoftë i kënaqur me të): "Lutja e së premtes është detyrë për secilin që e ka dëgjuar thirrjen", (Ebu Davudi).
El-Albani konstatoi që ky Hadith është HASAN në "Irwa al-Ghalil" 3/58? Pastaj kundërshton veten duke thënë se është DAIF në "Mishkatul Masabih" 1/434 nr. 1375?!!!

Nr. 22: (* Fq. 39 nr. 6)
Hadithi: Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të) tha se Pejgamberi (s.a.v.s.) thotë: "Mos u tregoni të ashpër (të rreptë) me veten, përndryshe Allahu do të jetë i rreptë me ju. Kur njerëzit janë treguar të rreptë me vetën e tyre, atëherë Allahu u tregua i rreptë me ata", (Ebu Davudi).
El-Albani thotë se ky Hadith është DAIF në "Mishkat", 1/64? Por pastaj kundërshton vetën e tij duke e quajtur HASAN në "Ghayatul Maram", fq. 141?!!

Nr. 23: (* Fq. 40 nr. 7)
Hadithi i Sejida Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të): "Kushdo që ju thotë që Pejgamberi (s.a.v.s.) kishte urinuar duke qenë në këmbë, mos i besoni. Ai kurrë nuk ka urinuar (ndryshe) përpos se ulur", (Ahmedi, Nesaiu dhe Tirmidhiu).
El-Albani thotë se Senedi i këtij Hadithi është DAIF në "Mishkat" 1/117. Ai pastaj kundërshton veten duke thënë se është SAHIH në "Silsilat al-Ahadith al-Sahihah", 1/345 nr. 201?!!!
Kështuqë hidhi një shikim o lexues i nderuar!

Nr. 24: (* Fq. 40 nr. 8)
Hadithi: "Tre janë ata tek të cilët engjëjt nuk do të afrohen kurrë: Kufoma e pabesimtarit, një burrë që përdor parfum femrash, dhe ai i cili ka pasur marrëdhënie derisa të pastrohet", (Ebu Davudi).
El-Albani korrigjoi këtë Hadith në "Sahih al-Jami al-Sagheer wa Ziyadatuh", 3/71 nr. 3056? Duke thënë se është HASAN në "Al-Targhib" 1/91? [Gjithashtu thotë se është hasan në përkthimin anglisht të 'The Etiquettes of Marriage and Wedding', fq. 11]. Ai pastaj bën një kundërshtim të qartë duke thënë se i njejti Hadith është DAIF në "Mishkatul-Masabih", 1/144 nr. 464? Dhe thotë se transmetuesit janë të besueshëm por zinxhiri (Senedi) është këputur në mes të Hasan el-Basriut dhe Amrit (Allahu qoftë i kënaqur me të) siç ka thënë el-Mundhiri në el-Targhib (1/91)!!

Nr. 25: (* Fq. 42 nr. 10)
I erdh [si informacion] Malikut (Rahimehullah) që ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të) i shkurtonte namazet, në distanca sikurse prej Mekës në Taif ose prej Mekës dhe Usfanit ose prej Mekës dhe Xhedah.
El-Albani e ka konsideruar të dobët në "Mishkat", 1/426 nr. 1351? Dhe pastaj bjer në kundërshtim me veten duke e konsideruar SAHIH në "Irwa al-Ghalil", 3/14?!!

Nr. 26: (* Fq. 43 nr. 12)
Hadithi: "Largohu prej Etiopiasëve në qoftëse ata largohen prej teje, sepse askush nuk merr thesarin e Qabes përveç atij me dy këmbët e dobëta prej Etiopisë". El-Albani e ka konsideruar të dobët këtë Hadith në "Mishkat", 3/1495 nr. 5429? Duke thënë: "Senedi është DAIF". Por pastaj ai kundërshton veten - siç e ka shprehi - në "Sahihah", 2/415 nr. 772.
Një shembull si el-Albani lavdëron dikë në një vend dhe pastaj e nënçmon (diskrediton) atë në një vend tjetër në librat e tij.

Nr. 27: (* Fq. 32)
Ai lavdëron Shejh Habib el-Rahman el-Adhamin në librin "Sahih al Targhib wa Tarhib", faqe 63, ku ai thotë: "Dua që të dini një nga gjërat që me ka inkurajuar mua të, e cila është komentuar nga dijetari i famshëm dhe i respektuar Shejh Habib el-Rahman el-Adhami", dhe poashtu në të njejtën faqe tha: "Dhe çka më shqetësoi (merakosi) për të, është se kontrolluesi i tij, Shejhu i respektuar Habib el-Rahman el-Adhami ka shpallur".
El-Albani pra lavdëron Shejh el-Adhamin në librin e sipërpërmendur, por pastaj bën një kundërshtim në parathënien e "Adaab uz Zufaaf" (The Etiquettes of Marriage and Wedding), botimi i ri faqe 8, ku ai thotë: "El-Ensariu ka përdorur në fund të letrës së tij, një nga armiqtë e Sunetit, Hadithit dhe Tevhidit, i cili është i njohur për këto, e ky është Shejh Habib el-Rahman el-Azami. Për shkak të frikacakllëkut dhe dobësisë se tij për të arritur në konkluzione shkencore".
NB - (Citati i mësipërm marrë nga Adaab uz Zufaaf nuk gjendet në përkthimin anglisht nga përkrahësit e tij, që tregon se ata me qëllim kanë shmangur përkthimin e pjesëve të caktuar të punës së tërësishme).
Kështuqë hidhni një shikim edhe kësaj!


- PËRKTHIME TË ZGJEDHURA NGA VËLLIMI 2 -

Nr. 28: (* Fq. 143 nr. 1)
Hadithi i Ebi Barza (Allahu qoftë i kënaqur me të): "Pasha Allahun, nuk do të gjeni njeri tjetër me te drejte se unë", (Sunan al-Nisai, 7/120 nr. 4103).
El-Albani thotë se ky Hadith është SAHIH në "Sahih al-Jami wa Ziyadatuh", 6/105 nr. 6978? Dhe pastaj çuditërisht kundërshton veten e tij duke thënë se është DAIF në "Daeef Sunan al-Nisai", fq. 164 nr. 287.
Kështuqë kujdes nga kjo rrëmujë!

Nr. 29: (* Fq. 144 nr. 2)
Hadithi i Harmala ibn Amru el-Aslami nga Xhaxhai i tij: "Hidhni guraleca drejt Xhimarit duke vene cepin e gishtit te madh ne cepin e gishtit tregues", ("Sahih Ibn Khuzaima", 4/276-277 nr. 2874).
El-Albani vërteton dobësinë (e këtij Hadithi) në "Sahih Ibn Khuzaima" duke thënë se Senedi është DAIF, por pastaj bjer në kundërshtim me veten e tij duke thënë se është SAHIH në "Sahih al-Jami wa Ziyadatuh", 1/312 nr. 923!

Nr. 30: (* Fq. 144 nr. 3)
Hadithi i Sejidina Xhabir ibn Abdullahut (Allahu qoftë i kënaqur me të): "Është pyetur Pejgamberi (s.a.v.s.) në lidhje me të papastërtinë (pas marrëdhënieve seksuale) [xhunub], a mund të hajë, ose të flejë. Ai tha: 'Po, kur ky person marrë abdest'", (Ibn Khuzaima nr. 217 dhe Ibn Maxhe nr. 592).
El-Albani ka pranuar dobësinë e tij në komentet e tij për "Ibn Khuzaima", 1/108 nr. 217? Por pastaj kundërshton vetveten e tij duke e korrigjuar Hadithin e mësipërm në "Sahih Ibn Maxheh", 1/96 nr. 482!!

Nr. 31: (* Fq. 145 nr. 4)
Hadithi i Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të): "Ena si enë dhe ushqimi si ushqim", (Nesaiu, 7/71 nr. 3957).
El-Albani thotë se është SAHIH në "Sahih al-Jami wa Ziyadatuh", 2/13 nr. 1462? Por pastaj kundërshton veten e tij në "Daeef Sunan al-Nisai", nr. 263 fq. 157? Duke thënë se është DAIF!!!

Nr. 32: (* Fq. 145 nr. 5)
Hadithi nga Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të): "Secili prej jush le të kërkoj prej Allahut për nevojat e tij, madje edhe për rripin e sandaleve nëse i këputet".
El-Albani thotë se Hadithi i mësipërm është HASAN në "Mishkat", 2/696 nr. 2251 dhe 2252? Por pastaj kundërshton veten e tij në "Dajif el-Xhami wa Zijadetuh", 5/69 nr. 4947 dhe 4948?!!!

Nr. 33: (* Fq. 146 nr. 6)
Hadithi nga Ebu Dherri (Allahu qoftë i kënaqur me të): "Nëse dëshironi të agjëroni, atëherë agjëroni në netët e ndritshme të 13-tit, 14-tit dhe 15-tit".
El-Albani e shpalli DAIF në "Daeef al-Nisai", fq. 84? Dhe në komentet e tij për "Ibn Khuzaima", 3/302 nr. 2127? Por pastaj kundërshton veten e tij duke e quajtur SAHIH në "Sahih al-Jami wa Ziyadatuh", 2/10 nr. 1448? Dhe poashtu e përmirësoj atë në "Sahih al-Nisai", 3/902 nr. 4021?!!
Çfarë kontradiksioni i madh!
NB- (El-Albani e ceki këtë Hadith në 'Sahih al-Nisai' dhe në 'Daeef al-Nisai', që vërteton se ai nuk është në dijeni (është i pavetëdijshëm) se çka ka klasifikuar (deri më tani) dhe çka është duke klasifikuar, sa i paaftë!)

Nr. 34: (* Fq. 147 nr. 7)
Hadithi i Sejide Mejmunes (Allahu qoftë i kënaqur me të): "Nuk ka kush që ka marrë borxh dhe që të mos jetë në Dijeninë e Allahut", (Nisai, 7/315 dhe të tjerët).
El-Albani thotë në "Daeef al-Nisai", fq. 190?: "Sahih, përpos tek pjesa al-Dunya". Pastaj ai kundërshton vetën në "Sahih al-Jami wa Ziyadatuh", 5/156? Ku thotë se i tërë hadithi është SAHIH, duke përfshirë edhe pjesën al-Dunya. Çfarë kontradiksion i mrekullueshëm!

Nr. 35: (* Fq. 147 nr. 8)
Hadithi i Burejdës (Allahu qoftë i kënaqur me të): "Pse ju shoh të mbani stoli të banorëve të zjarrit", (Fjala është për unazën e hekurit), [Nesaiu, 8/172 dhe të tjerët].
El-Albani thotë se është SAHIH në "Sahih al-Jami wa Ziyadatuh", 5/153 nr. 5540? Por pastaj kundërshton vetën e tij në "Daeef al-Nisai", fq. 230? Duke thënë se është DAIF!!!

Nr. 36: (* Fq. 148 nr. 9)
Hadithi i Ebu Hurejrës (Allahu qoftë i kënaqur me të): "Kushdo që blen një qilim për tu ulur, ka 3 ditë (mundësi) për ta mbajtur ose (mundësi) për ta kthyer me një tas hurmash të cilat (nga ngjyra) nuk duken të kadifta", (Nesaiu 7/254 dhe të tjerët).
El-Albani e ka konsideruar të dobët për shkak të pjesës '3 ditë'"Daeef Sunan al-Nisai", fq. 186? Duke thënë: "I saktë, përpos për 3 ditë". Por 'gjeniu' kundërshton veten e tij duke e korigjuar Hadithin dhe duke miratuar pjesën e '3 ditëve'"Sahih al-Jami wa Ziyadatuh", 5/220 nr. 5804?
Kështuqë zgjohu (o el-Albani)!!

Nr. 37: (* Fq. 148 nr. 10)
Hadithi i Ebu Hurejrës (Allahu qoftë i kënaqur me të): "Ai i cili e arrin një rekat të vetëm të Namazit të Xhumasë e ka kryer (obligimin e xhumasë)", (Nesaiu 3/112, Ibn Maxhe 1/356 dhe të tjerët).
El-Albani e ka konsideruar atë të dobët në "Daeef Sunan al-Nisai", nr. 78 fq. 49? Ku ai thotë: "I pasaktë (shadh), ku është përmendur e premtja". Ai pastaj kundërshton veten duke thënë se është SAHIH, duke përfshirë edhe pjesën e së Premtes në "Irwa", 3/84 nr. 622.
Allahu të shëroftë!


Dobësimi dhe Vërtetësimi i transmetuesve sipas dëshirës nga Shejh Albani!

Nr. 38: (* Fq 157 nr. 1)
KENAAN IBN ABDULLAH AN-NEHMI:
El-Albani thotë në "Sahihah", 3/481? E tij: "Kenan konsiderohet hasen (i mirë), për shkak se është dëshmuar nga Ibn Me'ijn". El-Albani pastaj kundërshton vetën e tij duke thënë, "Ka dobësi tek Kenaani" (shih "Daijfah", 4/282?)!!

Nr. 39: (* Fq. 158 nr. 2)
MAXHA'A IBN AL-ZUBEIR:
El-Albani e ka konsideruar si të dobët Maxha'a në "Irwa al-Ghalil", 3/242? Duke thënë, "Ky është një sened i dobët për shkak se Ahmedi ka thënë: 'Nuk ka asgjë të keqe me Maja'a', dhe Daraqutni e ka konsideruar atë të dobët".
El-Albani pastaj bëri një kundërshtim në "Sahihah", 1/613? Duke thënë: "Njerëzit e tij (transmetuesit) janë të besueshëm me përjashtim të Maja'a i cili është një transmetues i mirë i Hadithit".
Një kundërshtim i mahnitshëm!

Nr. 40: (* Fq. 158 nr. 3)
UTBA IBN HAMID AL-DHABI:
El-Albani e ka konsideruar të dobët në "Irwa al-Ghalil", 5/237? Duke thënë: "Dhe ky është një sened i dobët (Daif) i cili përmban tri defekte, defekti i dytë është dobësia e al-Dhabi, Hafizi thotë: 'Një transmetues i sinqertë me haluçinacione'".
El-Albani pastaj bën një kundërshtim të qartë në "Sahihah", 2/432? Ku ai thotë në lidhje me një sened i cili përmend Utba: "Dhe ky është një sened i mirë (hasan), Utba ibn Hamid al-Dhabi është i besueshëm por ka halucinacione, dhe pjesa tjetër e transmetuesve në sened janë të besueshëm."!!

Nr. 41: (* Fq. 159 nr. 4)
HISHAM IBN SA'AD:- El-Albani thotë në "Sahihah", 1/325?: "Hisham ibn Sa'ad është një transmetues i mirë i Hadithit". Ai pastaj kundërshton veten e tij në "Irwa al-Ghalil", 1/283? Duke thënë: "Por Hisham ka një dobësi në memorizim (mbajtjen në mend)".
Sa çudi!!

Nr. 42: (* Fq. 160 nr. 5)
UMAR IBN ALI AL-MUKADDAMIJ:
El-Albani e ka konsideruar të dobët atë në "Sahihah", 1/371? Ku ai thotë: "Ai vetë është i besueshëm por ai dikur ishte një falsifikues, gjë që e bën që nuk mund të mbështetemi në të".
El-Albani pastaj kundërshton veten e tij përsëri në "Sahihah", 2/259? Duke e pranuar atë dhe duke e cilësuar si të besueshëm nga një sened i cili përfshin Umar ibn Ali. El-Albani thotë: "Klasifikuar nga Hakimi, i cili thotë: 'Një sened Sahih', dhe el-Dhehebiu u pajtua me të (miratoi,pranoi), dhe është siç kanë thënë".
Çfarë çudie!!!

Nr. 43: (* Fq. 160 nr. 6)
ALI IBN SA'EED AL-RAZI:
El-Albani e ka konsideruar të dobët në "Irwa", 7/13? Duke thënë: "Ata nuk kanë thënë asgjë për al-Razi". Ai pastaj kundërshton veten në një libër 'fantastik' të tij, "Sahihah", 4/25? Duke thënë: "Ky është një sened i mirë (hasan) dhe transmetuesit të gjithë janë të besueshëm".
Kështuqë kujdes!!!

Nr. 44: (* Fq. 165 nr. 13)
RISHDIN IBN SA'AD:
El-Albani thotë në "Sahihah", 3/79?: "Në të (në sened) është Rishdin ibn Sa'ad, dhe ai është shpallur i besueshëm". Por ai pastaj kundërshton vetën e tij duke e deklaruar atë si të dobët (daif) në "Dajifah", 4/53? Ku ai thotë: "Dhe Rishdin ibn Sa'ad është poashtu daif".
Kështuqë hapni sytë!!

Nr. 45: (* Fq. 161 nr. 8)
ASHAATH IBN ISHAQ IBN SA'AD:
Sa burrë i mrekullueshëm na rezulton se është ky "Shejh" El-Albani. Ai thotë në "Irwa al-Ghalil", 2/228?: "Statusi i tij është i panjohur, dhe vetëm Ibn Hiban i besoi atij". Por ai pastaj kundërshton vetën e tij siç e ka edhe shprehi! Sepse ai vetëm transferon nga librat dhe asgjë tjetër, dhe kopjon pa njohuri, kjo është vërtetuar në "Sahihah", 1/450? Ku ai thotë për Ashaath: "I Besueshëm".
Çfarë çudie!!!

Nr. 46: (* Fq. 162 nr. 9)
IBRAHIM IBN HAANI:
I nderuari!! Gjeniu!! Kopjuesi!! E ka shpallur si të besueshëm Ibrahim ibn Hani në një vend dhe pastaj e ka shpallur si të panjohur në një vend tjetër. El-Albani thotë në "Sahihah", 3/426: "Ibrahim ibn Hani është i besueshëm", por ai pastaj kundërshton vetën e tij në "Dajifah", 2/225? Duke thënë se është i panjohur dhe Hadithet nga ai refuzohen!!

Nr. 47: (* Fq. 163 nr. 10)
AL-IJLAA IBN ABDULLAH AL-KUFI:
El-Albani e ka korrigjuar një sened duke thënë se është i mirë në "Irwa", 8/7? Me fjalët: "Dhe Senedi i tij është i mirë, transmetuesit janë të besueshëm, përpos Abdullah al-Kufi i cili është i drejtë". Ai pastaj kundërshton vetën e tij duke e dobësuar (konsideruar të dobët) senedin e Hadithit ku gjendet al-Ixhle dhe e ka shpallur (bërë) atë arsye për shpalljen e tij (Hadithit) DAIF (shih "Daijfah", 4/71), ku ai thotë: "Ixhla ibn Abdullah ka një dobësi". El-Albani pastaj citon fjalët e Ibn el-Xheuziut (Rahimehullah) duke thënë: "Al-Ixhle nuk e dinte se çfarë po thonte."!!!

Nr. 48: (* Fq. 67-69)
ABDULLAH IBN SALIH: KAATIB AL-LEJTH:
El-Albani e ka kritikuar El-Hafiz el-Hajtemin, El-Hafiz al-Sujutiu, Imam Munaviu dhe Muhadithin Abul-Fadl el-Ghimarin (Mëshira e Allahut qoftë mbi ta) në librin e tij "Silsilah al-Daijfah", 4/302? Gjatë kontrollimit të një Hadithi që përmbante transmetuesin Abdullah ibn Salih. Ai thotë në faqe 300: "Si mund të jetë Ibn Salih në rregull dhe Hadithet e tija të mira, megjithëse ka shumë gabime dhe është i pakujdesshëm, (gjë kjo) e cila bëri që disa Hadithe të rrejshme të hyjnë në librin e tij, dhe ai transmeton pa ditur për to"! Ai nuk e ka përmendur që Abdullah ibn Salih është njëri nga njerëzit e Imam Buhariut (d.m.th. të përdorur nga Buhariu), sepse nuk i përshtatet zakonit të tij, dhe nuk e përmend që Ibn Ma'in dhe disa nga kritikët kryesorë të Hadithit i kanë besuar atij.
El-Albani e ka kundërshtuar veten e tij në vende tjera duke i shpallur si të mirë Hadithe që përmbanin Abdullah ibn Salih (në sened), dhe ato janë:
El-Albani thotë në "Silsilah al-Sahihah", 3/229?: "Dhe kështuqë senedi është i mirë, sepse ka koncenzus se Rashid ibn Sa'ad është i besueshëm, dhe poashtu është Abdullah ibn Salih i cili ka thënë gjërat të cilat janë të padëmshme me ndihmën e Allahut"!! El-Albani poashtu thotë në "Sahihah", 2/406? Në lidhje me një sened i cili përmbante Ibn Salihun: "një sened në vazhdimësi". Dhe përsëri në "Sahihah", 4/647?: "Ai është i dëshmuar me vazhdimësi".

Pasha Allahun, kjo është e mjaftueshme nga librat e Shejh Sakkaf për të bindur çdo kërkues të së Vërtetës, e lëre më njerëzit e zakonshëm që kanë pak njohuri në shkencën e Hadithit, se shejh Nasirudin el-Albani nuk kishte ishte dijetari i shekullit në Hadith siç jemi mësuar të dëgjojmë nga pasuesit e tij, dhe se mbështetja në klasifikimet e tij nuk është gjë e mirë, pasiqë padyshim në to ka gabime të panumërta!

Allahu e di më së miri!



Përpiluar nga: Sejfidin Ahmed ibn Muhamed
Përktheu: Fatih IBRAHIMI

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...