Individualizmi, shenjë-vrragë e kohës sonë!



"Diploma është gjysmake nëse në vetvete nuk ka edhe edukimin"!

Njeriu bashkëkohor i është ekspozuar laicizmit e shekullarizmit të vrazhdë, marketingut të skajshëm religjioz, konzumerizmit gllabërues, individualizmit ekstrem. [1]

Si mënyrë e të menduarit rreth lidhjeve të njerëzve ndaj sistemeve sociale dhe rreth vetë natyrës së sistemeve sociale, ka promovuar epërsinë e interesave individuale ndaj atyre shoqërore, kolektive, dhe në fillim është pritur me kundërshtim dhe neveri, sepse perceptohej si derë drejt mosrespektimit të rregullave dhe kontrollit social, si shteg drejt kaosit, përmbysjes besimore, morale, shkencore, kulturore, politike. [2]

Tregu përplot me ligjërata fetare, gjysmë fetare apo ligjërata me pretendime fetare, ku rëndësi ka numri i dëgjuesve apo shikuesve, pamja e ligjëruesit e formalitete tjera të vlerës "kiç" dhe "shund". Shumë pak vërehet etika ndërnjerëzore e komunikimit, përkatësisht ajo etikë që e shohim përmban shumë hipokrizi e formalitet, dhe si rezultat arrin kundërefekt te pala të cilës i drejtohet. Mungon njeriu i mirëfilltë, mungon përmbushja e brendshme e individit. Krijohet përshtypja se sikur teknika dhe përmbajtja 'tallava' dhe efektet tekniko-teknologjike janë gjithë ajo që duhen.

Të gjitha këto që cekëm, dhe të tjera këtu të pathëna, tregojnë gjendjen reale fetare te ne dhe më gjerë por edhe shënjon kontekstin e krizës së përgjithshme të së përshpirtmes, përkatësisht krizën e identitetit musliman e tërthorazi edhe të identitetit nacional. Ndër të tjera, ajo që bie në sy e mendje më së shumti është se nuk mund të ofrohet një përgjigje e plotë. Më e rënda është se një pjesë e konsiderueshme e dëgjuesve, e shikuesve dhe e ligjëruesve janë pajtuar të jetojnë në/me fenomenin e marketingut religjioz, pa e vërejtur që ekspozimi konstant i ndjekjes dhe dëgjimit të ligjëratave fetare krijon ndjenjën e mosartikulimit të mjaftueshëm e bile edhe mashtrimit dhe në fund edhe të dëshpërimit në zemër e shpirt. Sikur nuk e kemi parasysh ajetin kur'anor: "Por njeriu është dëshmitar kundër vetes", (El-Kijameh, 14).

Fushata gjatë ligjëratave, marketingu i vrazhdë dhe i ngurtë, mungesa e shijes dhe sensit për dëgjuesit e shikuesit dhe interesimi për numër sa më masovikë, paraqesin në rend të parë paaftësinë momentale apo zhytjen në atmosferën e përgjithshme të injorancës, në mosvërejtjen e dështimit, të pashpresës se do të mësojë diç të re dhe luftës së pamëshirshme të transformimit në vetvete, të vetvetes dhe rrethit, i cili do të sillte deri te frytet e përshpirtshme, që në mësimin dhe traditën muslimane quhet ihsan. [3]

Mosgatishmëria për transformim rrënjësor (xhihad të madh), ku njeriu menaxhon vetitë negative të tij dhe pasojat që rrjedhin nga këto vese, nuk është rezultat i frikës para një sfide të tillë që nënkupton formësim të një jete krejt të re karshi asaj të deritashme por pasojë e të jetuarit të kulturës e cila komponentin shpirtëror të njeriut dhe bazën frymore të tërë botës e relativizon, përkatësisht e përçmon.

Duhet ta dimë të gjithë se Allahu është krijues i çdo gjëje dhe ai gjësend frymon edhe me natyrën dhe me jetën e tij me Allahun si krijues. Ngado të kthehet njeriu, çfarëdo të prekë, çfarëdo të shijojë do të ndiej gjurmët e 'pranisë' së Allahut dhe do të komunikojë me këto gjurmë. Por, me mekanizmat modernë njeriut i paraqitet bota ku jeton ai, por edhe vetë ai. [4]


* * *


Njeriu vepron mes të mirës dhe të keqes, të lehtës dhe të vështirës, të bardhës dhe të errëtës, mes kësaj dhe asaj bote. Në fund, veprat fizike, intelektuale dhe të përshpirtshme, maten në Mizanin-Peshoren absolute dhe ajo pjesë që peshon përcakton edhe pozitën tonë në Botën tjetër. Kudo të jetë njeriu, kurdo të jetë njeriu është me Krijuesin e vet: "Ai është me ju kudo qofshi. Allahu sheh gjithë çka punoni", (57:4).

Koha në të cilën jetojmë është quajtur nga Muhamedi a.s. ahir'uz-zeman, apo fundi i kohës, e cila kohë do të karakterizohet me disa sfida të rënda. Sfida më e rëndë do të jetë Dexhalli, mashtruesi më i madh. Shfaqjes së tij fizike do t'i paraprijë prania e tij jomateriale, nëpërmjet vegimeve dhe vegimtarëve, fillimi i të cilëve vërehet qysh pas vdekjes së Pejgamberit të Allahut. Derisa magjia dikur luftohej me magji dhe shkatërrohej nga më e forta, në shekujt e fundit ajo nuk shkatërrohet por shtrembërohet, merr formën ezoterike, mistike, abstrakte, duke fshehur thelbin, realen dhe duke prezantuar të mashtrueshmen, jorealen. Ndaj edhe kultura bashkëkohore e edukon njeriun në mënyrë abstrakte, mistike, pa ia treguar thelbësoren, konkreten. Për këtë arsye, një numër besimtarësh, mbledh forcë për të arritur deri te porta e Pranisë së Krijuesit, duke e shqiptuar shehadetin, namazin, agjërimin, duke dëgjuar mësime fetare, por pa e transformuar vetveten, pa i shndërruar vetitë e tij në pozitive. [5]

Një ndër problemet e kësaj gjendje është se ligjëruesi, vaizi, thirrësi për të tërhequr vëmendjen e dëgjuesve përdor batuta, shaka, ndodhi të imagjinuara kurse si protagonist kryesor vetvetja, ose në fjalorin e tij përdor kërcënime mesjetare kishtare, klithma drithëruese, sharje, lot ('krokodili'), skena dramatike hiçkokiane, skena teatrosh hamletiane, duke u shndërruar në show-man të sojit San Remo, e duke harruar përvojën vetjake ndaj Allahut të dashur. Xhemati, dëgjuesi, edhe nëse nuk e ka dijen por edhe sensin për t'i kuptuar të gjitha këto elemente estradeske mashtruese, ai pak nga pak do ta gjej vetveten, ose në izolim ose në ikje jashtë rrethit të deritashëm e në përqafim të një oferte të huaj.


* * *


Si të zgjidhet problemi me vetveten? Cilët janë kufijtë e të nevojshmes dhe të domosdoshmes? A mjafton e ofruara apo duhet gjetur forma tjera, çfarë kemi synuar në të kaluarën? [6]

Institucioni i Bashkësisë Islame nëpërmjet individëve të saj në vazhdimësi përpiqet të ofrojë përgjigje të caktuara në krizën e identitetit të besimtarëve bashkëkohorë. Por, kjo punë është tejet komplekse, sepse është vështirë të identifikohet prioriteti i zgjidhjes dhe aktivitetit. Përkundër problemit kompleks fillimi megjithatë duhet të jetë nga vetvetja dhe kuptimi i ekzistimit të këtij institucioni, shkalla e krizës në të, sistemi i çekuilibruar etj. Funksionimi i institucionit varet nga disa faktorë, sikurse mbajtja e anës një drejtimi ideor apo politik dhe shpërfillja apo anashkalimi i grupit tjetër. Edhe anashkalimi i elementit sufi nga institucioni ka krijuar indiferencë të palës tjetër. Ky indiferentizëm institucional është shfrytëzuar nga faktori i jashtëm për ta copëzuar dhe margjinalizuar Bashkësinë Islame dhe defaktorizuar në rrafshin fetar, shoqëror, kulturor etj.. [7]

Edhe burokratizmi i Bashkësisë zyrtare, veprimtaria statike e saj edhe trendi i individualizmit ndër besimtarët ka shkaktuar largimin e besimtarëve nga feja apo nga interpretimet zyrtare. Kjo gjendje kërkon shumë angazhim, të të gjithëve, me plan dhe program të mirë, drejt hapjes para besimtarëve dhe të interesuarve tjerë. [8]


* * *


Autoriteti fetar në Perëndim qysh moti është degraduar dhe rrezikuar. Kjo gjendje tashmë ka filluar edhe te ne për imamët por edhe për institucionin. Ku do të qëndrojë autoriteti i imamit, mbi tituj, mbi dispozita apo mbi fetva? Si do të mbrohen vlerat tradicionale islame nga ndikimet e huaja por edhe të brendshme nga individualizmi i besimtarit dhe ndikimet tjera.

Duhet shtuar se koha jonë është alergjike ndaj ligjërimeve institucionale, nëpërmjet fetave, opinioneve publike dhe hutbeve të përbashkëta. Klasikja është në opozitë radikale me nevojat e besimtarëve. Besimtarët, shumica e tyre, qysh moti identifikohet me botën virtuale, dhe jo me institucionet tradicionale. Trendi i ri drejt botës virtuale do ta përballë rininë me të panjohura të shumta, me dezorientim ideor, me përvoja të errëta dhe frustrime të shumta psiko-sociale. [9]


* * *


Veteranët e arsimit islam apo intelektualët me zë, të cilët me dekada kanë dhënë angazhimin e tyre, në pikëpamje organizative, fetare dhe akademike, në zhvillimin e muslimanëve dhe shoqërisë në përgjithësi, të cilët njihen në vend dhe rajon, nuk vlerësohen sa duhet. Jo në kuptimin e respektit personal ndaj tyre apo në aspektin material, por në shpërfilljen e përvojës dhe dijes së tyre të jashtëzakonshme. Vlera e tyre është e pavlerësuar, e rëndësishme dhe e braktisur. Ata mund të ndihmojnë në përballjen me sfidat aktuale dhe me urtësinë e pjekurinë që kanë të lehtësojnë gjetjen e më të mirës. Nuk mjafton t'i ftojmë në ndonjë drekë solemne, në një manifestim vjetor, në intervistimin e thatë me ta vetëm sa për të thënë, në shmangien e përgjigjeve të tyre të pakëndshme për ne. Thjesht, pensionimi i tyre nuk do të duhej të ishte edhe largimi i tyre, sepse ne kemi nevojë për dijen e tyre, për urtësinë e tyre, për praninë e tyre.

Edhe një dukuri, përkatësisht gjendje e re flet në favor të konstatimit të sipërm. Ja si: sistemi dhe procesi i arsimit bashkëkohor, i vet filozofisë së shkencës, dita ditës po ndryshon. Me këtë po ndryshon edhe vetë pozita e mësuesit, muderisit, mualimit, imamit, hatibit. Mësimi institucional gjithnjë ka qenë manifestim i grupit sundues, por asnjëherë nuk ka qenë kaq i dehumanizuar, absurd, sipërfaqësor, konfuz. Klasa sunduese, e vogël për nga numri por e kamur për nga pasuria, do t'i thellojë ndarjet në shoqëri, mes të pasurve të skajshëm dhe të varfërve amorfë, të pashpresë por në numër. Kjo shoqëri do të prodhojë njerëz formalisht me diploma të shumta e të larta, por që duken tejet konfuzë, të kufizuar, të zbrazët, të paaftë për të kontribuar në botën e mendimit, në fushën intelektuale. [10]

Nga kjo dhe arsye të tjera, dija, pjekuria, urtësia dhe përvoja e profesorëve të vjetër mund të ndihmojë në të kuptuarit dhe interpretuarit e proceseve të imponuara të vendit apo globale. Po kjo vlen edhe për imamin, hoxhën, mualimin, të cilët tash një kohë të gjatë janë në krizë të identitetit, me apo pa fajin e tyre. Të gjithë duhet të punojmë, sepse dhënia e diplomës studentit në bachellor, master apo doktoratë nuk është vetëm letra e dekoruar, por edhe edukimi, përgatitja për një jetë të përgjegjshme, morale, pa e lënë anash dinamikën e jetës, thellësinë dhe shumëpërmasat e problemit, ecuritë teknike-teknologjike etj. Së bashku bëhet punë, individualisht do të tretemi dhe zhdukemi në valët e oqeanit të quajtur globalizëm. [11]



Autor: Nexhat IBRAHIMI



_________________________

[1] - Individualizmi është trajtimi i individit dhe i çështjeve të tij si të ndryshme prej grupit social dhe problemeve të këtij. Sipas: Ali Pajaziti, Fjalor i sociologjisë, Logos-A, Shkup, 2017, fq. 260. Pajazit Nushi, Leksikon i psikologjisë, I, Prishtinë, 2014, fq. 361-352.
[2] - Ali Pajaziti, po aty, fq. 260.
[3] - Nexhat Ibrahimi, Fjalor Enciklopedik Islam, Logos-A, Shkup, 2018, fq. 376-378.
[4] - Shih: S. Beglerovi, në: https://www.preporod.com/index.php/intervju/item/10791-danasnja-kultura-temelji-se-na-snaznom-individualizmu-pojedinac-znaci-instituciju-za-sebe?fbclid=IwAR3VoTamlKv3G-nnJrb6qn8vXxym-RCpJfNzllYvVhprrjKnY2U6sGYIt-o.
[5] - Shih: S. Beglerovi, po aty.
[6] - Disa intelektualë pohojnë se "individualizmi është shpëtues i shoqërisë perëndimore" (Niall McCrae, në: http://konzerva.hr/2019/01/24/mcrae-sukob-civilizacja-individualizam-je-spasitelj-zapadnog-drustva/, mirëpo absolutizimi i një ideologjie do të çojë në një monizëm, të ri, në një anarkizëm, me pasoja të rënda individuale dhe grupore. Në vend të një opsioni, prioriteti duhet t'i takojë edhe individit, si krijues kryesor i shoqërisë, por edhe shoqërisë, si fole, ku individi gjen perspektivën. Shih: Muamer Halilovi, Sociologizam ili individualizam, në: http://www.centarkom.rs/wp-content/uploads/2018/06/Sociologizam-ili-individualizam-o-polazi%C5%A1tu-socijalne-misli-Murteze-Mutaharija.pdf.
[7] - Duke shfrytëzuar këtë gjendje e me qëllime politike e ideologjike, në Kosovë elementi sufi tashmë identifikohet si religjion në vete, ka subjekt të vetin politik, identifikohet me specifikat e veta, edhe pse si burime fetare-besimore ka po ato burime dhe po ato personalitete.
[8] - Një vepër mjaft e mirë: Zahra Al-Zeera, Tërësia dhe shenjtëria në edukim - Një perspektivë islame, në proces botimi.
[9] - Shoqëritë moderne karakterizohen prej nivelit më të lartë të individualizmit sesa shoqëritë tradicionale. Sipas: Ali Pajaziti, po aty, fq. 260.
[10] - Shih: Zahra Al-Zeera, Tërësia dhe shenjtëria në edukim - Një perspektivë islame, po aty.
[11] - Për aspektet e ndryshme shih: Individualizam (ed. Suzana Ignjatovi, Aleksandar Boskovi), Beograd, 2017.

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...