A e adhurojnë muslimanët Qabenë?



Pyetja:

Kur Islami është kundër adhurimit të idhujve, pse atëherë Muslimanët falen dhe përkulen drejt Qabesë gjatë namazit të tyre?


Përgjigjja:

Qabja është Kibla, i.e., drejtimi, nga i cili Muslimanët i kthejnë fytyrat gjatë namazit (i.e., të falurit) të tyre. Është e rëndësishme të theksohet se edhe pse Muslimanët gjatë të falurit i kthejnë fytyrat nga Qabja, ata nuk e adhurojnë atë. Muslimanët nuk e adhurojnë dhe nuk i përkulen askujt tjetër, pos All-llahut të Madhërishëm.

Në Kur'anin Fisnik thuhet: "Ne shumë herë po shohim kthimin e fytyrës tënde kah qielli, e Ne gjithqysh do të drejtojmë ty në drejtim të një kibleje (Qabja) që ti e do atë. Pra kthehu anës së xhamisë së shenjtë (Qabes), dhe kudo që të jeni (o besimtarë) kthehuni kah ajo anë ...", (El-Bekare: 144).


1. Islami beson në unitet dhe e nxit atë

Për shembull, nëse Muslimanët duan që të falen, pra ta kryejnë namazin, ka mundësi që disa prej tyre të dëshirojnë të kthejnë fytyrat e tyre nga veriu, disa nga jugu, etj.. Në mënyrë që të bashkohen Muslimanët në audhurimin e Një Zoti të Vërtetë, ngado që mund të jenë, atyre u kërkohet që të kthejnë fytyrat e tyre vetëm nga një drejtim, i.e., drejt Qabes. Nëse disa Muslimanë jetojnë në perëndim nga Qabja, ata i kthejnë fytyrat në drejtim të lindjes. Ngjashëm, nëse ata jetojnë ne lindje nga Qabja, i kthejnë fytyrat në drejtim të perëndimit.


2. Qabja gjendet në Qendër të Hartës Botërore

Muslimanët ishin të parët që e vizatuan hartën botërore. Ata e vizatuan hartën me jugun që qëndronte lart dhe veriun poshtë. Qabja ishte në qendër. Më vonë, hartografët perëndimorë e vizatuan hartën kokëposhtë, me veriun që qëndronte lart dhe jugun poshtë. Megjithatë Qabja, Elhamdulil-lah, është në qendër të hartës botërore.


3. Tavafi rreth Qabes dëshmon ekzistimin e një Zoti

Kur Muslimanët shkojnë tek Mesxhidi Haramit në Mekke, ata bëjnë tavaf ose sillen rreth Qabes. Ky akt simbolizon besimin dhe adhurimin e Një Zoti të Vetëm, meqë, mu sikur që çdo rreth ka një qendër, po ashtu ekziston vetëm Një All-llah xh.sh. që meriton të adhurohet.


4. Hadithi i Ummerit (radijall-llahu anhu)

Në lidhje me Gurin e Zi, pra El-haxherul-esvedin, ekziston një hadith (transmetim), që i atribuohet shokut të shquar të Pejgamberit Muhammed (s.a.v.s.), Ummerit (r.a.).

Sipas Sahihut të Buhariut, Volumi 2, Libri i Haxhxhit, Kapitulli 57, Hadithi 1605, Ummeri (r.a.) ka thënë: "E di që ti je një gur dhe nuk mund të sjellesh as dëm e as dobi. Sikur të mos e kisha parë Pejgamberin (s.a.v.s.) duke të të prekur (dhe puthur), kurrë nuk do të të kisha prekur (dhe puthur)".


5. Njerëzit qëndruan mbi Qabe dhe thirrën Ezanin (Thirrjen për Namaz)

Në kohën e Pejgamberit (s.a.v.s), njerëzit qëndruan madje edhe mbi Qabe dhe thirrën Ezanin ose thirrjen për Namaz. Lind pyetja në adresim të atyre që pretendojnë se Muslimanët e adhurojnë Qaben, cili adhurues i idhujve qendron mbi idhullin, të cilin e adhuron?! Pra, s'ka logjikë, apo jo?



Shqipëroi: Daim ABAZI
Burimi: www.irf.net

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...