Kush ka Lindun Sod?
("Mirë se vjen, Resul i pritun - Mirë se vjen për botën mbarë")



Po ç'më kujton e ç'më bjen ndër mend këjo pyetje?

Kjo pyetje asht qi më kujton shum gjana, prej të cilave dalin shum të tjera.

Lindje! E dijmë mjaftë mirë se çka don me thanë kjo fjalë. Por qëllimi i em, ktu asht për lindjen e Atij, i cili qe i vetmi pris i njerzimit në lamë të lumnis, a po ma mirë të thomi: ma i madhi njeri i botës.

Me të vërtetë kur thomi lindje, e kuptojmë se ç'don me thanë, por kjo lindje qe e mrekullueshme. Të spjegohemi pakës. Kur Ebreheja kishte avit turmat e ushtris tri ditë afër Meqes dhe kishte dërgue njerzë aty për me lajmue qëllimin e ardhjes së tij, qëllim ky, qi ishte jashta vullndesës së Perëndis, pse donte me shembë Qaben, njerëzit e ktij anmiku ndër ato ditë kishin zanë disa deve qi kishin qenë t' Abdyl Myt-talibit, i cili vet personalisht shkoi për me i kërkue.

Ebreheja, qi e dinte mirë se ç'randsi kishte Ai ndër ato krahina, i thotë: "Sa randsi po i ep deveve t'ua, kur se na kemi ardhë për me shqymë Qaben". Ai ju përgjegj: "Devet janë të mijat, prandaj i ap ate randsi e sa për Qaben, Atë e mpron Zoti vet". Ma në fund Kurejshit liruen Meqen e Abdyl Myt-talibi ju avit Qabes e ju lut Zotit ksisojit: "O Zot, kjo asht Shpija e Yte e na nuk jemi të zotët m'e mprojtë, mproje Ti, O Zot!". Mbas pak kohe kësajë ushtrie i ra sëmundja e lis dhe u zhgatrue fare pa e plotsue qëllimin e vet. Kur-ani i Shejt tuj folë mbi kët ngjarje thot: "Elem tere qejfe feale rab-buqe bias'habi-lfili ..."

Qi d.m.th. "A nuk e pe ç'ju punoj Zoti njerzve t'elefantit?"

Kjo asht nji prej mrekullinave qi ka ndodhun, kur ka lindun Shpëtuesi i njerzimit.

Të vijmë në mrekullin e fëminis: Si mbas zakonit arab fëmive nuk u apin mamat qumsht. Në vitin 571 mbas Krishtit kishin lindun mjaft fëmi qi, të gjith ato i kishin marrë gratë e atyne fiseve, të cilave u paguhej nga nji rrogë e caktueme si mbas pasanis qi kishte ajo familje qi e epte atë fëmi.

Po në kët kohë kishte lindun edhe Ai njeri i naltë, të cilin nuk deshtën qi t'a merrshin, pse ishte i vobekt. N'at kohë erdhë nji grue prej fisit Sa'd; por se kjo grue ishte e vobekt në qumsht, sa qi nuk mund t'ushqete po thuej as fëmit e vet. E muer Atë fëmi e, por sa e vuni në gji, i dha qumsht të mjaftë; gjithashtu edhe delet e shtëpis të sajë e shtuene qumshtin për mrekulli.

Të vijmë në mrekullin e Profetsis: Kur i erdhë Profetsija në shpellën e Hira-s, ju duk Xhebraili dhe i tha: "Këndo"! Ju përgjegj: "Nuk dijë me këndue", kjo bisedë vazhdoj për tri herë rresht, mandej kënduen s'bashkut suren e Alek-ut.

Kuej i drejtohet ky urdhun? Tjetër kuej jo, për veç se atij qi din të lexojë. A s'asht nji mrekulli edhe kjo në mes të sa e sa të tjerave?

Të vijmë në mrekullin e madhe qi na la e qi asht edhe sod: Po kush asht kjo mrekulli? Asht Kur-ani i Shejt, të cilin sod e kemi në dorë, qi kur delte prej Asajë goje t'urueme, pritej me duer haptë dhe rranjosej ndër mend t'asëhabeve të ndershëm. Ajo letratyrë e naltë e Kur-anit asht qi ka mund të gjithë poetnit ma të mdhaj t'asaj kohe, asht qi mund të tashmit edhe t'ardhshmit deri në ditën e fundit.

Po kush asht ky qi ka lindun në këtë hanë? Asht Hazreti Muham-medi (Paqi i Zotit qoft mbi Te), qi mbas gjurmave të Tij sod bota po udhton.

"Mirë se vjen, Resul i pritun
Mirë se vjen për botën mbarë
Zoti të ka porositun,
T'a udh-heqish pa e ndarë."


-----

"Mirë se vjen Mëshira e Zotit,
Mirë se vjen Nuri i Tij,
Ti je shpresa e Kahmotit,
Vetëm Ti je, vetëm Ti! ..."


Cillsija ma karakteristike e Tij asht, pse u ka diftue njerzve se si lypset me punue në ç'do rrugë të jetës së tyne e, ma tepër asht të vumit, për të gjallë të vet, në zbatim rregullat qi ka caktue për udhzimin e njerzis.

Qe pra arsyja qi naltson Pejgamberin t'onë mbi të gjith udh-heqsit qi ka pa fëtyra e tokës.



Autor: Hysni Bushati, Revista: "Zani i Naltë",
viti V, qershor-korrik, 1933, nr. 10-11, fq. 728-730.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...