Bullgaria në rrezik nga vahabizmi



Bullgaria ka shprehur alarmin lidhur me përhapjen e sektit të vahabizmit në radhët e besimtarëve mysliman në këtë vend.

Afër 13 për qind të popullsisë së këtij vendi janë mysliman, ndërsa Bullgaria tashmë është edhe njëri ndër vendet me përqindje më të lartë të popullësisë së këtij konfesioni në kuadër të BE-së.

Gjatë pesë viteve të fundit në këtë vend, kryesisht në vendbanime fshati janë ndërtuar më shumë se 150 xhamia të reja. Shqetësim për Qeverinë e këtij vendi është mbështetja e fuqishme financiare nga organizatat islamike që kanë si qendër vendet islamike, kryesisht Arabinë Saudite.

Shërbimi informativ bullgar dyshon se imami i një xhamie në fshatin Sarnicë, Said Mutlu është pjesëtarë i organizatave radikale islamike. Por ai ka mohuar se predikon islamizmin radikal dhe vlerëson se akuzat janë absurde.

"Është vetëm një fe islame dhe një rrugë e vërtetë. Nuk mund të kuptojmë se çka është radikale ajo që ne po bëjmë, kur po tentojmë që të aplikojmë një vetëdije të re, të pastër dhe religjioze", theksoi imami Said.

Shërbimi informativ bullgar ka zbuluar se në pjesën më të madhe të xhamive ka shkolla. Një shkollë e tillë në një xhami u urdhërua për tu mbyllur, pasi që ajo ishte financuar nga organizata Al Vak fal Islami nga Holanda, e cila është e ndaluar për shkak të pjesëmarrjes në sulme terroriste.

Udhëheqësit fetar të Bashkësisë Fetare Islame në Sofje kundërshtojnë dyshimet e shtuara lidhur me radikalizmin e fesë. Kryetari i këtij komuniteti, Mimin Birali thekson se ka tentime për radikalizim, mirëpo sipas tij, ato vijnë nga jashtë.

"Ne jemi qytetarë lojal të vendit tonë, edhe pas shtypjes që kemi pësuar gjatë regjimit komunist", theksoi myftiu.

Javën e kaluar në qytetin Pazarxhik filluan hetime dhe operacione të fshehta policore tek disa imam nëpër fshatrat e banuar me mysliman, ndësa janë vënë në shënjestër edhe kryetarët e komunave. Lidhur me këto operacione nuk janë dhënë detaje, mirëpo ato po hetohen lidhur me mundësinë e lidhjeve me strukturat radikale.

Myslimanët në Bullgari janë kryesisht ata që i përkasin kombësisë turke dhe një pjesë e ashtuquajtur si pomakë, gjegjësisht bullgar të islamizuar.



Përgatiti: ina, prill 2011.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...