Vehabitët parakalojnë nëpër trojet arbërore



Një kohë të gjatë kam hezituar t'i qasem fenomenit të "vehabizmit" e "vehabistëve" tanë shqiptarë (heu shqiptarë u thënçin!), që ka afro dy dekada që kanë lëshuar rrënjë në trojet tona ilire-dardane-shqiptare. Kam hezituar thjesht nga fakti se kam menduar që me këtë problematikë merret aktualisht Uashingtoni, alias administrata e Bushit. Por ama fenomeni "vehabizëm" veç ka filluar të marrë vërtet përmasa jashtëzakonisht të mëdha dhe alarmuese në të gjitha trojet tona arbërore në vend dhe jashtë, në botën perëndimore. Ata kudo që t'i shohësh të bien në sy me excentrizmin e tyre në çdo pikëpamje: 'me mjekra të gjata, me fustanella aziatike o me pantallona (shallvare) të shkurtra, gratë dhe vajzat e tyre të veshura në të zezë - me perçe (që kallëzojnë imazhin e kalluxherkave sllavo-ortodokse), si edhe jashtëzakonisht radikalë e vulgarë në fjalorin e tyre'.

O Zot, vetëm edhe devetë u mungojnë t'i marrin nga shkretëtira, kuptohet për të plotësuar, sipas tyre, besnikërisht e pikë për pikë "synetin" e Profetit! Prandaj edhe me të drejtë shkupjanët i quajnë "mjekroshë", "selamalejkimë", "muxhahedinë", "talebanë", etj.. Excentrizmi i tyre vërtet është jashtëkohor e jashtëhapësinor për rrethanat tona evropiane, madje edhe për rrethanat e traditat tona kombëtare. Fundja, komplet doktrina, ideologjia dhe praktika e tyre radikale e ekstreme fetare bie ashiqare ndesh me doktrinën dhe praktikën tonë fetare, që ndër shekuj është rrënjosur në trojet tona qysh kur gjyshërit tanë pranuan fenë islame.

Vehabistët tanë kanë për synim të çrrënjosin ndër të tjera doktrinën tonë tradicionale fetare, alias medhhebin hanefit (medhheb: shkollë juridike fetare), duke implementuar kështu në universin tonë fetar doktrinën rigjide të "vehabizmit". Shih absurdin, dëshirojnë të zhdukin mësimet jashtëzakonisht tolerante e racionale të mezëhebit tonë hanefit, e t'i zëvendësojnë ato me mësimet tepër ekstreme, bajate, infantile e irracionale të vehabizmit saudit. Kështu ata me paraqitjet e tyre të përçudnuara dhe propagandën e tyre janë duke krijuar një pështjellim, tollovi e rrëmujë të paparë kudo trojeve tona: nëpër xhami, rrugëve, kuluareve, nëpër ceremoniale e kremte fetare, në media elektronike e të shkruara, nëpër faqe interneti, etj..

Pashë Zotin po çfarë na duhet neve shqiptarëve vehabizmi saudit, që si rrymë ideologjike-fetare mohon të studiuarit e filozofisë së përgjithshme dhe asaj islame nëpër Universitetet e Arabisë Saudite? Mohon racionalizmin, moderacionin dhe intelektin njerëzor? Kjo sepse sipas tyre na qenkësh "haram" myslimani të mendojë me kokën e vet! (Ç'mjerim, o Zot!).

Çfarë na duhet "talebanizmi" afganistanez që edhe stadiumet sportive i shndërronte në gjykata krimi e ndëshkimi për femra dhe ndalonte rreptësisht mbajtjen e radiove, televizorëve dhe kompjuterëve nëpër shtëpitë myslimane në prag të mileniumit të tretë ?! Ç'na duhet ky sekt që kudo që është futur ka mbjellë përçarje, hasmëri dhe luftë vëllavrasëse? Ç'na hyn në punë kjo ideologji fetare nihiliste që mëton të zhdukë çdo gjurmë të kulturës dhe qytetërimit të popujve; kjo ideologji që mohon çdo vlerë kombëtare, që mohon çdo thesar të trashëgimisë historike të fesë dhe të kombit?

Alarmi veç është ndezur: aty-këtu në Kosovë vehabitët tanë maskarenj përdhosin "në emër të fesë" varrezat tona, përmendoret tona! Kjo është vërtet tmerruese dhe brengos shumë. Nëse s'ndërmerret gjë në parandalimin e këtyre akteve vandale nga institucionet tona, druaj se nesër do të bëhet shumë vonë. Për mendimin tim, ka shumë faktorë që stimulojnë shtrirjen dhe masovizimin e ideologjisë vehabite te shqiptarët. Me këtë rast do përmendi, kuptohet nga këndvështrimi im, ca nga faktorët më kryesorë.

Së pari: indolenca, amullia, pasiviteti herë-herë i skajshëm dhe mosuniteti i teologëve dhe parive fetare islame tek ne kanë shkaktuar të çara dhe vakuum të madh, të cilin po e shfrytëzojnë me takt, racionalisht dhe në kohë vehabitët tanë.

Së dyti: njohja e dijet tepër sipërfaqësore dhe shumë të cekëta të besimtarëve tanë shqiptarë rreth doktrinës së shkollës sonë juridike hanefite (se lëre më edhe për tri shkollat tjera juridiko-fetare tradicionalisht të mirënjohura në botën myslimane: shafiite, hanbelite dhe malikite), në veçanti, dhe fesë islame, në përgjithësi. Shih në këtë drejtim rryma vehabite më së shumti ka pasur dhe akoma ka sukses në Shqipëri, pasi që atje pas një periudhe të gjatë ateizmi gjeti terren më të përshtatshëm për të vepruar dhe për të ndikuar njëkohësisht me propagandën e vet sofistike.

Së treti: antivlerat e sekularizmit modern, pasojat e materializmit vulgar e ekstrem, si p.sh., narkomania, prostitucioni, pedofilia, kanibalizmi, lëvizja hipite, pornografia, ekzibicionizmi e shumë e shumë pseudovlera të tjera kanë shpënë shumë të rinj tanë në kaos, në labirint, në theqafje. Ata për çdo ditë kërkojnë rrugëdalje nga ky kaos. Çuditërisht shumë prej tyre shpëtimin e gjejnë në religjion. Në cilin religjion? Natyrisht në atë religjion, apo thënë më drejt, në ato sekte religjioze që kanë instruksionet më rigoroze, që janë më dogmatike e më ekstreme. Mjerisht, shikuar nga këndi psikologjik, meqenëse kanë qenë rast patologjik në shoqëri në të kaluarën e tyre të mjerë, ata të tillë ngelin, prandaj, edhe kur involvohen në rrethe religjioze, janë patologjikë. Ekstremizmi, sikundër thuhet rëndomë, cyt ekstremizmin tjetër. Së këndejmi ne, prandaj, për çdo ditë e më shumë vërejmë shumë narkomanë, hajdutë e bashibozukë të djeshëm te predikojnë sot fe, islam, madje-madje edhe "xhihad" rrugëve të Ilirisë, me turlifarë veshjesh arabo-aziatike dhe me një fjalor tejet brutal. Për më tepër ky fenomen nuk gjen shprehje vetëm në botën shqiptare. Ky është një fenomen universal. Në botën perëndimore numri i sekteve satanike dhe ekstreme dhe i anëtarësisë së tyre sa vjen e shtohet për çdo ditë. Veçmas janë të ditura vetëvrasjet kolektive nëpër tempuj fetarë dhe orgjitë kolektive seksuale të hedonistëve "religjiozë".

Dhe, së katërti: faktori socio-ekonomik. Me shembjen e sistemit soc-realist komunist, veçanërisht pas përfundimit të luftërave, në trojet tona etnike u infiltruan shumë shoqata humanitare arabe-islame, që nën petkun e humanizmit e bujarisë propagandonin idetë e tyre sektare, duke ua kushtëzuar varfanjakëve shqiptarë ato pak ndihma që shpërndanin me kalim "në një fe të re" (!?), me kalim nga, sipas tyre, një "fe e devijuar" (nga mezëhebi hanefit) në "islamin burimor ortodoks" (në vehabizmin binladenian)! Në këtë kontekst ata kanë themeluar qindra objekte kulturore-arsimore islame gjithandej viseve tona etnike, nëpër të cilat organizojnë kurse të ndryshme edukativo-arsimore islame gratis për rininë tonë. Në këtë rrafsh ata po ushtrojnë ndikim të madh në binladenizimin e të rinjve shqiptarë.

Shto këtu edhe pozitën e mjerueshme ekonomike të administratave fetare-islame tek ne dhe të stafit të tyre kadrovik (pagat e ulëta të imamëve, myezinëve dhe mësimdhënësve të fesë). Për rrjedhojë, mjerisht një numër jo i vogël i teologëve e imamëve tanë janë bërë viktimë e propagandës vehabite. Paguhen me rroga të majme nga qarqe vehabite të botës arabe me qëllim të shtrirjes së ideologjisë së tyre në botën shqiptare. Ky pohim imi nuk është thashetheme a frazë kuturu, porse është një vërtetësi e kulluar dhe e dokumentuar mirë.

Jo rrallë herë më ka rastisur t'u them troç vehabitëve laikë shqiptarë (që mendojnë se janë bërë më "myslimanë" se profeti vetëm me të lëshuar të një mjekre të llahtarshme e me të lexuar të dy a tri broshurave fetare!): "Ju jeni ca "puçrra" të vogla në krahasim me megabosët tuaj, në krahasim me ca çallmaxhinj - tradhtarë këta të fesë së tyre stërgjyshore, të cilëve ua zë fajin më së shumti. Kjo thjesht sepse ata janë shkaktarë të gjithë kësaj rrëmuje e dramaciteti që është krijuar në universin tonë fetar". Alarmi veç është ndezur: dhjetëra xhami trojeve të Ilirisë janë uzurpuar nga vehabitët! O Zot, kjo është tmerr! Xhamia monumentale historike në Shkup "Jahja Pasha" ka rënë në duart e tyre. Xhamia e re pitoreske në lagjen e Dizhonit (komuna Çair) veç kundërmon erë "vehabizmi", qysh nga themelimi. E shumë, e shumë xhami të tjera.

Pikësynimi i tyre nuk përfundon këtu. Kjo është vetëm një nga objektivat e aktivitetit të tyre për të kulmuar me marrjen nga brenda të kështjellave islamike, përkatësisht të administratave fetare në Gadishullin Ilirik. Qysh herët kam paralajmëruar rrezikun e shndërrimit të bashkësive tona fetare në "butik" shallvaresh e fustanellash (a ruana Zot), në "ahure" a grazhd devesh! Në këtë drejtim estabilishmenti ynë fetar-islam duhet të tregojnë syçeltësinë dhe përgjegjësinë më të lartë për të mos rënë në grackat e tyre perfide.

Qysh në vitin 1995 më qe ndaluar me një censurë të hekurt prezentimi i referatit tim "Sektarizmi fetar ndër shqiptarë myslimanë në dobi të pansllavizmit", në seminarin shkencor "Feja Islame në Shqipërinë post-komuniste", organizuar në Durrës nga një shoqatë kulturore-islamike. Këtë e kuptova pasi mora vesh se ky seminar organizohej nën patronazhin e një shoqate "vehabite" arabe. Këtë rast po e përmendi thjesht për faktin se qysh në atë kohë pata theksuar të gjitha rreziqet që prodhon në hapësirën shqiptare fenomeni "vehabizëm". Dorën në zemër, s'është e rastësishme paraqitja e "vehabizmit" tek ne pikërisht në kohën më të pakohë për kauzën tonë kombëtare, kur na kanosej rreziku, madje, edhe deri në zhbërje biologjike. Fare normale, se këtë fenomen të pështirosur do ta tolerojë estabilishmenti politiko-ushtarak e policor sllavo-ortodoks kudo trojeve tona etnike, për arsye se "vehabizmi" i bën argatinë prej djalli pansllavizmit, duke bërë, nga njëra anë, që shqiptarët të çajnë kokën mes vete me cikërrima e dokrra fetare të llojit binladenian, dhe, nga ana tjetër, duke u veshur shqiptarëve imazhin e "fundamentalizmit islamik" në agjendat ndërkombëtare.

Kjo s'do mend, meqë kështu ka qenë qysh në fillimet e para të paraqitjes në skenë të kësaj rryme në shkretëtirën saudite në fillim të shekullit XVIII nga themeluesi i saj Muhamed bin Abdul-Vehab. Qysh këtë periudhë kohore, ky farë alamet dijetari pati dhënë "fetvanë" e lejimit së bashkëpunimit politiko-ushtarak në mes myslimanëve sauditë dhe të krishterëve anglo-francezë për të luftuar me Perandorinë Osmane.

Është me relevancë të theksohet fakti se pikërisht këso periudhe në ndihmë ushtrisë së Sulltanit, kuptohet me kërkesë të tij, do t'i vihet Valiu i Egjiptit, Muhamet Ali Pasha, ky burrë i madh shqiptar, i cili me një trimëri të rrallë me ushtrinë e tij do të shuajë me gjak kryengritjen e vehabitëve të fanatizuar sauditë.

Vehabitët shqiptarë janë punëtorë të zellshëm. Ata i zbatojnë me pedanteri të gjitha urdhëresat që i marrin nga sheikët arabë. Themelojnë shtëpi botuese, në të cilat botojnë tituj librash me tematikë vehabito-selefiste, madje dhe gazeta e revista të këtij lloji; prodhojnë videokaseta e CD të ndryshme, hapin faqe të veçanta interneti dhe një varg aktivitetesh të tjera me qëllim të masovizimit të anëtarësisë së tyre. Ah! Edhe ajrin na e kanë ndotur, se lëre më tjerat!

Optimizmi im qëndron në faktet vijuese: Të gjitha organet administrative fetare-islame në trojet tona kanë ligjësuar në mënyrë decidive nëpër kushtetutat e statutet e tyre të praktikuarit përjashtimisht të mësimeve të shkollës juridiko-fetare HANEFITE; shumica absolute e inteligjencies islame tek ne, teologët pra, është e rreshtuar në këtë vijë; nga mësimdhënësit fetarë nëpër medresetë dhe fakultetet teologjike tek ne predikohet e favorizohet doktrina jonë mezëhebore - kështu qëndron edhe me shumicën e mejtepeve mësonjëtore të xhamive tona (përjashto këtu ato që gjenden nën kthetrat e "mjekroshëve"); si dhe shumica e besimtarëve tanë shqiptarë, kudo në vend dhe jashtë në diasporë, ritet fetare i praktikon, pa dilemë, konform doktrinës sonë hanefite. Së këndejmi, të gjitha veprimet jashtë kësaj, të gjitha veprimet vehabito-selefiste janë, në fakt, veprime subverzive, jashtinstitucionale, herë-herë mbase edhe të nëndheshme.

Sikundër theksova edhe më parë, mezëhebi ynë është më tolerant, më racional dhe më pedant. Besa mirë, po vallë toleranca, racionalizmi, pedanteria nuk janë tipare dalluese të etnopsikologjisë së nacionit tonë?

Shyqyr Zotit që jemi "hanefitë". Të këtillë jemi shumë më afër Evropës e Amerikës dhe përgjithësisht më afër vlerave kulturore-qytetëruese botërore.



Autor: Zekerija IDRIZI - teolog

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...