Namazi i Teravisë - mësimet, rregullat dhe dispozitat



Namazi i teravive në esencë është namaz që i takon grupin të namazeve nafile, që dispozita e këtij namazi është Sunnet i fortë (Sun-neti Muek-kede) si për meshkuj, ashtu edhe femrat kurse falja e këtij namazi me xhematë është sunneti muekkede. Ky lloj i namazit është karakteristikë e e veçantë e muajit të Ramazanit të begatshëm, kurse koha e faljes së namazit të teravisë është pas namazit të jacisë, por para namazit të vitrit, e deri pak para namazit të sabahit. Pejgamberi s.a.v.s. për namazin e teravive ka thënë: "Vërtetë Ramazani është muaji që Allahu xh.sh. ua obligoi agjërimin e tij, kurse unë muslimanëve ua bëra sunet faljen e namazit të teravive, andaj kush e agjëron (Ramazanin) me bindje dhe besim të thellë dhe me qëllim që të arrijë shpërblimin e All-llahut xh.sh., ai pastrohet nga mëkatet sikur at ditë që e ka lindur nëna e vet". [1]

Përmes këtij hadithi i Dërguari i Allahut s.a.v.s. përveç faktit se na informon për obligueshmërinë e agjërimit dhe dispozitën e faljes së namazit të teravisë, në mënyrë të tërthortë, përmes bashkimit të agjërimit dhe namazit të teravisë në një vend, na tregon edhe për rëndësinë dhe dobitë e namazit të teravisë, edhe pse dispozita e këtij namazi nuk e arrinë shkallën e farzit. Pra, nëse besimtari islam, arrinë që brenda ditës së Ramazanit të kompletojë agjërimin e tij, kurse brenda natës arrinë që të kompletojë faljen e namazit të teravisë, atëherë konsiderohet se ka arritur që me sukses të përmbyllë një ditë të jetës së tij tërësisht të zhytur në adhurim, ditën përmes agjërimit dhe natën përmes namazit. Kjo punë edhe pse në shikim të parë duket e këndshme dhe e lehtë, në realitet është punë e vështirë dhe sakrificë e cila nuk mund të arrihet pa një besim-iman të fuqishëm dhe stabil në Allahun xh.sh. dhe pa një bindje stimuluese për shpërblim nga Allahu xh.sh., andaj i Dërguari i Allahut s.a.v.s. na tregon se besimtari i cili bënë përpjekje për të arritur këtë shkallë, shpërblimi për mundin dhe sakrificën e tij është kapital, sepse ai me këto veprime të harmonizuara shkëputet nga bota e mëkateve dhe transferohet në një botë krejtë të re, pa mëkate, ashtu sikur që fëmija është i pastër nga mëkatet ditën kur lindë nga nëna e tij.


Koha ligjësimit të namazit të teravisë

Transmetohet nga Aisheja r.a. se Pejgamberi s.a.v.s. një natë prej netëve të Ramazanit (pas namazit të jacisë) doli në xhami dhe u fal, pastaj edhe njerëzit tjerë u falën bashkë me të (Pejgamberin s.a.v.s.). Natën e dytë dhe të tretë u shtuan xhemati, kurse natën e katërt pasi u grumbulluan shumë njerëz (për tu falur me Pejgamberin s.a.v.s.) ai nuk u doli në xhami. Në mëngjes pas namazit të Sabahit, Pejgamberi s.a.v.s. iu drejtua njerëzve me një fjalim të shkurtë dhe mes tjerave u tha: "Unë nuk dola (mbrëmë në xhami) sepse u frikova se po u bëhet obligim (farz) ky namaz e me të rëndoheni ju". [2]

Duke u mbështetur në këtë hadith dhe disa të dhëna tjera, disa nga dijetarët islamë janë të mendimit se namazi i teravisë është ligjësuar në vitin, respektivisht Ramazanin e fundit të Pejganmberit s.a.v.s. sepse nuk kemi ndonjë transmetim tjetër i cili vërteton se Pejgamberi s.a.v.s. pas kësaj ngjarjeje ka falur namazin e teravisë në xhami, apo të ishte pyetur Pejgamberi s.a.v.s. për këtë lloj të namazit. Për ligjshmërinë e namazit të teravisë argumentojnë shumë hadithe të Pejgamberit s.a.v.s. e për këtë ekziston konsenzus i dijetarëve islam. Ligjësimin e teravisë e kundërshtojnë vetëm Havarixhët. Imam Neveviju thotë: "namazi i teravisë është sunet sipas konsenzusin të dijetarëve", kurse imam Serahsiju thotë: "Ekziston konsenzus i ummetit islam se namazi i teravisë është sunet", dhe këtë nuk e kontestoi askush përveç Rafidive, dhe atyre u baskangjitet edhe një grupacion nga vehabit të cilët kontestojnë se në Ramazan ka namaz të veçantë, porse ata thonë se namazi i vitrit është ai i cili quhet namazi i teravisë në Ramazan!. [3]


Numri i rekateve të namazit të Teravisë

Para se të lëshohemi në shpjegimin dhe paraqitejen e mendimeve të dijetarëve islamë rreth numrit të rekatëve të namazit të teravisë, që në fillim të theksojmë se nuk ekziston tekst autentik, apo hadith i shprehur nga goja e Pejgamberit a.s. që me saktësi përkufizon numrin e rekatëve të namazit të teravisë. Këtë e vërtetuan shumë dijetarë islamë, e në mesin e tyre edhe Imam Sujutiu i cili shumë qartë pastronë këtë dilemë duke se të gjitha hadithet sahiha shpiejnë drejt imperativit dhe nxitjes së faljes së namazit të teravisë, pa përcaktuar saktësisht numrin e rekatëve. Të gjitha dilemat që eventualisht u paraqitën në mesin e dijetarëve islam rreth përkufizimit të numrit të rekateve të namazit të teravisë, janë si rezultat i transmetimeve të shumta të veprimit të sahabëve (shokëve të Pejgamberit a.s.) se sa rekate namaz të teravive kanë falur ata!


Namazi i teravisë, a është tetë rekate?

Në sahihun e Imam Buhariu dhe Muslimi, gjejmë hadithin e transmetuar nga Aisheja r.a. e cila, në rastin kur është pyetur për namazin e Pejgamberit s.a.v.s. ajo ka thënë: "Pejgamberi a.s. as në Ramazan e as jashtë Ramazanit nuk shtonte më shumë se njëmbëdhjetë rekate. I falte katër rekate, e mos pyet për bukurinë e tyre e as për zgjatjen e tyre, pastaj sërish i falte katër rekate e mos pyet për bukurinë dhe zgjatjen e tyre, e pastaj i falte tre rekate. Unë i thash: O i Dërguari i Allahut, a po flen para se me falë vitrin? Tha: Oj Aishe, vërtetë sytë e mi flenë, por zemra ime nuk flenë". [4]

Edhe pse duke u bazuar në aspektin sipërfaqësor dikush mendoi se me këtë hadith vërtetohet se numri i rekateve të teravisë është tetë rekate, ky argumentim nuk mbanë për disa shkaqe.

Hadithi i transmetuar nga Aisheja r.a. nuk është argument bindës se namazi i teravisë është tetë rekate, për arsye se hadithi në fjalë ka të bëjë me namazin e vitrit e jo me namazin e teravisë. Argumenti se ky hadith ka të bëjë me namazin e vitrit e jo me namazin e teravisë është vetë teksti i hadithit ku thotë: "as në Ramazan e as jashtë Ramazanit", sepse namazi i teravisë është specifikë e muajit të Ramazanit dhe nuk falet jashtë Ramazanit, e namazi që falet jashtë Ramazanit është namazi i vitrit. Nga kjo nënkuptohet se sikur hadithi të bënte fjalë për namazin e teravisë, atëherë ky namaz do duhej falur edhe pas Ramazanit, e këtë nuk e ka thënë e as pranuar askush nga muslimanët. Në anën tjetër asnjëherë, asnjëri nga dijetarët e mëdhenj islam, muxhtehidët nuk e ka përdorur këtë hadith si argument për të vërtetuar numrin e rekatëve të namazit të teravisë. Përkundrazi, shumica e dijetarëve eminent islam kanë thënë se qëllimi i këtij hadithi është namazi i vitrit e jo namazi i teravisë. Imam Neveviju me këtë hadith argumenton se maksimumi i namazit të vitrit, si gjatë Ramazanit ashtu edhe jashtë Ramazanit është njëmbëdhjetë reqate. Gjithashtu edhe fukahatë islam duke u bazuar në këtë hadith vërtetuan se maksimumi i namazit të vitrit është njëmbëdhjetë rekate. Pra të gjitha këto janë argumente që vërtetojnë se hadithi i Aishes r.a. flet për namazin e vitrit e jo për namazin e teravisë, andaj nuk është argument i fuqishëm për vërtetimin e rekateve të namazit të teravisë por të vitrit.

Në anën tjetër, nëse ky hadith ka të bëjë me përcaktimin e numrit të rekatëve të namazit të teravisë, siç po pretendojnë disa nga vehabitë, atëherë vetvetiu lind pyetja: "Pse Aisheja me vite të tëra ka heshtur? Pse nuk ka reaguar kur ka parë se as'habët kanë falur njëzet rek'atë teravi? Pse nuk i ka përmirësuar ata? A thua Aisheja, nëna e besimtarëve, do t'i linte në lajthitje ata dhe të gjithë pas tyre? Sigurisht se Jo"! [5] Por kjo është argument shtesë se hadithi i Aishes r.a. nuk ka të bëjë me namazin e teravisë, porse me namazin e vitrit ose tehexhudit.

Të supozojmë se po pranojmë se ky hadith ka të bëjë me namazin e teravisë, siç interpreton dikush, por, sërish argumentimi me të, për kufizimin e numrit të reqateve të namazit të teravisë në tetë apo njëmbëdhjetë është i pa vlefshëm. Argumentimi është i pa vlefshëm sepse ky hadith është Haberun Vahid, (hadith i njërrugshëm), e kur hadithi Ahad bie ndeshë me konsenzusin e dijetarëve, atëherë nuk merret për argument sepse konsenzusi i dijetarëve është më i fuqishëm se sa hadithi i Ahad. Në rastin konkret, nëse hadithi i Aishes r.a. përkufizon numrin e rekatëve të namazit të teravisë në tetë apo njëmbëdhjetë, është në kundërshtim me konsezusin e sahabëve dhe dijetarëve islam se namazi i teravisë është njëzetë rekate.

Në një transmetim tjetër nga Ibni Hibani në koleksionin e tij si dhe Ibni Huzejme poashtu në sahihin e tij transmetojnë nga Xhabir b. Abdullahi i cili ka thënë: "I Dërguari i Allahut s.a.v.s. në muajin e Ramazanit na i fali neve tetë rekate dhe namazin e vitrit".

Ky hadith sipas dijetarëve të hadithit është i dobët siç tranmseton Saxhi dhe Ukajli, [6] andaj edhe nuk vlenë për argument, për shkak se në zinxhirin e këtij hadithi është Isa b. Xharije. Bile Imam Ebu Davudi dhe Nisaiju këtë hadith e kanë trajtuar si hadith munker. Gjithashtu, në senedin e këtij hadithi është edhe Jakub ibn Abdullah El-Kummi për të cilin Darekutni thotë: "Është i dobët". [7]


Namazi i teravisë është njëzetë rekate

Transmetohet nga Ibni Abasi r.a. i cili ka thënë: "Pejgamberi s.a.v.s. në Ramazan i falte njëzet rekate namaz dhe namazin e vitrit (gjithsej njëzet e tre rekate)". [8] Imam El-Hejthemiu thotë se ky hadith është i dobët, për shkak se në transmetimin e këtij hadithi është Ebu Shejbe Ibrahimi.

Imam Er-Rafiiju në veprën "Esherhul kebir" në kapitullin "namazi i teravisë" thotë: "Namazi i teravisë është njëzetë rekate, sepse është transmetuar se Pejgamberi s.a.v.s. njerëzve dy netë ua kishte falur namazin e teravisë nga njëzetë rekate, e natën e tretë ishin grumbulluar shumë njerëz, e ai nuk doli", pastaj të nesërmen u tha: "U frikësova se po u bëhet farz juve ky namaz, e pastaj rëndoheni me të". Imam Rafiju nuk tregon për gradën e hadithin, por supozojmë se është hadith sahih sepse po të ishte hadith i dobët sigurisht se imam Rafiiju nuk do ta përdorte për argument, veçanërisht kur e dimë mirë faktin se në medhhebin Shafiij hadithi i dobët nuk përdoret për argument sepse imam Shafiu ka thënë: "Nëse hadithi është sahih, ai është medhhebi im".

Nga Zejd ibn Vehbi transmetohet se ka thënë: "Neve gjatë Ramazanit na ka falur Abdullah ibn Abbasi, ai na falte e pastaj tërhiqej në dhomën e tij". Pastaj A'meshi ka shtuar: "Ka falur njëzet rek'atë teravi dhe tre rek'ate vitër". [9]

Transmetohet nga Jezid ibn Rumani i cili ka thënë: "Njerëzit gjatë kohës së Omerit kanë falur njëzet e tre rek'ate". [10] Pastaj Imam Bejhekiju po ashtu ka transmetuar nga Aliu r.a. se namazi i teravisë është njëzetë rekate.

Nga Saib ibn Jezidi transmetohet se ka thënë: "Gjatë kohës së Omerit njerëzit kanë falur njëzet rek'ate dhe kanë lexuar dyqind ajete kurse në kohën e Osmanit ju ënjteshin këmbët nga qëndrimi në namaz". [11]

Transmetohet nga shumë sahabe, se, ata namazin e teravisë e falnin nga njëzetë rekate. Transmeton Ibni ebu Shejbe nga ibni ebu Mulejke se ai në Ramazan ua falte njerëzve namazin e teravisë nga njëzetë rekate. Gjithashtu transmetohet nga Abdulaziz b. Refiu se ka thënë: "Ubeje b. Ka'bi gjatë Ramazanit në Medine ua falte njerëzve namazin e teravisë nga njëzet rekate dhe tre rekate namaz të vitrit". Imam Bejhekiu transmeton nga ebu Hasibi i cili ka thënë: "Në Ramazan na e falte neve namazin e teravisë Suvejd b. Gafele, i cili na e falte namazin me nga pesë pushime, pra njëzet rekate". Pastaj gjithashtu transmeton nga Shutejr b. Shekeli, i cili transmeton njërin nga shokët e Aliut r.a. që tregon se: "Aliu ua falte atyre namazin e teravisë si imam gjatë Ramazanit me njëzetë rekate".


Konseszusi i Sahabëve në kohën e Omerit r.a. për faljen e teravisë 20 rekate

Transmetohet nga Abdurrahman b. Abdulkari i cili ka thënë: "Një natë gjatë Ramazanit dola me Omerin r.a. në Xhami, [12] e atje i pamë njerëzit duke u falur të shpërndarë, dikush falej veçmas, e disa faleshin në grupe, etj.", Omeri kur i pa tha: "Unë mendoj që ti bashkojë këta njerëz që të falin namazin me një imam". Pastaj i thirri të gjithë sahabët dhe i bashkoi në një xhematë, kurse për imam të tyre caktoi Ubeje b. Ka'bin.Pastaj, kur doli natën tjetër dhe i pa njerëzit duke u falur me xhematë pas një imami tha: "Sa risi (bidat) e mirë është kjo".

Dijetarët thonë se Omer b. Hatabi, kur e përdori nocionin bidat, e ka përdorur në aspektin gjuhësorë e jo atë terminologjit të sheriatit islam. Këtë e vërtetonë edhe transmetimi i Esed b. Amrit nga imam Ebu Jusufi i cili një ditë prej ditëve e kishte pyetur mësuesin e tij Imam Ebu Hanifen rreth namazit të teravisë dhe veprimit të Omerit për faljen me xhematë, e Ebu Hanifja i ishte përgjigjur: "Namazi i teravisë është suneti i fortë. Omeri nuk e kishte paramenduar këtë namaz nga mendja e tij, e as nuk ka bërë ndonjë bidat. Ai nuk do të kishte urdhëruar për faljen e namazit të teravisë me xhemat 20 rekatë pa pasur argument, ose pa pasur premtim nga Pejgamberi s.a.v.s.. Omeri urdhëroi dhe bashkoi njerëzit në xhemat nën udhëheqjen e Ubeje b. Ka'bit që ai tua falë namazin e teravisë. Sahabët u bashkuan rreth këtij urdhëri, ensarë e muhaxhirë dhe askush nga sahabët jo që nuk ka kundërshtuar këtë urdhër, por, as nuk qëndroi indefent, përkundrazi ata e ndihmuan çështjen, u pajtuan dhe urdhëruan në zbatimin e këtij urdhëri".

Shejh Ibni Tejmije rreth shpjegimit të kësaj çështje thotë: "Pas vdekjes së Pejgamberit s.a.v.s. Omer b. Hatabi i bashkoi njerëzit që të falin namazin e teravisë me xhematë nën udhëheqjen e Ubeje b. Ka'bit", e Omeri është njëri nga Hulefai Rashidinët, për të cilët Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Keni kujdes ndaj sunnetit tim dhe sunnetit të Hulefai Rashidinëve pas meje". Pra këtë që e bëri Omeri r.a. është sunnet e nuk është bidat, kurse fjala e tij "sa bidat i mirë që është" nënkupton vetëm aspektin gjuhësor të fjalës sepse ai bashkoi njerëzit nën një imam. [13] Gjithashtu Ibni Tejmije shton duke thënë: "Dijetarët janë të mendimit se ky veprim i Omerit është sunnet, sepse ishte veprim i përbashkët mes ensarëve dhe muhaxhirëve, dhe këtë veprim nuk e kontestoi askush".

Imam Hakimi në komentimin e tij në mustedrek që i bënë hadithit të transmetuar nga Talha b. Zijad El-Ensariu thotë: "Aliu r.a.e trimëronte Omerin r.a. që ta ngrite këtë sunet dhe të organizojë një veprim të tillë derisa edhe e bëri që namazi i teravisë të falet me një imam dhe me xhemat njëzet rekate".


Argumentueshmëria e Ixhmait

Kur jemi te ixhmai i sahabëve dhe dijetarëve islam për një çështje prej çështjeve islame, patjetër të nënvizojmë se argumentimi me ixhma është argument i prerë. Lidhje me formimin e ixhmait (konsenzusit) po paraqesim mendimin e Ibni Tejmijes i cili mes tjerash thotë: "është vërtetuar nga të gjithë usulistat se ixhami (konsenzusi) nuk mund të formohet pa ekzistimin e tekstit nga Pejgamberi s.a.v.s. i cili do të jetë fundament i ixhmait". Fundamenti i ixhmait ndoshta shumë herë nuk arrinë tek ne përmes konsenzusit, mirëpo kur të formohet konsenzusi mbi atë tekst, atëherë nuk ka nevojë që ndiqet teksti për shkak të ekzistimit të ixhmait, ngase ixhmai është më i fuqishëm se teksti. Veprohet kështu ngase ndoshta teksti ka arritur tek ne vetëm përmes rrugës së dobët, sepse edhe nëse teksti është i vërtetë, ai dobësohet për shkak të transmetuesit të dobët, e jo për shkak të tekstit, siç është rasti me numrim e rekateve të namazit të teravisë, sepse ne aspak nuk dyshojmë se sahabët dhe dijetarët e mëdhenj nuk kanë braktisur tetë rekatëshin në njëzet rekate pa pasur tekst të vërtetë. Andaj, nuk është kusht që argumentet e ixhmait të kenë arritur deri tek ne.

Atëherë nëse arrihet konsezusi i muslimanëve për një çështje të caktuar, nuk lejohet për askënd që të kundërshtojë apo veprojë me të kundërtën e asaj që është arritur konsenzusi, qoftë edhe nëse argumenton me hadith. Kjo mbështetet në hadithin e Pejgamberit s.a.v.s. ku thotë: "Nuk bashkohet ummeti im në të pa vërtetrën (dalalet)". [14] Këtë e përforcon edhe ajeti kur'anor ku Allahu xh.sh. thotë: "Kush i kundërvihet të dërguarit, pasi që i është bërë e qartë e vërteta dhe ndjek rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve. Ne e lëmë në atë që e ka zgjedhur (në Dunja) dhe e e fusim në xhehennem. Përfundim i keq është ai". [15] Në komentimin e këtij ajeti Ibni Tejmije thotë: "Ky ajet sinjalizon se bashkimi i muslimanëve rreth një çështjeje (ixhmai) është argument, andaj ai i cili i kundërvihet ixhmait, konfruktohet me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. sepse ixhmai është formuar në bazë të tekstit". Andaj çdo ixhma, përveç tjerash ndërpret edhe mosmarrëveshjet dhe grindjet mes muslimanëve, sepse ai konsiderohet udhëzim dhe sqarim i së vërtetës nga Allahu xh.sh., andaj kundërshtuesi i ixhmait bënë kufër (pabesim) ashtu si bënë kufër ai i cili kundërshtoin tekstin.


Mendimet e fukahave islam rreth namazit të teravisë

Edhe pse kishte mendime të ndryshme rreth numrit të rekateve në kohën e Pejgamberit s.a.v.s. dhe të sahabëve, fukahat islamë janë të mendimit se me arritjen e konsenzusit (Ixhmait) në kohën e Omer b. Hatabit r.a. shuhen të gjitha dilemat rreth kësaj çështje. Andaj dijetarët e medhhebit Hanefij, Shafiij, Hanbelij dhe pjesa dërmuese e fukahave të medhhebit Malikij janë të mendimit se numri i rekateve të namazit të teravisë është njëzet rekate, dhe çfarëdo tentativë tjetër mund të jetë vetëm përçarje e umetit islam.

Imam Maliku r.a. parimisht edhe ky është i mendimit se namazi i teravisë është njëzet rekate, por përparësi i jep faljes së namazit të teravisë 36 rekate. Ky mendim mbështetet në transmetimin e Davud ibn Kajsit ku transmetohet se ka thënë: "I kam takuar njerëzit në kohën e Eban ibn Osmanit dhe Omer ibn Abdulazizit në Medinë kur kanë falur tridhjetë e gjashtë rek'ate teravi dhe tre rek'ate vitër". [16]

Këtë çështje bukur e sqaron edhe Imam Shafiu, r.a. i cili thotë: "I kam parë banorët e Mekës të cilët në Bejtullah (Qabe) i falnin nga 20 rekate me pesë pushime, kurse pas çdo katër rekateve kur pushonin bënin nga një tavaf rreth Qabesë. Kurse i kam pare banorët e Medinës duke i falur nga 36 reqate. Arsyeja ishte se banorët e Medinës duke dëshiruar të barazohen në sevape me banorët e Mekës të cilët në katër pushime bënin nga një tavaf, e këta nuk kishin mundësi tavafi, atëherë vendosën që për katër tavafe të falin nga katër rekate namaz të teravisë. Andaj derisa në parim ishin njëzet rekate namaz të teravisë, dhe këta shtonin edhe 16 rekate për të arritur sevabin e mekasve, numri i përgjithshëm arrite në 36 rekate". Mirëpo, ajo që është karakteristikë e këtij veprimi është se Imam Er-Remliu thotë se kjo dukuri ishte karakteristikë vetëm e Medinasve dhe atë për shkak të shpërnguljes së tyre nga Meka.

Mirëpo, ajo që është shumë e rëndësishme të potencohet në këtë rast, është fakti që e shtjellojnë dijetarët e mëvonshëm kur thonë se Imam Maliku më vonë ishte tërhequr nga ky mendim dhe plotësisht ishte takord se namazi i teravisëështë 20 rekate. Për këtë argument më i fuqishëm është vetë praktika e medhhebit malikij ku në tërë botën falin nga 20 rekate namaz të teravisë. Gjithashtu këtë e vërteton edhe literatura e shkruar e fikhut nga medhhebi malikij.

Nga kjo analizë, konstatohet se përveç ixhmait të sahabëve në kohën e Omer b. Hatabit, për namazin e teravisë kanë formuar ixhma edhe fukahat islam nga të gjitha shkollat juridike islame (medhhebet) dhe namazi i teravisë në tërë globin falet 20 rekatë. Një praktikë të tillë është e dëshmuar edhe në vetë Qaben e shenjtë ku namazi i teravisë rregullisht falet 20 rekate, gjithashtu edhe në xhaminë e Pejgamberit a.s.në Medine namazi i teravisë falet 20 rekate. Këtë çështje nuk e kundërshtoi askush nga dijetarët islamë, derisa në skenë dolën disa nga dijetarët vehabistë dhe bënë përçarje në mesin e umetit duke pretenduar se namazi i teravisë qenka tetë rekate. Ky mendim jo që nuk ka bazë e as mbështetje shkencore islame, por nuk ka as logjikë të veprimit, sepse do të ishte absurd që dikush të bindet se mbi 14 shekuj muslimanët në të gjitha këndet e botës të kenë falur gabimisht namazin e teravisë, kurse tani këta të quajtur vehabij të përmirësojnë këtë gabim! Thjesht, kjo është tendencë e përçarjhes dhe dobësimit të umetit islam i cili edhe ashtu i dobësuar dhe i lodhur.


Mënyra e faljes së namazit të teravisë

Fukahatë Islam janë të mendimit se për faljen e namazit të teravisë nuk ka nevojë as ezan e as ikamet, sepse Pejgamberi s.a.v.s. kishte sqaruar se ezani dhe ikameti bëhen vetëm para namazeve ditore farze dhe namazit të xhumasë.

Gjatë faljes së namazit të teravisë dijetarët janë unik në mendimin se është e preferuar që të pushohet nga pak pas çdo katër rekateve, aq sa mund të falën katër rekate. Gjatë këtij pushimi zakonsiht heshtet por mund që edhe lexohet Kur'an apo të bënë ndonjë dhikr tjetër.

Në parim gjatë faljes së namazit të teravisë jepet selam pas çdo të dytit rekat. Mirëpo sipas fukahave të medhhebit hanefij edhe nëse falen njëzet rekate me një selam, namazi i teravisë është i vlefshëm nëse ka ndejtur ulur pas rekatit të dytë. Ky namaz është i vlefshëm sepse i ka plotësuar të gjitha ruknet dhe kushtet e namazit, kurse marrja e tekbirit fillestar pas rekatit të dytë nuk është kusht i namazit të teravisë. Mirëpo, duhet pasur parasysh se një veprim i tillë është i urryer nëse bëhet me qëllim. Namazi i teravisë falet në këmbë si namazet tjera, nëse ekziston mundësia, e nëse ka mundësi të falet në këmbë, por namazin e teravisë e falë ulur, namazi është i vlefshëm, por me mekruhi tenzihen.

Falja e namazit të teravisë me xhematë është sunneti kifaje, që nënkuptonë se nëse braktiset xhemati dhe askush nuk e falë me xhematë, atëherë të gjithë këtyre u tërhiqet vërejtja. Mirëpo nëse dikush e falë namazin e teravisë vetmas, pa xhematë, namazi i tij është i vlefshëm, por nuk e ka arritur vlerën e xhematit. Nëse namazi i teravisë falet me xhematë në shtëpi, sërish namazi është i vlefshëm por nuk e ka arritur vlerën e namazit të xhematit të xhamisë.

Për në fund po theksojmë faktin se nëse dikush ka filluar të falë me imam namazin e teravisë. Ai duhet ndjekur imamin deri në fund të namazit, sepse në transmetimin e Ebu Dherrit, thuhet se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Nëse njeriu falet me imamin derisa iami të përfundojë namazin, atij i regjistrohet sikur të jetë falur tërë natën". Pra, ky është argument i qartë kundër atyre që pretendojnë se namazi i teravisë falet tetë reqate, andaj i falin tetë reqate dhe largohen nga xhamia, respektivisht nga xhemati dhe atë në emër të sunnetit, siç po ndodhë disa herë në xhematet tona, e realisht ata veprojnë në kundërshtim me sunetin e Pejgamberit s.a.v.s..

Ve bil-lahi teufik.



Autor: Jusuf ZIMERI



_________________________

[1] - Musnedi i Ahmed b. Hanbelit, Nr. Hadithit 1621.
[2] - Buhariu dhe Muslimi.
[3] - Dr. Abdulgafur El-Milibari, namazi i teravisë, ligjësimi dhe numri i rekateve të teravisë.
[4] - Buhariu.
[5] - Sami Xheko, Numri i rek'ateve të namazit të teravisë, www.zëriislam.com
[6] - Et-Tehdhib'ut-Tehdhib, Ibn Haxher El-Askalani, 8/207.
[7] - Sami Xheko, Numri i rek'ateve të namazit të teravisë, www.zëriislam.com
[8] - Taberaniu.
[9] - Umdet'ul-Kari, Bedruddin El-Ajni, 11/128.
[10] - Muvetta, Malik, Nejl'ul-Evtar, Esh-Shevkani, 3/60. Këtë hadith nga ibni Rumani e transmeton edhe Bejhekiu, edhe pse hadithi është Mursel, është i fuqishëm në argumentim. Hadithi Mursel është hadithi që ka transmetuar Tabiiju pa e përmendur transmetuesin nga Sahabiu nga i cili e ka marrë hadithin. Megjithatë hadithi Mursel është argument dhe i vlefshëm për argumentim te Imam Ebu Hanifja, Imam Maliki, Imam Ahmedi, kurse te Imam Shafiu hadithi mursel është argument nëse plotëson njërin nga këto tre kushte, që janë:
1. Nëse hadithi vjen edhe nga një rrugë tjetër, qoftë edhe mursel,
2. Nëse atë e pohon cilido qoftë nga sahabët,
3. Nëse me te gjykojnë shumica e dijetarëve.
E ky hadith është i vlefshëm për argumentim sepse i plotëson të gjitha këto kritere.
[11] - Bejhekii i cili thotë se është Sahih, Nevevi në El-Mexhmu' i cili thotë se është Sahih, Ajni në Umdet'ul-Kari i cili thotë se është Sahih, Subki në komentin e Minhaxhit, Hafiz Iraki në komentin e Takribit, Kastalani në komentin e Buhariut, Kemal ibn Humam në Fet'h'ul-Kadir dhe të gjithë ata thonë se është hadith sahih.
[12] - Ngjarja kur Omeri r.a. bashkoi xhematin përfaljen e namazit të teravisë nën udhëheqjen e Ubeje b. Ka'bit sipas imam Ahmedit ka ndodhu nëvitin e 14 të hixhretit, respektivisht në vitin e dytë të sundimit të tij, apo mëkonkretë në Ramazanin e dytë të sundimit të tij..
[13] - Ibni Tejmije, Mexhmuul fetava, 22/234.
[14] - Termidhiu.
[15] - Suretu En-Nisa:115.
[16] - El-Mervezi.

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...