Duke hyrë në festën e Bajramit



Ditët e bajramit janë ditët e gëzimit të përbashkët me familjen, me të afërmit, fqinjët, shokët dhe të gjithë njerëzit në botë. Të gjithë këta mund të mbeten të kënaqur po qe se përjetohet kuptimi i vërtetë i bajramit. Nisur nga kjo, bajrami duhet të jetë për hir të Krijuesit pretekst dashurie, dhembshurie, mëshire dhe ndihmese për të gjithë krijesat. Sepse bajrami është gëzim i individit dhe i shoqërisë, është ndarja e këtij gëzimi mes njerëzve, është hyrje në klimën e ndjenjave, është mundësia që të gjithë myslimanët ta ndjejnë veten vëllezër. Nuk mund të mendohet që të ketë gëzim dhe kënaqësi bajrami për ata, që u kthejnë shpinën miqve, të afërmve, fukarenjve dhe vëllait të mbetur mënjanë.

Kjo festë e madhe e gëzimit, mëshirës, faljes, mirëkuptimit, vëllazërimit dhe paqes, i bekon të gjithë besimtarët shqiptarë me më shumë dashuri e respekt për njëri-tjetrin, me më shumë dëshirë e përkushtim për të shfaqur vlerat e mirësisë e të solidaritetit njerëzor, si dhe për të kryer vepra të dobishme në shërbim të vendit dhe të ardhmes së tij. Në këto ditë ndërmjetësohet për të pajtuar të zemëruarit, mëritë dhe armiqësitë marrin fund, miqësitë forcohen, të vegjëlve u jepen dhurata, vizitohen të sëmurët, sepse kjo është dita e gëzimit dhe e lumturisë së përbashkët. Kremtimi i kësaj feste u jep myslimanëve një emocion të veçantë, një frymë të re, një zell të ri në punët e tyre fetare dhe të kësaj bote. Gjatë kësaj feste myslimanët japin shembullin më të bukur të bashkimit dhe unitetit Islam. Profeti Muhamed (paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të) na thotë se, në bajrame duhet të tregohet gëzim e hare me qëllim që të manifestohet uniteti, toleranca, forca dhe vëllazërimi. "Në ditët e bajramit hahet, pihet dhe shkëmbehen vizita".

Bajrami i Ramazanit nis me përfundimin e agjërimit njëmujor dhe vazhdon tri ditë. Ky quhet edhe Bajrami i Fitrit meqë gjatë muajit të Ramazanit jepet sadakaja e fitrit si detyrim falënderimi për arritjen e këtij muaji shëndosh e gëzuar. Myslimanët përjetojnë në këtë festë gëzimin dhe lumturinë e agjërimit gjatë një muaji me radhë për hir të Allahut, e kapërcimit të vështirësive dhe të çuarjes në vend të urdhrit të Zotit Fuqiplotë. Bajrami i Ramazanit është i lidhur me përfundimin e suksesshëm të agjërimit dhe me fillimin e shpalljes së Kuranit, ndërsa Bajrami i Kurbanit me përfundimin e shpalljes së tij dhe me Haxhin. Të kremtuarit e këtyre ditëve na përkujton ditët e lavdishme të së kaluarës së ndritshme Islame dhe i inkurajon myslimanët për angazhime të mëtejshme, për detyra të reja dhe energji më të mëdha në organizimin dhe krijimin e një të ardhme më të mirë e më të lumtur.

Në trevat tona shqiptare bajramet janë festuar gjithmonë në mënyrë solemne. Bajrami ka lënë gjurmë të thella e të pashlyeshme tek besimtarët shqiptarë edhe në çastet më kritike. Ai është freski për familjen, madje edhe besimtarët më të dobët bajramit i kushtojnë kujdes e rëndësi të veçantë. Ditën e bajramit e gjithë familja ngrihet herët, marrin abdes, veshin rrobat më të bukura, lyhen me erëra të mira dhe shkojnë në xhami. Xhamitë mbahen të pastra, të aromatizuara dhe zbukurohen e ndriçohen si asnjëherë tjetër. Ndërkohë rrugët kryesore të fusin nën aureolën e një ditë festive duke qenë të mbushura me postera, banderola dhe banera që shprehin urimin e Ramazanit dhe ditës së Bajramit.

Pas namazit të bajramit, kudo, në qytete e fshatra, në lagje e në rrugë, të njohur dhe të panjohur takohen, përqafohen dhe urojnë bajramin me gjithë zemër njëri-tjetrit. Urimi i bajramit nuk harrohet edhe për ata që janë larg. Atyre u telefonohet ose u dërgohen e-maile, letra, kartolina apo mesazhe telefonike. Është traditë e bukur që fëmijëve që trokasin në dyert e shtëpive për të uruar bajramin, i gëzojmë duke iu dhënë sheqerka. Pasi shtrohet në shtëpi tryeza me ushqimet më të mira, hahet dhe festohet duke e falënderuar në fund Allahun për begatitë e Tij të panumërta. Pasdite ose të nesërmen nisin vizitat nëpër shtëpi, të afërm, fqinj, shokë e miq. Në këtë festë nuk mungojnë gjithashtu argëtimet, programet artistike dhe aktivitetet e ndryshme kulturore.

Sigurisht, feja islame nuk është fe vetëm e trajtave dhe e ceremonive. Ajo mes trajtave praktike të caktuara, kërkon kuptime të thella e të larta dhe formon një shpirt fisnik. Në këtë mënyrë, bajrami i jep indikacion të qartë myslimanit se me besim të fortë dhe qëndrueshmëri permanente, mund të arrijë kontroll të përkryer mbi veten dhe të vendosë baraspeshë ideale midis materiales dhe shpirtërores. Le të shërbejnë këto ditë feste në kalendarin islam, si një mundësi reflektimi për të gjithë ne, për të rishikuar e vlerësuar harmoninë dhe tolerancën fetare, si vlerën më të arrirë të shoqërisë shqiptare, për të na mundësuar që të kapërcejmë të gjitha vështirësitë e të sotmes dhe realizuar të gjitha dëshirat dhe aspiratat e së nesërmes.



Autor: Dorian DEMETJA,
(Revista Drita Islame, Gusht 2012).

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...