Rëndësia e mevludit në ruajtjen e vlerave fetare ndër shqiptarët [1]



Kurrkuj Haki n'ket dynja sikur ky djal, Nuk ja dha kuj hem mas sodi nuk e fal. (Nga "Mevludi" i Tahir efendiut).

Që në fillim duhet pranuar fakti se mundësitë tona për të shpaluar dhe për të lavdëruar biografinë kaq të ndritshme të Muhamedit a.s., janë fare të mangëta, sepse, siç do të thoshte me të drejtë poeti, përfundimisht:

"S'muj e livdon kët Resul kush por e nis, Veç ni Allah qi xhith na ka jaratis".

Sidoqoftë, sa herë që vjen 12 rebiul evveli, i cili shënon ditëlindjen e të Dërguarit të Allahut - Muhamedit a.s., myslimanët anekënd botës, pra edhe në viset tona, shënojnë ditëlindjen e Muhamedit a.s., duke organizuar manifestime dhe gazmende të ndryshme. Në këtë mënyrë, ata, të gëzuar dhe krenarë, kanë shprehur dhe prore vazhdojnë të shprehin dashurinë, nderin dhe respektin ndaj Pejgamberit të tyre, jetës së tij, detyrës dhe mësimeve që u ka lënë amanet.

Myslimanët e bëjnë këtë, sepse ata janë të vetëdijshëm se, duke shprehur dashurinë dhe respektin ndaj të Dërguarit të tyre, ata përpiqen që sa më shumë t'i mbesin besnikë atij dhe mësimeve të tij, e kjo do të thotë t'u mbesin besnikë Kuranit dhe urdhrave të Allahut xh.sh., sepse Allahu xh.sh., - përmes Xhibrilit - i kishte thënë Muhamedit a.s. që t'u thoshte myslimanëve: "Nëse e doni Allahun, atëherë ejani pas meje që Allahu t'ju dojë ju dhe t'jua falë mëkatet", (Ali-Imran, 31).

Myslimanët, ardhjen e të Dërguarit të Allahut xh.sh. e konsiderojnë si mëshirën më të madhe të Allahut xh.sh. për njerëzit, sepse kështu thuhet edhe në Kuran: "Ne të kemi dërguar ty (o Muhammed), pa dyshim, vetëm si mëshirë për botët", (El-Enbija, 107).

Andaj myslimanët e shënojnë ditëlindjen e të Dërguarit Muhamed a.s. në mënyrë të përshtatshme me të dhe me mësimet e tij, të cilat, - nga Allahu xh.sh., - ai ua ka komunikuar njerëzve. Myslimanët, duke lexuar biografinë e Muhamedit a.s., dëshirojnë ta ndjekin atë dhe të marrin shembull nga ai, sepse tek i Dërguari i Zotit është shembulli më i shkëlqyeshëm, thotë Kurani, (El-Ahzab, 21).

Kurse vetë Muhamedi a.s. në një hadith të tij, ka thënë: "Nuk ka besuar askush derisa unë të jem tek ai më i dashur se prindi, fëmija dhe tërë njerëzit e tjerë".

Duke u nisur nga këto fakte dhe të tjera, myslimanët filluan të shfaqnin ndjenjat e tyre për të nderuar dhe për të lartësuar emrin e Muhamedit a.s., ata i dërgonin salavate atij dhe i luteshin Zotit për të. Kështu ditëlindja e Muhamedit a.s. mbeti një ngjarje e shënuar që festohet me gëzim e kënaqësi të veçantë nga të gjithë myslimanët.

Si rezultat i kësaj, ky kujtim për të Dërguarin e Allahut, Muhamedin a.s., ishte dhe vazhdon të jetë një frymëzim par exellence për studime, krijimtari e botime të ndryshme fetare, letrare, historike, shkencore, kulturore e pedagogjike, që kanë shërbyer e shërbejnë për edukim të gjithanshëm shpirtëror e njerëzor. Kështu lindën veprat e para për jetën dhe veprën e Muhamedit a.s., kështu lindën veprat për njohjen e personalitetit të tij, me një fjalë, kështu lindën edhe mevludet.

Mevludi si manifestim, por edhe si krijimtari letrare, është i mirënjohur dhe ka një traditë të begatshme edhe tek ne. Nuk do ta tepronim aspak nëse themi se manifestimi i mevludit tek shqiptarët ka njohur një shtrirje dhe ndikim të madh sa asnjë manifestim tjetër fetar. Kjo ka ndodhur, sepse hartimi dhe përpilimi, e më vonë edhe këndimi i tij, janë bërë në gjuhën e popullit, i cili jo vetëm ka arritur ta kuptonte, ta perceptonte dhe ta njihte tematikën e mevludit, por, të shumtën, edhe ta mësonte atë përmendsh.

Themi kështu, sepse kemi parasysh faktin se librat si: "Shemaili sherifi ..." i Imam Tirmidhiut, "Delailul-hajrati ..." i Xhezulit, e më vonë edhe "Et-tarikatu el-Muhamedije ..." i Imam Birgeviut, të cilët përshkruajnë biografinë e Muhamedit a.s., kanë shërbyer si doracakë themelorë në medresetë e kohës, megjithëse janë të njohura edhe shumë vepra të tjera, madje që nga koha sa ishte Pejgamberi a.s. gjallë, të cilat lavdërojnë dhe theksojnë cilësitë e Muhamedit a.s., dhe të cilat janë mësuar dhe kanë qenë të njohura ndër shkollat dhe ulematë tanë.

Kurse në vakëfnametë e ndryshme që kanë lënë njerëzit tanë në vendet tona, është lënë amanet që të shënohet ditëlindja e Muhamedit a.s., madje vakëflënësit tanë kanë saktësuar edhe çfarë ushqimesh t'u përgatiten në një rast të tillë myslimanëve. Këtë e quajmë një të dhënë mjaft domethënës.

Duke pasur parasysh se manifestimi i mevludit, sikurse u tha, është i hershëm, madje, do të thoshim që atëherë kur në trojet tona është ditur për të Dërguarin e Allahut, Muhamedin a.s., është afër mendsh se për një manifestim të tillë është dashur të ketë edhe një krijimtari artistike letrare. Prandaj, mevludi si krijimtari artistike letrare, tek shqiptarët ka një traditë të hershme, por, fatkeqësisht, jo gjithaq të njohur ndër ne. Për aq sa dihet, mevludi i parë i shkruar ndër shqiptarë, i takon shekullit XVIII, d.m.th. daton nga periudha e ndritur e Rilindjes Kombëtare, dhe është shkruar nga rilindësi ynë i shquar, Hasan Zuko Kamberi.

Duhet theksuar se deri më sot njihen rreth 30 mevlude të shkruara nga personalitete të njohura shqiptare në fusha të ndryshme të fesë dhe të letërsisë, të cilët, me mjeshtërinë e tyre dhe në mënyrë artistike e shembullore, thurën lavde e konsiderata, - si për askënd tjetër, - për të Dërguarin e Allahut xh.sh., Muhamedin a.s..

Ndër më të njohurit janë: "Hasan Zuko Kamberi, Ismail Floçi, Hafiz Ali Ulqinaku, Hafiz Ali Korça, Hafiz Ibrahim Dalliu, Tahir efendi Boshnjaku, Tahir ef. Popova", dhe shumë të tjerë, që dihen e që nuk dihen.

Hartimi dhe manifestimi i mevludit ka luajtur një rol me rëndësi në ruajtjen e identitetit fetar të atij mjedisi ku është shkruar ose kënduar. Ai ka mbajtur gjallë, ka freskuar, ka motivuar dhe ka ushqyer shpirtin e myslimanëve për biografinë e ndritur të Pejgamberit a.s. dhe për mësimet e tij. Dhe jo vetëm kaq, por mevludet përmbajnë edhe vlera të tjera didaktike dhe estetike. Përmes mevludit, sikur bëhej përpjekje që të plotësohej boshllëku i krijuar nga mungesa e një literature më të gjerë fetare islame në gjuhën shqipe.

Themi kështu, sepse, duke qenë se mevludi ka një tematikë islame të pranueshme dhe të lehtë për t'u kuptuar, ai është pritur mjaft mirë nga myslimanët e të gjitha shtresave dhe të gjitha moshave.

Ai është kënduar dhe këndohet gjithandej në xhami, medrese, mektebe dhe shtëpi të myslimanëve. Roli i mevludit është ku e ku më i madh edhe për faktin se gjatë këndimit të tij, këndohet Kuran, bëhet salavat, këndohen ilahi, bëhen dua etj., që në një formë a në një tjetër janë në dobi të dëgjuesve, sepse edhe me këto kemi një përpjekje serioze që të lidhemi me Allahun xh.sh..

Më tutje, duke dëgjuar mevlud, njerëzve u kujtohen disa vlerësime e mësime të fesë islame dhe me atë rast pjesëmarrësi mediton në mënyrë emocionale për fenë islame, dhe ky lloj meditimi a reflektimi zë vend në mendjet e masës së njerëzve të thjeshtë, herë-herë, më shumë sesa një predikim a reflektim për një temë të zakonshme.

Roli dhe rëndësia që ka luajtur mevludi në ruajtjen e identitetit fetar tek shqiptarët, më së miri kuptohet nëse i hedhim një vështrim historik e vlerësues zhvillimit të jetës fetare islame në pesëgjashtë dekadat e fundit të shekullit të kaluar, d.m.th. gjatë kohës së ish-sistemit komunist, kur pjesa dërrmuese e besimtarëve myslimanë ishin jashtë xhamisë, ose, thënë ndryshe, xhamitë gati sa nuk ishin mbyllur.

Në ato kohë, mevludi ishte manifestimi gati i vetëm kur ulemaja komunikonte me besimtarët. Dhe, me gjithë sanksionet që ishin vënë nga ai sistem, institucioni i mevludit nuk kishte qenë e mundur të shuhej, ngaqë mevludi kishte njohur një shtrirje dhe një praktikë mjaft të gjerë, sepse ai këndohej në raste të ndryshme. Dhe pikërisht këndimi i mevludit ishte bërë sebep që ndër odat tona të ligjërohej e të predikohej për mësimet e fesë islame. Ishin vargjet e poetit apo bejtet e autorit të mevludit, ato që shërbenin si shkas që njerëzit të pyesnin për fenë islame, madje herë-herë me qëllime provokuese dhe në mënyrë jofisnike.

Ishte manifestimi i mevludit që arrinte t'i tubonte besimtarët në një manifestim fetar në një vend jashtë xhamisë, kurse vargjet e tij u mundësonin hoxhallarëve që të mbanin ligjërata. Me një fjalë, mevludi vazhdonte të gjallëronte, të këndohej dhe të ishte pjesë përbërëse e jetës ndër besimtarët islamë.

Duke pasur parasysh rolin dhe rëndësinë e mevludit për ruajtjen e vlerave fetare islame ndër shqiptarët, manifestime të mevludit nuk janë organizuar vetëm me rastin e ditëlindjes së Pejgamberit a.s., por edhe në raste të tjera të jetës së myslimanëve. Këtu në asnjë mënyrë nuk duhet harruar as roli psikologjiko-didaktitk i mevludit. Të gjithë ne i kujtojmë me ëndje dhe nostalgji, edhe sot e kësaj dite, momentet kur në shtëpitë tona organizohej dhe këndohej mevludi. Edhe kjo, kujtojmë, ka domethënien e vet, pa dyshim.

Si mund të thuhet se mevludi nuk ka luajtur një rol pozitiv në ruajtjen e ndjenjave fetare, kur ai që në fjalën e parë shpjegon një kusht të fesë islame shumë me rëndësi.

Aty thuhet:

- Allah Emnin ta përmendim pa ia nda, Me nisë punën me To gjithkush borxh e ka. Ose:

- Emnin Allah në të gjitha punët vynë mepërmend, Se pa to s'ka hajri mrami kurrni send.

Porositë e mevludit tingëllojnë gjithmonë aktuale dhe me peshë. Sepse përmes mevludit, poeti ka arritur në mënyrë shembullore të shprehë në vargje kush tet dhe detyrimet kryesore të fesë islame.

Aty, përveç për Pejgamberin a.s., flitet për Atributet e Allahut xh.sh., për Dëshminë islame - Shehadetin - që është komponenti fundamental i fesë islame, aty flitet për Kuranin, për namazin, për agjërimin, për veprat e mira/hajratet, për vdekjen, për abdesin etj., - të gjitha këto të shpjeguara në mënyrë shumë lakonike, të kuptueshme dhe të thjeshtë, në mënyrë që masa e besimtarëve t'i kuptojë dhe t'i perceptojë sa më lehtë, e rrjedhimisht ato porosi edhe t'i vërë në zbatim praktik.

Vlerat e mevludit bëhen gjithnjë e më të mëdha edhe për faktin se autorë të mevludeve kanë qenë njerëz të shquar në vendin tonë, ulema të ditur e vizionarë, të cilët jo vetëm që nuk kanë bërë ndonjë kritikë për këndimin e mevludit, por duke shkruar mevlude vetë, ata janë bërë të njohur në këtë fushë. Ky fakt ka peshën e vet, gjithsesi. Sikundërqë në atë kohë kanë jetuar edhe shumë ulema të tjerë shumë të shquar, të cilët kanë predikuar fenë tonë, të cilët jo vetëm që nuk e kanë kundërshtuar këtë praktikë, por, përkundrazi, ata kanë kënduar mevlud ose kanë marrë pjesë në këto ceremoni.

Natyrisht, të gjithë këta ulema, sikundër edhe ata të mëvonshmit dhe të sotmit, e kanë pasur dhe e kanë të qartë se mjetet dhe metodat për të thirrur në fenë islame, nuk janë të kufizuara ekskluzivisht në Kuran dhe në hadith, megjithëse këto të dyja mbesin burimet kryesore dhe të padiskutueshme. Ulemaja jonë kanë qenë dhe janë të vetëdijshëm se me vargjet e mevludit nuk bën të falet namazi dhe se vetëm me këndimin a organizimin e mevludit, nuk shkohet në Xhenet. Prandaj, duke mos pasur parasysh këto fakte dhe duke mos njohur porositë dhe mesazhet aq domethënëse të mevludit, ndodh që nga njerëz të dëgjohen ca zëra, ndonëse të mekur, se gjoja mevludi na qenka i panevojshëm.

Nëse ndodh që gjatë kremtimit të mevludit, të themi, ka ndonjë gjë të papranueshme, atëherë faji nuk është tek mevludi, por tek ne.

Nëse një njeri sillet në mënyrë të pahijshme në xhami, kjo nuk do të thotë se xhamia është e keqe, përkundrazi. Ose, të themi ndryshe, ç'faje ka Dielli, nëse dritën e tij nuk mund ta vërejë i verbëti?!

Hartimi dhe manifestimi i mevludit ka luajtur një rol me rëndësi edhe në ruajtjen e identitetit tonë kombëtar. Hartimi dhe këndimi i mevludit në gjuhën shqipe ka bërë që të nxirret nga përdorimi këndimi i mevludit në gjuhën turke.

Andaj, mevludi, përveç të tjerash, ka luajtur një rol me rëndësi në ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe. Kjo është një e dhënë e padiskutueshme dhe mjaft domethënëse. Në anën tjetër, autorët e mevludeve, duke qenë fetarë dhe atdhetarë të dëshmuar, kanë synuar që, bejtet e tyre, përveç frymëzimit fetar, të ngjallnin edhe vetëdijen kombëtare.

Ja se si shkruan autori i një mevludi, Hafëz Ali Korça:

Kur kujtonte Meqqen Muhammed Muhtari
Çurk i vinin lotët e syve nga zjarri
Nuk hante nuk pinte e kujdesur nuk flinte
Vatanin e bukur nga goja s'e linte

(Hafëz Ali Korça, "Mevlud", f. 9).

Ose:

Zot! Le të ra rojë Atdhe' Kombësija
Aqë sa të rrojë edhe gjithësia

(Po aty, f. 26)

Nga sa thamë sipër, mund të përfundojmë se manifestimi i mevludit ka luajtur një rol me rëndësi në ruajtjen e identitetit tonë fetar dhe kombëtar.

Përmes tij synohet nderimi ynë ndaj personalitet të Muhamedit a.s., synohet zgjerimi i horizonteve tona fetare e kulturore, synohet mësimi i vlerave fetare, letrare, gjuhësore, historike, kulturore, gjuhësore, etnografike dhe atdhetare të përmbajtjes, të formës e të ceremonialit të tyre, synohet forcimi i frymës së bashkimit, mirëkuptimit, bashkëpunimit e tolerancës midis njerëzve në përgjithësi si krijesa të Zotit.

Në fund, themi të bindur se Muhamedi a.s. ishte, është dhe do të mbetet shembulli më i bukur dhe modeli më i përsosur për mbarë njerëzimin, në çdo aspekt.

Dhe, në fund fare, duke parafrazuar autorin e një mevludi, të themi: "Mjaft kemi ne që jemi Ymeti i Muhamedit a.s. dhe mbase gjendemi ndonjëherë tek hyzmeti i tij".

Andaj, "Pej Resulit ndashi ju me pas shefat, shpirtit tij thoni me ashk es-salat".



Autor: Mr. Sadik Mehmeti



_________________________

[1] - Kumtesë e lexuar më datën 29.03.2004., në manifestimin e Ditëlindjes së Muhamedit a.s., organizuar nga Fakulteti i Studimeve Islame - Prishtinë.

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...