Një vështrim historik mbi krijimin e Mevludeve [*]



1. Kuptimi i mevludit

Falënderimi dhe adhurimi i takojnë vetëm All-llahut xh.sh., Krijuesit të gjithësisë, i Cili i dërgoi njerëzimit në periudha të ndryshme pejgamberë që treguan rrugën e shpëtimit për këtë dhe për jetën tjetër. Muhammedi a.s. ishte, është dhe do të jetë shembulli më i bukur, modeli më i përsosur, i dërguari i fundit i Thirrjes Hyjnore për mbarë njerëzimin.

Muslimanët që e pranuan fenë Islame, nga dashuria për Pejgamberin a.s. filluan të shfaqnin ndjenjat e tyre nderuese, lartësonin emrin e tij, i luteshin Zotit për të. Ditëlindja e Muhammedit a.s. është një ngjarje e shënuar që festohet me gëzim e kënaqësi të veçantë nga të gjithë besimtarët muslimanë. Përkujtimi i këtij pëvjetori gjatë shekujve ka qenë burim frymëzimi për studime, krijimtari e botime të ndryshme fetare, letrare, historike, shkencore, kulturore e pedagogjike që kanë shërbyer e shërbejnë për edukim të gjithanshëm shpirtëror e njerëzor. Për këtë arsye lindën veprat e para për jetën dhe veprën, për njohjen e personalitetit dhe për realizimin e misionit të tij.

Ndër gjinitë më kryesore të shkrimeve e botimeve që kishin të bënin me këtë, mund të përmenden 'Siret' (veprat që tregojnë për historinë e Pejgamberit a.s.), Historitë Islame, 'Kisasul-enbija' (rrëfimet kur'anore për historinë e të gjithë pejgamberëve a.s.) dhe mevludet.

Veprat, të cilat e lavdërojnë dhe i theksojnë cilësitë e Muhammedit a.s. filluan të shkruhen që kur ai ishte akoma gjallë. Në letërsinë islame-arabe si autorë të parë të veprave të këtilla mund të përmendim: "Hasan bin Thabitin (vdiq më 647), Ka'b bin Zubejrin (v. 645) dhe Abdullah bin Revahan". 'Siret' (historitë), 'Shemaili-sherifet' (veprat që përshkruajnë dukjen dhe formën e jashtme të trupit të Muhammedit a.s.) dhe 'Megazet' (veprat të cilat përshkruajnë betejat dhe trimëritë e luftërave që i ka zhvilluar Muhammedi a.s.) të shkruara në formë të poezisë e të prozës, në të njëjtën kohë kanë qenë edhe si burim për Mevludet.

Doc. Dr. Hasan Aksoy, studiues dhe ligjërues në Fakultetin Ilahijat në Stamboll, në një studim përmbledhës të tij për mevludet ka nxjerrë këtë definicion për kuptimin e fjalës "mevlud": "Fjala mevlud në fillim përdorej si emër vendi dhe kohe për lindjen, por me kalimin e kohës ajo mori kuptim terminologjik, në të cilin nënkuptohet vendi dhe koha e lindjes së Muhammedit a.s.. Mbasi ardhja e Muhammedit a.s. në këtë botë ishte gëzim, shpëtim dhe sihariq për njerëzimin, lindja e tij u konsiderua si festë dhe me kalimin e kohës kjo fjalë filloi të përdoret në këtë kuptim. Në letërsi termi Mevlud përdoret për përshkrimin e lindjes, jetës, mrekullive dhe vdekjes së Muhammedit a.s. Në përgjithësi ato janë lëvdata të shkruara në vargje". [1]

Në shtypin islam shqiptar janë botuar mjaft shkrime për mevludet që plotësojnë edhe më tepër kuptimin leksikor të kësaj fjale. Në një artikull të Rifat Copës me temë "Nga historia e mevludit" është shënuar ky përdëftim i këtij termi: "Mevludi është ode [**] me elemente të poemës që i kushtohet jetës së Pejgamberit a.s., duke filluar që nga lindja e deri në vdekje. Është bërë traditë të quhet 'mevlud' ose 'mevlid', që në letërsinë islame do të thotë ditëlindja e Muhammedit a.s., ode ose poemë për personalitetin e Pejgamberit a.s. Mevludi, pra, është një krijim poetik". [2]

Trajtimi i plotë domethënës i fjalës mevlud na lejon të orientohemi drejt në kuptimin e përmbajtjes e të vlerave të shumta që i ka mevludi e që janë si në vijim:

- për të nderuar personalitetin e Muhammedit a.s.,
- për të ngritur horizontin tonë fetar e kulturor islam,
- për të mësuar vlerat fetare, letrare, gjuhësore, historike, kulturore, gjuhësore, etnografike dhe atdhetare të përmbajtjes, të formës e të ceremonialit të tyre,
- për të forcuar frymën e bashkimit, të mirëkuptimit, të bashkëpunimit e të tolerancës mes njerëzve në përgjithësi si krijesa të Zotit. [3]


2. Mevludi në gjuhët e tjera

Më lart përmendëm se si gjini letrare islame mevludi fillon të paraqitet më vonë, mirëpo qysh në kohën e Pejgamberit a.s. kemi poezi e poema të ndryshme që shokë e poetë të shquar të Muhammedit a.s. kanë thurrur vargje lavdërimi për të derisa ai ishte vetë gjallë. I këtillë ishte p.sh. Hassan bin Thabiti, që njihet me epitetin "poeti i Pejgamberit a.s.", pastaj Ka'b bin Zuhejri, i cili ishte një poet i shkathët si në kohën e xhahilijjetit po ashtu edhe në kohën pasi e pranon Islamin dhe me shkrimin e një poezie për Muhammedin a.s. dhe me këndimin e saj përpara tij, ai e nxjerr gunën "burden" e vetë dhe ia dhuron Ka'bit, me çka kjo poezi më vonë fillon të quhet "Kasidetu'l Burde".

Ja një varg shumë i bukur i Hasan bin Thabitit thurrur për Muhammedin a.s. e të përkthyer nga Hafiz Ibrahim Dalliu:

Ma të bukur se ti kurr s'kan pa sytë e mi,
Ma t'hieshëm se ti s'kan lind gratë ndonji fmi,
Ti je krijue n'botë pa asnji të metë,
Sikurse me qenë kriju si ke dashtë vetë.
[4]

Tekstet e mevludeve në botën Islame kanë filluar të paraqiten në shek. X. Edhe vepra e dijetarit të njohur të hadithit, imam Tirmidhiut (v. 892) 'Shemailu'sh-sherif' në fakt është një lloj mevludi. Muhammed bin Is'haku (v. 850) edhe pse është autor i 'Sires', ai numërohet edhe ndër autorët e parë të mevludit.

Vepra e parë e cila mban emrin 'Mevlud' është vepra e Ibnu'l-Xhevziut (v. 1201) me titullin 'Mevlidu'n-nebijj', pastaj vepra e Ibnu'l-Arabiut (v. 1240) që mban titullin 'Mevlidu'l-xhismani ve'r-Ruhani', vepra e Ebu'l-Kasim es-Sebtiut (v. 1203) me titull 'Ed-durru'l-mu'adhdham fi mevlidi'n-nebijji'l-mu'adhdham', vepra e Ibnu Dihjes (v. 1235) me titull 'Kitabu'ttenvir fi mevlidi's-siraxhi'l-munir' dhe vepra e Zemlakaniut (v. 1327) me titull 'Mevlidu'n-nebijj'. Janë këto tekstet e para të shkruara në këtë fushë. [5]

Përveç mevludeve të këtilla të shkruara në gjuhën arabe, më vonë filluan të shkruhen edhe në gjuhën persiane (iranishte), kurde, shqipe, boshnjake, çerkeze, urdu, alhamijado (gjuhë spanjolle me alfabet arab) dhe në gjuhën tatare. [6]

Mevludet në letërsinë islame turke kanë vlerë dhe vend të posaçëm dhe arrijnë numrin më të madh si asnjë lloj veprash të tjera. Këto mevlude në shumicën e rasteve janë të shkruara në formën e poezisë. Ndër të gjitha këto, mevludi i Sulejman Çelebisë, sipas të gjithë studiuesve, ka një vlerë të posaçme. Ai vdiq në vitin 1422.

Mevludi i Sulejman Çelebisë, i vjershëruar në vitin 1409, konsiderohet nga të gjithë si vepër e parë e këtij lloji. Megjithëkëtë duhet pranuar se edhe para tij janë shkruar shumë vepra që i ngjajnë mevludit. Një nga tekstet e tilla të rralla është edhe ai i Ahmet Fakihit (v. rreth vitit 1250). Nuk është rastësi që kapitulli i Halimes (pjesa përfundimtare) në 'Vesiletu'n-nexhat' (kështu titullohet mevludi i Sulejman Çelebisë) përmban shprehje që janë të ngjashme me ato të cilat gjenden në 'Çarhname-n' e Ahmet Fakihut.

Edhe një vepër e shkruar në formë proze e perzier me poezi nga Erzurumllu Mustafa Dariri (shek. XIV), e cila është shkruar një çerek shekulli para Sulejman Çelebisë, është një përkthim i lirë nga Ibni Is'haku, por nuk është i plotësuar. Përkthimi i Daririut si në pjesët e shkruara poetike po ashtu edhe në prozë, ka marrë kuptimin e një vepre origjinale të shkruar. Nëse merren parasysh pjesët në poezi, atëherë ajo mund të jetë e ngjashme me një Mevlud.

Në letërsinë turke numri i mevludeve dhe i veprave në lidhje me mevludet arrijnë shifrën prej mbi 200 sosh. Studimet mbi ekzemplarët e Mevludit kanë dëshmuar se disa prej tyre kanë një përmbajtje të ngjashme me atë të Sulejman Çelebiut, disa të tjera për nga motivi janë të ndryshme, ndërsa pjesa e mbetur ka përmbajtje krejtësiht tjetër. [7]

Me përhapjen e Islamit në vende të ndryshme, filloi të këndohet mevludi në ditën e lindjes së Pejgamberit a.s. dhe kjo u konsiderua si një lloj përkushtimi. Edhe në Turqi kështu ishte në fillim, mirëpo me kalimin e kohës ai filloi të këndohet jo vetëm në ditën e lindjes së Pejgamberit a.s., por u bë traditë edhe nëpër lindje, vdekje, dasma dhe raste të tjera. Kështu, mevludi zuri një vend të posaçëm edhe në muzikën fetare turke.


3. Mevludi në gjuhën shqipe

Lindja, jeta, veprimtaria, peersonaliteti dhe kontributi i tij si i Pejgamber i Zotit, ashtu si në vendet e tjera islame, ka zënë vendin e duhur edhe në letërsinë shqiptare.

Përpilimi i mevludeve në gjuhën shqipe ka filluar qysh me poetët dhe shkrimtarët bejtexhinj, konkretisht me Hasan Zyko Kamberin dhe ka vazhduar deri në ditët tona. Në fillim ato kanë qenë shkruar me alfabetin turko-arab e më vonë me alfabetin shqip. Këto mevlude kanë qenë përkthime, përshtatje dhe origjinale dhe kanë përfshirë të gjitha zonat e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe diasporën shqiptare.

Nga gjurmimet, shfrytëzimi i literaturës dhe nga kontaktet me studiuesit e lëndës është arritur të grumbullohen, të analizohen e të vlerësohen mevludet e mëposhtme në gjuhën shqipe të botuara në kohë e vende të ndryshme:

1. Mevludi i Hasan Zyko Kamberit,
2. Mevludi i Ismail Floqit,
3. Mevludi i Hafiz Ali Ulqinakut,
4. Mevludi i Tahir ef. Popovës,
5. Mevludi Çam,
6. Mevludi i Hafiz Islam Çelebiut,
7. Mevludi i Mehmet ef. Salihut,
8. Mevludi i Shefki Hoxhajt,
9. Mevludi i Hafiz Ali Korçës,
10. Mevludi i Hafiz Abdullah Zemblakut,
11. Mevludi i Sheh Ahmet Shkodrës,
12. Mevludi i Hafiz Ibrahim Dalliut,
13. Mevludi i Zejnullah Jasharit,
14. Mevludi i Farudin Osmanit,
15. Mevludi i Idriz Lamajt,
16. Mevludi i Ilmi Veliut,
17. Mevludi i Sheuqet Krajës,
18. Mevludi i Jonuz Metanit,
19. Mevludi i Ferit Vokopolës,
20. Mevludi i Sheh Xhemali Shehut.

Krahas 20 mevludeve të mësipërme nga literatura mësohet se në gjuhën shqipe janë shkruar edhe mevlude të tjera si:

1. Mevludi i Abdullah Sulejman Konispolit,
2. Mevludi i Haxhi Çiçkos,
3. Mevludi i Mulla Mehmet Hasanit.

Këto mevludet e fundit kanë mbetur në dorëshkrime ose janë cituar nga studiuesit, pa qenë lëndë analize e vlerësimi.

Nga të gjitha mevludet përjashtim bëjnë tre:

- Ai i Jonuz Metanit kushtuar Pirit [***] të tarikatit Rifaij, Seid Ahmed Rifaiut,
- Mevludi i Sheh Xhemali Shehut nga Prizreni kushtuar Imam Aliut, dhe
- Mevludi i Ferit Vokopolës, kushtuar po ashtu Imam Aliut.

Mevludet në gjuhën shqipe kanë pasur përhapjen e tyre në zona të ndryshme, disa prej tyre janë ribotuar nga disa herë dhe kanë pasur një shtrirje më të gjerë.

Është për t'u shënuar se ka pasur edhe botime me karakter përmbledhës të disa mevludeve në një vëllim, siç ka ndodhur me botimin Pesë Mevlude, në të cilin janë përfshirë mevludet e Hafiz Ali Ulqinakut, Hafiz Ali Korçës, Farudin Osmanit, Hafiz Abdullah Zemblakut dhe Tahir ef. Popovës. [8]

4. Fillimet e shënimit të mevludit

Që nga kohërat e lashta te të gjitha bashkësitë ekziston tradita që solemnisht të shënohen datat e rëndësishme nga e kaluara e tyre siç janë lindja e heronjve të cilët me veprën dhe jetën e tyre kanë pasur ndikim të dukshëm për të kaluarën dhe të ardhmën e tyre. Duke e shënuar kujtimin për to, ato bashkësi, në realitet, shprehin falënderim, respekt dhe admirim me ata njerëz dhe njëkohësisht shprehin gatishmëri për ta vazhduar veprën e tyre.

Muslimanët nga mbarë bota, ardhjen e të Dërguarit të All-llahut xh.sh. e konsiderojnë si mëshirën më të madhe të All-llahut xh.sh. për njerëzit ("Ne të kemi dërguar, padyshim, vetëm si mëshirë për botat" - Kur'ani, 21:107), andaj ditëlindjen e tij e shënojnë në mënyrë të përshtatshme me të dhe me mësimet të cilat nga All-llahu xh.sh. ua ka komunikuar njerëzve.

Edhe pse nuk kemi transmetime plotësisht të besueshme mbi atë se kur saktësisht muslimanët kanë filluar ta shënojnë lindjen e Pejgamberit të tyre, megjithatë me mjaft siguri mund të themi se tradita kthehet larg në të kaluarën e tyre, në shekujt e parë pas vdekjes së Pejgamberit a.s.. Historianët që e studiojnë 'Sirën' (jetën dhe veprën) e të Dërguarit të All-llahut shënojnë faktin e padyshimtë se muslimanët kanë filluar shumë herët ta shënojnë datën e lindjes së Pejgamberit të All-llahut. Banorët e Mekkes, pohojnë ata, më 12 rebiu'l-evvel, ditën e lindjes së të të Dërguarit të All-llahut, për çdo vit e vizitonin xhaminë e cila ka qenë e ndërtuar në vendin ku më pare ekzistonte shtëpia ku është lindur Pejgamberi a.s..

Ibnu Dhahire në librin e tij "Elxhamiu el-latifu fi fadli Mekkete ve ehliha ve binai el-Bejti esh-sherif" thotë: "Sa u përket vendeve në të cilat organizohen manifestimet dhe mbahen gazmendet, vendi i tillë më i ndershëm, pa dyshim, është ai ku është lindur i Dërguari i All-llahut a.s. ... Në Mekke ishte adet që më 12 rebiu-l-evvel për çdo vit kadiu i medhhebit shafi'ij të bëjë përgatitje për vizitën e atij vendi të ndershëm, dhe atë pas namazit të akshamit, në përcjellje të një mase të madhe e cila bante fenera dhe pishtarë. Me atë rast, pas fjalimit të rastit i janë drejtuar lutjet All-llahut xh.sh. për mirëqenien e halifit, prefektit të Mekkes, kadiut shafi'ij dhe mbarë muslimanëve. Pastaj janë kthyer në Haremi-sherif para kohës së jacisë dhe janë ulur pranë Mekami Ibrahimit, në afërsi të Kubbetul-ferrashinit. Përseri kanë bërë lutje për mirëqenie të të sipërpërmendurve, në prani të kadiut, të juristëve të sheriatit dhe autoriteteve të tjera. Pas jacisë janë shpërndarë nëpër shtëpi të tyre".

Këto të dhëna autentike dhe të ngjashmet me to që i hasim në veprat mbi jetën e Pejgamberit a.s., vërtetojnë se muslimanët kanë filluar ta shënojnë ditëlindjen e Pejgamberit a.s. para fundit të shek. II hixhrij, e ndoshta edhe më herët.

Sa i përket shënimit zyrtar të mevludit, që nënkupton qasjen më të organizuar të këtij manifestimi nga pikëpamja shpirtërore dhe materiale, ai ka pasuar dukshëm më vonë, më shpesh në formë të tubimit vjetor me përmasa dukshëm më të mëdha. Vetëm atëherë kjo traditë ka hyrë në radhën e traditës pozitive të trashëguar që është kultivuar në të dyja nivelet: "zyrtar dhe privat". Kjo do të kontribuojë që kjo traditë në vetëdijen e masave të gjera popullore të fitojë tipare të përkushtimit, përkatësisht të aktit fetar.

Duke zënë vend të tillë, ajo edhe më tepër fiton rëndësi dhe shenjtëri në zemrat e besimtarëve islamë të mbarë botës.

Studimet serioze të 'Sires' tregojnë se në fillim të shek. IV hixhrij, shënimi i ditëlindjes së të Dërguarit të All-llahut ka qenë praktikë vetëm në disa vende. Vetëm me ardhjen e dinastisë Fatimije në pushtet në Egjipt, Sham dhe Hixhaz, kjo traditë ngrihet në manifestim zyrtar sikur edhe traditat e tjera të cilat Fatimijt i kanë kultivuar (si, Viti i Ri hixhrij, Ashureja, etj.), për një kohë shumë të shkurtër kjo bëhet e pranueshme edhe në mjediset tjera islame, që do të kontribuojë të mbetet shumë gjatë edhe pas shkuarjes së dinastisë Fatimije nga pushteti.

Kështu edhe në kohën e Salahuddin Ejjubit kjo traditë vazhdon të jetojë në masat e gjera të popullit, ndonëse më nuk është shënuar zyrtarisht deri kur sundimtari i Mosulit Muzaferudin Kevkeberi (vdiq më 529 h) përsëri e zyrtarizon shënimin e ditëlindjes së të Dërguarit të All-llahut. Ai, pra, ka qenë sundimtari i parë pas Fatimijve i cili zyrtarisht e ka shënuar ditëlindjen e Pejgamberit me çka e ka tërhequr vëmendjen e bashkëkohasve dhe historianëve të cilët në mënyrë lavdëruese shkruan për këtë iniciativë të tij, duke e konsideruar si fillim të vënies në praktikë të një tradite të bukur (sunnetun hasenetun) të cilën muslimanët e veprojnë edhe sot.

Shënimin e tij të ditëlindjes së Pejgamberit Ebu Shebe në librin e tij El-Bais e përshkruan kështu: "Ndër gjërat më të bukura, të cilat në kohën tonë janë bërë traditë, bën pjesë ajo që për çdo vit bëhet në Erbil në ditën e lindjes së Muhammedi a.s., e kjo është që njerëzit atë ditë të gazmohen dhe stolisen, u ndihmojnë të varfërve dhe bëjnë vepra të tjera të mira. Kjo vepër, përveç asaj që ndihmohen të varfërit, dëshmon se ai që e kryen, e do dhe respekton Pejgamberin a.s., e falënderon Zotin për begatinë më të madhe e kjo është që All-llahu në atë ditë e ka dhuruar të Dërguarin e Tij të fundit, i cili është mëshirë për mbarë botën".

Nga kjo që u ekspozua mund të konkludohet se shënimi i ditëlindjes së të Dërguarit të All-llahut a.s., nuk bën pjesë në festat e theksuara me Sunnetin e Pejgamberit dhe nuk hyn në tërësinë e detyrave fetare.


5. Qëndrimi i dijetarëve ndaj shënimit të ditëlindjes së Pejgamberit a.s.

Është e nevojshme menjëherë të thuhet se manifestimi solemn i ditëlindjes së të Dërguarit të All-llahut a.s., nuk bën pjesë në ibadete siç janë p.sh.: "namazi, agjërimi, zekati, haxhi etj.". As vetë dita e lindjes nuk është ditë feste siç është Bajrami i Ramazanit dhe ai i Kurbanit që bien më datat 1 Shevval dhe 10 Dhu'lhixhxhe. Pasiqë kjo është risi në Islam, disa dijetarë islamë, në të kaluarën dhe në të tashmen, kanë shprehur mospajtimin e vet me të, duke e konsideruar, në bazë të haditheve, se secila risi është lajthitje dhe çdo lajthitje shpie në Xhehennem, (Këtë hadith e theksojnë Muslimi, Ebu Davudi, Nesaiju, Ibn Maxhe etj.).

Në këtë grup të dijetarëve islamë bën pjesë edhe Ibni Tejmije, Taxhudin Fakihani dhe disa të tjerë, veçmas në këtë më të zëshëm janë ithtarët e mësimit vehabij. Mospajtimin e tyre e arsyetojnë me frikën nga kulti i personalitetit në Islam po qoftë edhe nëse ka të bëjë me vetë të Dërguarin e All-llahut. Mirëpo, ata harrojnë se asnjëherë askush nga muslimanët nuk ka pohuar se shënimi i ditëlindjes së Pejgamberit është obligim fetar përkatësisht ibadet i urdhëruar. Përkundrazi, është bindje dominuese te muslimanët se kjo është vetëm një traditë e mirë, si një mënyrë më e rëndomtë e shprehjes së dashurisë dhe respektit ndaj Pejgamberit të madh, ndaj jetës dhe veprës së tij.

Ky qëndrim gjithashtu është i bazuar në hadithe të të Dërguarit të All-llahut, si p.sh.: "Kush e vë në praktikë një adet të mirë, i takon shpërblimi për të dhe shpërblimi i atij që vepron sipas tij ... E kush, prapë, e vë në praktikë një adet të keq, i takon për të dënimi si dhe dënimi i atij që vepron sipas tij ...", (Hadithet e kuptimit të tillë dhe të ngjashme i shënojnë: Muslimi, Tirmidhiu, Ahmed ibn Hanbeli, Darimiu, Ibn Maxhe dhe Nesaiu). Megjithatë, mendimin e shumicës dërmuese muslimane (ra'jel-xhumhur) e mbështet fetvaja e hafiz Ibni Haxherit: "Shënimi i mevludit është risi (bid'at) në Islam. Nuk e kanë bërë këtë muslimanët e parë të mirë në tre shekujt e parë pas Pejgamberit a.s.. Përveç kësaj, në organizimin e mevludit ka dukuri të mira dhe të këqija, andaj kush u shmanget të këqijave, e i vepron të mirat, atëherë mevludi i tij është risi e mirë (bid'ati haseneh). Unë i kam shikuar burimet fetare dhe për mevludin kam gjetur mbështetje dhe argument të fortë. Në Sahihun e Buhariut qëndron se Pejgamberi a.s., kur ka shkuar prej Mekkes në Medine, i ka gjetur Ebrejtë duke e agjëruar 'Jevmi-ashuren'. I pyet se përse e agjërojnë, e ata i përgjigjen se e agjërojnë për arsye se Zoti atë ditë e ka përmbytur Faraonin kurse e ka shpëtuar Musain dhe popullin e tij, andaj ata duke e agjëruar atë ditë, i shprehin falënderimin e tyre Zotit. Muhammedi a.s. me atë rast thotë: "Ne kemi më tepër përparësi që ta nderojmë Musain dhe i urdhëron që atë ditë ta agjërojnë edhe muslimanët".Nga kjo kuptohet se është vepër e mirë të bëhen vepra që i do Zoti çdo vit në atë ditë kur ka ndodhur ndonjë begati e Zotit. E ku ka begati më të madhe se sa Lindja e Alejhisselamit? 'Andaj, shënimi i ditëlindjes së Alejhisselamit duke kryer vepra të dashura për All-llahun është çështje e bukur'", (M. Hanxhiq).

Ndër dijetarët islamë të cilët, nga pikëpamja fetare, shënimin e mevludit e numërojnë në traditë të bukur përveç Ibn Haxherit të përmendur, bëjnë pjesë: "Ebu Sheme, Ibn El-Xhezeri, Ibn Dihje, Es-Sujuti, Ibn El-Haxhxh etj.". [1]



Autor: Mr. Rejhan Neziri



_________________________

[*] - Kumtesë e lexuar në xhaminë e Biel-Bennit të Zvicrës, më 23 prill 2005, me rastin e Ditëlindjes së Muhammedit a.s..
[**] - Od/e,~ja f. sh. ~e, ~et let. Vjershë lirike a këngë solemne me frymë të ngritur, që u kushtohet ngjarjeve historike të shënuara a njerëzve të shquar ose që shpreh ndjenjat e dashurisë, të nderimit, të gëzimit, të miqësisë etj., Fjalor i gjuhës së sotme shqipe, Tiranë, 1980, f. 1299.
[***] - Personi udhëheqës në rrugën e tasavvufit, në jetën e teqesë, shehi, shejhu.



_________________________

[1] - Doc. Dr. Hasan Aksoy, Mevlidler, dorëshkrim.
[2] - Rifat Copa, "Nga historia e mevludit", në gaz. Drita Islame, nr. 13 (120), korrik 1997, f. 1-2.
[3] - Faik Luli dhe Islam Dizdari, Mevludet në gjuhën shqipe, Shkodër, 2002, f. 15.
[4] - Faik Luli dhe Islam Dizdari, po aty, f. 22.
[5] - Nihat Sami Banarli, Büyük Nazireler Mevlid ve Mevlid'de Milli Çizgiler, Stamboll, 1962, f. 11-12.
[6] - Mehmet Tayyib Okiç, Çesitli Dillerde Mevlidler ve Süleyman Çelebi Mevlidinin Tercemeleri, Erzurum, 1975, f. 25, 27.
[7] - Süleyman Çelebi, Mevlid, përgatiti Necla Pekolçay, Stamboll, 1980, f. 38.
[8] - Faik Luli dhe Islam Dizdari, po aty, f. 16-20. Vetë kjo vepër e këtyre dy autorëve është një studim mjaft voluminoz (me mbi 700 faqe) dhe shkencor mbi mevludet në gjuhë shqipe.
[9] - Dy nëntitujt e fundit janë marrë nga "Sve stvoreno ucini se veselo" (Përmbledhje e mevludeve në gjuhën boshnjake), Sarajevë, 1988, fq. 7-16, sipas http://www.zeriislam.com/.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...