Kurbani, historiku dhe rëndësia e tij



Fjala kurban në kuptimin etimologjik d.m.th. "Afrim, mjet që të afron me Zotin", ndërsa në kuptimin terminologjik "Të therësh një kafshë të përshtatshme sipas kushteve të caktuara me qëllim adhurimi".

Kurbani ekziston në të gjitha fetë si shprehje adhurimi. Këtë e vërteton edhe vetë Kurani ku thotë: "Ne i kemi caktuar çdo populli vend therjen (e kurbanit), që ta përmendin emrin e All-llahut, për arsye se i furnizoi ata me kafshët. Zoti juaj është një Zot, andaj vetëm Atij dorëzohuni, e përgëzo të dëgjueshmit", (Suretul-Haxh: 34).

Veç kësaj Kurani përmend edhe disa shembuj që kanë ndodhur në kohërat e më përparshme, ku tregohet ngjarja e djemve të Ademit a.s. ku njerit i'u pranua e tjetrit jo, ku Allahu xh.sh. thotë: "Lexoju (Muhammed) atyre (jehudive e të tjerëve) ngjarjen e vërtetë të dy djemve të Ademit, kur të dy flijuan kurbanë, nga të cilët njërit i'u pranua. Ai (që nuk iu pranua) tha: "Unë do të të mbys ty" (Kabili i tha Habilit). E ai (që iu pranua) tha: "All-llahu pranon vetëm prej të sinqertëve", (Suretul-Maide: 27).

Në obligueshmerin e therjes së kurbanit, na tregojnë edhe fjalët e Allahut xh.sh, i cili në suren el-Kevther thotë: "Ne, vërtet, të dhamë ty shumë të mira. Andaj ti falu dhe prej kurban për hir të Zotit tënd!", (El-Kevther: 1-2) Urtësia (hikmeti) i therjes së Kurbanit.

Çdo urdhër nga ana e Allahut xh.sh. duhet të dimë se është përplot urtësi. Me therjen e kurbanit, me të përmendur emrin e Allahut xh.sh. bëhet e ditur se të gjitha kafshët që jetojnë në rruzullin tokësor janë pronë e Allahut xh.sh..

Kurbani është shprehje e heroizmit, sakrificës dhe bindjes së njeriut në rrugën për përfitimin e kënaqësisë së Zotit. Kjo bindje dh sakrificë është simbolizuar me Hz. Ibrahimin dhe Hz. Ismailin duke arritur edhe kulmin, ku këtë e vërteton edhe Kurani ku thotë: "Zoti im, më dhuro mua (një fëmijë) prej të mirëve! Ne e gëzuam atë me një djalë që do të jetë i butë (i sjellshëm). Dhe kur arriti ai (djali) që së bashku me të (me Ibrahimin) të angazhohet në punë, ai (Ibrahimi) tha: "O djali im, unë kam parë (jam urdhëruar) në ëndërr të të pres ty. Shiko pra, çka mendon ti"? Ai tha: "O babai im, punoje atë që urdhërohesh, e ti do të më gjesh mua, nëse do All-llahu, prej të durueshmëve"! E kur ata të dy iu dorëzuan urdhrit të Zotit dhe e përmbysi atë në fytyrë (në ballë). Ne e thirrëm atë: "O Ibrahim"! Ti tashmë e zbatove ëndrrën! Ne kështu i shpërblejmë të mirët! Vërtet, kjo ishte sprovë e qartë. Ne e shpaguam atë me një të therur (kurban) të rëndësishëm. Dhe ndaj tij Ne lamë përkujtim të mirë ndër popujt e ardhshëm. Selam (shpëtim e paqe) pastë Ibrahimi! Kështu, në këtë mënyrë Ne i shpërblejmë bamirësit. Vërtet, ai ishte nga robërit Tanë besimtarë", (Es-Saffat: 100-111). Kurbani është një shprehje përkushtimi, sakrifice, sinqeriteti dhe nënshtrimi ndaj vullnetit hyjnor.

Kurbani zhvillon shpirtin e bindjes e të përkushtimit ndaj Allahut. Po ashtu në jetën sociale kurbani luan një rol të rëndësishëm. Në shoqëri mbjell shpirtin vëllazëror, rrit bashkëpunimin, ndihmën dhe shpirtin e sakrificës.

Ndihmon në zhvillimin e barazisë në shoqëri, mbulon hendekun në mes shtresave të ndryshme shoqërore. Për të varfëritë që nuk kanë mundësi që familjeve të tyre tu blejnë mish, kurbani është një mirësi shumë e madhe. Kurbani e mëson pasanikun që ai të dhurojë një pjesë së tij për të përfituar kënaqësinë e Allahut xh.sh.. E nxit atë që të ndihmoj të tjerët dhe në ndërgjegjen e tij të ndjen kënaqësi.

Në këtë mënyrë personi shpëton nga sëmundja e koprracisë dhe pasioni i tepërt për pasurinë e kësaj bote. Pejgamberi a.s. thotë në një hadith të tij: "Nuk ka vepër më të kënaqur tek Zoti, që njeriu mund të kryen në ditën e Bajramit, siç është lëshimi i gjakut nga kurbani i tij. Kafsha e sakrifikuar si kurban, në ditën e Gjykimit do të paraqitet me brinjët e veta, thundrat dhe leshin. Gjaku i kurbanit arrin te Zoti xh.sh. (do të pranohet te Zoti) para se të bie në tokë. Për këtë edhe ju gëzohuni me kurbanin", (Ibni Maxhe dhe Tirmidhiu).

Me therjen e kurbanit njeriu, Falënderon Allahun xh.sh. për begatitë që i dhuron në jetë, e ngjallë kujtimin për Ibrahimin a.s. dhe djalin e tij Ismailin a.s. që na tregojnë për gatishmërinë e sakrifikimit për Krijuesin e gjithësisë. Allahu xh.sh. e zëvendësoi Ismailin a.s. me një dash (kurban) të madh. I Lartësuari në Kuran thotë: "Dhe ne e zëvendësuam atë me kurban të madh", (Suretu-Safat: 107). I afrohet Allahut xh.sh. dhe fiton kënaqësinë dhe mëshirën e Tij.


Qëllimi dhe vlera e prerjes së kurbanit!

Sahabët e kanë pyetur Pejgamberin: 'Pse presim kurban'? Pejgamberi është përgjigjur: 'Ai është traditë - sunet i babait tuaj, Ibrahimit a.s.'. Pastaj ata e pyetën: 'E çfarë kemi prej tij'? Pejgamberi iu tha: 'Për çdo qime (të kurbanit) ju do të shpërbleheni', (Hakimi). "Në asgjë nuk ke deponuar dhe investuar më shumë se në therjen e kurbanit në ditët e Kurban Bajramit", (Darekutni në Sunenin e tij).

Therja e Kurbanit është një tregues i madh se njeriu është i gatshëm për të sakrifikuar për fenë e Allahut dhe bindjes së tij ndaj Krijuesit. Me një akt të tillë myslimani tregon mirënjohjen e tij ndaj Allahut për mirësitë dhe begatitë e shumta që Zoti ia ka dhuruar njeriut.

Besimtari shpreh gatishmërinë e tij që të sakrifikojë pasurinë dhe të heqë dorë nga shumë të mira të kësaj bote, duke u treguar human dhe dorëlirë ndaj të tjerëve. Ne, duke respektuar urdhrat e Allahut, shprehim respektin dhe mirënjohjen tonë ndaj Tij.

Me therjen e kurbanit ne sakrifikojmë një nga mirësitë dhe dhuntitë që na ka dhënë Allahu. Ai na ka dhënë kurse ne e sakrifikojmë në emër të Tij, për të mirën e të varfërve dhe të tjerëve.



Autor: Amir SYLKA

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...