Pikëllimi dhe mbajtja zi për hz. Husejnin, ndërmejt të lejuarës dhe të ndaluarës



Sunitët e çmojnë jashtëzakonisht ehli-bejtin në përgjithësi dhe hz. Husejnin në veçanti, ashtu siç e kërkon suneti i Muhamedit (a.s.), sikur që edhe shpjegohet në hyrje të këtij libri. Prandaj, sunitët masakrën në Kerbela e konsiderojnë si një nga tragjeditë më të mëdha që i kanë goditur muslimanët përgjatë historisë, kurse ushtarët emevit, të cilët kanë marrë pjesë në atë masakër, i konsiderojnë kriminelë, pasiqë ata e vranë hz. Husejnin dhe të paktën 21 anëtarë të ehli-bejtit, bashkë me shumë mbrojtës dhe mbështetës të ehli-bejtit.

Pra, sunitët pikëllohen për hz. Husejnin në mënyrë dinjitoze, d.m.th. në një mënyrë që ju ka hije pasuesve të sunetit (rrugës) së Muhamedit (a.s.), duke u përpjekur që të nxjerrin mësime historike nga Kerbelaja. Kështu ata, organizojnë ligjërata, tribuna, simpoziume, tryeza të rrumbullakëta, promovime të librave, etj., si në ditën e Ashures ashtu edhe në ditë të tjera, shpesh në kuadër të programit të përkujtimit të vetë Ashures.

Nga ana tjetër, disa muslimanë pikëllohen dhe mbajnë zi për hz. Husejnin në një mënyrë të papërshtatshme, më saktë, në një mënyrë që ngjason me përkujtimin e krishterë të "Mundimeve të Krishtit", d.m.th. me gjakimin, duke dëshiruar me të që ta ringjallin vuajtjen dhe ta përjetojnë atë edhe personalisht.

Në këtë mënyrë, fatkeqësia e hz. Husejnit tek disa ndjekës muslimanë konsiderohet pjesë integrale e besimit dhe merr formën e festes fetare të njohur si Me'tem (Matem, Zi, Funeral), e cila zakonisht festohet për 10 ditët e para të muajit muharrem.

Për më tepër, tek këta ndjekës muslimanë, Me'temi dhe pësimi i hz. Husejnit kanë rëndësi të ngjashme, sikur që kanë Pashkët dhe pësimi i Jezusit (Isait, a.s.) në Krishterim.

Prandaj, nuk duhet të çuditemi me faktin që shënimi i tyre për Me'temin është i mbushur me veprime të ndaluara të Sheriatit, si këto në vijim:

Vajtime, kukatje, qarje të rreme, shkaktim i dhimbjes, madje edhe lëndime trupore, vetvetes ose të tjerëve. Këto lëndime i shkaktojnë me kamxhik, me zinxhirë, me shufra, me brisk rroje, me thika, me shpata dhe objekte të ngjashme të mprehta dhe të topitura.

Gjithashtu, prej veprimeve të tyre janë edhe: spërkatja e hirit në kokë, shkulja e flokut, shqyerja e rrobave, shkaktimi i etjes së qëllimshme, shmangia nga mishi, nga produktet e mishit dhe përgjithësisht nga ushqimet me origjinë shtazore, përveç peshkut, (të ngjashme me agjërimin e krishterë).

Pastaj, shmangie nga larja, qethja, prerja e thonjve dhe të ngjashme, në 10 ditët e para të muharremit.

Tjetër, ecja zbathur, bërja e ikonave të hz. Husejnit dhe varja e tyre nëpër xhami dhe shtëpi, ngritja e dhomave të veçanta të zisë, organizimi në përgjithësi i procesioneve të ndryshme ceremoniale të zisë dhe ritualeve që lidhen me pikëllimin për hz. Husejnin, zija disa ditore.

Dhe, gjithashtu, përgjithësisht fyerja, sharja dhe mallkimi për sahabët, veçanërisht për hz. Ebu Bekrin, hz. Omerin, hz. Osmanin, hz. Aishen, hz. Talhan, hz. Zubejrin, hz. Amër ibn Asin, hz. Muaviun, si dhe zakone të tjera të papranueshme me sheriat.

Më në fund, nuk është e tepërt ta përmendim, se çka thotë Ibn Kethiri në lidhje me pikëllimin për hz. Husejnin, në historinë e tij, El-Bidaje vel-Hidaje: ... Rafidijtë (shiitët ekstrem) në shtetin Buvejhij ishin mbi 400 vjet. Me atë rast u rrahën tupanët në Bagdad dhe në qytete të tjera ditën e Ashures. Hiri dhe kashta u lanë nëpër rrugë dhe sheshe. Petkat e pendesës i varen nëpër dyqane. Njerëzit shfaqen pikëllim dhe vajtim. Një numër i madh i njerëzve nuk pinin ujë natën para Ashures, në mënyrë që të identifikoheshin me Husejnin, pasi ai u vra i etur.

Atëherë gratë patën dalë në sheshe me fytyra të zbuluara, të zbathura, duke dënesur dhe duke e rrahur fytyrën dhe gjoksin. Rafidijtë vepruan edhe risi të tjera të bezdisshme, teka të tmerrshme dhe akte skandaloze fiktive. Me këto dhe veprime të ngjashme, ata deshën ta bëjnë të neveritshëm shtetin Emevit, pasiqë Husejni u vra në shtetin e tyre ...

… Për më tepër, shumica e imamëve, edhe më parë ashtu edhe tani, nuk e pëlqejnë që Husejni dhe shokët e tij u vranë. Përjashtim bën një grup i vogël i banorëve të Kufës, Allahu i turpëroftë. Shumica e tyre shkëmbyen letra me Husejnin, në mënyrë që përmes tij t'i arrijë qëllimet dhe synimet e tyre të prishura. Prandaj, kur Ibn Zijadi e kuptoi se cilat ishin dëshirat e tyre të kësaj bote, ai ua përmbushi ato, bëri një pakt me ta, dhe duke i nxitur dhe frikësuar, i bëri ata që të jenë kundër Husejnit. Kështu ata u ndanë nga Husejni, e lanë në baltë dhe në fund e vranë.

Pastaj, nuk ishte e tërë ushtria e pajtimit me vrasjen e Huseinit. Gjithashtu, Jezid ibn Muaviu nuk ishte i kënaqur me këtë, dhe Allahu e di më së miri, ai as nuk e urrente atë. Mendimi pothuajse mbizotërues thotë se, nëse Jezidi do të ishte në gjendje ta kapte Husejnin para se të vritej, ai do ta falte, siç e kishte porositur babai i tij, dhe, siç kishte deklaruar edhe vetë ai. Jezidi, me gjasë, e mallkoi Ibn Zijadin për veprimin e tij dhe e fyeu. Mirëpo, ai nuk e shkarkoi për shkak të vrasjes, as nuk e ndëshkoi, as nuk e qortoi në letër, dhe Allahu e di më së miri.

Prandaj, çdo musliman është i detyruar të mbajë zi për vrasjen e Husejnit (r.a.), sepse ai ishte udhëheqës (sejjid) i muslimanëve, dijetar midis sahabëve dhe djali i vajzës së Pejgamberit (a.s.), e cila e përfaqëson vajzën më të përzemërt të Pejgamberit. Husejni ishte i devotshëm, i guximshëm dhe bujar. Por veprimet me të cilat shiitët tregojnë shqetësimin dhe pikëllimin e tyre nuk janë të bukura. Me gjasë, shumica e këtyre veprimeve përmbajnë keqdashje dhe mashtrim.

Babai i Husejnit ishte më i mirë se ai, edhe ai u vra. Por shiitët nuk e marrin vrasjen e tij si ditë zie, siç e marrin ditën e vrasjes së Husejnit. Në fakt, babai i tij me të vërtetë u vra në ditën e xhumasë, derisa shkonte në namaz të sabahut, më 17 ramazan të vitit 40 hixhrij.

Po ashtu, Osmani (r.a.) ishte më i mirë se Aliu, sipas mendimit të ehlus-sunnetit vel-xhematit. Ai u vra derisa ishte i rrethuar në shtëpinë e tij, në ditët e tekbiri teshrikut (dita e 2, 3, ose e 4 e Bajramit të Kurbanit) në vitin 36. Ai u therë nga një enë e gjakut në qafë deri në enën tjetër. Përsëri, njerëzit nuk e morën ditën e vrasjes së tij si ditë zie.

Omeri (r.a.), ishte më i mirë se sa Osmani dhe Aliu. Ai u vra derisa ishte në kijam dhe falte namazin e sabahut në mihrab, duke lexuar Kuran. Përsëri, njerëzit nuk e morën ditën e vrasjes së tij si ditë zie.

Ebu Bekri (r.a.), ishte më i mirë se Omeri, por njerëzit nuk e morën as ditën e vdekjes së tij si ditë zie. I Dërguari i Allahut (savs), është udhëheqësi (sejjid) i bijve të Ademit në dynja dhe në ahiret. Allahu, me të vërtetë, e mori nga kjo botë, ashtu si vdesin pejgamberët. Përsëri, askush nuk e mori ditën e vdekjes së tij si ditë zie, duke i bërë në të, veprimet që i bëjnë injorantët rafidijë në ditën e rënies së Husejnit.

Gjithashtu, askush nuk ka theksuar se në ditën e vdekjes së tyre, ose para vdekjes kanë ndodhur ngjarjet e përmendura më lart, për të cilat rafidijtë pretendojnë se kanë ndodhur me rastin e vrasjes së Husejnit, siç janë eklipsi i diellit, skuqja që u shfaq në qiell, etj..

Më e mira që mund të thuhet me rastin e përvjetorit të fatkeqësisë së përmendur dhe të ngjashme, është transmetimi i cili përcillet nga Ali ibn Husejn (d.m.th. Zejnulabidini), nga gjyshi i tij Pejgamberi (savs), se ka thënë: "Çdo musliman që e godet ndonjë fatkeqësi, pastaj ai e përkujton atë, qoftë edhe pas shumë kohesh, dhe për shkak të saj, ai thotë: "Ne me të vërtetë jemi të Allahut dhe me të vërtetë i kthehemi Atij", (Inna lil-lahi ve inna alejhi raxhiun), Allahu do t'i japë atij shpërblim të ngjashëm sikur në ditën kur e ka goditur fatkeqësia", Transmetohet nga Imam Ahmedi dhe Ibn Maxhe.



Autor: Jusuf DZAFIC
Përktheu: Miftar AJDINI

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...