Mirë se erdhe, Profeti po të pret!



"Mirë se erdhe, Profeti po të pret!", (Te Profeti (a.s.) e harrova botën, kohën, ...)

I shkroi Jahja ibn Muadh, Jezid Bestamiut: "U deha, kaq shumë kam pirë nga gota e dashurisë së Tij".
Ebu Jezidi ia ktheu: "Të tjerë kanë pirë detrat e qiejve e të tokës dhe akoma s'u është shuar etja. Ata thonë: A ka më?", "Er-Risaletul-Kushejrijje".

Ca fotografi, që po shihja, më sollën të freskëta disa nga kujtimet e haxhit. Të parit haxh në jetë, atë të vitit 2001. Si pakuptuar, e gjeta veten duke ecur në rrugët e bardha, që të çojnë për në "haxh".

Fotografitë më hapën ca perde, pas të cilave atmosfera dhe ambienti rrethues, ishin po ato të marsit 2001, kohë kur iu përgjigja ftesës së babait të Profetësisë, Hz. Ibrahimit (a.s.): "Dhe thirr ndër njerëz për haxhin, se të vijnë ty këmbësorë e edhe kalorës me deve të rraskapitura që vijnë prej rrugëve të largëta". [1] Është një çast, kur çdo gjë përreth teje venitet e bëhet i papërfillshëm, e ndjenjat që të përshkojnë gjykojnë e drejtojnë e ti, pas tyre dukesh si një lypsar që kërkon e kërkon, si e si të jetojë, si e si të jetë prezent, si e si të sfidojë me atë që i jepet dhe i kthehet në forcë e ndriçim, errësirat me thonj të zinj, që duan të pushtojnë realitetin ku ai jeton, si e si të pranohet e t'i jepet mbarësia.

Fotot më thirrën nga ditët e atij viti, që ka mbetur i gdhendur në kujtesën time.

Ajo që më tërhoqi vëmendjen, ndërsa rregulloja pozicionin tim brenda automjetit që na transportonte, ishte nuri që kishte pushtuar horizontin, që sëbashku me një pafundësi dunash dhe gamilet e egra, zbukuronin ndjeshëm mozaikun e përfytyruar të një vendi dhe një toke që i thonë: "Arabia".

Vargu i makinave, rregulli në atë dyndje automjetesh, punonjësit e rendit rrugor me veshjet e tyre të veçanta, me bilbilat, tabelat dhe ndjenjën e stresit dhe ankthit në atë situatë, shoqëruar kjo edhe me ndonjë buzëqeshje të improvizuar në shenjë mikpritjeje, diku një cep shkëmbi prej të cilit vërshonte në formën e një ujvare uji, e më larg një majë mali, ishin elementet e një peisazhi shumë tërheqës, që s'mund të them se e kisha përfytyruar ndonjë herë, aq më tepër ta kisha parë.

Teksa automjeti ynë afrohej nga horizonti i dritshëm, një drithërimë zemre, një emocion disi ndryshe, një gojë gjysëm e hapur, ndonjë pikëz loti, një "Subhanall-llah", një salavat dhe një zemër të rrahurat e së cilës sa vinin e shtoheshin, shoqëronin prezantimin e parë me madhështinë e xhamisë profetike, që me rrezatimet që lëshonte, ta merrte zemrën, se ç'bënte me të dhe ta kthente të mbushur me dashuri dhe emocion, e sikur të thonte: "Mirë se erdhe, Profeti po të pret!" ...

Në atë moment të duket se je shkëputur nga kjo botë, të cilën e lë pas krahëve. Ndjen se po fluturon, ndonëse këmbët i ke të mbështetura mbi sipërfaqen e tokës. Ndjen se toka ka shpirt, muret e xhamisë kanë shpirt, në sytë e njerëzve përreth ka shpirt, çdo gjë ka shpirt, e sëbashku me shpirtin tënd, dorë për dore, si miq të vjetër fillojnë të bëjnë tavafin e dashurisë, të marrin mesazhet e dashurisë hyjnore.

Te Profeti (a.s.) e harrova botën, kohën. Dukej se edhe ora kishte ndalur, ndërsa unë kisha mbërritur në këtë "finish", ose më mirë thuaj në këtë "start", sepse prej aty do të niste një kapitull i ri i jetës time, një kohë e re, një vizion i ri për gjërat, një hapësirë e re, një frymë e re, një.

Dhe ja, njerëz që hyjnë në xhami, të tjerë që dalin, dikush që lutet në një qoshe, një tjetër me kokë në sexhde duket se s'është vetëm, një i ri me Kur'an në dorë mbështetur në një prej shtyllave të xhamisë, tutje një hoxhë i nderuar i rrethuar nga një grup të rinjsh, që po i udhëzon, pak më larg "Rauda" e fare pranë saj "Varri".

Përpara "Raudas" njerëzit duken si krijesa të vogla, që me madhështinë e tij "kopështi i xhennetit" [2] i tërheq si një forcë e madhe magnetike, e ata shpejtojnë, me duart pranë veshëve e "All-llahu ekber" në gojë për të falur dy rekatë, për të bërë një lutje e për t'i lënë vendin dikujt tjetër.

Për t'i dhënë selam Profetit (a.s.) njerëzit zinin radhë. E cili njeri, që sadopak ka lexuar a dëgjuar, ka hulumtuar e studiuar ndonjë fragment nga jeta e këtij njeriu të madh, "Vulës së profetësisë", nuk do të zinte radhë për t'i dhënë Zotërisë së tij një selam? Një selam, jo dosido! Selamin e përkujtimit e atë të "aheve" të zemrës ... Selamin, që të jep begati e të shton dashuri ... Dashuri, që të shton etjen për dashuri. I shkroi Jahja ibn Muadh, Jezid Bestamiut: "U deha, kaq shumë kam pirë nga gota e dashurisë së Tij". Ebu Jezidi ia ktheu: "Të tjerë kanë pirë detrat e qiejve e të tokës dhe akoma s'u është shuar etja. Ata thonë: A ka më"? [3]

Es-selamu alejke ja Resulall- llah!
Selam mbi Siddikun, Ebu Bekr, shoqëruesin dhe besnikun.
Selam mbi Farukun, Omer ibnul- Khattab, të drejtin dhe të urtin.
Selam, pambarimisht selam!

Pasditën e një dite më pas, trokitëm në dyert e "Bakisë". Aty ku pushojnë burrat. "Prej besimtarëve kishte burra që vërtetuan besën e dhënë All-llahut, e disa prej tyre e realizuan premtimin duke dhënë jetën, dhe ka prej tyre që janë duke pritur (ta zbatojnë) dhe ashtu nuk bënë kurrfarë ndryshimi". [4] Aty ku janë besnikët e Islamit, pasuesit e parë të Muhammedit (a. s): "Muhammedi është i dërguar i All-llahut, e ata që janë me të (sahabët) janë të ashpër kundër jobesimtarëve, janë të mëshirshëm ndërmjet vete". [5] Aty ku vijnë edhe pëllumbat e bardhë ... Ku marrin frymëzim, rrahin krahët e, botës u përcjellin mesazhin e paqes, shpirtin e "Bakisë". atë të "burrave""Bakisë". Paqen, për të cilën dhanë besën e të cilën e mbrojtën edhe me jetën e tyre.

Lexova një "Fatiha". Për një çast sikur erdhën e përsëri u kthyen prej nga erdhën. Lexova një pafundësi "Fatihashë", që në të vërtetë ia lexova vetes time, sepse isha unë ai që kisha nevojë për një "Fatiha", sepse më vlente, më ndriçonte rrugën, më nurësonte. Një "Fatiha" udhëzuese.

Ditët kaluan. Ne u rikthyem në Medine te Profeti (a.s.), por, s'do rrinim shumë. Do niseshim nga kishim ardhur. Koha s'na lejonte më shumë.

Lejla, prej meje, mendjen mori. I thashë: Lejla, o Lejla, Mëshirë ki për të vrarët!

Shkova të përshëndetem me tokën e xhamisë, te "Rauda", te "Minberi", te "Varri"! Çfarë t'i thoja Profetit (a.s.). S'dua të iki? Dua të rri këtu? Çfarë? Ecja duke u menduar, e s'doja të shihja asnjeri. Doja vetëm Profetin (a.s.).

Mora amanetin e thirrjes: "Përhapni për mua, qoftë dhe një fjalë". [6] dhe u luta që të më jepet forca dhe mundësia për ta mbajtur atë.

Ishte natë kur erdhëm te Profeti (a.s.). Edhe kur u larguam nga Medina ishte natë. Ndoshta ishte një rastësi, ndoshta një mesazh. "Nata është strehë e të dashuruarve". E atyre, që pasi kanë pirë detrat e qiejve e të tokës, thonë: "A ka më?".



Autor: Imam Muhamed SYTARI



_________________________

[1] - Kur'ani: 22:27.
[2] - Transmeton Abdull-llah ibn Lejth el-Mazini (r.a.), se Profeti (a.s.) ka thënë: "Në mes shtëpisë dhe minberit tim është kopësht prej kopshteve të xhennetit", (Ahmedi, Bukhari e Muslimi, Nesaiu).
[3] - "Er-Risaletul-Kushejrijje", fq. 325.
[4] - Kur'ani: 33:23.
[5] - Kur'ani: 48:29.
[6] - Transmetuar nga Ahmedi, Bukhari dhe Tirmidhiu nga Ibni Amr (r.a).

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...