Gjuha e komunikimit në rrjetet sociale nga këndvështrimi i etikës islame



Si pasojë e globalizimit dhe e shtrirjes së të mirave (me dhe pa thonjëza) materiale e teknologjike, sot s'ka pothuajse asnjë nga të rinjtë dhe të rejat që nuk e përdorin internetin dhe mediat sociale. Sot madje edhe shumë të moshuar janë bërë thuajse të varur nga përdorimi i telefonave "të mençur", të cilët të gjithë botën ta sjellin në pëllëmbë të dorës.

Sot interneti dhe rrjetet sociale janë bërë pjesë e pandashme e jetës sonë. Më e dhimbshmja është se edhe moshat më të reja të fëmijëve nuk kursehen nga përdorimi i tyre i papërshtatshëm me moshën që kanë. E gjithë kjo, me ose pa vetëdije, bëhet me dorën tonë si prindër. Ne ua blejmë, ne i regjistrojmë dhe pikërisht ne prindërit ua mundësojmë fëmijëve tanë të njomë qasjen në internet dhe në rrjetet sociale, duke ua fryrë moshën e tyre, sepse përndryshe, sipas moshës që kanë, juridikisht dhe praktikisht nuk kanë të drejtë regjistrimi dhe qasjeje në to. Me këtë, tradhtinë e madhe të parë në këtë drejtim fëmijëve tanë ua bëjmë vetë ne prindërit.

Të ngazëllyer e të joshur pafundësisht nga mundësia e re për t'u shfaqur, për t'u dukur, për të na parë bota, ne sot nuk kursejmë asnjë moment të jetës sonë e të mos e publikojmë në internet a në rrjetet sociale. Nga një popull që më parë druanim të mos merrnin vesh fëmijët e fqinjëve tanë se çfarë kemi ngrënë sot, me qëllim që ata të mos lakmoheshin, sepse ndoshta atyre u mungonte e njëjta, jemi kthyer në popull që thuajse gjithçka, ama gjithçka, e publikojmë në "mbarë botën" që e kemi në pëllëmbë. Nga një popull që më parë e ka quajtur të shenjtë jetën private, jemi kthyer në një popull që garojmë me të tjerët se kush do të shpalosë më shumë elemente të jetës private në rrjetet sociale. Nga krejt kjo fiton përshtypjen se çdo gjë që bëjmë, e bëjmë për ta shfaqur në internet, për t'ua treguar të tjerëve ... Sikur po harrojmë se ne duhet të kënaqemi për veten tonë e jo për të tjerët, se duhet vetë t'i shijojmë këto të mira e jo të tjerët... Të tjerët dinë të kënaqen vetë, dinë t'i shijojnë vetë të mirat e tyre, sipas mënyrës së veçantë që kanë.

Bile, jo vetëm ne muslimanët, edhe ibadetet, adhurimet e ritualet fetare dhe shenjtërinë e tyre i kemi futur në të njëjtin kallëp ... Në një moment kur unë supozoj se duhet të vetmohem me Zotin tim, se duhet të mbaj një raport intim, të fshehtë e të përzemërt me Krijuesin tim, unë nuk i rezistoj dot joshjes dhe tundimit të këtij mjeti magjik të quajtur internet, dhe i shfaq, i shpalos edhe ato që do të duhej t'i mbaja më sekrete, më personale të jetës sime. E kuptoj plotësisht gëzimin që e ndiejmë nga përjetimi i të njëjtave dhe nga pamundësia për ta përmbajtur veten që të mos i ndajmë këto momente me të tjerët, dhe nuk e kam fjalën për këtë, por për një dimension tjetër, për përmasat që ka marrë ky trend dhe prej ku njeriu fillon të dyshojë se ku është kufiri i privates dhe i publikes, i të sinqertës dhe i syefaqesisë, në gjërat më sekrete të jetës, në këtë rast të takimeve tona me Zotin. E them nga përvoja e hidhur personale se sa herë që ndonjë televizion privat apo shtetëror ka incizuar faljen e namazit në xhaminë tonë për ndonjë reportazh a dokumentar, unë si imam në atë rast jam falur/lutur vetëm formalisht dhe shumë pak kam qenë me vëmendje në namaz. Është pothuajse e pamundur ta ruash raportin e pandërprerë dhe të pashkëputur me Zotin, kur e di se të ndjek, të shikon a të regjistron dikush tjetër përreth teje.
v Nga ana tjetër, sa mendojmë se interneti dhe rrjetet sociale në veçanti na afrojnë me njerëzit e largët, po aq duhet ta kuptojmë rrezikun se ato në fakt në mënyrë proporcionale na largojnë nga njerëzit e afërt dhe nga jeta jonë reale ...

Pastaj, lojërat online, bixhozi online, faqet e pamoralshme online, etj., janë bërë tanimë preferenca të shumë të rinjve dhe të rejave tona. Më herët njerëzve u është dashur të shkojnë e t'i afrohen së keqes, sot e keqja, e pamoralshmja, jonjerëzorja, dhuna, etj., u vjen njerëzve vetvetiu në dorë, në dhomë, në shtëpi e në familje.

Teknologjia dhe interneti me rrjetet sociale, tinëzisht si duket po na grabisin disa gjëra shumë me vlerë:

1. Vetëdijen tonë, në mesin e informatave të pafund, që për pasojë ka ndër të tjera edhe indoktrinimin dhe, më butë thënë, konfuzionin a hutinë tonë kognitive, njohëse. Problemi më i madh sot nuk është mungesa e informacioneve, por shumësia e tyre dhe mungesa e aftësisë selektuese te shumica e njerëzve për të dalluar informacionin nga dija e pastaj lajmin e vërtetë nga i rremi, të sigurtin nga i dyshimti.

2. Shëndetin tonë psikik, duke mos arritur të krijojmë, ndër të tjera, aftësinë a zotësinë e asaj që quhet "tolerancë e ambiguitetit", që do të na mundësonte ta ruanim qetësinë tonë të brendshme shpirtërore dhe emocionale kur konfrontohemi me gjëra a situata diametralisht të kundërta me njëra-tjetrën dhe kur prej nesh pritet të tregojmë maturi e durim ndaj gjërave e gjendjeve dy a më shumë kuptimshe. Për shembull, gjatë rrëshqitjes së gishtave në Facebook për të lexuar më të rejat e miqve tu, t'i ndeshesh me një lajm të mirë, të gëzueshëm, madje edhe plot humor, ndërkaq lajmi apo postimi menjëherë pas tij është plot dhunë drastike ndaj fëmijës, ndaj gruas, kafshëve, etj.. Ky konfrontim me lajme kaq të kundërta me njëri-tjetrin, të lodh shpirtërisht. Pas një kohe kjo mund të shkaktojë edhe topitjen, madje edhe humbjen e ndjeshmërisë, ku nuk të bën më shumë përshtypje as gëzimi e as pikëllimi. Kjo situatë prej nesh, ndër të tjera, krijon tipa indiferentë ndaj asaj që ndodh rreth nesh.

3. Moralin tonë, në mesin e sjelljeve pafundësisht të paturp, të pacipë e të pavlerë që publikohen e shpërndahen gjithandej.

4. Etikën e komunikimit. Gjuha e vrazhdë, mosrespektimi i ndërsjellë, shpifjet, sharjet dhe fyerjet sikur janë bërë pjesë e fjalorit apo leksikut të internetit e të rrjeteve sociale... Këto nuk përputhen me asnjë rregull të moralit jo vetëm islam, por edhe të etikës së komunikimit njerëzor.

Me sa thash deri më tani, nuk dua të lë të kuptohet se jam dhe kundër përdorimit të teknologjisë - në këtë rast kundër internetit dhe kundër rrjeteve sociale -. Nuk mund të jem kundër tyre në parim. Bile-bile edhe vetë i përdori mjaftueshëm. Por, ajo që dua të theksoj me këtë rast është fakti se duhet të gjithë të bëjmë kujdes që të mos bëhemi produkt dhe robër të kësaj teknologjie, robër të kontrolluar nga interneti dhe nga rrjetet sociale, por ne t'i kontrollojmë ato dhe t'i vëmë në shërbim tonin e të mbarë njerëzimit. Duhet të bëjmë kujdes që teknologjia jonë e përparuar të mos krijojë prej nesh përbindësha e frankenshtajna të pamëshirshëm!

Atë që dua ta trajtoj pak më hollësisht në këtë artikull është gjuha apo diskursi i komunikimit që e përdorim ne në internet e në rrjetet sociale. Për ne si muslimanë në çdo pikëpamje, por edhe në këtë fushë, mbështetjen më të fuqishme dhe orientuese e gjejmë te Kur'ani fisnik, te jeta e Muhammedit a.s. si dhe te shembujt e bukur e të vlefshëm të dijetarëve e të muslimanëve të devotshëm.

Në këtë drejtim, kur është në pyetje mënyra e komunikimit tonë real, por sot sidomos ai virtual, orientues dhe drejtues për ne do të duhej të ishte fjala e Muhammedi a.s. kur thotë: مَنْ كَانَ يُؤْمِنُ بِاللَّهِ وَالْيَوْمِ الْآخِرِ فَلْيَقُلْ خَيْرًا أَوْ لِيَصْمُتْ! - "Kush beson All-llahun dhe Ditën e Gjykimit, ose le të flasë mirë e bukur, ose le të heshtë!", (Buhariu, Muslimi).

Kjo thënie e tij na bën me dije përgjegjësinë e fjalës, të komunikimit e të mënyrës së bisedimit me njëri-tjetrin. Në asnjë situatë nuk duhet ta harrojmë mbikëqyrjen e Zotit ndaj nesh dhe marrjen tonë në përgjegjësi nesër në Ditën e Gjykimit nga ana e Tij.



Muhammedi a.s. në këtë drejtim po ashtu thotë: اَلْمُسْلِمُ مَنْ سَلِمَ الْمُسْلِمُونَ مِنْ لِسَانِهِ وَيَدِهِ. - "Musliman (i plotë, i vërtetë) është, prej gjuhës dhe dorës së të cilit janë të sigurtë muslimanët (njerëzit) e tjerë", (Buhariu, Muslimi, Nesaiu).

Nuk mund dhe nuk guxon të jetë ndryshe, pasi vetë fjala "Islam" nënkupton nënshtrim ndaj Zotit dhe jetë paqësore me çdokënd dhe me gjithçka. Fjala "musliman" nënkupton njeriun, mashkull apo femër, i cili i nënshtrohet Zotit plotësisht dhe me këtë rast prej tij buron vetëm paqe, qetësi, mirësjellje, dashuri e respekt.

Në rastin tonë, ky hadith do të thotë: musliman i vërtetë është ai i cili në rrjetet sociale flet e komunikon me të tjerët njerëzishëm, muslimançe dhe kur'ançe, dhe i cili me duart e tij, me gishtat e tij në tastaturë, nuk e lëndon askënd, nuk e shqetëson askënd, nuk e nënçmon askënd. Thjesht, nga muslimani dhe nga muslimanja në botën reale dhe virtuale buron vetëm dashuria, respekti, nderi, vlerësimi dhe hareja.

Këtu, secili prej nesh le ta matë vetveten në peshoren e kësaj thënieje të Muhammedit a.s. sa herë që niset të lidhet në internet apo në rrjetet sociale. Le ta parashtrojë pyetjen: në internet dhe në Facebook do të shpërndaj dashuri, respekt, harmoni, paqe e qetësi, apo të kundërtën e tyre? Pra, me fjalë të tjera, edhe këtu besoj se duhet të bëjmë nijet, të vendosim, njësoj siç bëjmë nijet para namazit, para agjërimit si dhe para ibadeteve apo ritualeve të tjera.

Përcillet nga Esved bin Esram el-Muharibijj r.a. i cili një ditë i ka thënë Muhammedit a.s.: "O i Dërguar i Zotit, më këshillo e më mëso diçka"! Ai më pyeti: "A e kontrollon dot gjuhën tënde"? I thash: "Çfarë të kontrolloj tjetër gjë, nëse jo gjuhën time"? Më tha: "A e kontrollon dorën tënde"? I thash: "Çfarë të kontrolloj tjetër gjë, nëse jo dorën"? Më tha: "Atëherë, me gjuhën tënde mos thuaj asgjë tjetër, pos së mirës dhe mos e shtrij dorën tënde, pos se në punët e mira e të dobishme!", (Taberaniu).

Edhe një herë, sa e kontrollojmë gjuhën tonë dhe dorën tonë kur shkruajmë dhe kur komunikojmë në internet?


Disa parime të komunikimit (të të folurit dhe të të shkruarit) në internet

1. Parim bazë gjatë komunikimit ta kemi mirësinë, dashurinë dhe mëshirën, e jo të keqen, urrejtjen dhe kryelartësinë.

2. Komunikimi duhet të bëhet për të siguruar një dobi ose për të larguar një dëm, madje edhe në bisedat e thjeshta duhet pasur kujdes që të arrihen rezultate të dobishme.

3. Duhet folur me një ton të butë e të kuptueshëm. Kur'ani fisnik lidhur me këtë na e përcjell këshillën e Llukmanit a.s. drejtuar birit të tij: "Ec me kujdes e modesti, e fol me zë të ulët; se zëri më i vrazhdë është zëri (pallja e) i gomarit!", (Lukman, 31:19).

4. Së pari duhet dëgjuar mirë ajo që flitet, duhet kuptuar tema e saj, e pastaj në qoftë se nevojitet, duhet folur vetëm aq sa ka nevojë. Në fakt është zotësi të dish të dëgjosh. Ai që nuk dëgjon, por flet vazhdimisht, nuk mëson dot gjëra të reja. Ai do t'i përsërisë të njëjtat fjalë a mendime si një refren... Lidhur me edukatën e të folurit ka disa fjalë të urta:

- "Zoti të ka dhënë dy veshë e një gjuhë, që të dëgjosh dy herë e të flasësh një".

- "Në qoftë se fjala është e argjendtë, heshtja është e artë".

- "Njerëzit e përkryer shkallën e tyre e kanë arritur nëpërmjet heshtjes".

5. Pa mos u dhënë shumë pas personave dhe ngjarjeve, duhet përpjekur të kuptohet tema kryesore e ngjarjes, lidhja shkak-pasojë e saj. Proverbi kinez në vijim e shpreh shumë qartë rëndësinë e ruajtjes së nivelit gjatë komunikimit: "Kokat e mëdha flasin për mendimet, kokat e mesme flasin për ngjarjet, kurse kokat e vogla flasin për personat".

Të flasësh për personat mund të shkaktojë thashetheme, kurse të merresh me rrëfimin e një ngjarjeje rrezikon ta humbasësh pamjen e plotë të temës së bisedës.

6. Duhet t'i kemi parasysh parimet morale të sures el-Huxhurat, 49, e cila për mua, natyrisht edhe suret e tjera, paraqet një manifest etik të jetës shoqërore, por në veçanti në atë të komunikimit tonë real dhe atij virtual:

- që njerëzve të mëdhenj të mos u drejtohemi në formë personale, siç u drejtohemi njerëzve të afërt dhe miqve tanë, por me respekt të thellë ...

- të mos u drejtohemi të tjerëve me llagape, nofka lënduese ...

- të mos tallemi me të tjerët dhe të mos i nënçmojmë ata ...

- të mos i lëndojmë të tjerët me fjalë a me sjellje ...

- të mos gjurmojmë të metat e të tjerëve dhe të mos i spiunojmë ata ...

- të mos flasim me hamendje dhe me dyshime të pabazuara ...

- të mos i ndjekim lajmet e pakonfirmuara, lajmet e rreme dhe kështu t'u bëjmë padrejtësi të tjerëve dhe vetvetes ...

All-llahu xh.sh. u ka dhënë sihariq atyre që dinë të dëgjojnë dhe që përdorin fjalët më të mira e më të bukura gjatë komunikimit: فَبَشِّرْ عِبَادِ ﴿١٧﴾ اَلَّذِينَ يَسْتَمِعُونَ الْقَوْلَ فَيَتَّبِعُونَ أَحْسَنَهُ ... - "... e ti përgëzoji robërit e Mi! Të cilët e dëgjojnë fjalën dhe e pasojnë atë më të mirën prej saj", (ez-Zumer, 39:17-18).

Në qoftë se i shikojmë diskutimet që bëhen, zënkat dhe mospajtimet që shfaqen, do të kuptojmë lehtë se ne njerëzit ende nuk jemi mësuar të flasim si duhet e të komunikojmë sipas parimeve etike, të cilat sigurojnë dashuri e jo urrejtje, respekt e simpati dhe jo antipati e përbuzje... Në të shumtën e rasteve, shkak i zënkave midis njerëzve janë fjalët e pamatura, me të shara e me mungesë respekti e mirësjelljeje.

Nga ana tjetër, fjalët e mira e të bukura të thëna në kohën dhe vendin e duhur kanë qenë pikënisja e lumturive më të mëdha që i ka njohur njerëzimi.

Në këtë kontekst të mos e harrojmë porosinë e Pejgamberit a.s. kur thotë: إِنَّ مِمَّا أَدْرَكَ النَّاسُ مِنْ كَلاَمِ النُّبُوَّةِ الْأُولَى: إِذَا لَمْ تَسْتَحِ فَاصْنَعْ مَا شِئْتَ. - Përcjell Abdullah ibni Mes'udi r.a. se Pejgamberi a. s. ka thënë: "Atë që e kanë mbërritur njerëzit nga pejgamberët e mëparshëm është thënia: Në qoftë se nuk ke turp, bëj çfarë të duash!", (Buhariu).

Për të mos u bërë robër të sundimit të perceptimit vizual, pamor dhe për të mos u bërë produkt i dikujt, ne sot kemi nevojë të ringjallemi me ndjenjën e turpit, të marres ...

Ne sot kemi nevojë për një kryengritje dhe revolucion që do ta vendosë turpin sërish në krye të vlerave morale, të vlerave që na e kanë përcjellë të gjithë pejgamberët e Zotit ...

Dijetarët islamë marren e ndajnë në katër grupe:

- marre kundrejt Zotit

- marre kundrejt njerëzve të tjerë

- marre kundrejt melekve, engjëjve

- marre kundrejt vetvetes

Kjo e fundit në fakt do të duhej të radhitej në rend të parë. Kur njeriu turpërohet nga vetvetja, kjo tregon se ai ka në zemrën dhe shpirtin e tij nderin, fisnikërinë, dinjitetin ...

Përcjell Abdullah ibni Mes'udi r.a. nga Pejgamberi a.s. se ai një ditë u ka thënë të pranishmëve: "Kijeni turp All-llahun, ashtu siç e meriton Ai"! I thamë: "Falë Zotit, ne kemi turp ndaj Tij"! Ai na tha: "S'e kam fjalën për këtë, por për turpin që e meriton Zoti, në kuptimin: ta ruash kokën dhe gjithë çfarë përfshinë ajo (të gjitha organet e saj), ta ruash barkun dhe gjithë çfarë përmban ai, ta kujtosh vdekjen dhe atë që vjen pas saj. Kush e dëshiron Ahiretin (pra, Xhennetin), ai largohet nga stolitë e kësaj bote. Kush vepron kështu e ka turp Zotin ashtu siç e meriton Ai", (Tirmidhiu).

Mënyra më e mirë për t'u ringjallur me virtytin e turpit, është rishikimi i besës, i zotimit që ia kemi dhënë Krijuesit tonë qysh në ezel, në parahistori, kur ai i ka krijuar shpirtrat tanë dhe i ka pyetur: A s'jam unë Zoti juaj? Me këtë rast ato i kanë thënë: Gjithsesi që Ti je Zoti ynë! Ty të besojmë dhe Ty të bindemi!

Pra, pakëz edukatë komunikimi, pakëz mare e turp ndaj vetvetes, ndaj Zotit, ndaj melekve e ndaj njerëzve të tjerë edhe në internet dhe në rrjetet sociale, do të na bëjë mirë të gjithë neve. Do ta shikoni se çfarë mrekullie do të krijojë kjo "magji" në jetën tonë.

Mbetshi nën kujdesin, mbrojtjen dhe mëshirën e plotë të Zotit!



Autor: Rejhan NEZIRI

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...