Ramazani, muaji i punëve të mira



Zoti ynë thotë në Kuranin fisnik: "Muaji i Ramazanit është muaji në të cilin zbriti Kurani, që është udhezim për njerëzit, është dallues i të drejtës nga e shtrembërta. Kush e arrin këtë muaj, le ta agjërojë atë".

Njeriu në natyrën e tij është krijesë e dobët. Besimi i njeriut ndonjëherë rritet shumë, saqë të duket se arrin besimin e melekëve, herë të tjera dobsohet shumë, saqë ti dyshon nëse je besimtar apo jo. Secili prej nesh ka pasur dhe ka hallet e tij, të cilat e mbajnë çdo ditë peng. Nuk dihet ku fillojnë e ku mbarojnë hallet e njeriut. Sezoni i verës me vapën e saj, pushimet dhe organizimi i tyre, viti shkollor dhe përgatitjet e fëmijëve e shumë të tjera, të gjitha këto të marra së bashku dashje pa dashje na e largojnë vëmendjen dhe përqendrimin nga muaji i shenjtë i Ramazanit. Kjo është normale, por nuk duhet të vazhdojë shumë.

Njëherë shokët e profetit (a.s.) shkuan tek ai me lot në sy, me kokën ulur dhe i thanë: "O profet i Allahut! Kemi frikë se jemi bërë hipokritë". Profeti (a.s.) i pyeti: "Ç'është kjo fjalë? Si mund të bëheni ju hipokritë?!" Shokët i thanë: "Kur jemi me ty, e kemi besimin aq të fortë, saqë na duket sikur fluturojmë. Na lotojnë sytë, na zbuten zemrat, e kemi mendjen vetëm tek Zoti dhe tek bota tjetër. Por kur shkojmë në shtëpitë tona, fillojnë problemet, gratë qahen, fëmijët qajnë e kështu na ngurtësohen zemrat, saqë dyshojmë nëse jemi besimtarë apo jo. Prandaj kemi frikë se jemi bërë hipokritë". Profeti (a.s.) u tha: "Jo! Ju nuk jeni hipokritë, sepse kjo është diçka normale. Sikur ju të qëndronit në shtëpitë tuaja me të njëjtin besim që keni kur jeni me mua, do të dilnin melekët nëpër rrugë duke iu dhënë selam. Por forcojeni besimin tuaj herë pas here, freskojeni atë orë pas ore".

Nëse hallet tona kanë qenë të shumta e ne kemi kaluar shumë orë larg mendimit për Zotin, tashmë po vjen një orë e madhe, po vjen një muaj i madh e ai është muaji Ramazan. Ai vjen vetëm një herë në vit, por ndoshta për dikë mund të mos përsëritet më vitin tjetër dhe kjo mund t'i ndodhë secilit prej nesh. Mes nesh kemi pasur besimtarë e besimtare, të cilët kanë dëgjuar fjalime, kanë falur teravi, ndërsa sot nuk janë mes nesh, por kanë shkuar tek Zoti i gjithësisë. Lusim Zotin t'ua ketë pranuar çdo punë të mirë.

Ramazani ka aq vlerë të madhe, saqë unë nuk mund ta shpreh me fjalët e mia, por do të them disa nga fjalët e Muhamedit (a.s.), i cili tregon për vlerën e madhe të këtij muaji. Lum ai që e shfrytëzon çdo moment të këtij muaji.

Në hadithin kudsij thuhet: "Çdo punë që bën njeriu, e bën për veten e tij, përveç agjërimit. Atë e bën vetëm për Mua dhe vetëm Unë do ta shpërblej për të. Ky njeri le ushqimin dhe pijen, nënshtron epshet e tij për hatrin Tim. Unë do ta shpërblej njeriun. Shpërblimi i Zotit është i madh, se Ai është Bujari i bujarëve, është Ai që jep pa llogari, është Zoti i gjithësisë.

Për të pasur një ide më të qartë të shpërblimit të Zotit, mund të përmendim vetëm historinë e njeriut të fundit që hyn në xhenet. Allahu (xh.sh.) i thotë atij: "Robi Im! A kënaqesh nëse të jap gjithë pasurinë e dynjasë"? Njeriu thotë: "O Zot, a tallesh me mua e Ti je Zoti i gjithësisë?! E si mund ta kem unë gjithë pasurinë e dynjasë"?! Atëherë Zoti i thotë: "Robi Im, Unë të kam dhënë 10-fishin e pasurisë së dynjasë". Ky është shpërblimi i Allahut (xh.sh.). Kur të të thotë Zoti, se Ai vetë do të të shpërblejë për diçka, imagjinoje sa të duash shpërblimin, të jesh i sigurt se do të jetë shumë më i madh, sepse me arrijmë të llogarisim me kapacitetin e mendjeve tona, ndërsa Allahu (xh.sh.) e ka shpërblimin pa kufi.

Profeti (a.s.) ka thënë: "Era e gojës së agjëruesit, është më e dashur tek Zoti se era a parfumit misk". Era e gojës së agjëruesit është era e devotshmërisë, ështe era e besimit dhe nuk është thjesht era e dhëmbëve.

Profeti (a.s.) ka thënë: "Muslimani ka dy gëzime: ku çel iftar dhe kur të takohet me Zotin e tij". Muslimani gëzon kur çel iftar dhe thotë: "Shyqyr o Zot që më mundësove të agjëroj këtë ditë. Ma prano agjërimin e kësaj dite". Të gjithë e kemi provuar se çfarë gëzimi ka ky moment. Ky gëzim vazhdon për 30 ditë rresht. Ky është gëzimi i muajit Ramazan. Por gëzimi më i madh i muslimanit do të jetë gëzimi kur të dalë përpara Allahut (xh.sh.), kur të shikojë bukurinë e Zotit. Do t'i thuhet atij njeriu: "Ti e pe Zotin, sepse agjërove për hatër të Tij". Ky është gëzimi më i madh, që i kurrë nuk e ka imagjinuar.

Profeti (a.s.) ka thënë: "Kush agjëron një ditë për hatër të Zotit, largohet 70 vjet nga zjarri i xhehenemit". Me një ditë agjërim largohesh 70 vite nga xhehenemi. Po nëse agjërojmë për 30 ditë, sa vite largohemi nga zjarri?! Po ata njerëz që agjërojnë gjithë jetëm e tyre?! Zoti na bëftë nga ata, që agjërojnë për hir të Allahut (xh.sh.) e Ai na largon nga zjarri i xhehenemit dhe nuk e shikojmë zjarrin as me bisht të syrit.

Profeti (a.s.) ka thënë: "Xheneti ka tetë dyer, njëra më e bukur se tjetra. Gjerësia e një dere është me dhjetëra kilometra. Por do të vijë një ditë, që njerëzit do të shtyjnë njëri - tjetrin për të hyrë në dyert e xhenetit".

Ndërsa në një hadith tjetër profeti (a.s.) thotë: "Një nga dyert e xhenetit e ka emrin "Er-Rejjan". Ajo derë është vetëm për agjëruesit. Kur të hyjë agjëruesi i fundit, ajo derë mbyllet dhe askush tjetër nuk hyn më nga ajo derë". Zoti na bëftë nga ata, që shtyjnë njëri - tjetrin për të hyrë në xhenet nga dera e Rejanit.

Kur afrohej muaji Ramazan, profeti (a.s.) buzëqeshte, i merrte shokët e tij dhe u thoshte me buzë në gaz: "Zoti i ka dhënë Umetit tim pesë dhurata në Ramazan dhe askujt tjetër përveç Umetit tim nuk ia ka dhënë". Ato janë:

1. - Era e gojës së agjëruesit, është më e dashur tek Zoti se era a parfumit misk.
2. - Për agjëruesin luten gjithë krijesat e Zotit, deri në momentin kur ai çel iftar.
3. - Xheneti zbukurohet çdo ditë të Ramazanit për agjëruesin dhe Zoti i thotë: "Zbukurohu o xheneti Im. Bëhu gati për robtë e Mi. Ata shumë shpejt do të vijnë tek ti".
4. - Në Ramazan prangosen shejtanët, të cilët nuk kanë forcë mbi njeriun.
5. - Natën e fundit të Ramazanit agjëruesit i falen gjynahet.

Shokët i thanë: "O profet i Zotit! Mos e ke fjalën për natën e Kadrit"? Profeti (a.s.) u përgjigj: "Jo ajo është natë tjetër. Unë flas për natën e fundit të Ramazanit. A nuk e keni parë, se punëtori merr shpërblimin, pasi mbaron punën e tij? Ashtu edhe agjëruesi e merr shpërblimin e agjërimit të tiij në natën e fundit të Ramazanit".
Njëherë teksa profeti (a.s.) po ngjiste shkallët e minberit, në shkallën e parë tha "Amin", në shkallën e dytë tha "Amin", në shkallën e tretë tha "Amin". Shokët e tij e pyetën: "O profet i Zotit! Pse the tre herë Amin"? Profeti (a.s.) ua ktheu: "Më erdhi Xhibrili (a.s.) dhe më tha: "O Muhamed! Kur të dëgjosh për tre gjëra thuaj Amin. Kush i gjen prindërit gjallë, nuk i respekton ata dhe nuk fiton xhenetin nëpërmjet tyre, e largoftë Zoti atë njeri"". Unë thashë "Amin". Pastaj Xhibrili (a.s.) më tha: "O Muhamed! Kush dëgjon emrin tënd dhe nuk çon salavat mbi ty, e largoftë Zoti atë njeri". Unë thashë "Amin". Xhibrili (a.s.) vazhdoi: "Kush e arrin muajin e Ramazanit, nuk e agjëron atë dhe nuk fiton xhenetin, e largoftë Zoti atë njeri". Unë thashë "Amin".

Zoti e bëftë Ramazanin muajin e faljes së gjynaheve tona, muajin e afrimit me Zotin, muajin e largimit nga shejtani i mallkuar, muaj që na afron tek xheneti e na largon nga xhehenemi.

Të gjithë e dinë se ky Ramazan vjen pak ndryshe nga vitet e tjera, vjen në kohën e vapës, ku dashje pa dashje jemi të përqendruar në gjëra të tjera. Por dijeni, se ky muaj është më i madh se të gjithë shqetësimet që ka njeriu. Ky muaj vjen me duanë (lutjen) e tij, me lehtësinë e tij, sepse Ramazani asnjëherë nuk ka qenë i rëndë për besimtarët. Zoti e bëftë Ramazanin sa më të lehtë për ne dhe për të gjithë ata që e kanë bërë nijet për ta agjëruar këtë muaj.

Ky muaj kërkon prej nesh në radhë të parë përgatitje shpirtërore, që është 'NIJETI'. Nijeti është gjë e madhe, është vendosmëria që ti bën në zemër përpara Ramazanit, duke thënë me vete: "O Zot kam bërë nijet për të agjëruar këtë muaj. O Zot të lutem të ma lehtësosh agjërimin e çdo dite". Kush bën nijetin, ka bërë gjysmën e punës. Në dashtë Zoti, nijetet tona do të jenë gjithmonë për hatër të Allahut (xh.sh)..

Ky muaj ka nevojë për përgatitje mendore. Vrite mendjen, jo duke menduar se çdo të bëj për iftar, por mendo se ku do t'i kalosh ditët e dhe netët e këtij muaji. Mendo me vete: "Sa Kuran do të lexoj këtë muaj, sa namaz do të fal, sa sadaka do të jap, sa njerëz do të ndihmoj, sa njerëz do të ftoj në fenë e Zotit, sa rekate teravi do të fal, sa do ta përjetoj këtë muaj me gjithë qenien time". Për këto ia vlen të vrasësh mendjen e të planifikosh. Besimtari në këtë muaj mendon gjithmonë për të bërë diçka më shumë se dita e djeshme.

Ky muaj ka nevojë për përgatitje fizike dhe prgatitja më e madhe është durimi. Në këtë muaj kërkohet durim. Le të gjejmë durim brenda veteve tona, brenda zemrave tona. Ditët e para mund të jetë e vështirë, por Zoti do ta lehtësojë. E rëndësishme është që të kemi durim, sepse suksesi nuk arrihet pa durim, as xheneti i Zotit nuk fitohet pa durim.

Profeti Muhamed (a.s.) ishte njeriu më besimtar, që asnjëherë nuk bënte gjynah, ishte njeriu që gjithmonë ishte i lidhur me Zotin, por kur vinte muaji Ramazan, ai (a.s.) ndryshonte menjëherë. Ai (a.s.) ishte shumë aktiv në Ramazan dhe bënte lloj - lloj punësh të mira, që ndoshta nuk i kishte bërë herë tjetër. Kur vinte muaji Ramazan, ai (a.s.) ishte shumë bujar, edhe pse nuk është njohur asnjëherë për kopraci.

Kur vinte Ramazani, profeti (a.s.) ulej çdo natë dhe lexonte Kuran me Xhibrilin (a.s.), dhe shokët e tij e shihnin atë (a.s.) teksa lëvizte buzët e nuk e shihnin Xhibrilin (a.s.). Ndërsa vitin që ndërroi jetë, profeti (a.s.) e lexoi dy herë Kuranin. Me këtë dukej sikur Allahu (xh.sh.) po i thoshte: "O Muhamed ky është viti i fundit i jetë tënde, prandaj bëje edhe një hatme (lexim i plotë i Kuranit) më tepër".

Kur vinte nata e parë e Ramazanit, shokët e tij e kapnin njëri - tjetrin në qafë dhe me lot në sy thoshin: "Shyqyr o vëlla që e arritëm muajin e Ramazanit". Ata e prisnin me padurim Ramazanin dhe i jepnin selam njëri - tjetrit, sikur do të shkonin në ndonjë vend të largët dhe thoshin: "O Vëlla! Shihemi në fund të Ramazanit, mos më harro në dua (lutje)". Ata përqendroheshin tek vetja e tyre me duatë, me dhikrin dhe me leximin e Kuranit, sikur nuk njihnin asnjë njeri tjetër.

Dijetarët që shpjegonin fe, në muajin Ramazan e linin mësimin, i mbyllnin librat e tjerë. Ata hapnin vetëm Kuranin dhe përqendroheshin të gjithë në adhurim. Tregtarët mundoheshin ta rregullonin tregtinë e tyre, punëtorët mundoheshin ta rregullonin punën e tyre dhe të gjithë e përjetonin Ramazanin sikur të ishte i fundit për ta.

Prandaj edhe ne le të përmirësohemi sa të mundemi në këtë muaj dhe pas tij. Le të shtojmë sa më shumë adhurimet tona, le të jemi sa më të rregullt në punën tonë, le ta përjetojmë këtë muaj sikur të ishte i fundit për ne dhe të jemi të sigurt, se për disa do të jetë vërtet i fundit. Prandaj duhet ta shfrytëzojmë sa më mirë këtë dhuratë të Allahut (xh.sh.), duhet ta presim sa më mirë këtë mik të Allahut (xh.sh.) dhe ta përcjelim ashtu si i ka hije.

E lus Zotin e gjithësisë të na mundësojë ta arrijmë muajin Ramazan. Zoti na mundësoftë ta agjërojmë Ramazanin e të na e lehtësojë atë. Zoti i pranoftë namazet tona, duatë tona, dhikrin tonë, sadakanë tonë, leximin e Kuranit. Zoti i pranoftë teravitë tona dhe namazin e natës. Zoti na mundësoftë ta arrijmë natën e Kadrit. E lusim Zotin ta mbushë boshllëkun e zemrave tona me besimin tek madhështia e Tij. E lusim Zotin që Ramazanin ta bëjë dëshmitar për ne dhe jo kundra nesh. Zoti e bëftë Ramazanin muajin e përmirësimit për ne, për familjet tona dhe për të gjithë muslimanët kudo që janë. E lusim Zotin të na nxjerrë nga ky muaj me gjynahe të falura dhe të na bëjë nga banorët e xhenetit të Tij.

Amin!



Autor: Mr. Ferid PIKU

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...