Frutat e agjërimit të Ramazanit



"Kur vjen muaji i agjërimit, hapen dyert e xhenetit, mbyllen dyert e zjarrit dhe prangosen djajtë e mallkuar".

Ky muaj është shumë i rëndësishëm për jetën e besimtarëve saqë ato mezi presin që të takohen me Ramazanin, por gjithashtu edhe ky muaj mezi pret që të takohet me besimtarët dhe "jo rastësisht çdo vit vjen dhjetë ditë më parë". Në këtë muaj është një natë që është determinues i rëndësisë së tij, vlera e të cilit është sa një mijë muaj, pikërisht nata e Kadrit. Allahu Fuqiplotë në Librin e Tij ka zbritur një kaptinë të plotë për këtë muaj, por përveç kësaj gjithashtu e ka titulluar me emrin e tij, Kaptina e Kadrit. Allahu xh.sh. thotë: "Ne e zbritëm atë (Kur'anin) në Natën e Kadrit. E ç'të bëri ty të dish se ç'është Nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj! Me lejen e Zotit të tyre në (atë natë) të zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje. Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit", (Kuran, kaptina Kadr 1-5).

Pra, vlera më e madhe e muajit të Ramazanit është se ky muaj është ditëlindja e Kuranit. Në këtë natë derisa Profeti Muhamed ishte në shpellën Hira, në afërsi të vendlindjes së tij Mekes, për herë të parë pas shumë qindra vitesh ballafaqohet qiellorja me tokësoren, me urdhërin e Zotit zbret Shpirti i Shenjte, Xhibrili a.s. dhe ja shpallën Fjalën e Zotit "kre - lexo" dhe fillimin e Kuranin Famëlartë, të Dërguarit modest, Muhamedit a.s..

Të flasësh për Kur'anin është datyrë e rëndë pasi çdo fjalë duhet të jetë në superlativ, në anën tjetër ekziston edhe frika se mos vallë fjala jonë nuk do ta përcjell porosinë ashtu siç Ai e meriton. Shumë dijetar, shkrimtar, filozof, poet, shkencëtar, etj., kanë lavdëruar Kuranin, por më mirë se të gjithë këto e din vet Allahu, pasi Kurani është fjala e Tij e amshuar. Kur Allahu xh.sh. tregon për vlerën e muajit të Ramazanit, Ai gjithashtu tregon edhe për domethënien e Kuranit, Ai thotë: "(Ato ditë të numëruara janë) Muaji i Ramazanit që në te (filloi të) shpallet Kur'ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra)", (Kuran, kaptina Bekare:185).

Agjërimi i muajit të bekuar të Ramazanit është një urdhër Perëndie. Allahu xh.sh. është Zoti ynë, Krijuesi ynë, Furnizuesi ynë dhe Ai kur na obligon diçka nuk ka nevojë dhe detyrim të na arsyetohet, s'ka detyrim të na tregon arsyen dhe qëllimin e një urdhri të tillë, por duke e njohur natyrën njerëzore se njeriu para se të vepron një punë dëshiron të bindet me argumente se pse duhet atë punë ta vepron, Allahu xh.sh. na e tregon edhe qëllimin final të agjërimit. Ai thotë në Kur'anin Famëlartë: "O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm", (Kur'an, Bekare:183).

Ky ajet parasheh tre elemente kryesore:

1. Agjërimi i muajit të Ramazanit është privilegj vetëm për besimtarët. Allahu xh.sh. jo rastësisht nuk ka thënë "o ju njerëz" apo "o ju musliman" por ka thënë: "o ju besimtar" për arsye se ka shumë njerëz që thonë se janë të mirë, kanë zemër të bardhë, gjithashtu ka shumë njerëz që kanë emra muslimanësh apo pretendojnë se janë të konfesionit muslimanë, por me punët që veprojnë dhe me fjalët që flasin nuk mund të jenë asgjë tjetër pos militantë të djallit të mallkuar dhe jo që vet nuk agjërojnë Ramazanin por pengojnë edhe tjerët të agjërojnë. Kur Allahu na drejtohet me fjalën "besimtar" ne duhet të jemi në gatishmëri ti themi "urdhëro o Zot, ne të bindemi në gjithë çka urdhëron" dhe me këtë rast kthehemi në misionarë të Zotit në tokë që urdhërojmë për të mirë dhe ndalojmë nga e keqja.

2. Agjërimi nuk është një ibadet i rij apo risi vetëm për umetin e Muhamedit a.s. por është një ibadet që e kanë pasur edhe popujt e mëparshëm siç është agjërimi i Davudit a.s. një ditë po dhe një ditë jo, agjërimi i ditës së ashurës nga Musait a.s., agjërimi i Isait a.s. dyzet ditë para zbritjes së shpalljes së Tevratit. Me këtë Allahu dëshiron të na qetëson duke na bërë të kuptojmë se nuk jemi ne të parët që agjërojmë por ka pasur edhe para nesh njerëz që kanë agjëruar, sepse ka shumë njerëz që më shumë binden me traditën e të parëve të tyre sesa me fjalën e Zotit. Shihni se si i përshkruan Kur'ani përgjigjet e idhujtarëve kur janë pyetur për besimin e tyre: "Dhe kur atyre u thuhet: "Pasoni atë që e shpall Allahu" ata thonë: "Jo, ne ndjekim atë që gjetëm tek prindërit tanë"!E edhe sikur djalli t'i kishte thirrur ata në dënimin e zjarrtë!",(Kur'an, kaptina Llukman:21). Me fjalën "ashtu siç ka qenë borxh edhe për pupujt para jush", Allahu na e ka mbyllur të gjitha shtigjet e arsyetimeve.

3. Qëllimi final i agjërimit është arritja e devotshmërisë shpirtërore. Po çka në realitet është devotshmëria? Ku gjindet ajo? Cilat janë frutat e saj? Devotshmëri domethënë: Vendosja e pengesës mes robit dhe hidhërimit të Allahut, apo mes tij dhe zjarrit, duke vepruar vepra të mira, duke u larguar nga mëkatet. Origjina e burimit të devotshmërisë është zemra, ashtu siç ka thënë Profeti a.s.: "Devotshmëria është këtu, devotshmëria është këtu(duke bërë me gisht drejt gjoksit të tij)". Kurse fruti i devotshmërisë është qetësia shpirtërore, prehja dhe mbështetja vetëm te Krijuesi i gjithësisë. Allahu i Lartësuar thotë në Librin e Tij: "Kush i frikësohet Allahut (arrin devotshmërinë) dhe iu përmbahet dispozitave të Tij, Allahu do ti jep atij zgjidhje (rrugë) për çdo vështirësi". (Kur'an, kaptina Talak:2). Transmeton Hakimi se sahabiu Ebu Dherr ka thënë: Kur zbriti ky ajet Kur'anor Profeti a.s. filloi ta lexon pa ndalë derisa më erdhi kotja (gjumi), pastaj më tha: O Ebu Dherr: nëse njerëzit realisht besojnë në këtë ajet, do tju mjaftonte atyre (për të kuptuar fenë).


Agjërimi - akt i veçantë i adhurimit

Ibn Maxheja transmeton Hadithin Kudsij në të cilën Allahu xh.sh. thotë: "Të gjitha ibadetet e bijve të Ademit janë vetëm por to, përpos agjërimit. Agjërimi është për Mua dhe vetëm Unë do kujdesem për shpërblimin e agjërimtarit".

Më këtë nuk nënkuptohet se për shpërblimin e ibadeteve dhe obligimeve tjera të kryera prej besimtarëve do shpërben dikush tjetër pos Allahut, por Zoti i Madhërishëm shpërblimin e agjërimtarit e bën enigmatike dhe suprizuese vetëm për botën tjetër. Jo rastësisht kur Muhamedi a.s. tregon gëzimet e agjërimtarit ai thotë: "Agjërimtari ka dy gëzime. Gëzimi i parë është tubimi në sofrën e iftarit, kurse gëzimi i dytë është takimi me Allahun në botën tjetër". Agjërimtari nuk gezohet që pas shumë orësh etje dhe uri, i rikthehet ushqimit, por gëzohet sepse e çoi në vend porosinë e Zotit, ju përmbajtë premtimit dhe besës që pamarë parasysh kushteve dhe rethanava ai nuk do han, nuk do pinë dhe nuk do i nështrohet epsheve, prej agimi deri në perëndim të diellit. Kurse gëzimi në botën tjetër është për arsye se më në fund do ta kupton dhe zbulon shpërbilimin që ja kishte premtuar Allahu prej në këtë botë vetëm se kishte agjëruar, pra qartësohet enigma dhe sekreti i shpërblimit të Zotit.

Agjërimi është akt i veçantë i adhurimit edhe për arsyen se është një punë e fshehtë që nuk duket apo nuk preket. Të gjitha obligimet tjera që i bën besimtari janë të dukshme dhe kërojnë veprim, p.sh. namazi kërkon pastërti me abdest, lëvizje trupore, përkulje dhe gunjëzim, zeqati kërkon transferim të hollash deri te të varfërit, haxhi kërkon mundësi materiale dhe nisje në udhëtim për në Vendet e Shenjta, kurse sa i takon agjërimit, ai është privim prej veprimit, largim nga punët që në situata normale janë të lejuara si: haja, pija, mardhëniet intime prej në agim deri në perëndim të diellit. Etja dhe uria nuk mund të shihen apo të preken por ato vetëm ndjehen. Një njeri mund të paraqitet para masës gjoja se agjëron dhe pastaj të veçohet duke menduar se nuk e sheh askushi dhe të hanë apo të pinë por ai kurrë nuk e bën këtë, sepse ai e din se është Allahu xh.sh. Ai që e sheh dhe nuk dëshiron që ta then besës e dhënë Zotit të botrave.


Ramazani - muaji i faljes

Ramazani është burim i faljes nga i Madhi Zot, këtë e vërteton Muhamedi a.s. i cili thotë: "Kush agjëron Ramazanin nga besimi dhe kërkon shpërblim nga Allahu, të gjitha mëkatet e kaluara do ti falen".

Ta ilustrojmë këtë falje të sigurtë nga Zoti me një shembull konkret: ta imagjinojmë se një njeri ka marrë një shumë të madhe parash prej dikujt borxh dhe në afatin që duhet ti kthen të hollat ai nuk ka mundësi materiale, kështu që borxhmarrësi deryrohet ti bën aktpadi në gjyq dhe gjyqi merr vendim që gjithë pasurinë e patundshme tja konfiskon borxhliut, por jo vetëm kaq por edhe ta burgosin me çka ai do nënçmohet para familjes dhe shoqërisë. Borxhliu prej halleve që e kanë kapluar kalon në gjendje stresuese dhe depresive, bile merr në konsideratë edhe vetvrasjen. Imagjinoni sikur këtij borxhliu ti afrohet një pasanik dhe ti jep një ofertë të çuditshme duke i thënë: nëse vjen tek unë në punë dhe të punon çka të të urdhëroj unë nga puna e lejuar, do të ti shlyej të gjitha borxhet e kaluara. A thua vallë ky njeri do hezitonte që të pranonte ofertën e punës. Gjithsesi që do pranonte punën me kënaqësinë më të madhe. Kështu është edhe me Ramazanin. Allahu na ka dhanë një ofertë shumë profitabile për ne, që nëse agjërojmë muajin e Ramazanit dhe besim dhe me pendim, Ai do na e falën të gjitha mëkatet e kaluara.


Ramazani - muaj trajnues dhe karikues i besimit tonë

Një njeri që largohet prej ushqimit, pijes dhe epshit që i ka të lejuar (hallall) në raste të zakonshme nuk e ka vështirë të largohet nga mëkatet në raste të zakonshme dhe të jashtzakonshme. Agjërimi është trajnues që na bën më të fortë në një botë mizore në të cilën tenton të mbizotëron ligësia.

Të gjitha obligimet dhe urdhërat e Zotit kanë urtësinë dhe dobinë e tyre. Dobia e tyre në këtë botë ka hapësirë kohore kurse në amshim i bën dritë praktikuesit të tyre. Ibadetet janë karikues apo mbushës energjish në periudhë të caktuar kohore. p.sh. namazet ditore janë fuqi shpirtërore dhe fizike me afat prej në një namaz në tjetrin, thotë Muhamedi a.s.: "Mes dy namazeve ka shlyerje mëkatesh". Xhumaja është karikues javor dhe informator i ngjarjeve javore. Kurse agjërimi i muajit të Ramazanit është një karikues vjetor i energjisë së besimit tonë, ashtu siç është edhe Haxhi karikues i besimit tonë dhe pastrues i mekateve tona jetësore, ashtu siç thotë edhe vet Muhamedi a.s.: "Kush e ben haxhin duke mos iu afruar gruas (gjatë haxhit) dhe duke mos nëpërkëmbur dispozitat e Allahut, kthehet prej tij i pastër nga mëkatet sikurse atë ditë që e ka lindur nëna".


Ramazani - përkujtues i natyrës njerzore që është nevojtare për Zotin

Njeriu shpesh herë i bën padrejtësi vetes së tij dhe bëhet arrogant, i pacipë, i ligë, tradhtar dhe kryelartë kundrejt urdhrave të Zotit. Ai shpesh e harron natyrën e tij nevojtare dhe harron Krijuesin e tij që është Mëshirues, Furnizues dhe Mbikëqyrës, saqë kemi raste kur ai prej pasurisë së tij, famës dhe pozitës së tij kalon në kryelartësi ekstreme saqë e shpallën veten edhe zot (siç është rasti i Faraonit). Ndonjëherë pasuria dhe fama bëhen shkaktarë që njeriu të haron se pasuria është mirësi prej Zotit.

Dikur ka jetuar një mbret, ai një ditë urdhëron shërbëtorin e tij që ti mbushën një gotë ujë, aty afër qëndronte edhe ministri i tij që e pyet diçka mbretin: O mbreti im! Ta zëmë se nuk ke pi ujë me ditë të tëra! Sa prej pasurisë tënde kishe dhënë për këtë gotë uji? Ai përgjigjet: Gjysmën e pasurisë! Vazhdon ministri: po sikur do kishe pasur vështirësi me ditë të tëra për ta nxjerr këtë ujë nga trupi yt (të urinosh), sa nga pasuria jote kishe dhënë për ta nxjerrë? Ai përgjigjet: gjysmën tjetër të pasurisë! Pra, pasuria e këtij mbreti paska vlerën e një gote uji, po pasuria e njerëzve të thjeshtë sa mund të vlen?

Agjërimi ja kujton besimtarit natyrën e tij të thjeshtë dhe nevojtare për Zotin e tij. Ai kur agjëron kupton se ka nevoja dhe me këtë bindet se një njeri që ka nevoja s'mund të jetë më shumë se një nevojtar.

Do marrim një tregim të një pronari të pasur që ka qenë shumë arrogant me punëtorët e tij saqë ditë për ditë ua ka shtuar punën fizike punëtorëve të tij dhe në anën tjetër ushqimin që ua ka dhënë ska qenë i mjaftueshëm për to. Punëtorët çdo ditë i janë ankuar por ky nuk ua ka varur veshin. Një ditë fshehurazi dëgjon punëtorët duke thënë: "le të punon njëherë si ne që të bindet se ska të drejtë për arrogancën e tij". Kështu që ditën e ardhshme vendosën të shëndrohet puntor i thjesht që të punon sa ato dhe të han sa ato. Të nesërmen pas një pune të lodhshme befasohet për vështirësinë e punës dhe kur vjen koha e drekës ushqimi që hëngër ishte aq i pa bollshëm saqë dukeshte si paraushqim. Pra pronari duheshte të shëndrohet në puntor për të kuptuar hallet e tyre.

Ashtu është edhe agjërimtari, besimtari asnjëherë nuk mund të kupton vujatjet e të varfërve dhe të sëmurëve nëse vet nuk e përjeton urinë, etjen dhe dhimbjen e stomakut. Me agjërimin e Ramazanit ai bëhet më i ndjejshëm me këtë kategori të rezikuar njerëzish dhe uria apo etja e shtyjnë atë që të mendon për të varfërit dhe në të ardhmen të kontribon për to.

Transmeton Muslimi se Muhamedi a.s. ka thënë: "Agjërimi dhe Kur'ani janë dy ndërmjetësues në ditën e Gjykimit. Agjërimi do të thotë: O Zot! Unë e shtyva agjërimtarin që të largohet nga ushqimi dhe nga epshi gjatë gjithë ditës. Lejomë të ndërmjetsoj për të. Kur'ani do të thotë: Kurse Unë e pengova nga gjumi natën. Lejomë të ndërmjetësojë për të. Dhe ndërmjetësimi i tyre do pranohet".

O Allah na e mundëso që të hyjmë në Xhenet përmes derës "Rejjan", derë e posaçme vetëm për ata që kanë agjëruar dhe janë përmbajtur prej punëve të këqija.



Autor: Mr. Xhemail ÇUPI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...