Qytetaria myslimane dhe kërkesat Kuranore



Komentimi i sures El-Beled

Betohem për këtë qytet, në të cilin ti je i lirë (o Muhamed), dhe për atë që lind e për atë që është i lindur, se, në të vërtetë, Ne e kemi krijuar njeriun për të luftuar në vështirësi! A mendon ai se askush nuk ka pushtet mbi të? Ai thotë: "Kam shpenzuar pasuri të pamasë"! Vallë, a mendon ai se nuk e ka parë askush? A nuk i kemi dhënë Ne atij dy sy, edhe gjuhë, edhe dy buzë, dhe ia kemi bërë të qarta të dyja rrugët? Atëherë, le të ndjekë rrugën e vështirë! E kush mund të ta shpjegojë ty se ç'është rruga e vështirë? Ajo është të lirosh një skllav, ose të ushqesh në një ditë zie jetimin e afërm, ose të varfrin e mjerë. Veç kësaj, (njeriu duhet) të jetë nga ata që besojnë e këshillojnë njëri-tjetrin për durim dhe këshillojnë për mëshirë. Këta janë njerëzit e krahut të djathtë. Ndërsa ata që i mohojnë shpalljet Tona, ata janë njerëzit e krahut të majtë. Mbi ata do të jetë një zjarr pa dalje.

Kjo sure vjen nën emërtimin "qyteti". Ndoshta lexuesi kur lexon fjalën qytet, i kujtohen filozofia dhe pikëpamjet politike të filozofëve të lashtë si Aristoteli, Platoni, etj., të cilët dhanë kontributet e tyre në shkencat e filozofisë, etikës, shkencave politike, etj. Në botëkuptimin e filozofëve të shquar grekë ne hasim këto koncepte dhe ide për qytetin apo shtetin dhe sendërtimin e tij.

Aristoteli e konsideronte qytetin si një komunitet natyral. Për më tepër, ai e konsideronte qytetin si primar përkrah familjes, e cila ishte primare përkrah individit. Por, ai e ndante qytetin në disa shtresa sociale. Megjithatë, përpos ideve filozofike për qytetin dhe shtetin, Kurani Famëlartë na shpalos një qytet tjetër, i ndryshëm nga i përshkruar më lart. Në këtë sure, Allahu flet për një dimension tjetër qytetar, i cili vendos bazat e qytetarisë myslimane dhe të njeriut në përgjithësi.


Koment:

Kjo sure mekase trajton disa të vërteta kuranore të cilat janë të nevojshme për jetën e çdo njeriu dhe besimtari.

Allahu i Madhëruar e fillon këtë sure duke u betuar në qytetin e shenjtë të Mekës dhe në njeriun më të nderuar, jo vetëm të Mekës, por të mbarë njerëzimit, duke kujtuar kështu prejardhjen gjenealogjike të Muhamedit a.s..

Betohem për këtë qytet, në të cilin ti je i lirë (o Muhamed), dhe për atë që lind e për atë që është i lindur.

Allahu rikujton që ky njeri, Muhamedi, të cilin mekasit e përbuzin, me pretendimin se "ishin ata kujdestarët e Qabes", vjen nga një origjinë profetike mjaft e lartë, ashtu siç ishin pra, babai i profetëve Ibrahimi dhe Ismaili, të cilët rindërtuan Shtëpinë e Shenjtë dhe vendosën bazat e monoteizmit.

Për atë që lind e për atë që është i lindur. Imam Muhamed Abdu e trajton këtë frazë kuranore në një dimension tjetër. Ai tregon se Allahu ka vlerësuar dhe rikujtuar fazat e krijimit dhe ekzistencës së njeriut, për t'iu lënë mekasve të kuptojnë prejardhjen e tyre dhe monoteizmin e pastër të njerëzimit, i cili filloi me Ademin a.s.: Ne e kemi krijuar njeriun për të luftuar në vështirësi.

Jeta e njeriut është e gjitha vështirësi, përpjekje, zell, mundim e luftë. Qeliza e parë në mitër qëndron me vështirësi, mund, përpjekje derisa të krijohen kushtet që ajo të stabilizohet, e kështu vazhdon vështirësia derisa të shikojë rrezet e para të dritës, derisa të qëndrojë në këmbë, të rritet, të martohet ... e kështu me radhë gjer në vdekje!

Pas këtij raporti për të vërtetën e jetës së njeriut, Kurani trajton edhe disa pretendime dhe perceptime të gabuara të tij, kur thotë: "A mendon ai se askush nuk ka pushtet mbi të"? Ai thotë: "Kam shpenzuar pasuri të pamasë"! Vallë, a mendon ai se nuk e ka parë askush?

Ky njeri i dobët, në situata të caktuara mirëqenie dhe pushteti kujton se mbi trupin, pozitën e tij sociale dhe ekonomike askush tjetër përveç tij nuk mund të ketë pushtet.

Ai thotë: "Kam shpenzuar pasuri të pamasë"!

Kur ftohet të japë diçka nga të mirat të cilat i posedon dhe gëzon nga kjo botë, njeriu menjëherë justifikohet duke thënë: "Kam shpenzuar pasuri të pamasë"!

I njëjti mentalitet psikologjik vazhdon të ekzistojë edhe sot me të njëjtin justifikim, edhe pse këto ajete bëjnë fjalë për njeriun mekas të pafe. Në rastet kur ftojmë dikë për të shpenzuar për hir të Zotit, është e çuditshme që përballemi me të njëjtin justifikim, kam shpenzuar shumë para, e të gjitha i ka shpenzuar në lojë e argëtim.

Por, Allahu konfirmon se ai shikon dhe mbikëqyr çdo veprim, qoftë kjo edhe lëvizja e qerpikut të syrit.


Vallë, a mendon ai se nuk e ka parë askush?

Metoda kuranore monoteiste është shumë e bukur dhe bindëse. Shikoni se si Allahu kërkon të rrënjosë te njeriu besimin e pastër monoteist duke e rikujtuar se ai është Mbikëqyrësi i çdo vepre.

Ai vazhdon e thotë: "A nuk i kemi dhënë Ne atij (njeriut) dy sy, edhe gjuhë, edhe dy buzë".

Njeriu mashtrohet me forcën, pushtetin e pasurinë e tij, por harron se Allahu është Furnizuesi i mirësive. Allahu i kujton bukurinë e krijimit të tij, sytë e tij, buzët e tij, me të cilat ai shikon dhe flet. Me të njëjtin argument Allahu i kundërvihet mohimit të ekzistencës ose vënies ortak Atij. Arabët e besonin Allahun, por i shoqëronin të barabartë në krijim. Kjo është edhe arsyeja e kësaj metode të bukur kuranore. Allahu u përgjigjet kundërshtarëve të Profetit Muhamed me të njëjtën monedhë duke u kujtuar krijimin, kjo sepse ata e besonin Zotin si Krijues, por i drejtoheshin Atij përmes idhujve, të cilët i konsideronin si një hallkë e ndërmjetme besimi.


Dhe ia kemi bërë të qarta të dyja rrugët? Atëherë, le të ndjekë rrugën e vështirë!

Duke e pajisur njeriun me dy sy, Allahu i tregoi njeriut shenjat treguese dhe la të lirë që të zgjedhë ndërmjet rrugës së majtë dhe rrugës së djathtë. Nëpërmjet këtij ajeti kuranor, Allahu vendos themelet e një feje, ndër bazat e së cilës janë: "liria për të zgjedhur, liria fetare, barazia ndërmjet gjithë njerëzve, etj.".

Allahu tregon se vështirësia, mundi, sakrifica dhe përpjekja, të cilat i përmendëm më lart, në fenë dhe rrugën e Tij, janë objektiva të cilat Ai kërkon për shoqërinë njerëzore dhe për besimtarët në veçanti. Islami është rruga e vështirë të cilën e përkrahën dhe e mbështetën shokët e Profetit a.s., rrugë dhe projekt për mirëqenie.Felektahamel akbah-Termi iktahame do të thotë: e zuri dalldia pa patur parasysh pasojat, që do të thotë: "Ai, jobesimtari nuk u drejtua kah e vështira, pra te puna e mirë, por ishte shembulli i Ebu Bekrit, i cili në momentet më të vështira të myslimanëve e kapi dalldia dhe duke mos parashikuar asnjë pasojë, pagoi lirimin e një robi, siç ishte Bilali".

E kush mund të ta shpjegojë ty se ç'është rruga e vështirë? Ajo është të lirosh një skllav, ose të ushqesh në një ditë zie jetimin e afërm, ose të varfrin e mjerë.

A e di ti ç'është Akabe-ja, vështirësia? Akabe në gjuhën arabe do të thotë malore, kodër, e cila është e vështirë të ngjitet. Allahu përdor këtë term me qëllim vlerësimi dhe marrje në konsideratë të kësaj vështirësie, të këtij sistemi të lartë islam.

Mos mendoni se Allahu kërkon vetëm ta besojmë Atë, të praktikojmë disa rite, nga të cilat ne bëjmë vetëm lëvizje dhe asgjë tjetër. Të mos na mashtrojë shejtani deri në atë pikë, sa të pretendojmë për veten se jemi grupi i shpëtuar e kemi arritur kulmin e besimit dhe të ngjasimit me të parët tanë!!!

Allahu na tregon problematikën të cilën e hasën myslimanët e periudhës së parë mekase dhe shoqërinë në të cilën jetonin. Ishte një shoqëri në të cilën sistemi i robërisë ishte i aplikueshëm dhe tepër çnjerëzor. Jetimi dhe i varfri ishin shtresat më të përbuzura të asaj shoqërie.

Allahu nëpërmjet kësaj sureje vendos piketat për të treguar rrugën e vështirë dhe veprat të cilat kanë vlerë.

Lirimi i një robi- feku rakabetin- që do të thotë ekzaktësisht - të zgjidhësh litarin e shtrënguar në qafën e një njeriu, çka do të thotë ta lirosh atë, t'i japësh lirinë. Jo vetëm kaq, por ta konsiderosh të barabartë, t'i japësh dhe t'i krijosh shanse të barabarta. Shembuj të tillë kemi shumë nga historia islame, siç është rasti i shokut të ngushtë të Profetit a.s., Ebu Bekrit, i cili e ngjiti këtë malore dhe e përshkoi këtë vështirësi duke liruar shumë njerëz që vuanin mjerimin e robërisë.


Të ushqesh në një ditë zie jetimin e afërm, ose të varfrin e mjerë

Në këtë ajet kuranor janë përmendur disa shtresa nevojtarësh. Allahu i Madhëruar na nxit që ta përshkojmë këtë rrugë të vështirë, e kjo vështirësi duket atëherë kur jemi pranë njerëzve në nevojë.

Pikërisht kur ne si myslimanë bëhemi shkak që t'i mbushim barkun me bukë asaj shtrese që vuan jo vetëm urinë dhe mjerimin, por edhe përçmimin dhe nënçmimin. Profeti a.s. premton se ai që përkrah jetimin do të jetë me të në xhenet, etj..

Veç kësaj, (njeriu duhet) të jetë nga ata që besojnë, e këshillojnë njëri-tjetrin për durim dhe e këshillojnë për mëshirë. Këta janë njerëzit e krahut të djathtë.

Që do të thotë se është Islami ai që nxit për këto vepra të mira, është Islami që këshillon durim në vështirësi dhe këshillon që veprimet dhe punët tona të karakterizohen me mëshirë. Kjo është puna e mirë dhe këta janë besimtarët e mirë.

Ndërsa ata që i mohojnë shpalljet Tona, ata janë njerëzit e krahut të majtë. Mbi ata do të jetë një zjarr pa dalje.

Kush konsiderohet mohues sipas Islamit. Mohues janë ata njerëz që përballen me argumentet logjike dhe kuranore mbi ekzistencën e Zotit dhe vërtetësinë e Islamit dhe mbajnë qëndrim kundërshtues ndaj tyre. Në asnjë rast tjetër, po sipas Islamit, askush nuk mund të konsiderohet mohues pa zbuluar më parë elementin kryesor të tij, që është kundërshtimi apo mohimi.



Përgatiti dhe përshtati: Eduard SHEFKIU

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...