Mevlud në Ramazan



Ditët e vizitës time në Arizona janë të mbushura me lëvizje dhe takime të shumta, aktivitete të ndryshme brenda xhamisë dhe jashtë saj, takime ndërfetare (si ai me drejtorin ekzekutiv të Lëvizjes Ndërfetare të Arizonës, Dr. Paul Eppinger, drejtorin ekzekutiv të Këshillit Ekumenal të Arizonës, Rev. Jan Olav Flaaten, etj.), vizita në disa nga qendrat dhe institutet islame të kryeqytetit Phoenix, etj..

Pa dyshim, ndër aktivitetet interesante që ia vlen të përmendet, janë edhe dy mevlude të zhvilluara gjatë këtij muaji në dy shtëpi të ndryshme, larg njëra-tjetrës, shumë afër në shpirtin që i bashkon, dashurinë për Resulull-llahin a.s.!

Mevludi i parë u zhvillua në shtëpinë e z. Leonard Cami, me origjinë nga Dibra e Madhe, para disa netëve. Në tubime të tilla, ku këndohen pjesë nga Kur'ani Famëlartë, Mevludi i H. Ali Ulqinakut, ilahi, ku organizohen lutje në xhemat dhe ku zhvillohet edhe një vasë me këshilla dhe udhëzime të ndryshme nga Kur'ani, tradita profetike, etj., marrin pjesë besimtarë të shumtë që mezi presin të përjetojnë kënaqësitë e këtyre tubimeve. Atë natë, së bashku me Imamin e AAIC, ishim organizatorët e këtij tubimi të begatë, prej tubimeve të netëve të Ramazanit. Atmosfera që kishte përfshirë shtëpinë e z. Cami, ishte e ngrohtë dhe reflektonte rrezatime profetike, dritë Ramazani, feksime kur'anore. Si të thuash, çdo gjë përreth nesh dritësonte dhe dritësohej nga atmosfera e Mevludit Sherifë. Mevlud në Ramazan ...

Këtë atmosferë e përjetuam edhe në shtëpinë e Dr. Ahmed Mirza, me origjinë nga Pakistani. Para pak ditësh, ai kishte mbledhur elitën intelektuale të komunitetit musliman pakistanez në qytetin Gilbert të Arizonës (rreth 30 minuta larg Phoenix) dhe në atmosferën e këndimit të Mevludit Sherifë, ilahive, lutjeve dhe bisedave fetare (njëra prej të cilave nga Imam Didmar Faja dhe tjetra nga autori i këtyre rreshtave), ata përgatiteshin për iftarin e natës së dielë (13 shtator 2009) dhe aktiviteteve fetare që e pasonin atë.

Mevludi i kënduar nga munshidët pakistanezë, karakterizohej nga qetësia dhe ëmbëlsia, shoqëruar me vija muzikore orientale dhe sufiste njëkohësisht, fakt që të lejon ta shijosh edhe më shumë atë që dëgjon me veshët e tu.

Mevlud në Ramazan! Sesi m'u kujtuan këto dy episode sot, një ditë para organizimeve të Natës së Kadrit, që do të mbahen në komunitetin musliman të shqiptarëve (AAIC), por jo vetëm, në Arizona!

Dhe bëra një lidhje të shkurtër me historinë e Mevludeve në vendin tonë, organizimet e viteve të fundit dhe, me keqardhje konstatova se realiteti i muslimanëve në Amerikë qëndron shumë më lart se ai i muslimanëve në vendin tonë, ndonëse të diplomuarit e teologjisë islame nga universitetet e botës arabe në këto vende, numërohen me gishtat e njërës dorë, ndryshe nga vendi im, që gëlon prej tyre ...

Edhe numri i xhamive, faltoreve dhe qendrave islame këtu është shumë më i vogël se ai i vendit tim, por ... E meta është diku tjetër ...!

Mevlud në Ramazan ...



Autor: Muhamed SYTARI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...