Prizreni, kryeqyteti i xhamive



Disa vende të tërheqin për t'i vizituar për shkak të bukurisë natyrore që kanë. Disa të tjera për shkak të arkitekturës së veçantë të ndërtesave. Disa, për shkak të klimës, e disa për shkak të detit e kështu me radhë. Prizreni i Kosovës ka të tjera veçori dhe karakteristika, të cilat me patjetër të ftojnë që t'i vështrosh nga afër dhe më pas t'i përshkruash, ashtu siç di dhe mundesh, kudo që shkon.

Që në momentin e parë që vendos ta vizitosh Prizrenin, një gëzim i madh të përshkon shpirtin, pasi ai është më i bukur seç paraqitet nëpër foto. Rruga drejt tij sado e gjatë qoftë, shkurtohet nëpërmjet ndjenjës së kënaqësisë dhe deshirës së zjarrtë për ta shkelur dhe prekur fizikisht një çast e më parë. Ashtu siç e ndjen nga larg aromën e këndshme të një kopshti dhe bahçeje të mbushur plot e përplot me lule shumëngjyrëshe dhe të llojllojshme, ashtu edhe Prizreni, që në hyrje të tij të ofron një pamje spektakolare me minaret e shumta të xhamive, të cilat ngjajnë si një kurorë zbukuruese e qytetit.

Në mes të Prizrenit, të mirëpret nëna e xhamive, ajo e Sinan Pashës, e vjetër pothuajse sa vetë Prizreni, por e meremetuar dhe rifreskuar së fundmi, duket më e reja në mesin e xhamive. Sa herë që vjen koha e çdo namazi jehona e ezaneve vjen nga secila anë që kthen kokën dhe të duhet të vendosësh se në cilën xhami do të falesh, pasi ato janë aq pranë njëra-tjetrës, sa janë edhe shtëpitë e banimit. Edhe pse numri i xhamive në Prizren është i madh, prapë se prapë ato nuk janë bosh. Në çdo kohë faljeje, ato gumëzhijnë nga besimtarë të moshave të ndryshme, duke filluar që nga fëmijët, të cilët sapo kanë filluar të çapëlojnë me këmbët e tyre të vocka e deri tek të moshuarit, që mezi ecin dhe ndihmohen nëpërmjet bastunit. E gjithë kjo dëshmon se, fryma fetare tek familjet e këtij vendi trashëgohet nga brezi në brez dhe konsiderohet një nga punët më me vlerë që bën familja në mirë-rritjen e fëmijëve të tyre. Kudo dëgjon përshëndetjen "Selamun alejkum" (Paqja qoftë me ju) dhe kjo është përshëndetja e përgjithshme, dhe kudo të ftojnë me "Merhaba" (Mirsevini), ç'ka tregon për njerëz të paqtë dhe mikpritës.

Të gjitha xhamitë janë të bukura, por këto të Prizrenit duken më të veçanta, pasi ndërtimi i tyre është realizuar nga arkitektë profesionistë turq, tashmë të njohur në të gjithë botën për dizajnin e tyre karakteristik të xhamive. Forma e kubeve dhe kupolave të xhamive të Prizrenit, minaret e tyre, arabeskat, afresket, vizatimet e brendshme si dhe çezmat që shoqëronin secilën xhami në ambientet e jashtme të tyre, të jepnin përshtypjen sikur je në xhaminë "Blu" në Stamboll. Bukuria më e madhe e xhamive reflektohet sapo bie muzgu dhe dita i lë vendin natës. Bukuria e tyre është e jashtme dhe e brendshme: nga jashtë janë ndriçuar si kështjella thesaresh, të cilat të ftojnë t'i zbulosh, ndërsa ndriçimi i tyre i brendshëm të mahnit, të mrekullon, të zhvendos nga jeta e përditshme drejt një bote, ku prehja dhe qetësia shpirtërore mbretëron dhe aty ku hyjnorja mbisundon.

Në qytetin e Prizrenit nuk e ke të nevojshme të vendosësh alarmin e orës për t'u zgjuar për namazin e Sabahut, pasi kumbimi i zërave melodioz të muezinëve, ta largojnë gjumin ëmbëlsisht dhe të ftojnë drejt diçkaje më të mirë se ai, drejt takimit të parë të ditës me Atë që të krijoi, ta falënderosh që ta dha jetën edhe për këtë ditë, si dhe t'i kërkosh bekimin dhe ndihmën për punët e tua.

Ashtu si filxhanët e kafesë në tabaka, ashtu duken xhamitë e Prizrenit nga kalaja e tij. Ashtu si rruazat e një gjerdani, ashtu duken minaret e xhamive. Nga lart, nga kalaja, i gjithë Prizreni duket si bakllavaja në tepsi, ku ti do të doje të shijoje çdo kallëp të saj. Fillon e i numëron xhamitë dhe të duket vetja sikur je futur në muzeun e xhamive, ku ti vetë je ciceroni i tij.

Prizreni, gjithmonë tërheq turistë, por gjatë verës numri i tyre është aq i madh, saqë duken si turma milingonash që kanë mbuluar çdo centimetër tokë. Të gjithë i shikon teksa bëjnë foto dhe në sfond dëshirojnë që të kenë bukuritë e pashoqe të xhamive. Edhe nëpër dyqanet e suvenireve i shikon teksa blejnë panorama të Prizrenit, ku xhamitë duken si koka dhe zemra e tij, ndërsa ndërtesat e tjera si pjesët e tjera të trupit. Prizreni të ofron intimitet dhe familjaritet, pasi në çdo pjesë të tij, nuk e ndjen veten të huaj, por vendas, dhe kjo falë mikpritjes së vendalinjve, të cilët janë mësuar që të kenë gjithmonë vizitorë.

Prizreni është qyteti i këmbësorëve, pasi të ofron rrugë kryesore dhe rrugica, të gjitha të shtruara me gurë karakteristikë, që presin t'i përshkosh, si dhe të ofrojnë pamje dhe peizazhe që vështirë se mund t'i harrosh. Prizreni nuk është vetëm qyteti muze i xhamive, por ai mban brenda tij edhe shtëpinë më muze të të gjithë shqiptarëve, atë të Lidhjes së Prizrenit, ajo e cila mblodhi burrat më të ndritur të të gjitha krahinave shqipfolëse dhe i bashkoi për një qëllim të vetëm, për liri dhe pavarësi. Të shkosh në Prizren dhe të mos shikosh nga afër shtëpinë muze të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, është njësoj sikur t'i shkosh mysafir dikujt për Bajram dhe të refuzosh bakllavanë apo ëmbëlsirën që të ofron.

Në qendër të Prizrenit, është shatërvani me çezmat e tij, që të fton të shijosh ujin e ftohtë në Verë dhe të freskët në Dimër. Nuk ka të huaj, që ka kaluar nëpërmjet Prizrenit, apo vendas, që të mos i ketë hapur gojën ujit të këtij shatërvani identifikues të këtij qyteti. Mbrëmjet në Prizren janë të veçanta, pasi të madh e të vogël i gjen jashtë shtëpive, në shëtitjet tradicionale në rrugët më kryesore të qendrës së tij. Në Prizren edhe gjumi ka tjetër shije, ndërsa zgjimi është tepër i veçantë, me një ajër të pastër, me një freski mëngjesore, me një pamje përrallore nga secila dritare apo ballkon shtëpie apo hoteli. Çaji karakteristik i vendit, qebapët e njohur të Prizrenit, ushqimet hallall që ofrojnë restorantet, lumi që përshkon qytetin mes për mes, urat harkore të këtij lumi, që lidhin njerën pjesë të qytetit me tjetrën, të bëjnë të ndihesh rehat dhe ta shijosh qëndrimin më shumë.

Prizreni është një qytet prej të cilit do të doje të mos ndaheshe kurrë. Është një qytet që të magnetizon, të elektrizon, të bën për vete që me shikimin e parë. Bie në dashuri me të, dhe kjo dashuri sa vjen e rritet pa u venitur asnjëherë. Në momentin që vjen koha për t'u larguar prej tij, të krijohet një hapësirë dhe një boshllëk që nuk e di se me çfarë ta mbushësh. Të duket sikur po largohesh prej diçkaje që do të doje të mos mbaronte kurrë.

Por jeta kështu e ka. Çdo gjë që ka fillim ka edhe fundin e vet, përveç Zotit, I Cili është I Pari pa fillim dhe I Fundit pa mbarim. Por përpara se të përshëndetesh me këtë vend, mundohesh që të marrësh me vete diçka prej tij, një kujtim sado të vogël, me të cilin do të rifreskosh gjithçka që ke përjetuar në një vend të paharruar si Prizreni. Ashtu sikur nuset e kohëve të vjetra, të cilat e shprehnin hapur dhimbjen e ndarjes nga shtëpia e prindërve të tyre ditën e dasmës, ashtu e ndjen veten gjithsecili vizitor në momentin që i duhet të largohet nga Prizreni.

Aq shumë të bën për vete ky vend, saqë ende pa u larguar prej tij, ti planifikon se kur do të kthehesh sërish, sepse vetëm kështu, dhimbja e ndarjes sikur zvogëlohet sadopak. Në Prizren të kënaqet syri duke parë, e veshi duke dëgjuar. Oreksi për të qëndruar në Prizren sa vjen dhe shtohet. Në momentin që largohesh koka të rri pas, pasi Prizreni të thotë: "Mos ik, por edhe nëse ikën kthehu sërish, pasi unë këtu do të jem e do të pres. Ky jam unë. Kush më sheh njëherë, do të donte të mos ndahej kurrë prej meje. Eja sërish mysafiri im"!



Autor: Qani SULKU

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...