Ku ndodhet Zoti?



Ishim ulur mbi një shkëmb dhe po shikonim ujin tek rrjedhte. Nuk fliste, ishte zhytur në një botë. Ndërkohë që po e shikoja me bisht të syrit, më shkoi në mend pyetja: "Vallë, çfarë po mendon"?

Pas një copë kohe që vërenim flluskat që formoheshin në ujë, ngriti kokën dhe u sill nga unë. E pashë, në fytyrë dukej një shprehje e zakonshme me kuptim: Do pyeste. Duke ia ngarkuar zërit të gjithë thellësinë e kureshtjes: "A mund të më thuash", më tha, "ku ndodhet Zoti"?

Pas kësaj pyetje të shkurtër dhe të madhe heshta gjatë dhe mendova. E respektoi heshtjen time dhe priti pa e humbur fuqinë e kureshtjes. E dinte se më duhej t'i kujtoja të gjitha njohuritë dhe se më duhej të përdorja mirë potencialin e të logjikuarit.

"Ti" i thashë, "kur e bën këtë pyetje fillon nga një pikë e gabuar".

Si?

"Pyetja 'ku' sjell në mendje hapësirë, pra vend. Dhe vendet janë për objeketet. Pyetja 'ku është Zoti', është një fryt i një logjike si, edhe Zoti është si objektet, ato kanë vend, atëherë edhe Zoti duhet të ketë një vend. Nëse ne Zotin e mendojmë si objektet, ne gabimin e bëjmë që nga fillimi dhe hymë në rrugë padalje".

Shpresoj të mos më keqkuptosh më tha me lëvizje të tensionuara. Unë i besoj Atij. Për këtë arsye kam kureshtje. Njeriu kërkon ta njohë atë që e beson. Mundohem ta përfytyroj, por s'mundem.

"Çfarëdo që të vijë në mendje, ai nuk është Zoti. Sepse imagjinata jote është e kufishme. Diçka që është e kufizuar nuk mund ta përfshijë brënda të pakufishmen. Ti vetëm krijesat mund t'i përfytyrosh. Ndërsa Zoti nuk i ngjan krijesave. Të gjitha krijesat ekzistuan më pas. Kurse Zoti është i pafillimtë, pra ekzistenca e Tij nuk ka fillim. Në një hadith Kudsi thuhet: ndërkohë që Zoti ekzistonte, asgjë nuk ishte bashkë me Të. As materia, as objekti, as lëvizja, as koha e as hapësira ... Është i pakuptimtë mendimi i vendit për një që nuk është materie dhe objekt".

Ka fund gjithësia, apo jo?

"Natyrisht".

Po mirë, atëherë çfarë ka pas kufijve të gjithësisë?

"Asgjë. Pas atyre kufijve nuk ka as materie, as kohë e as hapësirë ...".

Zoti është brënda gjithësisë?

"Jo. Nuk duhet të kërkohet mjeshtri brënda veprës së tij. Krijuesi nuk mund të gjendet brënda krijesave".

Atëherë Zoti duhet të jetë diku përtej kufijve ... .

"Jo, Zoti nuk është as brënda gjithësisë e as jashtë saj ...".

Po si mundet kjo?! Nuk po e kuptoj. Edhe thua që Zoti ekziston edhe nuk është as brënda gjithësisë e as jashtë saj!

"Po, ashtu. Sepse fjalët 'brënda-jashtë' janë për materiet, për objektet, për ato që zënë vend në hapësirë, për ato që kanë vend. Mirëpo, Zoti nuk është as materie, as objekt e as që zë vend në hapësirë. Pika që na bën të gabohemi është kjo: Mendja jonë mendon sikur çdo krijesë duhet të ketë vend patjetër. Sepse përherë është përballur me krijesa që zënë vend. Dhe nuk mund ta përfytyrojë diçka që nuk ka vend. Edhe kur përfytyron Zotin fillon të mendojë sipas atyre që është mësuar, e mendon edhe Zotin sikur ka nevojë të ketë ndonjë vend, i Cili nuk ka nevojë për asgjë. Prandaj, mundohet të kërkojë ndonjë vend brënda apo jashtë gjithësisë. Të ndodhesh brenda apo jashtë gjithësisë i përket krijesave. Sapo pyet 'ku?', menjëherë duke pyetur fillon me një pranim si 'duhet të ketë vend Zoti'. Zoti përveçse nuk ka nevojë për hapësirë, Ai ndodhet kudo me reflektimin e emrave dhe cilësive të Tij. Mendja nuk mund ta perceptojë origjinalitetin (dhatî-n) e Tij, vetëm ekzistencën e Tij mund ta kuptojë".

Si e kupton?

"Nga veprat e Tij. Çdo krijesë është një vepër e mjeshtërisë së Tij. Çdo vepër tregon mjeshtrin e saj. Edhe gjithësia është një vepër e madhe dhe është dëshmi e Mjeshtrit të saj. Çdo krijesë me masën, rregullin dhe me stolinë e saj që shohim është një letër që na tregon Zotin tonë. Mjafton të dimë ta lexojmë. Kështu që, ne duke i vërejtur këto vepra mund të mendojmë mbi emrat dhe cilësitë e Tij, por mbi origjinalitetin e Tij kurrë ..."!

A nuk është një dogmë ndalimi mbi të menduarin e origjinalitetit të Tij?

"Jo, aspak! Njërit që mundohet t'i ngarkojë peshores ngarkesë mbi kapacitetin e saj t'i thuhet 'mos e bëj, se peshorja nuk e mban atë ngarkesë' d.m.th të bësh mirë. Të mendosh diçka që është e pamundur perceptimi i saj është si të pretendosh të pajisesh me të pamundurën. Mendja është një krijesë, nuk mund ta perceptojë Krijuesin e saj. Si çdo organ i yni edhe mendja ka kufi. Të kërkosh nga ajo atë që nuk mund ta bëjë është të sforcosh kot atë. Sikur Zoti të kërkonte të perceptonim edhe origjinalitetin e Tij, ky do ishte një propozim i pamundshëm për t'u kryer. Ngase mëshira e Tij është e pafund, Zoti nuk na ka ngarkuar ngarkesë që nuk mund ta mbajmë".

E ngriti kokën, pa retë grupe-grupe dhe "ne" tha, "sikur i besojmë tepër mendjes".

"Ke të drejtë. Edhe mendja ka kufi. Dhe ngase është e kufishme është e pafuqishme. Edhe të kuptosh se mendja nuk mund të përfshijë çdo gjë është një vepër e logjikshme. Ashtu sikur syri nuk mund ta shikojë çdo krijesë, e as veshi s'e dëgjon çdo tingull, as mendja s'mund ta perceptojë çdo gjë. Njeriu i mençur, nuk ia ngarkon mendjes atë që s'mund ta mbajë. Edhe të vraposh pas të pamundurës është një lloj marrëzie ...".



Autor: Mr. Artur Tagani

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...