A e prishë abdestin rrjedhja e gjakut?



Pyetja:

Unë e fali namazin sikurse Ebu Hanifja (sipas medhhebit të tij), por nuk i bindem Ebu Hanifes në fetvanë e cila thotë se gjaku e prish abdestin. A më lejohet mua të ndjek argumentin se nuk e prish pasi ka (transmetime) nga shokët e Pejgamberit që janë fal dhe gjaku i dilte nga trupi gjatë luftës. A më lejohet mua të ndjek argumentin, apo jo.


Përgjigjja:

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Kohët e fundit është bërë e zakonshme që njerëzit ta lexojnë një hadith të caktuar rreth një çështjeje dhe pastaj duke u bazuar në kuptimin e jashtëm të hadithit, dhe pa u konsultuar të gjitha hadithet për atë çështje, vendosin vetë rreth asaj çështjeje, edhe pse mendimi i tyre mund jetë kundër asaj që dijetarët më të mëdhenj të umetit kanë thënë për hukmin (dispozitën) e asaj çështje.

Pasi e shqyrtuam çështjen e shtruar gjetëm se mendimi i Imam Ebu Hanifes rreth prishjes së abdestit nga rrjedhja e gjakut është i bazuar në shumë argumente (transmetime). Disa prej tyre po i sjellim këtu:

Në Muwatanë e Imam Muhamedit (r.a.) transmetohen këto argumente:

- Maliku na informoi që: "Nafiu transmeton që kur Sejidina Ibni Omeri r.a. kishte gjakderdhje në hundë (gjatë namazit), ai, pa folur, largohej, merrte abdest, kthehej dhe e vazhdonte namazin e tij aty ku e ka lënë".

- Maliku na informoi që: "Jezid ibn Abdullah Ibn Kusejt na ka transmetuar që ai e pa Ibn Musejebin (r.a.) që i dilte gjak gjersa ishte duke u falur, kështu që ai erdhi në dhomën e Seidah Ummu Selemes r.a. dhe atij ia sollën një enë me ujë. Ai morri abdest dhe pastaj shkoi e vazhdoi namazin e tij aty ku e kishte lënë (ndërprerë)".

Imam Muhamedi (r.a.) thotë: "Imam Ebu Hanife (r.a.), e ka bazuar mendimin e tij në atë çka Maliku ka transmetuar prej Seidina Ibn Omerit r.a. dhe Seid Ibn Musejabit r.a. që ai (personi me gjakderdhje) duhet të shkojë, të merr abdest dhe të vazhdojë prej aty ku e ka lënë, nëse nuk ka folur dhe ky është edhe qëndrimi ynë ...".

Po ashtu, më tej vazhdon:

"... Ndërsa atë rast kur futet gishti në hundë dhe kur nxirret vërehen shenja gjaku në të, kjo nuk e obligon abdestin, pasi që (gjaku) nuk është duke rrjedhur, apo pikuar. Të marrit abdest përsëri është detyrim vetëm atëherë kur gjaku rrjedh ose pikon. Ky edhe është verdikti i Imam Ebu Hanifes (r.a.)", (Nxjerrë nga Muwata e Imam Muhammedit, fq. 62 - fq. 63).

Po ashtu, një hadith Sahih Merfu', që përmendët në veprën "El-Kamil", i transmetuar nga Ibn Adi, nën autoritetin e Zeidit, thotë: "Abdesti (duhet të merret) pas çdo gjaku që rrjedh", (Muwetai i Imam Muhammedit fq. 89 & Nesbur-Rejeh fq. 37, vëll. 1).

Argumenti që ju (pyetësi) keni përmendur duhet të jetë ky:

Transmetohet nga Xhabir Ibn Abdullahu:

Ne po ecnim nën shoqërimin e Të Dërguarit të Allahut (s.a.v.s.) për në Betejen e Dhet er-Rika. Njëri nga muslimanët kishte vrarë gruan e njërit prej pabesimtarëve. Ai (burri i gruas së vrarë) u betua duke thënë: Unë nuk do të pushoj derisa të vras njërin nga shokët e Muhammedit (s.a.v.s.).

Ai doli dhe ndiqte gjurmët e Pejgamberit (s.a.v.s.). Pejgamberi (s.a.v.s.) u ndal (ngriti kampin) në një vend të caktuar. Ai tha: Kush do të na ruaj neve? Një person nga muhaxhirët dhe një tjetër nga ensarët u paraqitën. Pejgamberi (s.a.v.s.) tha: Shkoni në grykë-kalimin e malit. Kur mbërritën aty ku ju tha Pejgamberi (s.a.v.s.) ai nga muhaxhirët u shtri ndërsa ai nga ensarët u ngrit të falet.

Njeriu (armiku) erdhi tek ta. Kur ai pa ensariun, e kuptoi që është duke bërë roje për muslimanët. Ai e gjuajti me një shigjetë dhe e goditi atë. Por ky (e nxori shigjetën dhe) e gjuajti. Armiku pastaj gjuajti tri shigjeta. Pastaj ai (Muslimani) u përkul e u shtri dhe e zgjoi shokun e tij. Kur armiku e kuptoi që ata (muslimanët) kuptuan për praninë e tij, ai u largua.

Kur muhaxhiri e pa ensariun duke gjakosur e pyeti: Lavdia i qoftë Allahut! Pse nuk më zgjove herën e parë kur ai të goditi.

Ai iu përgjigj: Isha i zënë duke recituar një sure të Kur'anit. Nuk desha ta ndërpres atë. (Ebu Davudi, Libri 1, nr. 0198).

Për këtë argument themi: Sahabiu që u godit ishte Ubbad ibn Bishri (r.a.) dhe ishte aq i zënë (i thelluar) në lexim të Kur'anit sa që nuk e ka vërejtur që është goditur, ose e ka vërejtur por nuk ka dashur ta ndërpresë leximin e Kur'anit nga dashuria dhe respekti për Fjalën e Allahut.

Një argumenti tjetër që përdoret për të kundërshtuar qëndrimin e Imam Ebu Hanifes është transmetimi për veprimet e disa sahabëve.

Për këtë themi: Nuk mund të preferohet veprimi i disa sahabëve r.a., përpara hadithit merfu sahih. (Derse Tirmidhi, vëll. 1, fq. 316-320).

Allahu e di më së miri!



Përgatiti dhe përshtati: Fatih IBRAHIMI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...