Ekziston apo nuk ekziston vehabizmi?!



Më bëri përshtypje një hoxhë kur në një emision përafërsisht tha: se nocioni "vehabizëm" në realitet nuk ekziston, porse është vetëm një paragjykim tendencioz, me qëllim të gjetjes një alibi, për ta sulmuar islamin.

Edhe unë kisha dashur të jetë vetëm ashtu, pra që vehabizmi të jetë vetëm imagjinatë pa realitet, por e vërteta më demanton kah do që sillem dhe lexoj.

Nocioni "vehabizëm" as nuk është zëvendësim i fjalës "terrorizëm" e as sinonim i kësaj fjale siç po pretendon dikush, apo siç po i duhet dikujt. Me nocionin vehabizëm nënkuptohet ekzistimin e një lëvizje sa fetare aq edhe politike, e kjo nuk është imagjinatë, por fakt që e vërteton historia.

Gjithashtu nuk është aspak e vërtetë se vehabizmi si nocion ka lidhje me një nga emrat e bukur të Allahut të Madhrishëm "El-Vehhab", porse ky term ka lidhje me themeluesin e kësaj lëvizje dhe ideologun e saj që është Muhamed Abdulvehabi. Vehabizmi nuk është shkollë juridike islam (medhheb) por është lëvizje (hareke) siç e kanë emërtuar edhe dijetarë nëpër kohë.

Pra, me nocionin Vehabizëm nënkuptojmë ata të cilët i ndjekin mësimet e Muhamed Abdulvehabit, pavarësisht se bëhet fjalë për mënyrën dhe principet e formimit të shtetit, siç është Saudia (që sipas bindjeve të mia nuk është shtet me sistem islamik), apo për mënyrën dhe metodologjinë e interpretimit të teksteve autentike islame. Pra si i tillë, vehabizmin askush nuk do të mund ta kontestonte ekzistimin e tij kudo në botë, përfshirë edhe vendin tonë.

Ajo që e shpien vehabizmin drejt një ekstremizmi më të theksuar (ekstremizmi asnjëherë nuk nënkupton terrorizëm) është përcaktimi ideologjik i tyre mbi të cilën ata ndërtuan edhe shtetin e tyre apo metodologjinë e veprimit të tyre, është pretendimi se ata janë të vetmit që janë trashëgimtarë të selefit të ndershëm (edhe pse vehabizmi me selefizmin ska lidhje as në aspekt kohor as ideologjik), kurse të gjithë të tjerët që kanë interpretime ndryshe nga ta janë të dalë, të nxjerrë nga sistemi islam (havarixh).

Në këtë kontekst, ata bënë dëme kur akuzuan dijetarët islam se të gjithë dijetarët që nuk ndjekin metodologjinë e zbërthimit të argumenteve sipas metodologjisë së tyre në çështjet e akides (besimit) janë te devijuar. Në këtë kontest, çdokush nga ne ka mundësi të lexoj edhe nëpër libra të shkruara, por edhe nëpër mediume qofshin elektronike apo të shtypit, se të gjithë ata që në akide, kanë metodologji esharite apo maturidite, kanë defekte në besimin e tyre dhe janë të devijuar në mësimin e tyre. Kjo akuzë, me apo pa vetëdije është irelevant fakti për momentin, besoni ose jo, përfshinë jo më pak se 95 % të muslimanëve dhe dijetarëve të Umettit, duke përfshirë këtu edhe imamët më të mëdhenj që ka njohu historia e islamit dhe ka dëshmuar Ummeti për ta.

Pra, përderisa ekzistojnë këto mësime, këto parime në mesin tonë, ne nuk mund të themi se nuk ekziston vehabizmi.



Autor: Jusuf ZIMERI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...