Ruhuni nga muxhtehidët e rinj!



Cila është rruga juaj në fikh dhe përse?

Rruga ime në fikh është rruga e Ebu Hanifes, medh'hebi Hanefi. Jam lindur në këtë medh'heb dhe kam marrë mësimet e para po në këtë medh'heb. Pastaj kam parë se medh'hebi i Ebu Hanifes ka qenë që në kohët e tabiinëve, përpara të gjitha medh'hebeve. Ebu Hanife ka qenë i pastër në besim dhe ka shkruar në këtë dije, jo si medh'hebet e tjera. [1]

Ai ka pasur përherë një këshillë të përbërë prej 40 dijetarësh, me të cilët studionte çështje të vështira, derisa arrinin në vendime përkatëse.

Me studimet e mia të vjetra e të reja, kam gjetur se ky medh'heb është me të vërtetë më i pëlqyeshmi, por në të njëjtën kohë nuk përbuzi tre medh'hebet e tjera. Ai që merret me libra të pëlqyeshëm, lexon mirë, me aftësi dhe i pajisur me dije dhe mirëkuptim, si dijetarët e mëdhenj të katër medh'hebeve, do të përfitojë një qëndrim në këtë medh'heb, si dhe respekt dhe nderim për tre medh'hebet e tjera.


A mendoni se ka nevojë për një rishikim në disa libra të fikhut, në përgjithësi?

Nevoja për një rishikim është për ato çështje që kanë ndodhur dhe kanë dalë pas shkrimit të këtyre vendimeve, për arsye se faktet janë të caktuara, kurse ndodhitë e reja nuk kanë të sosur. Vërtetë, kemi nevojë të shkruajmë dhe të sqarojmë më tepër se të vjetrit, për çështjet e kamatës dhe dëmet e saja të shumta. Kemi nevojë të shkruajmë e të sqarojmë edhe më tepër shumë gjëra për rregullimin e zekatit.

Kemi nevojë të përshkruajmë me hollësi disa çështje në lidhje me marrëdhëniet tregtare dhe fitimin nga mallrat pa kamatë e pa dredhira. Kemi nevojë të shkruajmë më gjatë në lidhje me marrëdhëniet bashkëshortore në Islam, mënyrat e mëkëmbjes së familjes, si formohet dhe si ruhet dhe nëse vjen puna për t'u prishur kjo martesë, çfarë rregullash duhen ndjekur, rregullat e trashëgimisë, etj.. Kemi nevojë të shkruajmë me qartësi për bazat juridike islame në lidhje me familjen dhe të drejtat dhe detyrat e anëtarëve të saj.

Kemi nevojë të shkruajmë për disa çështje të reja me shpirtin e fikhut, si për shembull çështja e siguracioneve (te'min) ose transplantimi i organeve të ndryshme të gjalla të trupit të njeriut, etj.. Me pak fjalë kemi nevojë të shkruajmë fikhun me shpirtin dhe dogmat e vjetra, me gjuhë të re, duke shtuar njëkohësisht edhe disa gjëra të reja, përfshi këtu edhe rishikimin e atyre çështjeve të vjetra pa fakte e argumente në librat përkatës. Mirëpo këtë gjë e bën vetëm një i përsosur në fikh, i lidhur me ato tema nëpër faqet e librave të vjetër si dhe një që merret rregullisht me librat e pëlqyer të medh'hebit.


Cili është dallimi ndërmjet dijetarit (muxhtehid [2]) dhe pasuesit (mukal-lid [3])?

Dallimi ndërmjet muxhtehidit dhe mukal-lidit qëndron në faktin se i pari është një person që duhet ta dijë mirë Kur'anin, ose ta dijë përmendësh atë, të lexojë dhe të dijë përmendësh gjithashtu shumë hadithe të Pejgamberit a.s. në lidhje me çështjet juridike (fikhun), duke ditur njëkohësisht edhe gradën e tyre. Të ketë dije për dogmat e fshira (mensukh) në mbështetje të dogmave të reja (nasikh), si për shembull: Ndalimi i pijes dehëse në mënyrë absolute, edhe pse për herë të parë në Kur'an ka ardhur ndalimi i hyrjes në xhami i dehur, por ky vendim është fshirë më pas me ndalimin e pijes gradualisht deri në vendimin përfundimtar me ndalim absolut (hurmet), duke u bërë vendimi i ajetit të parë i fshirë (mensukh) me një ajet tjetër vijues në vendim. Sigurisht që kjo çështje (ixhtihadi [4]) është e vështirë, për marrjen e vendimeve.

Muxhtehidi duhet të ketë dije për atë që kanë thënë sahabët dhe dijetarët e njohur për një çështje, në mënyrë që të arrijë në ixhtihad. Duhet të njihet nga dijetarët e tjerë të njohur, për dije, përkushtim, sinqeritet, adhurim dhe mirësjellje. Fjala muxhtehid është shumë e lehtë për t'u shqiptuar, mirëpo vështrimi dhe mbërritja e tij është e largët dhe e vështirë dhe shumë pak janë ata që e arrijnë këtë gradë, ndonëse dyert e tij janë të hapura për trokitësit e tyre. [5]

Dikush, nga të rinjtë sot, shitet se ka arritur në këtë gradë, mirëpo fjala e tij nuk peshon te dijetarët, për arsye se këta pretendues të ixhtihadit, janë bosh dhe s'kanë asgjë.

Ndërsa taklidi është pranimi i fjalës dhe vendimit të muxhtehidëve, pa kërkuar për dogmat dhe pa i mësuar ato, ose duke i mësuar ato por pa arritur deri në gradën e ixhtihadit. [6] Prandaj nuk është çudi kur shohim se shumë dijetarë të mëdhenj të ymmetit kanë qenë mukal-lidë, si: Imam Tahaviu, që njihet për libra të mëdhenj në hadith, megjithatë ai ka qenë Hanefi, d. m. th, ka pasuar Ebu Hanifen në ixhtihadin e tij. Ose Imam Mahmud el-Ajni, që ka komentuar librin e saktë të Bukhariut në hadith, në 25 vëllime me titull "Umdetul-Kari'", ka qenë mukal-lid. Po ashtu thuhet edhe për Imam Ahmed Ibni Haxher el-Askal-lanin, që e ka komentuar gjithashtu librin e Bukharit, duke e titulluar "Fet'hul-Bari" në 13 vëllime, që ka qënë mukal-lid i Imam Shafiiut. Ose Abdull-llah ibnu Vehbi dhe Muhammed ibnul-Kasim, që kanë qenë mukal-lidë të Imam Malikut.

Ose Muhammed ibnu Kudame, autor i librit të njohur "El-Mugni", në 13 vëllime, që ka qenë mukal-lid i Imam Ahmedit. Edhe Ibni Tejmijje, ka qëndruar hanbeli, me disa veçime, me të cilat ka lënë medh'hebin duke gabuar në vendime, si për shembull: Ndalimi (haram) i daljes për udhëtim me qëllim vizitimin e Pejgamberit a.s., siç ka pasur edhe disa gabime të trasha edhe në besim (akide).

Vërtetë se dijetarët e tjerë të lartpërmendur nganjëherë kundërshtojnë ndonjë çështje (mesele) në medh'hebin përkatës, me faktin që kanë, mirëpo asnjëherë nuk kanë pretenduar se janë muxhtehidë.

Një gabim të rëndë bëri edhe Ibni Hazmi, dijetar i shekullit të pestë, që pretendoi ixhtihadin, duke kundërshtuar dijetarët muxhtehidë, në mospranimin e konsensusit të dijetarëve (ixhma') dhe analogjisë (kijas), prandaj mbërriti në disa vendime, me të cilat vinte në lojë dijetarët. Për fat të keq sot disa të rinj po mashtrohen pas fjalës së tij jo të ndershme kundra medh'hebeve, e në veçanti kundra Ebu Hanifes r.a..

Pas gjithë kësaj, themi se një dijetari të lartë me kushtet e dijes i lejohet të zgjedhë disa vendime jashtë medh'hebit në bazë të dogmave që ka, mirëpo frikësohemi se mos bie në gabim, sikurse e dimë për Ahmed Shakirin, për hoxhën tonë Nasirin, që ka kundërshtuar veten e tij në shumë hadithe, të cilat i ka pëlqyer në një libër e i ka refuzuar në një tjetër. [7] Një gabim të rëndë që ka bërë, është se ka pranuar fjalën e një tabiiu ish-jehudi, Ka'b el Ahbar, që ka thënë se një derhem kamatë është më rëndë se me kurvëru 36 herë. Shejkh Shuajbi, [8] ia nxorri këtë gabim, sikurse edhe Hasan Sakkafi, i cili i ka gjetur me qindra gabime në librat e tij.

Këtu ju them: "Ruhuni nga muxhtehidët e rinj!". Këtë e them në bazë të studimeve të gjata në libra e revista të ndryshme.



Nga monografia e thirrësit islam Muhamed Sytari
"Vehbi Sulejman Gavoçi - dijetar nga dijetarët e ymmetit", Prishtinë 2005.



_________________________

[1] - Njihet sot në botën islame libri i madh i Ebu Hanifes në akaid (besim) "El-fikhul-ekber", që më pas është sqaruar dhe komentuar nga dijetari i madh i medh'hebit Hanefi dhe i ymmetit musliman, Molla Ali el Kari, "Sherhul-fikhil-ekber". Pastaj Shejkh Vehbiu ka bërë një tjetër sqarim të këtij libri, në një vëllim prej 560 faqesh, të titulluar "Minehurr-rreudil-ez'her fi sherhil-fikhil-ekber", botuar në vitin 1998. Një vit më vonë, po Shejkh Vehbiu ka bërë një tjetër libër në vijim të kësaj vepre, të titulluar "Mesail fi flmit-teuhid", në 88 faqe.
[2] - Muxhtehid: Personi që ka aftësi për të bërë ixhtihad, është ai që ka mundësi të përdorë rregullat juridike islame dhe kthimin e tyre në rrugë për kuptimin e vendimeve dhe përfitimin e tyre nga argumentet e ndryshme. (Shih: Prof. Dr. Vehbe Zuhejli, "Usulul-fikh", fq. 10).
[3] - Mukal-lid: Quhet ai person që pason një tjetër në atë që thotë apo vepron duke besuar në saktësinë e tij pa shikuar apo medituar në argument. Ose: Pranimi i thënies së tjetrit, pa argument. (Shih: Esh-Sherif Ali ibn Muhammed Exh-Xherxhani, "Kitabut-ta'rifat", fq. 64).
[4] - Ixhtihad: Quhet përpjekja për nxjerrjen e vendimeve juridike islame nga argumentet e shkoqitura në Sheriat. (Shih: Prof. Dr. Vehbe Zuhejli, "Usulul-fikh", fq. 217).
[5] - Në lidhje me pyetjen se a është e hapur sot, dera e ixhtihadit apo jo, Dr. Muhammed Said Ramadan el-Buti, në librin e tij "El-lamedh'hebijjetu", përgjigjet: "Dera e tij ka qenë e hapur dhe vazhdon të jetë ... Askush nuk ka në dorë ta mbyllë atë ... Ai ka pasur kushtet dhe rregullat e tij dhe vazhdon t'i ketë ... Askush nuk e ka në dorë të lozë me ta, sot ...".
[6] - "Nëse thuhet: A duhet që muslimani të bëjë taklid një nga katër medh'hebet? Do të themi: Madje e ka për obligim një gjë të tillë, sado që është i paaftë të bëjë ixhtihad në argumentat e vendimeve juridike islame ...". Shih: Dr. Muhammed Said Ramadan el Buti, "El-lamedh'hebijjetu".
[7] - Për këtë shih edhe librin e Shejkh Vehbiut, "Njohuri rreth Kur'anit, Syneti e bidati" - Shkodër 1999, fq. 133, që pata mirësinë e redaktimit dhe përkujdesjes për botimin e tij.
[8] - Shuajb Muharrem Arnauti, lindi në qytetin e Damaskut në vitin 1928. Në familjen e tij, ku tradita shqiptare dhe kultura islame ishin gjithnjë të pranishme, (Shejkh) Shuajbi mësoi nga i ati dijet elementare të Islamit. Nga mosha 17 vjeçare, për më tepër se 10 vjet radhazi Shuajb Efendiu vazhdoi të ndjekë ligjëratat e gjuhës nëpër xhamitë dhe medresetë e vjetra të Damaskut ... Nga mësuesit e tij më të njohur, prej të cilëve mësoi dijet e gjuhës arabe, ishin: Muhammed Salih Farfur, Arif Ed-Devxhi, Sulejman Gavoçi, etj., ... Kështu (Shejkh) Shuajbi i kaloi më tepër se shtatë vjet duke mësuar Usuli Fikhun, Tefsirin e Kur'anit, Mustalah Hadithin, leximin e librave të moralit, etj.. Është kohë kjo kur i kishte kaluar të tridhjetat ... Në Bibliotekën islame të Damaskut, ndenji afro 20 vjet plot dhe gjatë kësaj kohe hulumtoi, identifikoi dhe korigjoi mbi 70 vëllime librash të ndryshëm me karakter historik, fetar dhe letrar ... Shuajb Efendiu, edhe pse i lindur jashtë atdheut e jetuar atje, flet rrjedhshëm gjuhën shqipe. Pas viteve '90 ka vizituar Shqipërinë, të cilën asnjëherë nuk e harron. - (Shih: Dr. Ramiz Zekaj, "Zhvillimi i kulturës islame te shqiptarët gjatë shekullit 20", ribotim, Tiranë, 2002, fq. 355-358).

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...