Reagim nga Grupi i teologëve



Reagim nga Grupi i teologëve të diplomuar dhe licencuar nga Ministria e Arsimit që u anashkaluan nga Komuna e Çairit. Kush duhet të na i mëson fëmijët?

Kohëve të fundit, nëpër disa mediume të gjuhës shqipe, individë joadekuat po japin sqarime rreth asaj se si do tu pëlqente atyre që të zgjidheshin arsimtarët e mësim besimit fetar. Por për të qenë huti edhe më e madhe, ata në asnjë moment nuk përpiqen t'i bëjnë një përshkrim ligjit aktual për Kishën, Bashkësitë Fetare dhe Grupin Religjioz, i cili shumë qartë shpjegon se organizatorë të jetës fetare të cilit do besim është institucioni përkatës i atij besimi ...

Në këtë prizëm, Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë është institucioni i vetëm që duhet të organizon jetën fetare si dhe edukimin fetar në RM. Për këtë arsye, ky Institucion e ka për detyrë morale dhe primare që ti mbron besimtarët nga çfarë do lloj ndikimi të jashtëm, e aq më tepër kur janë në pyetje fëmijët e besimtarëve tanë - pra ardhmëria jonë.

BFI-ja është iniciatori kryesor për praktikumin e mësim besimit fetar nëpër shkollat publike. Për këtë qëllim, me mund është punuar rreth dhjetë vite.

E tani, kur kjo ëndërr që shumë vetë e cilësuan si të paarritshme u bë realitet, BFI-ja duhet ti ngre duart për shkak të presioneve të pandershme që po bëhen nga disa individë me të kaluar të dyshimtë?

Jo. Asnjëherë. Këtë shumë herë e ka bërë të qartë edhe vetë Reis ul Ulema i BFI-së H. Sulejman ef. Rexhepi i cili në asnjë moment nuk ka lejuar që në Emrin e BFI-së apo të Islamit të bëhet kompromis me dikë që Islamin mund ta sheh si biznes apo pazarllëk elektoral. Nëse dikujt nga mediumet apo ndonjë funksionari të ndonjë komune nuk i intereson se kush i arsimon fëmijët tanë, vehabistë, ekstremistë apo -istë të tjerë, BFI-ja me vigjilencë po e ndjek situatën dhe duke u mbështetur në fuqinë e Ligjit do ta çojë të drejtën derri në fund, i pëlqen apo jo, kjo dikujt.


**********


Fatkeqësisht duhet të pranohet se njerëzit që krijojnë opinion, pra mediumet - gazetarët, ose nuk merren sa duhet ose nuk merren se nuk u pëlqejnë këto çështje.

Për shembull, para disa javëve, në Radio Televizionin e Kosovës - RTK, filloi të transmetohej emisioni "PARROTLLA". Emisioni i parë u transmetua edhe në servisin publik të Maqedonisë - programin e dytë. Ndërsa dy emisionet e radhës të emëruar "Vehabizmi" u bojkotuan nga ky servis që duhet të jetë publik ... Në fakt, në këto dy emisione gazetari Milaim Zeka nxori në pah një dukuri të vjetër shqetësuese - pra përpjekjet për të krijuar institucione paralele kundrejt Bashkësisë Islame të Kosovës, Gjegjësisht do të përmendim dy raste nga ky emision.

- I pari, i një këngëtari të famshëm, i cili tani thotë se muzika është "Haram" dhe nuk duhet të dëgjohet ...

- Rasti i dytë, kur një person jo - Kosovar, akuzon të gjithë të tjerët që nuk mendojnë si ai, me fjalët se "Kështu akuzon Serbia", e në të njëjtin moment, vepron në një xhami dhe shoqatë jashtë Institucionit të Bashkësisë Islame të Kosovës - pra de-facto duke krijuar institucion paralel me atë që duhet të organizon jetën fetare në Kosovë.

Veprim i njohur për serbët të cilët kanë krijuar institucione paralele në atë Republikë të Re. Raste të tilla, ka disa në nën qiellin tonë, si në Kosovë, Maqedoni por edhe në Shqipëri, kur individë themelojnë shoqata dhe veprojnë në emër të Islamit, duke shpërndarë doktrinë dhe të holla në pretekstin e ndihmave humanitare, a në të vërtetë krejt kjo bëhet me qëllim të indoktrinimit të gjeneratave të reja dhe destabilizimin e BFI-së gjegjësisht fraksionizmin e muslimanëve. Se sa krejt ky veprim është humanitar dhe i ndërgjegjshëm do ta vlerësojnë ata që dinë të bëjnë vlerësime. Habi, me këto veprime thuaja se këta individë apo asociacione qenkan më të besueshëm dhe më të aftë se Institucionet Fetare ...

Por të kthehemi pak në vendin tonë. Fatkeqësisht, në rastin e mësim besimit fetar, ishin mediumet maqedonase ato të cilat u shqetësuan më tepër për atë se kush po i mëson nxënësit shqiptarë nëpër disa shkolla të caktuara të vendit.

Nga ana tjetër, mediumet shqiptare në vend që të shqetësohen për këto dukuri, filluan tu japin hapësira pikërisht individëve të cilët në territorin e komunës së tyre (Çairit) i kanë bojkotuar arsimtarët e licencuar nga Ministria e Arsimit dhe në vend të tyre kanë angazhuar indivë sipas qefit të tyre, duke e anashkaluar Institucionet Fetare dhe Ministrinë e Arsimit si dhe ligjet adekuate në vend. I kujtojmë këta zotërinj se argatët elektoralë nuk paguhen nga xhepi i huaj ...


**********


Sa për ilustrim, pikërisht për këta individë që u punësuan nga kjo Komunë, u ngrit alarmi edhe nga mediumet maqedonase për të cilët thuhej se "Vehabistë japin mësim nëpër shkolla".

Nga ana tjetër është i çuditshëm fakti se si një marksist leninist i përbetuar i dikurshëm - kuadër i specializuar në shkollën e Kumrovecit, atakon BFI-në dhe mundohet të shpjegon se si duhet të organizohet mësim-besimi fetar - pra Islami në këtë rast ...


**********


Për arsye tashmë të njohura për BFI-në por jo edhe për opinionin e gjerë, disa mediume në gjuhën shqipe, më tepër merren me gënjeshtra të fabrikuara kundër BFI-së, sesa me këto dukuri shqetësuese, të cilat në thelb po i japin një kahje çorientuese shoqërisë sonë. Fatmirësisht, numri i tyre nuk është edhe aq i madh sa duket. Sipas mendimeve të disa specialistëve religjiozë islamë, numri i "istëve" nuk e kalon as 2 përqindëshin e popullatës muslimane në vend, por fatkeqësisht kjo nuk mund të thuhet edhe për sa i përket simpatisë së "disa" mediumeve ndaj tyre ...

Sidoqoftë, shoqëritë e civilizuara kanë krijuar kode civile dhe ligje të cilave duhet tu përmbahen të gjithë. Përpjekjet për të minimizuar veprimtarinë dhe peshën e institucioneve me imponimin e dhunshëm të institucioneve paralele, nuk do mend se janë të kundër-efektshme. Për këtë arsye nuk duam të besojmë në tezën se "ndoshta shqiptarët nuk kanë ndonjë traditë të punës nëpër institucione dhe prandaj përpiqen çdo gjë ta zgjidhin jashtë tyre", e aq më pak në fjalën e vjetër italiane "Tuti Albanezi - Tuti Komandanti" (Të gjithë shqiptarët - të gjithë komandantë).

Por një herë e përgjithmonë duhet të kuptohet se Bashkësia Fetare Islame po vendos themele të shëndosha në rezervimin dhe rruajtjen e vlerave Islame, qytetare evropiane dhe kombëtare të të gjithë popujve që jetojnë në Republikën e Maqedonisë. Në këtë kontekst vërtetë do të përpiqet ta ushtrojë tërë autoritetin e vet autonom dhe nuk do të lejojë asnjë lloj presioni apo ndikimi nga jashtë.



Grupi i teologëve të diplomuar
dhe licencuar nga Ministria e Arsimit
që u anashkaluan nga Komuna e Çairit

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...