Ka kaluar koha e kryqëzatave z. Prifti!



(Në një shoqëri civile, njeriu duhet të arsyetojë para se t'u vejë veshin prirjeve), "Ruso".

Kur kam lexuar artikullin e Kastriot Myftarajt ("Ylli i kuq i Moskës dhe Guri i zi i Mekës", Gazeta "SOT" 26 Maj 2010) pa ditur se do ti bëni avokaturë, më ka vajtur mendja tek ju z. Prifti, me një artikull që keni botuar në "Aleanca" më 25 gusht 1995, dhe keni patur të njëjtin mendim edhe kur Myftaraj nuk e kishte. Aso kohe ju propozonit që të gjithë muslimanët shqiptar të ktheheshin doemos në krishterizëm, që nënkuptonte kthimin e 6 milion shqiptarëve të Ballkanit në të krishterë: "gradualisht për disa dhjetra vjet, për t'i bërë homazh historisë tonë tragjike, që të falemi pastaj në të njëjtin altar e për të njëjtin Perëndi, që kanë pasur të parët tanë". Por ju z. Prifti, aso kohe nuk guxonit të shpreheshit sheshazi (edhe pse kuptohej vetiu), se ku do të më çonit mua, bashke me 6 milion të tjerë që nuk do të pranojmë budallallëqet tuaja. Ndërsa Myftaraj, mbase i frymëzuar prej librit tuaj teologjik "Të Penduarit ose Kombi Përballë Zotit" (2002) ose replikës tuaj 'të detyruar' me z. Shefqet Musaraj (19 korrik 2007), kërkon të më heqë shtetësinë 'shqiptare' për të më dhënë statusin e "emigrantit arab". Ju tani për tani po mjaftoheni me etiketimin: radikal, islamist, mendjemykur, lindor, arab, antishqiptar e broçkulla të tjera 'nonsense', të cilat i kemi dëgjuar tashmë me qindra herë. Meqë ju ishit të hershëm në fushatën e anti-islamit dhe të deislamizimit shqiptar, që me ardhjen e pluralizmit, Kastriot Myftaraj në artikullin: "Patkoi në hapësirën mediatike shqiptare" të botuar në "Rimëkëmja Kombëtare", për shkrimet e tipit tuaj kishte një 'sens' kur shkruante: "Kur mafia mediatike etiketon në mënyrë denigruese "veriorët", "malokët", apo "islamikët", nuk shqetësohet se kështu po cënon reputacionin kombëtar, pasiqë këto kategori përbëjnë 90% të kombit...". Më pas (2003) ai mori mësimin tuaj duke thënë se: "Islami asht fe e poshtnimit njerëzor". Edhe sot, qëndroni në të njëjtën kategori, meqë ju ka prishur mendjen çorba greke e serbe dhe gjithçka që nuk ka shijen e saj u duket si çorbë arabe. Sigurisht që kjo mund të jetë arsye e juaj e mjaftueshme për të gjetur të keqen tek "qeni turk" dhe të mirën tek vëllazërimi me serbët e grekët.

Nën pretekstin e tërheqjes së shqiptarëve drejt kopshteve të bukura të integrimit (imagjinar) europian, po na ofroni helmin me sherre kombëtare. Evropa na pat braktisur edhe si të krishterë, që prej ndarjes së Perandorisë Romake para 1600 vjetësh. Shqipëria e pësoj edhe nga politika cinike e kohës së kryqëzatave. As në kohen e Skënderbeut nuk na ndihmoi. Ajo u bë një me sllavin e grekun, për ti shkëputur Shqipërisë Etnike Plavën dhe Gucinë, Ulqinin e Tivarin, Kosovën e Çamërinë, duke i shkëputur asaj 32.664 km2 me 3.5 milion banorë, duke bërë kështu krimin më të madh kundër shqiptarëve dhe duke bërë që pjesa dërmuese e popullatës shqiptare të jetojë jashtë kufijve të saj. Pas Luftës së Dytë Botërore, ajo përzuri komunistët nga grekët kurse Titos i dha mundësinë të bënte atë që donte me ne. Ajo sot ka gjetur mënyra të reja për shkatërrimin e Shqipërisë, duke dërguar misionarë të palodhshëm në futjen e përçarjeve fetare, dhe ka gjetur argat në intelektualizmin shqiptar me shumë shkollë e me pak mend. Nuk kemi pse shikojmë aq shumë drejt perëndimit as drejt lindjes. Evropën e keni aty në Tiranë me fëmijë të braktisur, me korrupsion, me prostitucion, me keqtrajtime, me dhunime e vrasje, me homoseksualë e me lakuriqësime. Në postet e larta politike janë uzurpatorët e hajdutët, që mbollën poshtërsinë, prunë korrupsionin e degjenerimin masiv institucional. Të pafajshmit burgosen kurse fajtorët lihen të lirë. Shtypi njofton për 50.000 shqiptarë përdorues të drogës, e ju merreni me deislamizimin.

Të kërkosh konvertimin e pjesës dërmuese (të 6 milion shqiptarëve) në anën e pakicës dhe të mendosh se mund të arrihet ky qëllim, nuk është vetëm blasfemi, por edhe mungesë e mendësisë e seriozitetit. Tu kërkosh atyre të divorcohen nga islami, që është bërë një traditë dhe është zhvilluar pa ndërprerje, që nga shekulli XV, duke ushtruar një ndikim esencial në mbijetesën dhe në formësimin e identitetit fetar, kulturor dhe kombëtar, është hiç më pak se një mentalitet mesjetar. Në kohën kur erdhi islami ndër shqiptarët, sfondi bizantino-grek e sllav çonte në zvogëlimin dhe asimilimin e vazhdueshëm gjuhësor e kulturor të shqiptarëve. Ishte Islami ai që ndali trendin negativ të asimilimit duke i dhënë një hov të ri zhvillimin të tij demografik e kulturor. Por mbi të gjitha islami u solli shqiptarëve respektin për fenë e të tjerëve, respekt që ju fatkeqësisht nuk e keni.

Do të ndjeja keqardhje për shqetësimin tuaj, që shqiptarët (muslimanë) "po ndërtojnë xhami në vend të ndërmarrjeve për punësim", duke e quajtur një "miopi politike e intelektuale" ose siç e quanin disa të tjerë "invazion antikulturor", sikur t'ju pengonte edhe ndërtimi i kishave në vendbanimet 100% muslimane dhe ngritja e katedraleve politike në Qendrat e mëdha shqiptare. Ju nuk jeni i vetmi që u pengojnë xhamitë, ato u kanë penguar po aq sa juve edhe fqinjëve tanë dashakeq, që e shikonin si një barrierë të pakalueshme të realizimit të ëndrrës së tyre të vjetër - shkombëtarizimin e shqiptarëve. Nuk ju duket "miopi politike" bilanci zyrtarë i Shqipërisë me 1119 kisha (425 ortodokse dhe 694 katolike), në mesin e 70% të popullatës muslimane me 638 xhami? Nuk ju duket "miopi politike" që Tirana dhe Prishtina zyrtare zvarrisin kërkesat dhe ende nuk lejojnë ndërtimin e xhamisë, ndërsa katedralet katolike e ortodokse në të dy qytetet qëndrojnë përballë njëra tjetrës?

Z. Prifti, për një 'analist' e një 'doktor' si puna juaj, që e quan flamurin kombëtarë 'flamur i krishterë', që quan 'tradhtarë' martirët e kombit, që fajëson pashallarët shiqiptarë për copëtimin e Shqipërisë (në kohen e të cilëve kishim Shqipëri Etnike), që fajëson islamizimin e shqiptarëve për prishjen e 'vëllazërimit' me serbët e grekët, e nga ana tjetër i kërkon eprorit shpirtërorë Janullatos, që heroin laik të shqiptarëve - Skëndërbeun, ta shpallë hero dhe shenjtor të ortodoksisë, siç ka shpallur Princin shqiptarovrasës të Serbisë - Llazarin, nuk mund të them tjetër veç se "të rrjellur nga trutë". Ndoshta kjo është arsyeja që edhe Prof. Sherif Delvina ju ka quajtur me të drejtë "shkrimtarë në shërbim të shovinizmit grek", sikurse ju ka quajtur edhe Shefqet Musaraj si të pajisur me "idetë e Megaliidesë Greke". Keni harruar zotëri se gjyshërit tuaj, për sa kohë ishte 'Turqia' hiqeshin si patriotë e bashkëpunonin me myslimanët, kurse ju tani, stërnipërit e tyre ktheheni kundër muslimanëve, të mos i pranoni për shqiptarë, por ti quani arabë e ti çoni në arabi. Keni harruar se kështu po dilni kundër historisë, kundër Kushtetutës, kundër lirisë së ndërgjegjes, kundër Lirive Fetare.

Nëse ju keni të drejtë të shprehni mendimin tuaj, pse ua merrni të tjerëve të drejtën për një gjë të tillë. Unë jam plotësisht dakord me 'të drejtën e fjalës' por jo 'me të drejtën e fyerjes'. A ka ngjarë ndonjëherë që muslimanët shqiptarë tu bëjnë thirrje të krishterëve që të arratisen drejtë Vatikanit apo Greqisë? A ka ngjarë ndonjëherë që muslimanët të tallen me ndjenjat fetare të të tjerëve? A ka ngjarë ndonjëherë që një hoxhë të ndjejë keqardhje që kanë mbetur të gjallë të krishterët shqiptarë? A ka ngjarë ndonjëherë që muslimanët ti quajnë kishat "bunkerë të forcave pushtuese", që këmbanat e tyre ti quajn "bomba biologjike", apo që ti quajnë të krishterët "ushtri okupatore"? Asnjë shqiptar i besimit islam nuk e urren fenë e krishterë të ritit katolik apo ortodoks, qoftë për faktin se nuk i takon kësaj feje, qoftë për ndonjë motiv tjetër. Asnjë zë i çjerrë i hoxhës nuk është dëgjuar kundër asaj që është e shenjtë për kombin, për ndarjen e Shqipërisë në Veri e në Jug, për ndarjen e gjuhës letrare në toskërishte dhe në gegërishte. Duke luajtur me kartën e lirisë së fjalës, kur fyen zezakët je racist, kur fyen çifutët je antisemitist, kur fyen homoseksualët je jotolerant, kur fyen atdheun je tradhtarë, vetëm kur fyen profetin dhe fenë e pjesës dërmuese të popullatës shqiptare "ke lirinë e shprehjes", a nuk jeni në gjendje të shihni se diçka nuk funksionon si duhet këtu? Se ju Z. Prifti posedoni një mentalitet mesjetar, dëshmoni vetë duke vënë në krahasim banal karakteristikat e traditës së muslimanit (shqiptar në rastin tonë) si: përtac, keqtrajtues të femrave, mosrespektues të ligjeve dhe familjes, të dhënë pas qejfeve e hipokrizisë, përballë të krishterëve punëtorë, optimist, respektues të ligjeve dhe të femrave, respektues të Zotit, vetëm ose në Kishë në ditë të caktuara. Broçkat e këtilla tashmë janë bërë rend i ditës në filmat e Holivudit, prandaj nuk kam dyshim se edhe juve prej andej ju vijnë, që të fitoni më pas kategorinë e analistit. Ju ftoj, pa pasur qëllim debatesh të pafundme, t'i thërrisni mendjes dhe të hapni vizionin pa paragjykime, që të shihni se cili do të ishte fati historik i shqiptarëve, po të mbeteshin në drynat e hekurta të ortodoksisë bizantino-greke e serbe, të cilët sa herë u vinte rasti synonin asimilimin dhe zhdukjen e plotë kulturore dhe etnike të shqiptarëve. Ju bëni një gabim të pafalshëm kur gjeni të keqen tek "qeni turk" dhe të mirën tek vëllazërimi me sllavët, pastaj më pyet mua "ku po më çon mushka". Keni të drejtë z. Prifti, se nuk po e shihni mushkën tuaj që është duke ju çuar drejt jugut, aty ku 2 milion shqiptarë sot kanë pushuar të jenë të tillë. Thërrisni mendjes dhe mos u bëni si një bombë e aktivizuar në prishjen e ekuilibrit të tolerancës shembullore fetare, kur dhembjet dhe vuajtjet i kemi pasur të përbashkëta. Unë po i lutem Zotit, me fjalët e Sheuqet Musarajt që "shqiptarët të mos e hanë sapunin ortodoks për djathë", por edhe ju lutuni të mos vijnë ato ditë, sepse nuk janë muslimanët, as katolikët dhe as ortodoksët ata që do ta pësojnë, është Shqipëria, janë shqiptarët dhe gjurmët e zeza të historisë që do të na ndjekin pas. Largohuni nga mentaliteti mesjetar, ka kaluar koha e kryqëzatave z. Prifti ...



Autor: Hajrudin S. MUJA, qershor 2010.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...