Elita e dijetarëve myslimanë shqiptarë dhe sprova e burgjeve komuniste



16 nëntori i vitit 1990 është një datë historike për kombin shqiptar. Pas një periudhe të gjatë nën sistemin ateist të Partisë së Punës, pas shumë persekutimesh e dhunimesh të të drejtave më elementare njerëzore ndaj këtij populli, vargonjtë dhe zinxhirët e diktaturës komuniste ranë. Së bashku me to ra edhe sistemi politik monist. Zhvillimet demokratike e morën shoqërinë shqiptare drejt realitetesh të reja e qëllimesh ende të parealizuara ...

16 nëntori i vitit 1990, shënoi rihapjen e Xhamisë së Plumbit, ku qindra e mijëra qytetarë të Shkodrës morën pjesë në këtë gëzim të madh kombëtar (sikurse edhe në rastin e rihapjes së Kishës së Rrmajit), ndonëse erëra të reja do të frynin për myslimanët shqiptarë dhe identitetin e tyre fetar, edhe pse kishin dalë nga një realitet i zi drejt një tjetri, në pamje të parë i ndryshëm nga i pari.

Sa herë që kujtojmë 16 nëntorin e vitit 1990, na shkon mendja edhe tek elita e dijetarëve më të shquar të Islamit në vendin tonë, të cilët në një formë a në një tjetër u persekutuan dhe u dhunuan nga "revolucionarët e kuq". I kujtojmë me respekt dhe u dërgojmë rahmetet e sinqerta shpirtrave të tyre të trazuar, kujtimit të tyre të paharruar, emrit të tyre të madh!

I kujtojmë me respekt martirët e besimit, dëshmorët e fjalës së lirë, shehidët e përballimit me forcat e territ femohues, njerëzit e mëdhenj me të cilët çdo komb do të mburrej.

Në këtë ditë, është e pamundur të mos qëndrojmë me respekt para kujtimit të elitës së dijetarëve myslimanë shqiptarë që u sprovuan në burgjet komuniste a në lirinë e tyre intelektuale, si:

1. Hafiz Ali Korça (burgosur në vitin 1945),
2. Hafiz Ibrahim Dalliu (burgosur në vitin 1946),
3. Hafiz Ismet Dibra, ish- drejtor i Medresesë së Përgjithshme, Tiranë (burgosur në vitin 1946),
4. Hafiz Sabri Koçi (burgosur në vitin 1966),
5. Dede Reshat Bardhi (internuar 15 vjet),
6. Haki Sharofi, ish-kryeredaktor i revistës "Zani i Naltë" (burgosur në vitin 1946),
7. Jonuz Bulaj (burgosur në vitin 1946),
8. Vexhi Buharaja (burgosur në vitin 1946),
9. Ismail Muçej (burgosur në vitin 6 shtator 1952 - 24 prill 1963),
10. Haxhi Faik Sheh Qazim Hoxha (burgosur në vitin 4 qershor 1966),
11. Hasan Tahsini (burgosur në vitin 1947),
12. Baba Bedriu i Brerimës (ekzekutuar në vitin 1947),
13. Baba Hajro Progonati (ekzekutuar në vitin 1947),
14. Hafiz Mustafa Varoshi, ish-myfti i Durrësit (burgosur në vitin 1945),
15. Hafiz Sherif Lëngu, ish-kryetar i Këshillit të Naltë të Sheriatit (burgosur në vitin 1945),
16. Hafiz Esat Myftia, ish-kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar (burgosur në vitin 1946),
17. Hafiz Musa Dërguti (burgosur në vitin 1946) [1],
18. Hafiz Ali Kraja (burgosur në vitin 1945), [2]
19. Imam Liman Shabani (vdekur në burg më 1945),
20. Imam Met Troci (vdekur në burg më 1947),
21. Sheh Ibrahim Karabunara (vrarë në burg më 1947),
22. Sheh Myslim Luma (vdekur në burg më 1953),
23. Baba Myrteza Kruja (vdekur në burg më 1945),
24. Imam Ahmet Hyseni (vdekur në burg më 1945),
25. Dervish Mehmet Verleni (vdekur në burg më 1947),
26. Xhemal Naipi (me vendim nr. 218, dt. 23.6.1947 të Gjykatës Ushtarake Shkodër është dënuar ... me privim lirie për jetë, me punë të detyruar, humbjen e të drejtave civile e politike ... - vdiq në burgun famëkeq të Burrelit në vitin 1955 në moshën 77 vjeçare, pa pasur familjarët dijeni as për varrin e tij),
27. Hafiz Sheuqet Boriçi (i vetëizoluar në shtëpi deri në vdekje),
28. Hafiz Sabri Bushati (u vetëizolua në shtëpi në vitin 1967, në moshën 77 vjeçare deri në vdekje),
29. Molla Alush Zaganjori (i vetëizoluar në shtëpi deri në vdekje),
30. Shejkh Hafiz Vehbi Sulejman Gavoçi (u ndalua disa herë nga regjimi komunist për të vizituar vendlindjen e tij, Shkodër), etj.. [3]]

(Për efekt të moszgjatjes, nuk po përmend shumë emra të hoxhallarëve të nderuar, të dënuar me punë të rënda fizike e denigruese në syrin e shoqërisë. Sprova e tyre ishte më e rëndë se ekzekutimi i menjëhershëm, internimi a burgosja e gjatë!)

Janë të shumtë. Edhe më shumë sesa të përfshihen në këtë përkujtimore jo të parastësishme. All-llahu e pranoftë vuajtjen e tyre, sakrificën, durimin, persekutimin, brengat, lutjet me duar të lidhura e të gjakosura..! "E për ata që u vranë në rrugën e Allahut mos thoni: "Janë të vdekur", Jo, ata janë të gjallë, por ju nuk kuptoni (gjallërinë e tyre)". [4]



Autor: Muhamed SYTARI



_________________________

[1] - [Po ashtu i mbështjellë nofullash me shami për mungesë mjekre edhe plaku tjetër hafiz Musa Dërguti, që do kohë ma parë ia kishte la në gjak fytyrën nji polici, kur ai i kishte pasë derdhë ujtë e "abdesit" aty te truma, e që kur kishte kenë në Sigurim, i kishte pasë thanë nji shoku të dhomës: "Më kërkojnë me folë për priftën, dojnë me na përça, e nesër me thanë se u pushkatuen priftënt me dëshmitë e hoxhallarëve. U kam thanë bani çka të doni, se atë punë s'e baj kurr"] - Shih: Ahmet Bushati, "Në gjurmët e nji ditari", Shkodër, 2007, fq. 428.
[2] - Më 1934, kur unë isha ende student në Medresenë e Tiranës, Hafiz Ali Kraja botoi librin me titull: "A duhet feja? A e pengon bashkimin kombëtar?" ku u jepte përgjigje diskutimeve të asaj kohe për këtë çështje. Libri i tij ruan vlera të mirëfillta edhe sot sepse mbron parimin demokratik me argumente të shëndosha se besimet fetare nuk ka se si ta pengojnë bashkimin kombëtar" - Shih: Imam Vehbi Ismaili, "Baza e çdo feje- përsosmëria morale", në përmbledhjen: "Shekulli 21 - mendime dhe opinione", ideja dhe sponsorimi nga Dino Asanaj, New York, 1996, fq.190.
[3] - Një material më shterrues rreth emrave të hoxhallarëve dhe shehlerëve të persekuatuar nga sistemi komunist është edhe ai i zotërinjve Nasuf Dizdari e Faik Kasollja, në gazetën "Drita Islame", viti I i botimit, e premte, 6.3.1992, nr.5, prej nga janë marrë edhe disa nga të dhënat e mësipërme.
[4] - Kur'ani: 2:154.

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...