Ndikimi i vehabizmit



Vehabizmi gjatë tërë historisë së tij ka pasur mbrojtës, simpatizues dhe pasues si brenda vendit ashtu edhe jashtë territorit ku shtrihej sundimi i tyre, sidomos në mesin e dijetarëve dhe intelektualëve me ndikim. Pak vende ka që nuk kanë ra nën ndikimin e tyre, madje në disa vende duke formuar lëvizje të ngjashme, në Lindje në Indi e Indonezi, kurse në Perëndim në Sudan dhe në Afrikën Veriore.

Ndikim ka pasur shumë herët në Gjirin persik, pastaj në Jemen, ku erdhi në konflikt me zejdizmin. Ndikoi edhe në Irak, [57] Siri, madje edhe në Marok. [58] Pa dyshim, vehabizmi ndikoi edhe në Indi, nëpërmjet Sheriatullahut, i cili ndërmjet viteve 1782-1802 qëndroi në Mekkë, dhe më 1804 formoi lëvizjen e ngjashme me atë të vehabitstëve me emrin "feraidijje".

Kemi edhe lëvizje të tjera, sikur ajo e Sejjid Ahmed de Bareillit, Siddik Hasan Hanit, etj., të cilat tërthorazi apo drejtpërdrejt, kanë qenë nën ndikimin vehabit, në aktivitetin e tyre të brendshëm dhe atë të jashtëm kundër dominimit anglez. [59]

Vehabistët i gjejmë edhe në Turkestan, ku më 1871 në Karas sulmuan ushtrinë ruse, por nuk mund të thuhet se vepruan në mënyrë atafgjate. Ngjashëm i gjejmë edhe në Afganistan. [60] Mendohet se vehabizmi ka ndikuar edhe te Xh. El-Afganiu, M. Abduhu, Senusiu dhe te dijetarë të tjerë, [61] e madje edhe te Emir Shekib Arsllan, [62] Ihvanu'l-muslimanët e Egjiptit në gjusmën e dytë të shekullit XX. [63]

Dijetari i njohur boshnjak F. Karçiq mendon se ndikimi i "modelit të tranformimit vehabist i shoqërisë muslimane ka pasur ndikim në viset që sipas karakteristikave gjeografike dhe sociale kanë qenë të ngjashme me të Arabisë", [64] por edhe në viset tjera që theksuam më lartë, të ndikuara ndërsjellësisht nëpërmjet arsimimit dhe vizitës haxhit. [65] Orientalisti i njohur, F. Hiti, ndikimin vehabit e shpreh në mënyrë mjaft lucide, duke thënë se përkundër humbjes së vehabinjve nga guvernatori egjiptian, Muhammed Aliu, "mësimi i vehabinjve, ndërkaq, edhe më tej zgjerohej, dhe ndikimi i tyre është ndier nga Sumatra, në Lindje deri në Nigeri, në Perëndim". [66]

Krahas ndikimit ushtarak dhe politik, vehabinjt ndikuan edhe ekonomikisht dhe kulturalisht. Kjo ndodhi sidomos pas zbulimit të burimeve të naftës. Mirëpo, përkundër pasurisë së madhe, shteti vehabij, deri në ditët e sotme, këtë pasuri e shfrytëzoi në mënyrë joinstitutucionale, primitive (me metoda akohore dhe nëpërmjet individëve të korruptuar moralisht dhe intelektuaslisht), joproduktive dhe jointelektualisht. Këtë e pohon edhe profesori egjiptian, M. Behij, duke thënë se "ata ende nuk kanë ndërmarrë hapa pozitiv ... për prezantimin e tij të mirëfilltë ndaj botës". [67]

Ndikimi u zhvillua nëpërmjet djemve të tij: Shejh Husejn Ibn Muhammed ibn Abdulvehhab dhe Shejh Abdullah ibn Muhammed ibn Abdulvehhab, Shejh Alij, Shejh Ibrahimi, [68] nxënësve të tij [69] edhe nëpërmjet literaturës së Muhammed Ibn Abdulvehhabit dhe të autorëve të tjerë të rekomanduar nga vehabinjt. Mirëpo, këtë aktivitet e ka dobësuar mungesa e shtypshkronjave në territorin vehabit. Veprat e Muhammed ibn Abdulvehhabit qarkullonin në dorëshkrim në gjuhën letrare (fus'ha) dhe dialektore (amijeh), për të ndikuar më drejtpërdrejt në masë. [70] Mirëpo, vehabistët në Indi kanë botuar dhe shkruar libra vehabiste në gjuhën urde, persishte dhe arabishte. [71]

Është vështirë të saktësohet se çka ka shkruar Muhammed ibn Abdulvehhabi, mirëpo, biografët pohojnë se ka shkruar disa vepra: [72]

- Usul'ul-iman, e botuar në Kairo,
- Fedail'ul-islam,
- Fedail'ul-Kur'an,
- Kitab'ul-kebair,
- Keshf'ush-shubuhati fi't-tevhid, Kairo,
- Kitab'ut-tevhid, Rijad, është botuar edhe në gjuhën shqipe me titull "Monoteizmi islam", Shkup, 1412 h./1992,
- Kitabu Mexhmuatu't-tevhid (16 traktate të Ibn Tejmijes dhe Muhammed ibn Abdulvehhabit), Medinë, pa vit botimi, në 681 + 9 faqe,
- Tefsir'ul-Kur'an,
- Muhtesar Siret'urr-Resul, bot. I, Rijad, 1419 h./1999,
- Thelathet'ul-usuli ve edil-letuha, Rijad dhe në gjuhën shqipe me titull "Tre themelet ... ". [73]

Ahmed Emin pohon se Muhammed ibn Abdulvehhabi i ka shkruar një letër me dorën e tij Ibn Tejmijjes dhe se kjo letër gjendet në Museumin Britanik në Londër. [74]

Rozhe Garodi, francez, njëri prej intelektualëve më të mëdhenj botëror, që përqafoi islamin në vitet e 80-ta të shekullit XX, mendon se "shteti vehabit, duke filluar nga vitet e 70-ta, do të bëhet epidendër e termetit integralist në botën muslimane". Ai më tej thekson se ekzistojnë disa kanale të ndikimit saudit: "Ekziston më së pari emërimi dhe dërgimi i numrit të madh të imamëve që do të udhëheqin me xhamitë. Ata mund të jenë të nacionaliteteve të ndryshme me kusht që të jenë formuar sipas dogmatizmit, tradicionalizmit rigoroz dhe obskurantizmit saudit". [75] Kohëve të fundit sidomos, qeveria vehabiste, nëpërmjet shoqatave arsimore-humanitare ka bërë invazion në përkthimin dhe shpërndarjen e literaturës vehabiste në gjuhë të ndryshme. Mirëpo, ky aktivitet karakterizohet me një diletantizëm të vërtetë, duke ofruar një përzgjedhje të dobët të veprave dhe një punë të dobët në përkthim dhe shpjegim.



Autor: Nexhat S. IBRAHIMI,
Boton: Zëri islam - Prizren, 2004.



_________________________

Shkëputur nga Artikulli: "Natyra e Vehabizmit".

[57] - Sulmet e Ibn Saudit mbi Irak qenë viteve të fundit të Sulejmanit, më 1797 dhe 1799, kur u thyen nga forcat e sulltanit. Mirëpo, më 1802, forcat vehabiste sulmuan rreptë mbi Kerbelë, me ç'rast e plaçkitën dhe e rrënuan. Shih: Andre Remon, Arapske provincije (XVI-XVIII vek), në: Rober Mantran, Istorija Osmanskog Carstva, Beograd, 2002, fq. 478.
[58] - H. Laoust, op. cit., fq. 295-296.
[59] - H. Laoust, op. cit., fq. 317-322. Nerkez Smailagic, Leksikon ..., op. cit., fq. 658.
[60] - Nerkez Smailagic, Leksikon ..., op. cit., fq. 658.
Mbi ndikimin vehabist gjerësisht lexo: El-Abud, II, op. cit., fq. 371-462.
[61] - A. Smajloviq, Muhammed Ibn Abdulvehhab, në: Muhammed Ibn Abdulvehhab, Tre themelet ..., op. cit., fq. 8-9.
[62] - El-Abud, II, op. cit., fq. 410.
[63] - F. Rahman, Duh islama, Beograd, 1983, fq. 277-278.
[64] - F. Karcic, Drustveno pravni aspekt islamskog reformizma (tezë doktorature), Sarajevë, 1990, fq. 64.
[65] - F. Rahman, op. cit., fq. 275.
[66] - F. Hiti, op. cit., fq. 666.
[67] - M. El-Behij, Muhammed bin Abdulvehhab, Islamska Misao nr. 27, op. cit., fq. 11.
[68] - El-Abud, I, op. cit., fq. 195-196.
[69] - El-Abud, I, op. cit., fq. 196-200.
[70] - El-Abud, II, op. cit., fq. 185.
[71] - N. Smailagic, Leksikon ..., op. cit., fq. 658.
[72] - Nuk është e sigurt cilat vepra saktë i ka shkruar Abdulvehhabi, por disa i përshkruhen me siguri. Sipas: El-Abud, I, op. cit., fq. 201 e tutje.
[73] - A. Smajloviq, në: Muhammed ibn Abdulvehhab, Tre themelet ..., op. cit., fq. 9-10, të përkthyer nga ne dhe M. El-Behij, Muhammed bin Abdulvehhab, Islamska Misao nr. 27, op. cit., fq. 11.
Këtë vepër Ibn Abdulvehhabi e shkroi me kërkesë të Abdulaziz ibn Saudit. Sipas: El-Abud, II, op. cit., fq. 184.
[74] - M. El-Behij, Muhammed bin Abdulvehhab, Islamska Misao nr. 27, op. cit., fq. 11.
[75] - Roger Garaudy, Integrismes, p. 10, sipas: Aleksandar del Val, Islamizam i Sjedinjene Države alijansa protiv Evrope, Beograd, 1998, fq. 122.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...