Bajgora mohon lidhjet e BIK-ut me vahabi



Në një raport të përpiluar nga eksperti, Stephen Suleyman Schvartz, i cili është drejtor ekzekutiv i "Qendrës për Pluralizëm Islamik" me seli në Uashington të SHBA-ve, thuhet se funksionarët fetarë në Kosovë janë vahabi, të korruptuar dhe të pandershëm. Por, ky raport nga drejtuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës, vlerësohet shpifës, me tendenca që të dëmtohet imazhi i BIK-ut në Kosovë.

Krerët e Bashkësisë Islame të Kosovës, gjithashtu kanë paralajmëruar edhe aktpadi ndaj atyre që po bëjnë shpifje, të cilët në njëfarë mënyre po mundohet të njollosin punën e ndershme të BIK-ut.

Në raportin e Schvartzit, mes tjerash thuhet se Sabri Bajgora shihet si një shërbëtor i Naim Tërnavës, i cili është koka vahabiste në Bashkësinë Islame të Kosovës që nga viti 2003.

Por, kryeimami i Kosovës, Sabri Bajgora, i hedh poshtë të gjitha këto konstatime, duke thënë se emri i Stefan Schvartz nuk është i panjohur për BIK-un, ngase ky person, sipas tij edhe në të kaluarën ka shkruar shkrime të tilla fyese dhe denigruese për komitetin mysliman të Kosovës.

Për më tepër, Bajgora ka thënë se Schvartz është një person shumë kontrovers, një person i cili vazhdimisht merret me shpifje tendencioze ndaj krerëve të BIK-ut.

"Sigurisht se dikujt i pengon aktiviteti i BIK-ut, i pengojnë reformat që vazhdojnë çdo ditë të bëhen në këtë institucion. Besoj se nuk ja vlen te merremi me raporte të tilla, sepse hulumtimi që e ka bërë Stephen Schvartzi, kryesisht bazohet në shpifje tendencioze, që fatkeqësisht janë të ushqyera nda disa njerëz të pandërgjegjshëm që veprojnë nën ombrellën e Bashkësisë Islame të Kosovës", ka thënë Bajgora.

Ai ka hedhur poshtë të gjitha ato që thuhen në raportin e Schvartzit, duke cituar edhe një deklaratë të më hershme të myftiut Naim Tërnave, i cili kishte thënë se nuk ka vend për panik, se në vend ekziston ndonjë grup radikal vehabist, apo grupe me tendenca ekstremiste.

Kryeimami i Kosovës, është pyetur nga Kosovapress, edhe për pjesën e raportit të Schvartzit ku thuhet se në krye të pozitave udhëheqëse të BIK-ut, po vihen njerëz të pashkolluar dhe vahabi, ndërsa po largohen ata që janë të arsimuar dhe të kualifikuar, duke ju referuar zgjedhjeve të fundit në Komunën e Kaçanikut.

"Kjo është tërësisht e pavërtetë dhe nuk qëndron fare, sepse kryetari i sapo emëruar në Kaçanik është Florim Neziraj, është kuadër i fakulteti të studimeve Islame në Kosovë, është një kuadër i shkolluar në kujdesen e BIK-ut, sepse edhe vet qëllimi i themelimit të këtij fakulteti ka qenë pikërisht që t'u japim hapësirë studentëve tanë që të shkollohen në këtë klimë të tolerancës dhe të mos infiltrohen nga mësimet e ndryshme që mund t'i marrin anekënd botës arabe, apo islame. Andaj dikujt edhe sigurisht i pengon që në Bashkësinë Islame në Kosovë kanë filluar reformat të mëdha, ku në shprehje po vinë kuadro të reja që kanë dal pikërisht nga gjiri i këtij popullit", ka thënë ai.

Por, jo vetëm në raport e Stefan Schvartz, thuhet që BIK-u në pozita udhëheqëse po vendos vehabist. Mendim të njëjtë ka edhe imami i xhamisë "Metë Podujeva" në Podujevë, Idriz Bilalli, njëherit edhe kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Bashkësisë Islame të Kosovës, i cili kohë më parë është shkarkuar nga detyra e udhëheqësit të degës së BIK-ut në Podujevë. Ai ka thënë nëpërmjet telefonit për Kosovapress se raporti i Stefan Schvartz, bazohet në tolerimet që kryetari i Bashkësisë Islame në Kosovë po u bënë radikalëve islamik, duke i vënë disa pre tyre në pozita drejtuese.

"Ai ka toleruar këtë rrymën vehabiste në Kosovë që të depërtojë, dhe sigurisht se në bazë të kësaj edhe ka raporte të tilla, ka nëpunës në Bashkësinë Islame që kanë marrë pozita gjatë mandatit të këtij zotërisë që është në krye të Bashkësisë Islame (Naim Tërnava) dhe me siguri në këtë parim ka filluar edhe ky raport. I ka toleruar të depërtojnë nëpër pozita të Bashkësisë Islame, profesorë, imam të xhamisë dhe pozita të tjera dhe në bazë të kësaj mundet me kanë një 'koalicion i heshtur', siç unë e kam quajtur me këta radikalët islamik këtu në Kosovë", ka thënë Bilalli nëpërmjet telefonit.

Por, për Bajgoren, njerëz siç është, Idriz Bilalli, cilësohen si bashkëpunëtor të Schvartzit. Bajgora nuk është ndalur me kaq, ai ka paralajmëruar se do të ngre aktpadi ndaj shpifësve dhe bashkëpunëtoreve të tij, ngase po adresojnë akuza të pabaza ndaj drejtuesve të Bashkësisë Islame në Kosovë.

"Në pamundësi për të ardhur në shprehje dëshirat e tyre karrieriste, atëherë ata dalin në opinion dhe ofrojnë shpifje të ndryshme, prandaj ne jemi seriozisht duke menduar që të ngrejmë edhe aktpadi ndoshta edhe private, edhe në kontestet civile rreth këtyre shpifjeve, të cilat po e dëmtojnë imazhin e besimtarëve dhe imazhin e Bashkësisë Islame të Kosovës në përgjithësi", ka thënë kryeimami i Kosovës.

Për më tepër, ai ka thënë se në Kosovë nuk ka pasur dhe nuk do të ketë vend për vehabistë dhe radikalizëm islamik, ngase sipas tij, këtë ia mundëson edhe pozita gjeografike në të cilën ndodhet Kosova.



Përgatiti: kosovapress, mars 2012.

Mbylle Es-Selatu ve es-Selamu alejke, ja Resul-Allah, ja Habib-Allah, ja Nebijj-Allah, ...

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...